KUR DIGJESHIN SHTEPIAT SHQIPTARE E MARKAT GJERMANE

Shkruan: Rexhep SHAHU

RUPERT NEUDECK MIK I MADH I SHQIPTAREVE

Pasi kishte parë me sytë e tij se çfarë po ndodhte në rrethin e Tropojës, pasi ishte njohur me dhimbjën shqiptare dhe ishte “vrarë” aq sa s’kishte provuar kurrë, Rupert Neudeck – president i organizatës qeveritare gjermane Kap Anamur, i shoqëruar nga Kadri Balaj, në atë kohë konsull i republikës së Kosovës në Shqipëri, dhe një djalë prishtinas që sherbentë si përkthyes, kishte marrë udhën nga Bajram Curri për në Kukës. I shtyrë nga misioni i tij, mbase, kërkon të ndalet në Qafë Prush të Hasit për t’i hedhur një sy Gjakovës dhe fshatrave përrreth të mbuluara nga flakët dhe tymi i luftës. Vështron sa vështron me e pa dylbi andej nga Kosova ish mbuluar në tym, dhe siç s’e kishte zakon, thërret me të madhe : ” Çfarë po ndodh atje…”. Nuk u mor vesh se kujt i thirri. S’u mor vesh a pyeti a pohoi. Veç, kur Kadri Bala i thotë se ” po digjen prej serbëve shtëpitë shqiptare e markat gjermane”, Neudeck s’ka pritur më, ka instalur një telefon, dhe ka hyrë në lidhje të drejtpërdrejtë telefonike nga Qafa e Prushit e Hasit me bosin e ministrisë së jashtme gjermane. Ndoshta ka qenë biseda telefonike më e nxehta që kanë bërë ndonjëherë nëpunësit e ministrisë së jashtme gjermane. Sepse fliste me gjithë fuqinë e shpirtit, derdhte gjithë emocionet e tij bashkë me informacionet e shumta për t’i bindur nëpunësit e zyrave gjermane për barbarinë serbe ndaj shqiptarëve, humanisti e miku i shqiptarëve Rupert Neudeck.

Mbas dite vonë hynë në zyrën time në Radio Kukësi të tre. I kishte folur Kadriu për mua. Ai burrë i imtë, me mjekër e shpirt të bardhë, me një vështrim të thellë e zhbirues, përpinte gjithçka flisja për të shpërngulurit. Vazhdonte të ishte i tronditur nga çfarë kishte parë e përjetuar në Bajram Curr. Kadriu më tha se Neudeck ishte mik i Hajnrih Bëlit.
Pasi u takua edhe me gazetaret Blerina Halili e Mirjana Përzhita, vizitoi studjot, fonetekën dhe mjediset e Radio Kukësit.

