Kryengritësi i parë, si e dorëzuan anglo-amerikanët tek Enver Hoxha

Përgatiti: Veli Haklaj

Enver Hoxha, si krijoi komisionin e hetimeve për “kriminelët e luftës”

Kundërshtarët politikë

Situata e përgjithshme

Pas prishjes së marrëveshjes kombëtare të Mukjes, 1-2 gusht 1943, Partia Komuniste Shqiptare dhe formacionet partizane që ajo drejtonte filluan luftën kundër grupimeve politike dhe formacioneve ushtarake jokomuniste, me objektiv të qartë: marrjen e pushtetit dhe vendosjen e sundimit të tyre në Shqipëri. Ky ballafaqim, që gradualisht mori tiparet e një lufte civile, u bë i përgjakshëm dhe me pasoja të shumanshme në gjysmën e dytë të vitit 1944.

Duke vlerësuar imponimin ushtarak si të vetmen rrugë për vënien nën kontroll të Veriut të Shqipërisë, që më 23 prill 1944, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, përkatësisht komisari Enver Hoxha dhe komandanti Spiro Moisiu, urdhëronin komandën e Brigadës së I për të organizuar zbulimin në lumin Shkumbin, duke e porositur që “…Të bësh hesap që brigadat do të hidhen në Veri, prandaj të informohesh mbi vatë që ka sot dhe mbi ata që mund të kalohen deri më 25 maj. Të marrësh sa më shumë informata mbi gjendjen politike të krahinave përtej Shkumbinit dhe mbi forcat eventuale armike që ka në krahinat përtej Shkumbinit”.

Dyzetë ditë më vonë, më 1 qershor 1944, komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, Gjeneralkolonel Enver Hoxha, i dërgonte urdhër Shtabit të Divizionit I për mësymjen në veri të Shkumbinit, me këto objektiva:

1. Të godasë forcat e armikut.
2. Të shkatërrojë rrugët e komunikacionit të tij.
3. Të godasë e të likuidojë Bazin e Canit, “Legalitetin” dhe forcat e ndryshme të reaksionit e të qeverisë kuislinge të Tiranës.
4. Të spastrojë zonat Çermenikë, Zaranikë, rrethet e Tiranës, Mat e Dibër… ” Ky urdhër filloi zbatimin më 26 qershor 1944.

Veprimi i formacioneve partizane në Veriun e Shqipërisë u shoqërue me konfrontime me armë të forcave ushtarake të të dy krahëve, sidomos në Krujë, Mat, Mirditë, Dibër, Shkodër, Kukës dhe Tropojë.

Duke pasur të qartë arsyet e përparimin në Veri të forcave komuniste, politikanët dhe ushtarakët kryesorë të vendit me bindje kundërkomuniste, u grumbulluan në qytetin e Shkodrës. Pas dy takimeve të mëparshme, në fshatin Bulgër dhe në qytetin e Shkodrës, më 12 nëntor 1944, në kuvendin françeskan të Shkodrës, u zhvillua një mbledhje me pjesëmarrjen e politikanëve Mehdi Frashëri, Padër Anton Arapi, Lef Nosi, Ibrahim Biçakçiu, Mit’hat Fashëri, Mustafa Kruja, Alush Leshanaku, Ali Këlcyra, Gjon Marka Gjoni, Halil Alia, Hasan Isufi, Llesh Marashi, Jup Kazazi etj.

Më 18 nëntor, po në kuvendin françeskan të Shkodrës, me urgjencë u bë një mbledhje tjetër e krerëve kundërkomunistë. Me propozimin e Patër Anton Arapit, Mark Gjon Markut dhe Maliq Bushatit, mbledhja vendosi: të arratisej një pjesë e krerëve jashtë Shqipërisë, në Angli, Itali, Francë e SHBA, ku të bisedonin me aleatët dhe me ndihmën e tyre të organizonin forcat jashtë vendit, me të cilat në një kohë të shkurtër të zbarkonin në Shqipëri, duke u ndihmuar nga forca të brendshme kundërkomuniste; pjesa tjetër të tërhiqej në malet e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut ku të vazhdonin me armë në dorë luftën kundër forcave komuniste deri në zbarkimin e anglo-amerikanëve. Ata kishin një besim absolut se Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndalonin vendosjen e plotë të regjimit komunist në Shqipëri.
Në fund të vitit 1944, forcat komuniste filluan operacionin për mënjanimin fizik të kundërshtarëve politikë që ishin përzier ose jo me luftën. Në të gjithë vendin filloi përndjekja e kundërshtarëve të regjimit që nuk ishin larguar nga Shqipëria. U zhvilluan procese të shumta politike që dënuan me vdekje ose me shumë vjet burg jokomunistët. Goditja mbi Veriun ishte edhe më e madhe sepse ideologjia komuniste këtu nuk kishte pasur atë ndikim si në pjesën tjetër të vendit.

Në funksion të qëllimeve të tyre, që më datën 11 janar 1945, pushteti komunist publikoi vendimin për krijimin e Komisionit Qendror të Hetimeve për Kriminelët e Luftës. Komisione lokale, në varësi të këtij Komisioni Qendror, u krijuan në çdo prefekturë dhe nënprefekturë të vendit. Në emër të Komisionit Qendror, ministri i Drejtësisë Manol Konomi ftonte “të tërë popullin shqiptar, burra, gra, të rinj e të reja që t’ju vijnë në ndihmë këtyre komisioneve në kryemjen e misionit të tyre”.

Njëkohësisht me krijimin e Komisionit Qendror të Hetimeve dhe komisioneve lokale respektive, ndër aktet e para të miratuara nga pushteti komunist, ishte ligji për formimin e gjyqeve ushtarake. Që më 14 janar 1944, u normua veprimtaria e gjyqit ushtarak të korpusit, gjyqit ushtarak të krahinës ushtarake të korpusit dhe Gjyqi i Naltë Ushtarak. Këto gjykonin çështje penale në ngarkim të ushtarakëve dhe të kundërshtarëve politikë të klasifikuar “kriminelë lufte”.
Në një situatë të tillë represioni politik, ushtarak dhe gjyqësor, kemi dhe reagimin e armatosur të forcave kundërkomuniste në Veriun e Shqipërisë, të drejtuara nga personalitetet nacionaliste më me influencë në Shkodër, Lezhë, Mat, Mirditë, Dibër, Pukë, Kukës, Tropojë etj.

Në dhjetëditëshin e tretë të janarit 1945, krahas veprimeve kryengritëse kundërkomuniste të Malësisë së Madhe (në Kelmend, Shkrel dhe Kastrat), në rrethinat e Shkodrës dhe Lezhës spikati edhe kryengritja e grupit luftarak kundërkomunist të Dedë Shabanit, e cila filloi në Malin e Kolajve, më 20 janar 1945, në një përpjekje që synonte të merrte Shkodrën, Lezhën dhe Shëngjinin. Organizatorët e kësaj kryengritje ishin Ded Shabani, Jup Kazazi dhe Hasan Isufi. Ded Shabani me mbështetësit e tij realizoi objektivin e parë, marrjen e Shëngjinit, por nuk ja doli të merrte Lezhën. Marrja e Shëngjinit dhe më pas e Lezhës do të krijonte një zonë të kontrolluar nga forcat kundërkomuniste, ndërmjet Tiranës dhe Shkodrës, që do t’u krijonte lehtësira forcave të tjera kundërkomuniste në Veriun e Shqipërisë si dhe një port (Shëngjinin) për zbarkimin e premtuar të forcave anglo-amerikane.

Ded Shabani, për të mos shkaktuar viktima të pafajshme në familjen dhe fshatin ku kishte bujtur me mbështetësit e tij, iu dorëzua forcave partizane dhe u pushkatua menjëherë pas gjykimit ushtarak.

Ndërkohë, forcat e drejtuara nga Jup Kazazi dhe Hasan Isufi, pas një përplasjeje të parakohshme me armë, me një grup partizanësh në Beltojë, ndërprenë veprimet luftarake, me qëllim organizmin për veprime të mëvonshme luftarake. Hasan Isufi, pasi u rrethua nga repartet e ushtrisë nacionalçlirimtare në Mali Kolaj, në një përpjekje të shkurtër, më datën 26 shkurt 1945, u vra bashkë me të vëllain. Kurse Jup Kazazi, pas shtypjes së kryengritjes së Postribës, i rrethuar në shtëpinë e Rifat Koplikut nga forcat komuniste, më 17 shtator 1946, vrau veten që të mos binte i gjallë në dorë të komunistëve.

Kryengritja kundërkomuniste e Ded Shabanit

Në vijim, për lexuesit e gazetës “Standard”, po paraqesim organizimin, zhvillimin dhe shtypjen e kryengritjes së grupit luftarak të Ded Shabanit; hetimin, gjykimin dhe fatin e protagonistëve kryesorë, sipas dokumenteve që ndodhen në dosjet përkatëse të Fondit hetimor-gjyqësor, në Arkivin e Sistemit të Ministrisë së Brendshme. Për organizatorin dhe drejtuesin kryesor të kryengritjes, Dedë Shabanin, u krye një hetim, gjykim dhe ekzekutim i menjëhershëm, duke shkelur dhe procedurat e parashikuara nga legjislacioni i regjimit komunist, tashmë i instaluar në Shqipëri. Më pas, u zhvilluan proceset hetimore – gjyqësore ndaj grupeve të tjera të pjesëmarrësve në kryengritjen kundërkomuniste nga fshatrat Mali Kolaj, Bërdicë etj.

