Kur nënprefektura e Kërçovës e bënte ‘detyrues’ përdorimin e plisit të bardhë

Ekrem Telhai, që shërbeu si nënprefekt i Kërçovës, në periudhën 1942-1944, u jepte porosi të gjithë vartësve e tij që të vetëdijesonin qytetarët e nënprefekturës për të përdorur plisin e bardhë shqiptar.

Bashkimi afatshkurtër i Shqipërisë me Kosovën dhe një rripi të Maqedonisë Perëndimore solli në krye të prefekturave një administratë të re me kuadro drejtuese nga Shqipëria.

Përveç hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, administratat lokale të ‘Mbretnisë Shqiptare’ përkujdeseshin që t’u krijonin banorëve një ndjenjë të re.

Ekrem Telhai, që shërbeu si nënprefekt i Kërçovës, në periudhën 1942-1944, porositte të gjithë vartësit e tij që të vetëdijesonin qytetarët e nënprefekturës për të përdorur plisin e bardhë shqiptar.

16 mars 1942

Urdhëresë nga Ekrem Telhai, nënprefekt i nënprefekturës së Kërçovës deri te komuna e Kërçovës dhe te të gjithë institucionet shtetërore.

Mbretëria e Shqipërisë
Nënprefektura-Kërçovë
Deri te  Komuna, komunat fshatare dhe të të gjithë institucionet shtetërore

Është vërejtur që në popullin tonë dhe në rrethin tonë, që nuk është rast me rajonin e Kosovës, të Tetovës dhe Gostivarit, kësula e zezë zakonisht bahet nga burrat. Kësula e zezë nuk është kësulë e shqiptarëve, kësula nacionale e shqiptarëve (ai që e ndjen dhe mendon shqip) është kësula e bardhë prej leshi. Për këtë është e nevojshme dhe e arsyeshme që në kohë Shqiptarët të fillojnë të tregojnë ndjenjat e veta për Lirin duke bart kësulën e bardhë nacionale, duke e hedhur të zezën që është simbol i zisë dhe joshqiptare. Në Kërçovë flitet shumë pak shqip (në të kaluarën nga frika bartej kësula e zezë dhe shqipja dënohej), kësulat janë të zeza dhe nuk ka ndonjë shenjë shqiptare. Për këtë duhet që t’i bindni qytetarët dhe fshatarët të vendojnë në kokë simbolin e stërgjyshërve tanë, atë të bardhën, fëmijët t’i çojnë në shkollë të mësojnë shqipen, ndërsa prindërit të shkojnë në shkollat e natës, të mësojnë të flasin gjuhën shqipe, të mësojnë të lexojnë e shkruajnë shqip. Në komunat, qytetare dhe fshatare, në rast se paraqiten burra me kësulë të zezë, të iu tërhiqet vërejtja që kur të shkojnë në zyrat e shtetit duhet që të kenë kësulën e bardhë të flasin shqip, përndryshe nuk do të kenë lehtësime në shërbimet e tyre.

Pres që kjo urdhëresë të gjejë zbatim sa më shpejt.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top