Ndersa darkonim dhe diskutonim, i propozova për një bisedë rreth impresioneve të tij. Pranoi. Me magnetofonin e tij profesional, pasi ishte më i mirë se i imi, realizuam aty ku po darkonim, në lulishte të restorantit bisedën e mëposhtme të cilën e filloi ai :
– Unë Rupert Neudeck jam në Gjermani një organizator i një aksioni ndihmash të specializuar për regjionet e krizave, të katastrofave e të luftrave. Kjo organizatë quhet Kap Anamur. Ka të bëjë me një anije, një anije shpëtimi. Kjo anije ka shkuar në vitin 1979 në Kinën Jugore dhe ka shpëtuar një numër shumë të madh kinezësh.
– Mësuam se keni qenë në Tropojë dhe keni parë se ç’po ndodh atje, keni parë me sytë tuaj shqiptarët që kanë ardhur nga Kosova. Çfarë motivesh ju sollën këtu, në Shqipëri ?
– Motivi i parë ishte se, më parë, e kishim ndërmend që të ndërmerrnim një aksion ndihmash në Kosovë. Dhe kjo punë na u bë aq e pamundshme dhe ishim aq shumë të penguar sa që s’kishte fare mundësi që ta ndërmarrim një aksion të tillë, dhe vendosëm që po për këtë popull të zhvillojmë aksionin tonë në Shqipëri. Para 10 ditësh isha pranë ambasadës shqiptare në Bon dhe ja dhashë këtë propozim. Dhe në mesditë dëgjuam lajmin se mbi dy mijë refugjatë shqiptarë nga Kosova kanë kaluar në territorin e Shqipërisë, përkatësisht në Tropojë. Unë e kam ndërprerë një aksion udhëtimi për në Sudanin Jugor, dhe jam nisur menjëherë për në Kosovë.
– Kush ju pengonte që të shkonit në Kosovë për të realizuar misionin e planifikuar ?
– Shumë qartë : regjimi i Beogradit. Ai regjim, mua, mbi 5 vjet nuk më ka dhënë vizë, që përsonalish unë të shkoj për një vizitë në Kosovë. Deri sot asnjë organizatë humanitare nuk ka status legal në Serbi, dhe kjo do të thotë se ne jemi plotësisht të varur nga regjimi i egër që mbretëron atje.
– Kjo që ndodhi me shqiptarët e Kosovës, që erdhën në Shqipëri, ajo që patë ju vetë në Tropojë, a është e njohur mirë në shtetin tuaj ?
– Për këto ngjarje është raportuar shumë atje, por jo edhe në formë të detajuar për shkak se mungonin reporterët dhe gazetarët përkatës. Për këtë arsye vendosa të vij dhe të shoh me sytë e mi se çfarë po ndodh këtu. Dhe ishte shumë e domosdoshme.
Kam përjetuar dy gjëra shumë të medha atje. Së pari nuk është një ikje në kuptimin klasik. Për këtë arsye ende nuk kanë ndërmarrë ndonjë aksion organizatat për çeshtje të ikursh. Si p.sh. Komisariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara (UNHCR-ja), ende nuk ka një bazë ku do të vepronte me të ikurit, sipas akteve të mëdha që ruhen nëpër sirtare që përcaktojnë të ikurit e rregullt nga një vend. Nuk kam mundur të paramendoj një mjerim kaq të tmerrshëm të grave dhe fëmijëve, të cilin pata rast ta shoh edhe vete. Për mua ishte e kuptueshme, se ne, dhe udhëtimi ynë, ishte shumë i vonuar. Politika europjane ka debatuar dhe bën përralla çdo ditë, se duhet të ndihmohen njërëzit të cilët kanë nevoja urgjente. Por kurrsesi nuk reagohet në momentet përkatëse që janë vërtet urgjente dhe kanë nevojë njerëzit. Në mes të tjerash kemi takuar një grua, që ishte rast shumë rrënqethës. Ende nuk mund ta marr veten. Nuk mund të qetësohem plotësisht. Nuk mund të flej rehat nga pamundësia që t’i ofroj ndonjë ndihmë një gruaje të tillë. Popullata e këtushme në Tropojë dhe Bajram Curri ishte shumë pjesëmarrëse në ndihmën për pranimin e refugjatëve, që tek ne është diçka e pa dëgjuar, e pabesueshme. Mirëpo edhe këta shqiptarë në këtë rajon nuk janë njerëz tepricë. Për këtë arsye ne duhet të përgatitemi sa më shumë për flukse të reja të refugjatëve që mund të ndodhin.

– Si e mendon të ardhmen e këtyre njerëzve që kanë ardhë në Tropojë?
– Krejt kjo varet nga zhvillimet e më vonshme në javet e ardhshme se a do të kënë mundësi ata që prapë të kthehen në vendet e tyre. I admiroj tepër shumë të gjithë këta refugjatë, fëmijë e gra, dhe e ndjej vazhdimisht, se nuk kemi mundur, gati asgjë t’ju ndihmojmë në këtë gjendje kaq të vështirë. Varet nga reagimet që do të bëhën e se si do të bëhën nga institucionet e ndryshme ndëkombëtare. Si do të reagojnë ndaj tyre. Varet edhe nga zhvillimet në këto anë, në këto territore ku gjendën refugjatët.

– Sa kemi biseduar sot, dukeni i mirëinformuar për Kosoven dhe për ngjarjet në përgjithsi. Si e mendoni ju zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve?
– Mund të paramendoj skenarin më të tmerrshëm, më të keq. Dhe kjo do të thotë vdekje masive të shqiptarëve. Sepse deri më sot nuk posedojnë armë në mënyrë të barabartë të dyja palët. Nuk mund të paramendoj se ketu mund të flasim për një luftë frontale mes dy palësh. Për këtë do të duhej që levizja çlirimtarë të jetë më e formuar dhe më e fuqishme në aksionet e saj. Por duhet të kemi parasysh se Kosova ka përfaqësuesit e saj politikë. Në të njëjtën kohë, zhvillohet një levizje ushtarake. Duket sikur nuk kanë kurrëfarë lidhjesh mes tyre përfaqësuesit politikë dhe ata ushtarakë. Gjëja më e mire do të ishte, që vendimi që dëgjuam se ishte marrë sot për ndalim fluturimin mbi Kosovë sa më shumë të rrespektohet. Që vendimet e nëntë marsit që u morën në Londër të rrespektohen dhe të tërhiqen forcat ushtarake – policore nga Kosova. Si dhe referendiumi që është mbajtur të njihet ose të organizohët përseritja e këtij referendumi.
– Ju shprehet simpati për të ardhurit në Tropojë. Për çeshtjën shqiptare a mendon se faktor duhet të jenë vetë shqiptarët apo duhet të shpresojnë ende tek vendet e Grupit të Kontaktit dhe fuqitë e tjera ?
– Shqiptarët e Kosovës do të delnin keq të këshilluar sikur t’ju thuhet të presin nga opinioni ndërkombëtar. Një popull duhet ta çlirojë vehten e tij. Kjo nuk përjashton që miqve shqiptarë ju preferohet një diplomaci e mençur. Unë s’do të doja që të jeni antiamerikanë. Nuk duhet të mbeshteteni tepër shumë në Europë për shkak se ajo vetë është e dobët. Dhe nga miqtë e mi shqiptarë, më është bërë e njohur se fqinjtë nuk mund ti zgjedhësh sipas deshirës. Kam dëgjuar vetë nga njerëz të lëvizjes çlirimtare, se robërit e luftës nuk i kanë keqtrajtuar. Unë kam një simpati të madhe për këtë popull. Është një popull që ka pranuar edhe këshillat. Në këtë mënyrë, unë jam me plot simpati pranë këtij populli.