Komunikata e Gjykatës Ushtarake të Korparmatës së III, Shkodër

Më 23 janar 1945, Prokuroria e Gjyqit Ushtarak të Korparmatës së III, në Shkodër, me vendimin e saj nr. 6, do komunikonte se gjykata hetuese e këtushme ka vendosë nevojë gjykimi kundra të pandehunit Ded Shabani, nga katundi Mali Kolaj, i cili akuzohej “përse ka detyruar të gjitha këshillat e katundeve për ta emnue si Komandant të Përgjithshëm të Ushtrisë N.Ç.; gjithë ushtarët e mobilizuem të ishin në këtë rajon; në bashkëpunim me Jup Kazazin e Hasan Isufin ka dashtun dhe përgatitë të shpallin luftë kundra frontit N. Ç., tue hapë parulla se në çdo vend asht ba kryengritje; ka arrestuar nëntë partizanë dhe asht ba strehë i të arratisunve politik dhe partizanve të dezertuem; delikt i parashikuem dhe i dënuem prej nenit I të ligjës mbi sabotatorët e luftës”.

Për këtë, mbasi të faktohej faji i tij, prokuroria kërkonte të dënohet simbas ligjit. Njitas paraqiste dhe dosjen e akteve relative, të cilat u regjistruen me nr. 6 të radhorit themeltar, të Gjykatës Ushtarake të Korparmatës së III.

Procesverbali i pyetjes së Ded Shabanit

Të nesërmen, më 24 janar 1945, ora 4 mbasdreke, para trupit gjykues të formuem prej: Kryetar nënkolonel Esat Ndreu, antar Mustafa Iljazi dhe partizan Hysni Lami, prokuror Sotir Dodoni e sekretar Shaban Kuçi, u suall nga burgu dhe u vu në vendin e posaçëm i pandehuri, Ded Shabani, i biri i Preng dhe i Dilës, lindur në katundin Selcë të Koplikut e banues në katundin Mali Kolaj. I pyetur në lidhje me akuzën e lexuar nga prokurori, e cila i përmbahej procesverbalit të Brigadës së II të Mbrojtjes së Popullit, marrë nga komisari Lako Polena dhe sekretari Skënder Hysi, Ded Shabani tha:

“Me Jup Kazazin kam biseduar për herën e fundit, më datën 20 janar 1945, ditën e shtunde, n’orën 10 allaturka. Unë kisha disa ditë që kisha fillue për të nxjerrë nga këshillat e katundeve për t’më emnue mua si komandant të forcave t’atyre rretheve. Këtë e bëmë me pëlqimin e të gjitha këshillave, me qëllim që të ishin të gjithë ushtarët e rajonit tonë bashkë dhe, sido që të ngjasë puna, të ishim të bashkuar.

Atë ditë që isha në Bushat, më erdhi një lajm nga Hasan Isufi për të bashkëpunue me të dhe nga ana tjetër një tjetër lajm se mua më kërkonte Jup Kazazi. Shkova në Trush, ku gjindej Jupi dhe e takova në shtëpinë e vëllait të Jup Taganit. Bisedova gjanë e gjatë dhe së fundmi mbetëm dakord që të nisnim luftën kundra partizanëve qysh atë ditë. Lajmi ishte se në çdo vend do të bëhej kryengritje kundra partizanëve dhe se unë u caktova për të ruajtur krahët dhe gati për të sulmue Shëngjinin dhe Lezhën; do të sulmonim gjithashtu edhe Pulaj për të rrethuar batalionin që ndodhej aty.

Mbasi arrestova nëntë partizanët e Brigadës së I-rë, u drejtova për në Shëngjin. Një pjesë të fuqisë, nën drejtimin e Gjok Nikës dhe Maliq Bajramit nga Mali Kolaj, e dërgova për në Pulaj për të rrethuar batalionin. Nuk e di numrin e fuqisë që shkoi për në Pulaj. Në Pulaj kishim lidhje me Bajram Sadikun, nga katundi Luars (Mali i Reçit).

Kishim marrëveshje me Këshillin e Shëngjinit dhe të Ishullit të Lezhës. Kishin dijeni këto këshilla N.Ç.: Këshilli i Lezhës, Këshilli i Shehit të Lezhës, i Balldrenit, i Mëlqizës, i Rroboshit, i Kallmetit, i Gocajt, i Kakarriqit, i Mali Kakakrriq dhe me një fjalë të gjitha këshillat që nga Ura e Lezhës e deri ke Ura e Bahçallëkut kishin dijeni dhe kishin bamë lidhje.

Për të bërë marrëveshjen në Lezhë dërgova Kokel Prengen dhe Fran Tomën nga Mali Kolaj. Qëllimi im, që bëra lidhje me Xhemal Begun dhe Osman Begun, ishte për të veprue së bashku. Kemi pasë një besëlidhje të vjetër që të ndihmonim njëri-tjetrin dhe këtë besëlidhje e forcuam tash së voni. Kishim vendosë që të mos fillohej asnjë luftim kundra cilës do qeveri pa u ba marrëveshje me shoqi-shoqin.

Asht e vërtetë se kam bamun strehim të disa ushtarëve të dezertuem nga brigadat. Populli ka një pakënaqësi nga Qeveria mbasi nuk asht bamun mobilizimi i rregullt se në disa shtëpija janë marrë nga katër-pesë vetë dhe diku asnjë.
Kemi pasë lidhje për me kërkue që që nga Ura e Matit e deri ke Ura e Bahçallëkut me u ankue kundra mobilizimit që bahet. Duem Komandantin tonë dhe ushtarët tonë të jenë këtu. Dhe, në rast se Qeveria i transferon ushtarët, duhet t’i çojë të gjithë në një vend. Transferimi i ushtarëve, të gjithë se bashku, të bëhet brenda tokës shqiptare të vjetër qoftë në Toskëri qoftë në Gegëri …

Plani ishte që të bëhej kryengritje e përgjithshme nga të gjithë: Llesh Marashi, Kol Biba [Miraka], Markagjoni, etj., dhe së bashku me këta edhe ne me Hasan Isufin dhe Jup Kazazin.

Prej Jupit dhe Halilit na ishte thanë se kemi me vehte edhe Englezë dhe se disa herë me radhë englezët kan bërë zbarkime materiali në Shqipni për Forcat tona. Na thanë gjithashtu se edhe Zogu së shpejti do vinte në Shqipni i dërguar prej Englezëve”.

Pas pyetjes së Ded Shabanit, trupi gjykues, tuj pa se nuk mbetej gjë për zgjerimin e hetimeve, i dha fund gjyqit.

Vendimi i trupit gjykues

Në Shkodër, po më 24 janar 1945, gjykata, pasi shqyrtoi aktet, pretendimet e mbrojtimet e të pandehurit Ded Shabani, arsyetoi sa vijon:

“Tue marrë parasysh se në marrëveshje me t’arratisunit Jup Kazazin e Hasan Isufin dhe me këshillat N.Ç. ka përgatit terrenin për ta emnue Komandant të Përgjithshëm të Ushtrisë N.Ç. dhe mobilizimin e popullit për t’u hedhë në luftë kundra Frontit popullor;

ka hap parulla se do të niste lufta kundra Ushtrisë dhe në çdo vend do të bëhej kryengritje, nga ana tjetër ky do të sulmonte Shëngjinin dhe Lezhën dhe katundin Pulaj, ku ndodheshin forcat e Ushtrisë N.Ç.;

tue marrë parasysh se në katundin Mali Kolaj ndodheshin për bujtje nëntë partizanë, të cilët i ka arrestue menjëherë;
tue marrë parasysh se me parullat e hapuna në popull ky ka dashtë që këtë ta largonte nga Fronti N.Ç. dhe ta bashkonte me kriminelat e arratisun të popullit;

nga të gjitha këto len të kuptohet se i pandehuri ka qenë koshient i veprave të tija për përgatitjen kundra Frontit N.Ç. … ”
Prandaj, trupi gjykues bashkarisht, duke pëlqye edhe mejtimin e prokurorisë, vendosi fajsinë e të pandehurit Ded Shabani, si iniciator kryesor i përgatitjes së kryengritjes kundra pushtetit të popullit dhe si bashkëpunues aktiv me të arratisunit Jup Kazazin e Hasan Isufin.

Mbasi u deklarue vendimi i fajsisë, prokurori kërkoj caktimin e dënimit në bazë të nenit I, të Ligjës nr. 21, datë 15.XII.1944.

Nga ana e tij, trupi gjykues, mbasi bisedoj çështjen e së drejtë, dha këtë vendim:

“Vepra e fajtorit Ded Shabani i takon nenit I të Ligjit nr. 21, datë 15 dhjetor 1944, [Mbi sabotatorët e luftës dhe pushtetit popullor], prandaj simbas këtij neni u vendos dënimi i Ded Shabanit me vdekje dhe ekzekutimi i tij menjëherë”.

Vendimi i Gjykatës së Naltë Ushtarake

Në zbatim të procedurave ligjore që kishin hyrë në fuqi ditën e gjykimit të tij, më 24 janar 1945, vendimi i trupit gjykues për dënimin e Ded Shabanit iu referue Gjyqit të Nalt Ushtarak për shqyrtim.

Gjykata e Naltë Ushtarake e formueme prej Gaqo Floqit, kryetar, Frederik Nosit, dhe Veledin Zenelit, antar, me nr. vendimi 20, datë 28 shkurt 1945, aprovoi akt-gjykimin nr. 6, datë 24 janar 1945, të Gjykatës Ushtarake të Korparmatës III-të Shkodër, simbas të cilit ishte vendosë dënimi me vdekje i Ded Shabanit, duke urdhëruar njëkohësisht dhe konfiskimin e pasurisë së luejtshme dhe të paluejtshmë të të pandehurit, në bazë të dispozitave ligjore në fuqi.

Në fakt, sipas dëshmitarëve të kohës, publikuar nga studiuesi Gjovalin Gjeloshi, Ded Shabani u ekzekutue në ambientet ku mbahej i burgosur, dy ditë pas arrestimit, pra tridhjetë e pesë ditë para se Gjykata e Naltë Ushtarake të aprovonte dënimin e tij me vdekje, dhe pa marrë aprovimin zyrtar të Enver Hoxhës për ekzekutimin e tij, procedurë që ndiqej në atë periudhë dhe që do të konstatohet edhe në vijim të këtij dossieri.

