KUJT PO I NGUTET?

SHKRUAN: SEFEDIN KRASNIQI

Zgjedhjet e 06 tetorit 2019 do të mbahen mend gjatë për fushatën agresive mediatike që ma ka kujtuar kohën e luftës. Përndryshe, kam përshtypjen që gjithçka ka qenë e përgatitur që LVV të del e para. Ka munguar vetëm Jamie Shea nga Selia e NATO-s të mbajë ndonjë konferencë për shtyp apo James Rubin. As komunikata nga SHP s’ka pasur, as nga Rogneri as nga Bahnhofet!

Veç të gjitha mjeteve të informimit që LVV i pati në dispozicion (mos t’ankohen se janë të varfër), për t’iu lehtësuar rruga, për disa ditë « bënë pushime » në SHBA ; Thaçi, Veseli dhe për pak ditë Ramushi. Porosia duket të ketë qenë e qarte, « vjedhje votash s’ka » dhe ndonjë porosi tjetër. Përndryshe, Xhavit Haliti (psh) kurrë s’do të mbetej jasht Parlamentit.

Vetë dita e votimit, 06 tetor, ishte relativisht e qetë apo fare e qetë në krahasim me ditet tjera. Pasi u mbyllën qendrat e votimit, pas orës 19:00, nuk pati mbushje të kutive, si zakonisht, prandaj edhe askush nuk u ankua për ndalje të rrymës as për mbetje n’ashensor.

Filloi numërimi. Serveri i KQZ-së, interesant, funksiononte për mrekulli. Por, mrekullia e paparashikur prapëseprapë ndodhi, sepse gadi gjithë mbrëmjen vonë LDK ishte n’avantazh. Pastaj, si me magji, LVV kaloi n’vantazh të lehtë dhe e ruajti deri në numërimin e 98% të votave. Papritmas, komisionerët u “lodhën”. Pas disa ditëve, u numëruan, “mezi”, edhe ato 2% të votave. Mbeten pa u numëruar ato me kusht dhe ato me postë. Ato me postë, dikush tha po vonohen!

LVV mori, përafërsisht, vetëm 5000 vota në avantazh ndaj LDK-së dhe presioni filloi nga të katër anët e botës që LDK ta pranojë humbjen dhe t’i thotë PO koalicionit me LVV. Cili shtet apo kandidat për kryeminister do ta pranonte humbjen kur dallimi është kaq i vogël (5000 vota), kur megjithatë kanë mebetur edhe 40000 tjera për tu numëruar!? A do të pranonte humbjen LVV në këtë rast? Kurrë!

Më kanë çuditur dhe po më çuditin shumë anëtarë, madje edhe të devotshëm të LDK-së, që me ngulm po kërkojnë t’i dorëzohet fitorja Albinit. Sigurisht, deshira për t’i dërguar në “pushim të merituar” komandantët e rremë (jo UCK-në) dhe “diktaturën” e tyre. Ndoshta më tepër për t’iu hakmarrë Isa Mustafës që s’i ka “përfillur sa duhet”.

Pra, presioni është i papërshkrueshëm që LDK ta pranojë humbjen ende pa u çertifikuar zgjedhjet nga KQZ dhe ende pa e dekretuar Thaçi mandatarin për krijimin e qeverisë. Atmosfera është e njëjtë sikur Demaçi kur thonte, gjatë luftës, “nuk mjafton dekretimi i Mehmet Hajrizit për kryeminister, pa shkuar Rugova krejt nga politika”.

Kujt po i ngutet dhe pse?

LDK, përkundër këtij presioni, nuk duhet ta pranojë rezultatin derisa KQZ të thotë se u numërua edhe vota e fundit. Nëse LVV del e para, LDK duhet t’ia uroj fitoren me dinjitet. Do ia urojmë të gjithë. Pastaj t’i thotë me plot gojën PO koalicionit, sepse tymi i bardhë do të dal nga oxhaku i KQZ-së, sikur në Vatikan për zgjedhjen e Papes. Ky do të jetë shenjë se Albini i ka thënë PO Amerikës dhe nuk e konsideron, sikur dikur kolonizatore. Pastaj, cili do ta qeverisë Republikën e Kosoves: Albini apo Vjosa, Vjosa apo Albini do të jetë krejt njësoj. Përndyrshe Serveri i KQZ-s do të numërojë prapshtë për LVV. Sidoqofte, Vjosa është fituese e këtyre zgjedhjeve, pasi LDK-së ia ktheu përveç më shumë se 30000 vota edhe dinjitetin me shkëlqimin dhe buzëqeshjen karizmatike.

NB: Edhe kësaj radhe, Qosja si sëmundje patologjike që e ka LDK-në, nuk ngurroi t’i versulet herë vetëm herë me ndihmen e Rudina Xhungës. Edhe Kadare, prapë i gaboi hapat sikur me Rugovën.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top