– Historia njeh pushtues të ndryshëm. Mirëpo ushtria serbe bën masakra mbi popullsinë. Masakrojnë gra, pleq, fëmijë. Ua presin gishtërinjtë fëmijëve, ua presin veshët dhe ua fusin nëpër xhepa. Si do e gjykonit ju ? Pse ndodh kjo,sipas jush ?
– Për këtë mundëm, mjerisht, shumë lehtë të përgjigjem. Nga historia e popullit tim e di se kemi përjetuar faza të ngjashme të tmerreve si nga Auszhvits, Urradur, Lidiçe, Avia, që na kanë sjellë edhe ne tmerre dhe masakra të mëdha të paparashikushme. Kam mësuar nëpër botë nga popuj të ndryshëm se për njerëzit çdo njëri është i shkathët dhe nuk ka rëndësi ngjyra e tij, lëkura apo përkatësia e tij kombëtare. Por as kjo nuk u ndihmon grave që ne i pamë dje në Tropojë. Dhe për këtë arsye e kuptoj çdo shqiptar që ka një prirje njerzore. Ekziston edhe nevoja njerzore e revanshit. Por shpresoj shumë se nuk do të arrijë deri te revanshimet dhe hakmarrjet e tmerrshme.

– Çfarë do tu tregoni njerëzve tuaj, gjermanëve, kur të shkoni në Gjermani ?
– Unë për të gjitha këto kam raportuar nëpërmjet një lidhje telefonike. Sot, po ashtu, edhe nëpërmjet televizionit. Shpresoj se pasi ta dëgjojnë gjermanët do të përpiqen me çdo formë që në aspektin humanitar sa më shumë t’ju ofrojnë ndihmë këtyre njerëzve. Edhe pse nuk i ndihmon në rastin konkret asaj gruas së Kosovës në Tropojë, që burri i saj kishte mbetur në zonat e luftës. Sa i përket aspektit humanitar, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që sa më shumë t’ju ndihmojmë. Kurse anën tjetër duhet ta bëjnë vetë shqiptarët.

– Sikur thatë më parë se krahu politik dhe ai ushtarak në Kosovë nuk kanë marrëveshje?
– Unë e quaj të dhimbshëm rastin e Rugovës kur ca njerëz heqin dorë nga ai, por në ndonjë rast edhe e keqtrajtojnë. Rugova është përpjekur gjatë 7 vjetëve, në forma të ndryshme, në formë paqësore, me gjithë angazhimin e tij, të kërkojë një zgjidhje të drejtë për Kosovën. Kjo politikë, sa duket, ka dështuar. Jo për shkak të mos angazhimit të tij. Por për shkak të ndryshimit të rrethanave. Tani duhet që të gjitha format e organizimit të bashkohen në një, në shërbim të çeshtjës së tyre kombëtare.

– Rugova konsiderohet si mit në Kosovë. Çfarë i mungon atij që aktualisht të mos jetë në krye të gjithë levizjes në Kosovë.
– Kjo është një pyetje që ndoshta nuk mund t’i pëgjigjem. Unë e kam admiruar shumë këtë njëri. Ibrahim Ruguva ka karizmën e politikës që shumë pak njerëz e kanë në Europë. Ai ka mbetur shumë i thjeshtë. Ka bërë për shqiptarët në botë, atë që shprehimisht mund të bëhej. Nuk mund ta di se pse ai nuk mund të jëtë në krye të gjithë levizjes në Kosovë. Është vështirë ta përcaktoj këtë.