Gjykimi dhe dënimi i kryengritësve të Mali Kolaj

Pas ekzekutimit të Ded Shabanit, do t’u vinte radha e gjykimit dhe dënimit mbështetësve kryesorë të tij, bashkëfshatarëve nga Mali Kolaj.

Komunikata e Prokurorisë së Gjyqit Ushtarak

Më 8 shkurt 1945, Prokuroria e Gjyqit Ushtarak të Korparmatës III, do t’i drejtonte Gjykatës Ushtarake të Korparmatës III, në Shkodër, komunikatën me këtë përmbajtje:

“Gjykata Hetuese e këtushme, me vendimin e saj nr. 38, datë 8 shkurt 1945, ka vendosur nevojë gjykimi kundra të pandehunve Gjok Nikës, 65 vjeç, Dul Bajram Meçes, 65 vjeç, Pjetër Preng Gjeloshit, 56 vjeç, Myftar Rexh Mehmetit, 66 vjeç, Ibrahim Kaçanit, 57 vjeç, Gjok Lec Ujkës, 64 vjeç, e Gjelosh Kol Pjetrit, 60 vjeç, të gjithë banues në katundin Mali Kolaj, të pandehun sepse kanë marrë pjesë në organizatën e kryengritjes së Ded Shabanit, nga ay katund.

Vepra e të pandehunve provohet me procesverbalin e mbajtun prej Shtabit të Brigadës II M.P. si dhe me pohimet dredharake të të pandehunve.

Faji i tyne asht delikt i randë dhe parashikohet e dënohet prej nenit I të Ligjës mbi sabotatorët e luftës.
Prandaj, mbi bazë të këtij neni u vendos nevojë gjykimi i tyne dhe mbasi të provohet faji i tyne kërkojmë caktimin e ndëshkimit.

Njitaz u paraqesim dhe dosjen e këtyre akteve relative”.

Procesverbali mbi pyetjen e këshilltarëve të katundit Mali Kolaj

Deklarimet e kryengritësve në Zyrën e Posaçme të shtabit të Brigadës së II të Mbrojtjes së Popullit, në Shkodër, megjithëse ata janë përpjekur ta zvogëlojnë përmasën e veprimit të tyre, me qëllim marrjen e dënimeve sa më të lehta, plotësojnë tablonë e organizimit dhe zhvillimit të kryengritjes. Në vijim, po japim pjesën kryesore të këtyre deklarimeve.

Deklarimet e Gjon Nikës

Më tre shkurt 1945, ora 10:30, në Zyrën e Posaçme të shtabit të Brigadës së II të Mbrojtjes së Popullit, u muar në pyetje Gjon Nika, i cili do deklaronte sa më poshtë:

“Është e vërtetë që neve kishim dijeni mbi luftën që do të bënte [Ded Shabani] kundra partizanëve; për këtë u kishte thënë bashkëkatundarëve që të përgatiteshin për luftë, duke qenë t’udhëhequr prej meje. Deda mue më lajmëroj me Kol Gjetën dhe Gjeto Tolën, që të dy nga Mali Kolaj, që të prinja për të shkuar në luftë kundra partizanëve në katundin Pulaj. Unë nuk e pranova fare fjalën e tij dhe as që luejta fare nga vendi.

Nuk di asgjë nëse Maliq Bajrami, prej katundit Mali Kolaj, ka qenë i caktuem për të ardhun bashkë me mua.
Për punën e Hasan Isufit kam marrë vesh vetëm se ka bërë një përpjekje kundra partizanëve, porse nuk dij hollësira për këtë përpjekje.

Për punën e Dedës, nuk munda t’i lajmëroja as edhe shokët e tjerë këshilltarë, mbasi i kemi shtëpitë larg njëri-tjetrit.”

Deklarimet e Dul Bajramit

“Ditën e dielë, mbas dreke, erdhi Ded Shabani në shtëpinë time, ndenji afër një orë, dhe prej andej u nis për në shtëpinë e tij. Gjatë kohës që Deda ndenji në shtëpinë time unë isha bashkë me të, por asnjë bisedim nuk hapëm për sa i përket luftës kundra partizanëve. Mbasi iku Deda nga shtëpija, unë, gojë mbas goje, dëgjova se në Beltojë (Komuna Bushat) ishte bërë përpjekje ndërmjet partizanëve dhe Hasan Isufit. Rreth orës dy allaturka të natës, u bë një alarm me të shtime pushkësh duke dhënë njëkohësisht edhe kushtrimin me zë.

Mbas pak, bashkëkatundari Nikoll Baca erdhi në shtëpinë time i alarmuar dhe më pyeti se ç’ishin ato pushkë dhe ai kushtrim. Unë në të vërtetë nuk dija gjë me siguri se kush e kishte dhënë kushtrimin, por mbasi pushkët ndiheshin afër shtëpisë së Dedës, i thashë Nikoll Bacit se atë kushtrim e kishte dhënë Ded Shabani.

Për të marrë vesh të vërtetën i thashë Nikoll Bacit që të merrte vëllanë tim Ali Bajramin dhe së bashku të shkonin te Ded Shabani; njëkohësisht u thashë edhe të lajmëronin Dedën për t’u kthyer edhe njëherë në shtëpinë time. Nuk vonoj shumë që Deda bashkë me Alinë dhe Nikollën erdhën në shtëpinë time. Pyeta Dedën nëse dinte gjë se çfarë kishte ndodhur në Beltojë ndërmjet partizanëve dhe Hasan Isufit me shokë. Për këtë Deda më tha se s’kishte as edhe dijeninë më të vogël.
Gjatë bisedimit me Dedën, mësova se ai do të shkonte në Lezhë për t’u takuar me komandantin e atjeshëm. Nuk më tregoi asgjë për sa i përket çështjes së Shengjinit, që të nesërmen do të sulmonte.

Mbas 2-3 orësh që Deda ndejti në shtëpinë time, u nis me pesë shokë që ishin: Ali Bajrami, Nikoll Baci, Kol Gjetja, Gjon Marku dhe i pesti ka qenë Frank Toma, që të gjitha nga katundi Mali Kolaj.

Është e vërtetë që kur është nisur Deda i kam thënë “Të priftë mbarë!”, por nuk kam pasur për qëllim që t’i uroja luftën kundra partizanëve, veçse pandeha se shkonte më të vërtetë në Lezhë, sikurse tha ai vetë më parë. Për të nëntë partizanët që arrestoj Deda nuk di asgjë.

Mbasi u nis Deda nga shtëpija jonë e kuptova djallëzin e tij, por ishte vonë dhe nuk dija se ku të lajmëroja.
Po atë natë nisa vëllanë tim, Maliq Bajramin, i cili është partizan i Komandës Pulaj, që ta mbanin postën mirë se kush e di si bjen puna; se ushtrija shkon e vjen dhe ne nuk duam telashe. Vëllai im, Maliq Bajrami, erdhi atë mbrëmje nga Pulaj dhe iku po atë natë për në Postë; kur erdhi Deda në shtëpinë tonë, qe edhe Maliqi dhe bisedoj me të. Maliqi u nis për në Postë pak minuta mbas ikjes së Dedës nga shtëpija jonë.

Im vëlla, Ali Bajrami, që shkoj me Dedën, erdhi në të pasnesërmen, d.m.th. ditën e martë. Aliu s’më tregoj gja më gjatë veçse më tha se Dedën dhe të shumtit e shokëve i zunë partizanët, unë munda të shpëtoja dhe ika”.

Deklarimet e Pjetër Prenkës

“Për sa i përket mbledhjes së ushtarëve nga ana e Dedës unë nuk di gja, mbasi gjithmonë kam shikuar vetëm punën time, pa u përzie me të tjerët. Veç kësaj, Deda kishte zakon që nuk i tregonte as kujt gjana të mshefta.

Për punën e nëntë partizanëve puna ka qenë kështu: Për darkë, ditën e dielë, partizanët ishin të ndamun në lagjen tonë; atë ditë u kishte ardhun urdhën me shkue sa ma parë në batalion ku banin pjesë. Mbas darke partizanët kishin vendosur të niseshin për në batalion. U nisa unë bashkë me ta si udhëheqës dhe shkuam një copë rrugë. Bashkë me neve ishin edhe Gjek Gjobali dhe Fran Toma, që të dy nga Mali Kolaj. Pa pritun përpiqem në Dedën me shokë që u kishin ba pritë partizanëve dhe mënjëherë na ndaluen duke u thanë partizanëve që mos lueni se jeni të rrethuem. Së fundi, Deda përpara partizanëve më tha që unë bashkë me Gjek Gjobalin dhe me nja dy a tre bashkëfshatarë të kthehesha për t’i shoqëruar partizanët në shtëpinë e Dedës, e në të vërtetë ashtu bëmë. Unë, Gjek Gjobali dhe tre të tjerë, që emnat nuk më kujtohen, u kthyem dhe shpumë partizanët në shtëpinë e Dedës. Të nesërmen, në mëngjes, unë i udhëhoqa prapë partizanët dhe i shpumë në këshillin e Shëngjinit.

Di se disa katunde i kishin thanë Dedës që të merrej vesh me komandat partizane, që me pëlqimin e komandave të vishej komandant i djelmnis. Katundet vetë e kishin dishrue dhe i kishin dhënë edhe nga një shkresë. Nuk di se ku kishte marrë vërtetime katundesh Deda për t’u bam komandant, por di vetëm se mund të ken qenë vetëm pak katunde që nuk ia kishin dhanë shkresën se të tjerat të gjitha. Edhe ato të pakta [katunde] që nuk i kishin dhanë dëshmitë Dedës, nuk i kishin dhanë vetëm se nuk kishte pasun koh Deda me shkue dhe me i marrë, se për të dashtun e donin të gjithë”.

Deklarimet e Ndue Nikajt

“Qysh më parë se të shkatërrohej xhandarmëria shkova në Mal Kolaj dhe qëndrova atje tek kushërini im Ded Shabani. Deda ka qenë simpatizant i lëvizjes N.Ç.

P.P. Asht e vërtetë se disa partizanë të rinj të rretheve të Shkodrës kanë dezertue dhe katër nga këta erdhen tek Ded Shabani, mbasi ky ishte si komandant batalioni dhe kishim dëgjue se do të formohej një brigadë aty në ato rrethe. Komanda e Lezhës ua kërkoi familjeve këta partizanë dhe së fundi u muar vesh se ishin me Deden e prandaj ky i shkroi një letër Komandës së Lezhës se partizanët në fjalë ishin me neve dhe se, para se të merrej ndonjë masë, duhej që komanda të merrej vesh me Deden.

Nuk zgjatën dit që neve shkuam në Bushat për të bërë një deklaratë për pëlqimin e Dedës si Komandant i Përgjithshëm i fuqive të atyre rretheve. Në fakt këtë deklaratë e kemi marrë në çdo katund. Në katund takuam disa katundarë që kishin edhe një letër nga Hasan Isufi për Deden. Letra thoshte se një kryengritje e përgjithshme ishte përgatitur dhe se kudo do të sulmoheshin partizanët prej forcave kombëtare zogiste. Propoganda ishte se Zogu bashkë me anglezët kishte ardhur në Shqipni.

Mbas një bisedimi që pati Deda në Bushat i thanë se e kërkonte Jup Kazazi në Trush, kështu që të gjithë shkuem në Trush. Deda bëri mjaft fjalë me Jup Kazazin (arsyeja e debatit ishte për moskoordinimin e veprimeve – V.H.) dhe së fundi arriti në një grindje gadi thuajse në vrasje, por prapë u qetësue, me që Jupi ia filloi me të butë …

Fundi i fundit ramë dakord që Deda me forcat të ruante krahët dhe të ishte gadi për të sulmue Shëngjinin dhe së andejmi drejt Lezhës, ku do të sulmonte Xhemal Beu dhe Osman Beu.

Shkuem në Mal Kolaj dhe i dërguem lajmërim me letër Xhemal Beut dhe Osman Beut në Lezhë duke i pyetur për situatën e andejshme, dërguem dy vet gjithashtu edhe në Bërdicë për të marrë lajme nga ajo anë.
Më 21 të muajit vazhdues arrestuem nëntë partizanë që ndodheshin në Mali Kolaj dhe për sigurim Deda i la në shtëpinë e tij, mbasi nuk donte që të pritej njeri në besë.

Të nesërmen në mëngjes (22 janar 1945-V.H.) zbritem në Shengjin dhe shkuem drejt e në komandën e vendit, ku gjetëm komandantin dhe, mbasi biseduem me të, vendosem ta linim prapë për të mbajtë qetësinë e vendit. Prej komandantit të vendit mësuam se, mbas ikjes së atij batalioni, do të vinte së shpejti një tjetër për ta zëvendësuar.

E pamë se puna ishte e ftoftë qysh se nuk po merrnim asnjë përgjigje, veçse morëm një lajmërim nga Komanda e Rrethit të Lezhës që Deda të shkonte në Lezhë për të biseduar me përgjegjësat e atjeshëm: në Lezhë thuhej që duhej të vinte në mbrëmje. Mbas ca orësh, një tjetër lajmërim i erdhi Dedës për të shkuar në Lezhë, atëherë ky tha se tash asht natë dhe nuk mundemi, por po shkojmë nesër ditën. Në fakt, mbasi hangrëm buk (për darkë) në Shëngjin (Ishull Shëngjin-V.H.) ishim duke biseduar me njëri-tjetrin, kur pa pritur na kishin rrethuar dhe, së fundi, mbas bisedimesh na arrestuan dhe na shoqëruan për këtu.

P.P. Fuqitë në Mali Kolaj u ndanë në dy pjesë: një fuqi me Deden të sulmonte Shëngjinin dhe tjetra me këshilltarin e Mali Kolajt, Gjok Nika, shkoi për të rrethuar batalionin që ndodhej në Pulaj.

Përpara se të fillonin veprimet u bë një manifestim me të shtime armësh prej të gjithë katundarëve në Mali Kolaj për nisjen e luftës kundra partizanëve.

P.P. Thuhet se një anglez me delegatin e papës në Shqipëri janë duke organizue gjithçka kundra partizanëve. Delegati i papës ka hapur fjalë se politika me partizanët asht e prishun dhe se Anglia ndihmon fuqitë që luftojnë kundra partizanëve.

Thuhet gjithashtu se shumë varka me material u janë dërguar ballistave dhe zogistave dhe se edhe me aeroplan janë hedhur rroba dhe të holla”.

Propoganda na thoshte se Greqia ishte e pushtueme e gjitha nga anglezët. Thuhet gjithashtu se edhe Mali i Zi ishte në kryengritje kundër partizanëve.

P.P. Lidhje këtu në Shkodër kanë me një nga Gjylbegajt, me një myfti dhe marreveshje me të derguarit e papës”.

Thëniet e të akuzuarit Gjon Markut përpara hetuesisë, më 27 shkurt 1945

“Kur kam shkue te Dul Bajrami, kryetar i këshillit të katundit tonë, gjeta Ded Shabanin që kishte mbledhur nja 30 burra. Shkova edhe unë te Deda bashkë me një partizan që kisha, që simbas urdhënit të Dedës e çoi Nikoll Baçi në shtëpinë e Dedës, ku ishin edhe partizanë të tjerë.

Kur u nisëm, mora vesh se këta partizanë i kishin ndalue Deda dhe i mbante të arrestuar, sepse partizanët kishin ikur prej rajonit tonë.

Kur u nisëm prej Mal Kolajt, na tha Deda se do të shkojmë të marrim Shëngjinin, se partizanët ikën dhe për gëzim kemi qitë pushkë. Shkuam në Shëngjin e atje na tha Deda se do të shkojmë në Lezhë të bisedojmë me komandantin, por neve e kuptuam se Deda donte të merrte Lezhën. U nisëm për në Shëngjin dhe ramë në Ishull ku qëndruem për të fjetur. Unë me tre shokë vajtëm tek kryetari i këshillit për të fjetur. Si ndejtëm pak, i zoti i shtëpisë na tha se unë kam punë me Dedën, por juve rrini. Atëherë e kuptova se çfarë donte të bënte Deda.

Nuk munda me ikë e me shkue në shtëpinë time, sepse përpara derës së shtëpisë kishte roje. Aty nga ora tetë allaturka, erdhën partizanët e na rrethuan dhe na kërkuan dorëzimin e pushkëve. Unë më dy shokë u dorëzuam pa fjalë, kurse i katërti që quhet Kolë Gjetia u kundërshtoj, por më në fund edhe ai u dorëzua.

Kur shkonim për në Shëngjin, Deda me anën e sekretarit të tij shkroi një letër për bejlerët e Lezhës. Nuk munda të dëgjoja se çfarë shkroi në letër, vetëm se mora vesh këto fjalë: Të keni kujdes.

Ded Shabani kishte lidhje me të gjitha këshillat e atyre katundeve, sepse këshillat thoshin do ta bajmë Komandant të djemve tonë.

Nuk di asgjë për pritën që bani Hasan Isufi, veçse e mora vesh mbas ngjarjes.

Nuk di ç’reaksionar ka pasur lidhje me Ded Shabanin”.

Thënjet e Kol Gjetos përpara hetuesisë, më 27 shkurt 1945

Të dielën në darkë ndodhesha për të fjetur te një katundari i jonë, Gjok Nika. Aty nga mesnata u zbrazën pushkët (12-13 pushkë) dhe ma vonë u ndie zani i kushtrimit. Dola nga shtëpia dhe shkova drejt vendit ku ranë armët. Kur shkova te shtëpija e Dul Bajramit mora vesh se Ded Shabani kishte dhënë kushtrimin. Bashkë me Ali Bajramin (vëllanë e Dul Bajramit) shkova te Deda …

Shkuam deri të Këshilli i Malit Shëngjin. Atje Deda hyri brenda për bisedim dhe neve mbetëm jashtë dy-tre orë; mandej doli Deda dhe shkume për në Shëngjin. Hëngrëm drekën aty dhe mbas dreke u nisëm drejt rrugës së Lezhës.

Gjatë rrugës së Lezhës takuam 5 partizanë, të cilët biseduan me Dedën dhe mandej u drejtuan për në Shëngjin. Arritëm në Ishull Shëngjin dhe atje u shpërndamë për të ngrënë bukë e për të fjetur.

Në mes të natës erdhen partizanët e mbasi na kishin rrethuar na çarmatosën dhe na shoqëruan për në Lezhë. Unë në fillim kundërshtova të jepja armët, por më vonë i dhashë”.

Procesverbal i Gjyqit Ushtarak të Korparmatës III

Sipas procesverbalit të Gjyqit Ushtarak të Krahinës Ushtarake të Korparmatës III-të referuar nr. 38 të akt-akuzës dhe nr. 26 të vendimit, mësojmë se Prokurorija e Gjyqit Ushtarak me akt – akuzën e saj nr. 38, datë 8 shkurt 1945, i solli këtij Gjyqi aktet, bashkë me vendimin e Gjyqit hetues, me të cilin ishte vendosur nevojë gjykimin e të pandehurve Gjok Nika, Dul Bajrami, Pjetër Prenga, Miftar Rexha, Gjon Lec Ujka, Ibrahim Kuçali e Gjelosh Kol Pjetri, antarë të këshillit N.Ç. të katundit Mali Kolaj, sepse ishin sjellë për gjykim si të pandehun se kanë marrë pjesë në organizatën e kryengritjes së Ded Shabanit nga ai katund.