– Për fund të kësaj bisede z. Neudeck, çfarë do të donit të theksonit, a nuk jeni shkëputur ende nga tmerri që keni parë në Tropojë ?
– Po, është e vërtetë. Banesa dhe shtëpi të vogla në të cilat në Gjermani nuk banohet më në të ngjashme me to. Të banuara nga 20 – 30 deri 35 njerëz, të ardhur e vendas bashkë. Aty ushqehen, rrinë e flenë. Është e tepërt. Njerëz, të cilët jetojnë me trauma dhe depresione të mëdha. Fëmijë të cilët nuk mund të flenë mirë për shkak se nuk ju hiqen ankthet dhe tmerret që kanë përjetuar gjatë udhëtimit të tmerrshëm në ikje e sipër. Fëmijë të cilët është dashur të vihën nën përkujdesin e psikiatrit. Pleq e plaka të cilave u dhimbnin edhe këmbet nga udhëtimet e 10 ditëve të fundit që kishin bërë. Të gjitha këto ngjarje, janë të dhëna që tregojnë se ushtarët dhe policët serbë i kanë hedhur refugjatët shqiptarë buzë varrit. Te popullata në Tropojë ekzistonte një gadishmëri e madhe për pranimin e këtyre njerëzve të ikur. Të ardhurit trajtoheshin nga një mjek nga Kosova, i cili pa kurrfarë pagese punonte vetëm për këta të ikur, pa u lodhur fare. Një situatë totalisht paradoksale. Në këtë rast, pushtetin shqiptar s’kisha mundësi ta shoh fare aty pranë. Sikur të mos ekzistonte edhe përfaqësia e Kosovës, dhe organizatat e tjera humanitare e kishtare, atëhere nuk e di se ku e si do të gjendeshin këta njerëz dhe nga kush do të kërkonin ndihmë. Ekzistonte frika e madhe se në ditët e ardhshme, ndoshta edhe 50 mijë njerëz të tjerë do të gjendën si refugjatë po në këtë vend. Pastaj kjo popullatë nuk do të jetë në gjëndje të durojë më. Duhet të formohen kampe të ikursh, kampe refugjatësh. Kjo është një nga gjërat më të vështira e më të rënda për situata të tilla.

– Faleminderit z. Rupert Neudeck që na u gjendet në këto ditë të vështira dhe që merrni pjesë në dhimbjen tonë.
* * *

Në vitin 1999, kur në Kukës erdhën rreth gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës si refugjatë, nën kujdesin e Rupert Neudeckut, në Kukës organizata Kap Anamur ngriti një kamp për refugjatë. Ato kohë kam qenë në spital në Tiranë dhe nuk kam mundur që ta takoj më z. Rupert Neudeck, ndonëse ai ka qëndruar me qera në një apartament një kat sipër apartamentit tim në Kukës.

Pas çlirimit të Kosovës prej serbëve, Rupert Neudeck dhe organizata e tij Kap Anamur kanë qenë ndër më aktivet për të ndihmuar popullin e Kosovës për barna mjekësore dhe riparime banesash të shkatërruara nga lufta.

Në shtypin e kohës së pasluftës për Kosovën, Jusuf Buxhovi duke pasqyruar një konferencë shtypi që Rupert Neudeck mbajti në Bon, mes të tjerave shkruan në të përditshëm “Rilindja Demokratike” të Tiranës :
“I pari që u përkujdes për shërimin e të plagosurve, që ia doli të shpërthejë rrethimin serb, Neudek, edhe përkundër pengesave, ia ka dalë të futet edhe në Kosovë. Dhe përkundër ilaqeve e ndihmës tjetër sanitare, ai ka filluar aksionin për meremetimin e pullazeve të shtëpive nëpër katundet e rrënuara shqiptare të Dukagjinit dhe të Drenicës. Deri tani Rupert Neudeck dhe shoqata e tij ka meremetuar 100 pullaze, ndërkohë që pritet që brenda këtyre 3 javëve të meremetojë edhe 360 shtëpi të tjera. Në një konferencë për shtyp që u mbajt në Bon këto ditë, Neudeck kërkon nga qeveria gjermane, nga opinioni i vendit, nga bashkimi europian, si dhe institucionet e tjera botërore, që në vend të fjalëve të shumta, çdo ditë të meremetojnë nga një shtëpi në Kosovë. Miku i mirë njihet në ditë të vështira, thotë Neudeck dhe shton se shqiptarët kanë shumë nevojë të mbijetojnë”.
Korrik, 1998
(Nga libri im Marsi i Minave)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top