Këto akte u regjistruen nën nr. 38 të regjistrit themeltar dhe për ditë gjyqi caktuan datën 10 shkurt 1945, ora 3 mbas dite.
Ditën dhe orën e sipërme, trupi gjykues u formua prej: Kryetar major Tonin Jakova, anëtar Mustafa Iljazi dhe partizan Arif Cani, prokuror Sotir Dodona dhe sekretar Niazi Totozani.

U sollën të pandehunit nga Burgu dhe u vunë në vendet e posaçme.

U pyet identiteti i tyne.

1. Gjok Nika, i biri i Nikës dhe Trikës, 65 vjeç, bujk, i martuar, me fëmijë, i padënuar, anëtar i Këshillit Mali Kolaj.
2. Dul Meça, i biri i Bajramit dhe i Lores, 65 vjeç, bujk, i martuar, me fëmijë, i padënuar, anëtar i Këshillit Mali Kolaj.
3. Pjetër Gjeloshi, i biri i Prenkës dhe i Dilës, 56 vjeç, bujk, i martuar, i padënuar, Kryetari i Këshillit Mali Kolaj.
4. Myftar Rexha, i biri i Rexh Mehmetit dhe i Shushes, 66 vjeç, bujk, i martuar, me fëmijë, i padënuar, anëtar i Këshillit.
5. Ibrahim Keçani, i biri i Keçanit dhe i Kajes, vjeç 57, bujk, i padënuar, anëtarë i Këshillit.
6. Gjok Ujka, i biri i Lecit dhe i Pashkes, 64 vjeç, i martuar, me fëmijë, i padënuar, anëtar i Këshillit.
7. Gjelosh Pjetri, i biri i Kolës dhe i Beres, 60 vjeç, bujk, i martuar, me fëmijë, i padënuar, anëtar i Këshillit.

Prokurori lexoi akt-akuzën dhe kërkoi që, në rast se faji i të pandehurve do të provohet plotësisht, të dënohen simbas ligjit”.

Simbas procedurës, u pyetën me radhë të pandehurit, nga të cilët Gjon Nika mohoi thëniet që kishte bërë në pyetësi, kurse të tjerët i vërtetuen.

Në fund të procesit, Gjykata si shqyrtoi aktet, pretendimet e mbrojtimet e të pandehurve arsyetoi:

“Ded Shabani, tue qenë në marrëveshje me t’arratisunit Jup Kazazi e Hasan Isufi ka dalë nëpër katunde me qëllim propogande dhe përgatitje që më datën 22 janar 1945, ditën e hanë në mëngjes, të bënte kryengritje.
Ditën e diel, më 21 janar 1945, në shtëpinë e Dul Bajramit, asht bërë mbledhja e ma se 30 personave nga Mali Kolaj për të organizuar mënyrën e kryengritjes dhe goditjes së forcave të Ushtrisë N.Çl., të cilat i kanë ndarë në mënyrë të tillë që një pjesë nën komandën e Ded Shabanit do të nisej për në Shëngjin e Lezhë dhe një pjesë nën komandën e Gjok Nikës e Maliq Bajramit për në Pulaj. Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë Gjok Nikaj e Dul Bajram. I pari ka pohue se u kishte thënë katundarëve “të përgatiteshin për luftë të udhëhequr prej meje”, e ndërsa i dyti i ka thënë “të prift mbarë””.
Mbasi u deklarue vendimi i fajësisë dhe mbasi prokurori kërkoi caktimin e dënimit, Gjykata, më 10 shkurt 1945, dha këtë vendim:

“… Duke marë parasysh se vepra e fajtorëve Gjok Nikës dhe Dul Bajramit, nga katundi Mali Kolaj, i takon nenit I, të Ligjës nr. 21, datë 15 dhjetor 1944, “Mbi sabotatorët e luftës dhe të pushtetit të popullit”, u vendos dënimi i tyre me VDEKJE.”

Gjithashtu dhe faji i të pandehurit Pjetër Prengës i takon po nenit I të Ligjës nr. 21, datë 15 dhjetor 1944, por me shkaqe lehtësore, prandaj u vendos dënimi i tij me 2 (dy) vjet burgim dhe me aq kohë bjerje të të drejtave civile e politike.
Gjithashtu Trupi Gjykues vendosi pafajësin e të pandehurve Myftar Rexhës, Gjon Lec Ujkës, Ibrahim Keçanit dhe Gjelosh Kol Pjetrit dhe lirmin e tyre nga burgu në mos qofshin të ndaluar për çështje tjetër”. Sipas procedurës ligjore, ky vendim iu referua Gjyqit të Naltë Ushtarak për shqyrtim.

Komunikata e Prokurorisë së Gjykatës së Naltë Ushtarake

Nga ana e tij, Prokurori i Gjykatës së Naltë Ushtarake, major Myftar Tarja, mbasi shqyrtoi akt-gjykimin e mësipërm, në komunikatën nr. 30, datë 28 shkurt 1945, drejtuar Gjykatës së Naltë Ushtarake, Tiranë, vëren se:

“Në fakte: Gjok Nika dhe Dul Bajrami në marrëveshje me sabotatorin e luftës Ded Shabanin dhe me reaksionarët e tjerë kanë organizuar dhe përgatitur një lëvizje me shkallë të gjerë në rrethet e Shkodrës, e cila ishte caktuar të pëlciste ditën e dielë, më 21 kallnor 1945. Gjok Nika ishte caktuar nga Ded Shabani për të rrethuar batalionin partizan që ndodhej në Pulaj …, [kurse] Dul Bajrami, tue qenë njëkohësisht dhe kryetar i këshilllit të Katundit Mali Kolaj, ka bërë mbledhje prej ma se 30 burra në shtëpinë e tij, ku ka ndodhur Ded Shabani dhe të tjerë për me organizue kryengritjen e reaksionit. Kur është nisur Ded Shabani për me pushtue Shëngjinin, Dul Bajrami i ka urue këtij sukses të priftë mbarë dhe tue qenë në dijeni të gjithë planit, jo vetëm që nuk ka vu në dijeni organet e pushtetit, por ka kontribuar aktivisht n’organizimin e kësaj revolte”.

Sa i përket të drejtës, sipas Prokurorisë së Gjykatës së Naltë, veprimtaria e tyre provohej në mënyrë bindëse dhe ndëshkohej prej nenit I, të Ligjës nr. 21, “Mbi Sabotatorët e luftës”, dhe të neneve 18,19&III, dhe 31, të Ligjës nr 41, datë 14 janar 1945, “Mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Ushtarake”.

Për këto arsye dhe për ato që do të parashtronte në rast nevoje verbalisht në Këshillë, Prokuroria shprehte mejtimin që akt-gjykimi nr. 26, datë 10 shkurt 1945, i Gjykatës Ushtarake të Korparmatës III-të Shkodër, të aprovohet.

Vendimi i Gjykatës së Naltë Ushtarake

Po më datën 28 shkurt 1945, do të zhvillohej seanca gjyqësore e Gjykatës së Naltë Ushtarake, e përbërë nga kryetar Gaqo Floqi, dhe anëtarë Frederik Nosi dhe Veledin Zejneli, në prezencën e prokurorit pranë kësaj Gjykate, major Myftar Tarja dhe me asisetencën e sekretarit Jani Thoma, e cila me vendimin nr. 30, vendosi aprovimin e akt-gjykimit nr. 26, datë 10 shkurt 1945, të Gjyqit Ushtarak të Korparmatës III-të, në Shkodër, simbas të cilit ishte vendosur ndëshkimi i Gjok Nikës dhe Dul Bajramit, nga katundi Mali Kolaj, me vdekje, duke urdhëruar njëkohësisht konfiskimin e pasurisë së tyre të luajtshme dhe të paluajtshme.

Enver Hoxha aprovon dënimin me vdekje të Gjok Nikës dhe Dul Bajramit

Për të dënuarit me vdekje, aprovimin për ekzekutimin e tyre duhej ta jepte Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneralkolonel Enver Hoxha. Ja radiogrami që ai i drejtonte Gjykatës Ushtarake të Korpusit III, Shkodër, për të dënuarit me vdekje Gjok Nika dher Dul Bajrami:

Ushtria Nacional Çlirimtare
Shtabi i Përgjithshëm
Seksioni Juridik

Radiogram
Gjykatës Ushtarake të Krahinës Ushtarake të Korpusit III
Shkodër

Përgjigje shkresë nr. 6/10, datë 27 shkurt 1945. Aprovohet dënimi me vdekje për Gjok Nika dhe Dul Bajrami. Na njoftoni datën e ekzekutimit.

Vdekje Fashizmit Liri Popullit
Komandant i Përgjithshëm
Gjeneral Kolonel Enver Hoxha
(firma, vula)

Gjykimi dhe dënimi i kryengritësve të Bërdicës

Të njëjtin fat me këshilltarët e Mali Kolaj do të kishin dhe këshilltarët e Bërdicës, të cilët njëlloj me këshilltarët e fshatrave të tjera nga Lezha në urën e Bahçallëkut, kishin autorizuar Ded Shabanin, duke i dhënë kompetencën me u kujdesue për Djelmënin e këtij rajoni, të cilët ishin kërkue për në ushtri. Kjo do të përdorej si një provë e fortë kundër tyre, në procesin e gjykimit nga Gjykata Ushtarake.

Teksti i autorizimit
V. F. L. P.
Qeveria Demokratike Shqyptare
Këshilli nacijonal shlirimtar i Bërdicës
Nr. Prot

A U T O R I Z I M
Kshilli nacijonal shlirimtar i Bërdicës

Autorizojm të quajtunin Ded Shabanin prej rajonit të Pulajve.
Të cilit i japim kompetencën ton me u Kujdesue për Djelmenin e ketij rajonit, të cilët na jan kërkue për në ushtri.
Prandejna dhe neve dishirojm të jetë në krye të Djelmnis së sonë i nalet permenduni në landë, i cili ka me u kujdesue për djelmnin e ktij rajoni, deri në kryemjen e detyrës së Tyre, tuj ken se dhe e kërkojnë të gjith Djelmnija së bashkut me Kshilltarët e ktij Rajonit.

Shpresojmë se të gjitha komandat kanë me marrë për bazë ket Veprim dashtnuer dhe ket Vullnet të gjithë ksaj djelmnije.
Vërtetojmë të gjithë antarët e këtij rajonit me nënshkrimin Ton.

Kshilltarët
Kryetari i kshillit Lush Paloka (firma)
Kryetari i kshillit Haxhi Ahmeti (firma)
Kryetari i kshillit Ymer Velija (shenja e gishtit)
Kryetari i kshillit Jak Hila (shenja e gishtit)
Antarët: Mati Lorja (shenja e gishtit), Abaz Rustja (shenja e gishtit), Kol Rushi (shenja e gishtit), Rexhep Taipi (shenja e gishtit), Zef Paloka (shenja e gishtit), Arif Luti (shenja e gishtit), Ded Gjigjergji (shenja e gishtit), Pashuk Kola (shenja e gishtit), Shaban Dina (shenja e gishtit), Fajik Lani (shenja e gishtit), Kin Shuku (shenja e gishtit)
Sekretarët: Haziz Rexhepi (shenja e gishtit), Pashuk Kol Matija, Lush Pashuku (shenja e gishtit), Nuh Dyli (shenja e gishtit), Dan Velija (shenja e gishtit).
Vërtetohet Autorizimi i lëshuem prej Kshillit Nacijonal shlirimtar i ktij rajonit.

Post-Komandati i Vendit

Bërdicë, më 19 janar 1945

Deklarimet e të akuzuarit Lush Paloka:

“Më datë 20 janar 1944 [1945], më ka ardhur në shtëpi Gjetan Deda prej Trushi, para se të perëndonte dielli dhe më tha: Më ka thënë Jup Kazazi se sonte do të mblidhemi në kisha e Beltojës, prandaj ejani edhe ju. Jupi ishte në Trush. Gjetan e kish dërgue Jupi të na pyesë nëse jemi me ta apo jo dhe unë i thashë që nuk jemi. Kam shkue në Bërdicë të Poshtme dhe i diftova Mati Loros, prej këtej ikëm dhe ndeshëm Martin Rrokun, të cilin e mora dhe e çova në Bërdicë të Sipërme. Në Bërdicë të Sipërme i diftuem Haxhi Ahmetit dhe ky i diftoj Shaban Danit. Haxhiu tha që të mbledhim katundin. Neve ishim pesë vetë: Alush Paloka, Gjetan Deda, Shaban Dani, Tahip Halili, Haxhi Ahmeti. Shkuam në Beltojë dhe rrugës takuam një makinë me disa fuçija të ndalun. Më tej, nga ora tre e natës allaturka, na dalin para disa vetë në rrugë, njëri prej të cilëve Alush Puka, dhe na pyetin a ka kush ndonjë lundër për të dalë matanë dhe neve i thamë nuk kemi. Unë e pyeta për Jupin dhe ai më tha se është bashkë me Hasan Isufin.
Kur mbërritëm aty në kallaballëk prej 300 (treqind) vetësh më tha Jupi: – A jeni me neve?
Unë i thashë: – Jo.
Pastaj ai tha: – Vetëm 6 vetë kini ardhur?
Jupi më tha: – Neve duam t’i biem Shkodrës dhe të godasim partizanët mbasi e fituam dhe juve nuk po i sulmoni vetëm duhet me i pritë.
Më thanë se kemi 100 vetë n’Ura e Bahçallëkut. Unë i thashë se në rrugë është një makinë dhe ka disa partizanë, disa fuçija dhe tesha dhe më vonë ikëm.
Neve dëgjuam sopatën kur priste drurin e telit (telefonit). Neve u menduam me Haxhinë të mblidhnim katundin.
Katundarët që kishin dalë me ta ishin Trushas, Barbullushas, Bushatas dhe prej Kosmaçit. Jupi i tha njërit hikë me të shpejtë dhe të lajmërosh Barbullushin dhe Bushatin.
Neve partizanët nuk i lajmëruem se kishim frikë se mos na vritshin. Martin Roku ka ardhur në Beltojë dhe tha të lajmërojmë partizanët, por unë nuk e lashë. Kur erdhem në Bërdicë, u shpërndamë nëpër shtëpijat tona dhe para se të dalë drita erdhi Haxhiu me Hidër Dulin dhe më thanë se janë vrarë partizanët. Hasan Isufi të nesërmen u ndalue në Bërdicë të Sipërme. Haxhiu na tha prapë të mbledhim katundin dhe t’u vemë pushkën por unë nuk e lashë. Hasan Isufi kishte shkuar në Trush ke Alush Puka …”.

Gjykimi i kryengritësve të Bërdicës

Prokuroria e Gjyqit Ushtarak, me akt-akuzën nr. 15, datë 28 janar 1945, i dërgontei Gjykatës Ushtarake të Korparmatës III, Shkodër, aktet, bashkë me vendimin e Gjyqit Hetues me të cilen ishte vendosur nevoj gjykimi e 13 të pandehurve nga katundi Bërdicë.

Më 31 janar 1945, n’orën 4 mbasdreke, Gjyqi Ushtarak i Krahinës Ushtarake të Korparmatës III, me qendër në Shkodër, i formuar prej: Kryetar Nënkolonel Esat Ndreu dhe anëtarë Mustaf Iljazi dhe partizani Hysni Lame, duke qenë gati prokurori Sotir Dodona dhe sekretari Shaban Kuçi shpalli akt-gjykimin nr. 15, për procedimin penal kundra:

1. Haxhi Ahmetit, i biri i Ahmetit dhe i Sulltanes, lindur dhe banues në Bërdicë e Sipërme, vjeç 38, bujk dhe kryetar i Këshillit.
2. Veli Sala, i biri i të ndjerit Sal dhe i të ndjerës Pasha, lindur e banues në katundin Bërdicë, vjeç 80, Kryetar i Këshillit të Bërdicës së Mesme.
3. Dan Veliu, i biri i të ndjerit Veli dhe i së ndjerës Zejnepe, lindur e banues në Bërdicën e Mesme, vjeç 46, anëtar Këshilli.
4. Lush Paloka, i biri i të ndjerit Palokë, dhe i së ndjerës Paline, lindur dhe banues në katundin Bërdicë e Poshtme, vjeç 45, bujk, anëtar Këshilli.
5. Martin Loria, i biri i Loros dhe i Lenes, lindur e banues në katundin Bërdicë e Poshtme, vjeç 45, bujk, anëtar Këshilli.
6. Shaban Dini, i biri i të ndjerit Din dhe Zades, lindur e banues në katundin Bërdicë e Mesme, vjeç 56, bujk, këshilltar i katundit.
7. Faik Lani, i biri i Lanit dhe i Fatimes, lindur e banues në katundin Bërdicë e Mesme, vjeç 24, bujk, këshilltar i katundit.
8. Hil Shuku, i biri i të ndjerit Shuk dhe Shukes, lindur e banues në Bërdicë e Mesme, vjeç 48, bujk e këshilltar.
9. Hider Duli, i biri i Dulit e të ndjerës Ruke, lindur e banues në Bërdicë e Sipërme, vjeç 36.
10. Rexhep Halili, i biri i të ndjerit Halil dhe i të ndjerës Bice, vjeç 60, bujk, lindur e banues në katundin Bërdicë e Sipërme.
11. Shaban Dani, i biri i të ndjerit Dan dhe i Sides, vjeç 82, bujk, lindur e banues në katundin Bërdicë e Sipërme.
12. Taip Halili, i biri i Halilit dhe i të ndjerës Bice, lindur e banues në katundin Bërdicë e Mesme, vjeç 45, bujk.
13. Martin Roku, i biri i të ndjerit Rok dhe i Mrikës, lindur e banues në katundin Bërdicë e Poshtme, vjeç 30.
Të pandehun

Sepse: Më datën 20 janar 1945, janë takuar me Jup Kazazin e Hasan Isufin me të cilët kanë organizuar kryengritjen dhe kanë prerë rrugën një maqine dhe një motoçikletë dhe kanë vrarë e plagosur partizanët e këtyre maqinave.
Në procedimin gjyqësor të rrjedhur faqësisht, të pandehurit kanë mohuar fajin për të cilin akuzohen, tue pretenduar se janë të pafajshëm.

Gjyqi si shqyrtoi aktet, pretendimet e të pandehurve arsyetoi:
Me qenë se të pandehurit Haxhi Ahmeti, Veli Sala, Lush Paloka, Shaban Dana Martin Roku, Taip Halili, mbi lajmërimin e bamë kanë shkuar në Beltojë dhe janë takuar me Hasan Isufin e Jup Kazazin, dhe mbasi kanë biseduar me ta dhe ndonësi i kanë kundërshtuar propozimet e tij, por nuk lënë aspak dyshim që këta të mos kenë pranuar, mbasi tue qenë të gjithë së bashku kanë shkuar në katundin Bërdicë.

Me mbërritjen e tyre në Bërdicë, së pari është takue dhe i pandehuri Hider Duli dhe mbas një bisedimi të shkurtër ka pranuar t’i udhëheqë Hasanin dhe Jupin në drejtim të Urës së Bahçallëkut, Shkodër, me qëllim kryengritje, mandej nga të pandehurit Haxhi Ahmeti ka lajmërue dhe të pandehunit e tjerë Dan Velin, Shaban Dinin, Martin Loria, Faik Lanin e Kin Shukun. Këta të fundit, me gjithë që pretendojnë se nuk kanë pasë dijeni nga lëvizja, por është e natyrshme se më ardhjen e fuqisë kryengritëse në katund dhe shpërndarjen nëpër shtëpija, kanë marë vesh qëllimin e tyre mbasi kish ditë që zhvillohej propoganda kryengritëse, fakt ky që pohohet si me pohimin dredharak të këtyre dhe me deklarimet në procesin e Ded Shabanit e Ndue Nikajt; këta të fundit kanë mbledhë gjithë katundet për të bërë mobilizimet.

Me qenë se të pandehurit nuk lënë aspak dyshim se mbasi kanë ardhë në katundin e tyre Bërdicë bashkë me Hasan Isufin e Jup Kazazin u kanë treguar ndodhjen e partizanëve e të automobilit aty, kanë vrarë e plagosur këta dhe marrë teshat e ngarkuara në automoil, kështu që janë bërë vegla të ndërgjegjshme për tradhëtarët për formimin e organizatës kryengritëse.

Me qenë se të pandehurit Haxhi Ahmeti, Lush Paloka, Veli Sala, Hider Duli, Shaban Dini, Taip Halili e Martin Roku me parullat e tyre dhelprake kanë mundur të marrin pas vedit dhe të pandehurit Dan Velin, Shaban Dini, Martin Loria e Faik Lami për t’u bashkuar me kryengritësit për të hyrë në luftë kundra Frontit N.Ç. edhe pushtetit të Popullit, pa mos ju vënë në dijeni qëllimin e tij dhelprak e përfundimtar.

Nga të pandehurit Hider Duli me rastin që kthehesh nga Shkodra është takuar me të pandehurin Haxhi Ahmetin me shokë dhe mbasi ka marrë vesh qëllimet e tija asht shoqërue me ta dhe kanë shkuar e takuar me Hasan Isufin e Jup Kazazin, ku të gjithë së bashku janë kthyer në katundin e tyre dhe për këtë nuk lenë aspak dyshim që ky të jetë marrë vesh më parë e për të shikuar gjendjen e brendshme të qytetit ka ardhur këtu [Shkodër] dhe mandej ua ka raportuar kryengritësve.

Sa për të pandehurin Rexhep Halili, ky natën e ngjarjes ka ndodhë në Shkodër pranë djalit të tij që e kish partizan, fytyra e patronditur nuk len aspak dyshim që ky të jetë i kompromentuar në organizatën e kryengritjes dhe të preries të automobilave.

Prandaj Trupi Gjykues bashkarisht tue pëlqye edhe mejtimin e Prokuroris vendosi:

1) Fajsin e të pandehurve Haxhi Ahmeti, Lush Paloka, Veli Sala, Hider Dulit, Shaban Danit, Taip Halilit e Martin Rokut si bashkëpunëtorë direkt të Hasan Isufit e Jup Kazazit në kryengritjen dhe prerjen e automobilit, plagosjen e vrasjen e partizanëve;

2) Fajtorin e të pandehurve Dan Veliu, Shaban Dini, Martin Loria, Faik Lami e Kin Shuku si dijetarë të lëvizjes dhe të preries së automobilit e të plagosjes e vrasjes së partizanëve;

3) Pafajësinë e të pandehurit Rexhep Halilit dhe lirimin e tij nga burgu në mos qoftë i ndaluar për ndonjë çështje tjetër.

Mbasi u deklarua vendimi i fajësis, prokurori kërkoi caktimin e dënimit simbas Nenit I të Ligjës nr. 21, datë 15 dhjetor 1944. Kurse të pandehurit kërkuan lehtësimin e dënimit.

Nga ana e tij, Trupi gjykues mbasi bisedoi çështjen e së drejtës, duke marrë parasysh se faji i të pandehurve Haxhi Ahmeti, Lush Paloka, Veli Sala, Hider Duli, Shaban Dani, Taip Halili e Martin Roku i takon Nenit I të Ligjës nr. 21, datë 15.12.1944, vendosi dënimin e tyre me vdekje, gjithashtu po në bazë të këtij neni vendosi dënimin e Dan Veliut, Shaban Dinit, Martin Lorias, Faik Lamit e Kin Shukut me nga 30 (tridhjetë) vjet burgim.
Ky vendim iu referue Gjykatës së Naltë Ushtarake për shqyrtim.

Telegrami i Mehmet Shehut për Enver Hoxhën:
Të pushkatohen 22 kryengritësit e Bërdicës

Mehmet Shehu dënonte, Enver Hoxha aprovonte
Në krye të operacionit për shtypjen e lëvizjeve kundërkomuniste në Veri ishte vetë Mehmet Shehu. Nga dokumentet arkivore rezulton se ai mbante një komunikim të vazhdueshëm me Komandantin e Përgjithshëm, Enver Hoxhën, duke e informuar për situatën dhe për të marrë aprovimin e tij për verpimet e mëtejshme. Në vijim, po japim telegramin e datës 9 shkurt 1945, ku duket qartë se vendimet për dënimet me vdekje apo burgime nuk i merrte trupi gjykues (sipas ligjit komunist në fuqi), por Mehmet Shehu dhe i aprovonte Enver Hoxha.

Telegrami i Mehmet Shehut
Tepër Urgjent
Nr. ekstra, datë 9.II.1945
Komandantit të Përgjithshëm
Gjeneral Kol. Enver Hoxhës

Nga shqyrtimi i proceseve të 21 të dënuarve me vdekje propozoj të pushkatohen këta 12 veta: Xhemal Mëlika nga Leshi, bashkëpunëtor i Ded Shabanit e bazë kryesore të reaksionarëve; Hider Dulin, Shaban Danin, Taip Halilin, Martin Rokun nga Bërdica, bashkëpunëtorë të ngushtë të Hasan Isufit; Mark Nikollë Alaj, Kol Lesh Lekën e Gjok Tom Kokaj nga Ivanaj, sulmues të Koplikut; Palok Ucin, Gjon Markun, Nikoll Keçin e Nikoll Baçin nga Mali Kolaj, bazë e bashkëpunëtorë të Ded Shabanit.

Për Llesh Zefin nga Grykë e Manatisë Leshit, sabotator, disfatist, kollon e pestë propozoj 15 vjet burg. Për Nikoll Ramën, Zef Tolën, Kol Gjetën, Gjok Gjonin e Kol Marashin nga Mali Kolaj, që i janë përgjigjë thirrjes së Ded Shabanit për të sulmuar Lezhën, por që s’janë fajtorë kryesorë por vetëm popull i gënjyer, propozoj dënimin e tyre me 30 vjet burg. Për Marl Luç Gjonin, Tom Lek Dakën e Gjon Nikollë Vocin nga Vukpalaj, tue qenë se nuk është faktuar akoma akuza e tyre e proceset duhet rishqyrtuar, propozoj pezullimin e ekzekutimit të tyre e rishqyrtimin e proceseve nga gjyqi. Gjyqi dënoj me burg këta 29 veta: Jak Lushin, Rrok Gjushin e Gjon Pjetrin, këshilltarë të Beltojës që kanë pasë diejni për veprimet e Hasan Isufit, me 30 vjet burgim; Geg Enjëllin, këshilltar i Beltojës, me 15 vjet; Shyqri Bushatin, Shefki Bushatin, Myfit Bushatin, nga Shkodra e strehues të Sulçe Begut, me 30 vjet burgim; Lal Metin e Kol Markun, këshilltarë të Trushit që kanë pasë lidhje me Hasan Isufin, me 30 vjet burgim; Dan Velin, Shaban Dinin, Martin Lorjan, Faik Lanin e Kin Shukun, këshilltarë të Bërdicës që kanë pasë lidhje me Hasan Isufin, me 30 vjet burgim; Gjeto Tolin, Prek Kolën, Gjokë Gjinin e Tom Zefin, nga Mali Kolaj, bashkëpunëtorë me armë me Ded Shabanin, me 30 vjet burg; Kol Gjokën nga Ivanaj, bashkëpunëtorë me Gjon Martinin, me 20 vjet burg; Zef Gjonin nga Ivanaj me 15 vjet; Ujk Shitin nga Ivanaj me 10 vjet; Met Shytin nga Ivanaj me 5 vjet; Dan Salën, Tom Markun, Rrok Pashukun, Idris Canin, Ali Mustafan e Emin Beqirin, këshilltarë të Melgushit, që kanë pasë lidhje me Ded Shabanin, por nuk i janë përgjigjë thirrjes së tij, me 1 (një) vit burg.
Për mungësa faktesh liruam 37 (tridhjetë e shtatë). Gjyqi vazhdon dhe mund të dënohen me vdekje rreth 20 veta të tjerë. Presim urgjentisht aprovimin për ekzekutim të vendimeve.

Mehmeti
Nr. 9, 10 fruer 1945

Aprovimi i Enver Hoxhës
Radiogram Urgjent
Korpusit III-të
Gjegje radiogramit nr. extra, datë 9 fruer 1945.
Aprovohen ndëshkimet me vdekje të 12 vetëve dhe ndëshkimi i të tjerëve me dënime të ndryshme propozue me të sipërmin. Na njoftoni datën e ekzekutimit.
Enver Hoxha
(firma)
Tiranë, më 10 fruer 1945
Nr. 35 regj, 1945

Gjykimi në Gjykatën e Naltë Ushtarake

Tetëmbëdhjetë ditë pas aprovimit të Enver Hoxhës për dënimin e tyre me vdekje, me komunikatën nr. 35, datë 28 shkurt 1945, Prokuroria e Gjykatës së Naltë Ushtarake ia përcjell çështjen për gjykim Gjykatës së Naltë Ushtarake me mejtimin që akt-gjykimi nr. 15, datë 31 janar 1945, i Gjykatës Ushtarake të Korparmatës III, Shkodër, të aprovohet.

Në vendimin nr. 35 të Gjykatës së Naltë Ushtarake shpallur në Tiranë, më 28 shkurt 1945, gjejmë:

Gjykata e Naltë Ushtarake e formueme prej Gaqo Floqit, Kryetar, dhe Frederik Nosi e Veledin Zejneli, anëtar, në prezencën e Prokurorit pranë kësaj Gjykate, major Myftar Tares, dhe me asistencen e sekretarit, Jani Thoma, mbasi shqyrtoi proceset e para mbi pyetjet e të pandehurve nga ana e autoriteteve kompetente; mbasi shqyrtoi procesin e rrjedhjes së gjykimit si dhe gjithë aktet e tjera që ndodhen në dosje; mbasi mori mejtimin e prokurorit, i cili kërkonte të vendosej aprovimi i këtij vendimi si i ligjshëm dhe i rregullshëm; mbasi bisedoi çështjen nga pikëpamja e faktit dhe e së drejtës, do observonte:

Në fakte: Haxhi Ahmeti, Lush Paloka, Veli Sala, Hidër Duli, Shaban Dini, Taip Halili e Martin Roku, më datë 20 janar 1945, kanë shkuar në katundin Beltojë e janë takuar me kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit t’arratisurit Hasan Isufi e Jup Kazazi, prej të cilëve ju është propozue për të organizuar një kryengritje reaksionare kundra Ushtrisë Nacionalçlirimtare e pushtetit të popullit. Këta, mbasi kanë pranuar propozimin e bamun, janë nisur bashkë me t’arratisurit e sipërm për në katundin e tyre Bërdicë, ku mbasi kanë bërë mobilizim në banorët e katundit, të cilët i kishin vu në dijeni më parë me anën e prorpogandës që kishin zhvillue, kanë pranue vetë së bashku me katundarët e mobilizuem të vihen nën urdhërat e udhëheqjen e kriminelave Hasan e Jup për të shkue te Ura e Bahçallëkut e për të sulmue Shkodrën. Kur kanë mbërritë në katundin Bërdicë, kanë marrë vesh se ndodheshin atje partizanët me një automobil, i kanë sulmue këta dhe mbasi i kanë vra e plagosur partizanët ju kanë marrë teshat që ndodheshin në automobil. Tue u ba organe të ndërgjegjshëm të reaksionit kanë mobilizue një pjesë katundare duke mos ju tregue qëllimin e tyre kryengritës. Me cilësinë e tyre si Këshill i katundit, kanë autorizue sabotatorin e luftës t’arratisunin Ded Shabanin me ba mobilizim në popullsin e katundit për ta hedhë në luftë kundra Ushtrisë Nacional Çlrimtare e Pushtetit të Popullit, fakt ky që provohet me aktin e datës 19 janar 1945, që ndodhet në dosje dhe se pretendimi i tyre se gjoja nuk kanë pasë dijeni se për ç’arsye Deda kërkonte autorizim mobilizimi është pa vend, për shkak se këta e kanë dijt shumë mirë qëllimin e Dedës për deri sa kanë qenë lidhun ngushtë me Hasan Isufin e Jup Kazazin dhe për që akti i autorizimit është lëshue dy ditë para komplotit reaksionar.

Të gjitha këto sa ma sipër janë provue plotësisht e bindësisht nga procesverbalet e mbajtura prej organeve të Mbrojtjes së Popullit, prej Hetuesisë, prej rrjedhimit të gjykimit, nga dokumentat dhe aktet e tjera që ndodhen në dosje si dhe nga pohimet dredharake të të dënuarve.

Në ligjë: Ndonëse prokurori në pretencën e tij të fundit nuk ka caktuar sasinë e ndëshkimit që kërkon (theksojmë që sasia e ndëshkimit i ishte kërkuar Enver Hoxhës nga Mehmet Shehu, me telegramin Tepër Urgjent, Nr. ekstra, datë 9.II.1945 -V.H.); megjithëse Gjykata së bashku me ndëshkimet me vdekje nuk ka urdhëruar dhe konfiskimin e pasurisë të të pandehurve në bazë të nenit 19, paragrafi III, të Ligjës nr 41, prap se prapë këto të meta formale nuk prekin esencën e vendimit, i cili është i drejtë dhe i ligjshëm, mbasi është në proporcion me damin e shkaktuem nga veprat e të dënuarve si sabotator të pushtetit të popullit.

Prandaj, në bazë të nenit I të Ligjës mbi sabotatorët e luftës nr. 21, datë 15 dhjetor 1944, dhe në bazë të neneve 19 e 31 të Ligjës mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Ushtarake nr. 41, datë 14 janar 1945, konform dhe me kërkimin e Prokurorit, vendosi: Aprovimin e akt-gjykimit nr. 15, datë 31 janar 1945, të Gjykatës Ushtarake të Korparmatës III-të Shkodër, simbas të cilit është vendosë ndëshkimi i Haxhi Ahmetit, Lush Palokës, Veli Salës, Hidër Dulit, Shaban Danit, Taip Halilit, Martin Rrokut, nga katundi Bërdicë, ME VDEKJE, duke urdhëruar njëkohësisht dhe konfiskimin e pasurisë së tyre të luajtshme dhe të paluajtshme.

Publikimi i gjyqeve politike në shtypin e kohës

Proceseve politike u bëhej një jehonë e madhe në shtypin komunist të kohës, duke patur si synim kryesor krijimin e një klime terrori në popull për ta patur më të lehtë sundimin e tij. Po japim për lexuesin një shkrim që përzgjodhëm nga gazeta “Bashkimi” e datës 14 shkurt 1945.

Nisi në Shkodër spastrimi i tradhtarëve

Më 11 shkurt, n’ora 5.30, u pushkatuan këta tradhëtarë të dënuar nga Gjyqi Ushtarak i Korp Armatës së III-t:
Hider Dyli, Shaban Dani, Taip Halili, që të tre ish këshilltarë të Bërdicës dhe pjesëmarrës me armë kundra Pushtetit të Popullit; Mark Nikollë Malaj, Kolë Llesh Leka e Gjon Tom Kolaj, që të tre nga Ivanaj, strehonjës të tradhëtorit Gjon Martini dhe pjesëmarrës me armë kundra Pushtetit të Popullit; Xhemal Mlika nga Lleshi, Palok Uci nga Hoti dhe Gjon Marku, Nikollë Keçi e Nikollë Baci, këta të tre të fundin nga Malkolaj dhe që të pesë strehonjës reaksionarësh të arratisur, bashkëpunëtorë me tradhëtarin Ded Shabani dhe pjesëmarrës me armë kundra Pushtetit të Popullit.
U dënuan me vdekje dhe dy tradhëtarë, ekezekutimi i të cilëve do të lajmërohet më vonë, porsa që të kryhet: Sulçe-Beg Bushati e Dom Lazer Shantoja, që të dy bashkëpunëtorë me okupatorin dhe armiq të deklaruar të popullit.
U dënuan me tridhjetë vjetë burgim: bashkëpunëtorë me tradhëtorë kundra Pushtetit të Popullit Nikollë Toma, Zef Toli, Kolë Gjetja, Gjok Gjoni, Kolë Marashi, Gjeto Toli, Preg Kola, Gjok Gjini, Tom Zefi, që të nëntë nga Malkolaj; Jak Lushi, Rrok Gjushi, Gjon Pjetri, që të tre ish-këshilltarë të Beltojës; Lal Meti, Kolë Marku, që të dy ish-këshilltarë të Trushit; Dan Velija, Shaban Dini, Martin Lorja, Faik Lani, Kin Shuku dhe Kol Gjoka, pesë të parët nga Bërdica dhe i fundit nga Ivanaj, si strehonjës të Sylçe Begut; Shyqyri Bushati, Shefki Bushati e Myfit Bushati, që të tre nga Shkodra; u dënuan me nga 15 vjet burgim si përkrahës të armiqve të popullit Zef Gjoni nga Ivanaj, dhe Gegë Engjëlli, ish-këshilltar i Beltojës; si sabotator dhe disfatist i Lëvizjes Nacional Çlirimtare Llesh Zefi nga Gryk’ e Manatisë Leshit; u dënua me 10 vjet burgim si përkrahës i armiqve të popullit Ujk Shyti nga Ivanaj dhe po me këtë arsye me 5 vjet Met Shyti nga Ivanaj.
U dënuan me nga 1 vit burgim si sabotatorë të pushtetit të popullit Dan Sala, Tom Marku, Rrok Pashku, Ali Mustafaj, Idriz Cani, Emin Zeqiri që të gjashtë ish-këshilltarë të Melgushit dhe Engjëll Gjoka ish-këshilltar i Beltojës.

Bibliografia

1. Arkivi i Sistemit të Ministrisë së Brendshme, Fondi hetimor – gjyqësor, Dosjet e të gjykuarve për kryengritjen kundërkomuniste të Ded Shabanit.
2. Gjovalin Gjeloshi, Brezni të Kelmendit, 1, Gjergj Fishta, Lezhë, 2006
3. Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptare 1912-2005, Tiranë, 2006.
4. Nikoll Melyshi, Ngjarje historike të ndieme, të pame e të jetueme, 5571 Grandy, Detroit, MICH 48211, USA, 1976.
5. Uran Butka, Lufta civile në Shqipëri 1943-1945, Drier, Tiranë, 2006.
6. Uran Butka, Kryengritjet e para kundërkomuniste, ISKK, Tiranë, 2013.
7. Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlrimtare Shqiptare, V.I, Botimi i dytë, “8 Nëntori”, Tiranë, 1976
8. Marubi, Shqipëria 1858-1950, Pegi, Tiranë, 2006
8. Epopeja e luftës antifashiste nacionalçlrimtare e popullit shqiptar 1939-1944 (album fotografik).
10. “Bashkimi”, 1945.
11 “Gazeta Zyrtare”, 1945.
12 “Në shërbim të popullit”, 1973.

1 thought on “Kryengritësi i parë, si e dorëzuan anglo-amerikanët tek Enver Hoxha”

  1. E tmerrshme ajo periudhe kohore. Tmerrit i shtohet edhe indifurenca dhe mbeshtetja e nje pjese te madhe te popullates per shume vite.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top