KRIZA KOMBËTARE, FAJSIA E POLITIKËS DHE PËRGJEGJËSIA E MEDIAS

Shqipëria ka hyrë në dekadën e tretë të Demokracisë postkomuniste por mjerisht mentaliteti dhe psikologjia e të bërit politikë nuk kanë evoluar krahasimisht me fillim vitet ’90. Jemi atje ku e nisëm, të varfër në ekonomi, të varfër në shpirt, të pasur në banalitete e të sunduar nga krimi. Demokracia në Shqipëri duket se vuan nga sëmundja e pashërushme e shekullit; të jep idenë e një të sëmuri me kancer; atje është vrarë shpresa, është ligjëruar vjedhja e votës dhe e pronës, është përzjerë krimi me shtetin dhe politikën, amoraliteti sundon mbi moralin…

SHKRUAR NGA DALIP GRECA

Që shqiptarët po përjetojnë krizën më të thellë Kombëtare, kjo nuk mund të diskutohet.Brezat që do të vijnë do t’u bëjnë gjyqin atyre që na drejtojnë dhe që na kanë çuar në këtë krizë totale. Nuk është vetëm mundësia e humbjes së territoreve, që mezi i siguruan paraardhësit patriotë përgjatë shekujve, por edhe boshatisja e trojeve,emigrimi masiv, varfëria ekstreme, kriminaliteti, përdhunimi, amoraliteti, vjedhjet, vrasjet, përçarja kombtare. Gjithçka është në krizë. Shqipëria e ka humbë orientimin dhe duket se ecën symbyllazi, duke imituar somnambulët, ndërsa Kosova po përpëlitet mes ekzistencës së shtetit, ruajtjes së integritetit dhe politkbërsëve rrahagjoksë “patriotë”, që akuzojnë njeri-tjetrin për tradhëtarë.

Shqipëria dhe Kosova që vetëqeverisen si shtete të pavarura janë për momentin model më i keq që nuk të japin krenarinë e të qenurit shqiptar për mënyrën e të bërit politikë, ku parlamentet e të dy vendeve kthehen në arena përleshjesh, ku jo kultura-por fjalorët banalë shiten për moral, ku deputetët tanë shahen me libër shtëpie, ku forca dhe jo logjika, përplasin pozitën me opozitën ose e kundërta, ku i pari i shtetit nuk e ka për gjë që ta shesë banalitetin e fjalorit të vet për modernizëm, fjalor që do t’ia kishin zili edhe shtetarët e politikanët në Rwanda e gjetkë.

Si mund të predikojnë politikanët tanë se synojnë të shkojnë në Europë kur sillen si harbutë dhe të paedukuar? Në cilën Europë duan të shkojnë këta? Në Shqipërinë Europiane gjithçka duhet të jetë europiane, që nga sjellja, nga jetesa, nga mënyra e të folurit, nga bindja ndaj rregullit dhe ligjit. Por tek ne secili që merret me politikë vepron sipas motos “Ligji jam unë”! etj…

Shqipëria prej 106 vitesh shtet i pavarur, Kosova prej 11 vitesh shtet më vete, sillen rreth vetes si gurët e mullirit pa drith. Mjafton të hapësh TV në Tiranë apo Prishtinë dhe nëse ke nerva, dëgjo broçkullat e politikanëve dhe gazetarëve, që sillen rreth vetes dhe marrin poza të diturish, të dëgjosh gazetarët opinionbërës, që hiqen si kompentë në të gjitha fushat. I shihni me kujdes; janë po ata që bëjnë opinione për politikën; janë po ata që gjykojnë krimin dhe kriminelët, japin opinione për rendin, për dashurinë, për etikën, për veshjen, për krehjen, për turizmin…për gjithçka. Janë po ata….. sikur nuk ka të tjerë Shqipëria! Madje disa prej tyre duken si të punësuar nëpër studio televizive.

A e ndjenë media shqiptare përgjegjësinë që ka në trazicionin tejet të zgjatur të Shqipërisë postkomuniste? Në një shoqëri demokratike media ka rol të pazëvendësushëm në demokratizimin e shoqërisë dhe funksionimin e një shteti. Ajo mund ta mbajë drejt timonin e drejtësisë ose mund ta hedhë vendin në anarki me anësitë politike dhe me paaftësitë e saj(Kujtoni vitin e mbrapshtë 1997, ku media i priu anarkisë). Paraardhësit tanë, që janë marrë me gazetari, na kanë lënë pas mësimin se jo kushdo mund ta luaj rolin e gazetarit, veçanërisht tani, kur interneti bën këdo gazetar. Ish Editori i Diellit, Bahri Omari, në kohën e tij konstatonte se Gazeta është instrument të cilin po nuk e përdore mirë, jep pemët më të hidhura për një Komb. Derisa gazetarija, timoni më i fortë, që drejton qytetarët, mbetet në duar gjysmakësh të paditur,apo mercenarë të paguar, nuk është e mundur të shpëtojmë nga anarkia shoqërore. Komenti është i tepërt. Sot media është e modernizuar por shfrytëzimi që i bëjmë ne shqiptarët është më së shumti primitiv(ndiqni komentet në rrjetet sociale)…Shihni gazetat e varfëra shqiptare që sajojnë skoupe të paqenë, shihni dhe nivelin shumë të ulët të komenteve në publikimet online të lexusve militantë, dhe binduni për krizën e përbashkët të medias dhe ndjekësve të tyre që për model kanë njeri-tjetrin.

Shqipëria ka hyrë në dekadën e tretë të Demokracisë postkomuniste por mjerisht mentaliteti dhe psikologjia e të bërit politikë nuk ka evoluar krahasimisht me fillim vitet ’90. Jemi atje ku e nisëm, të varfër në ekonomi, të varfër në shpirt, të pasur në banalitete e të sunduar nga krimi. Demokracia në Shqipëri duket se vuan nga sëmundja e pashërushme e shekullit; të jep idenë e një të sëmuri me kancer; atje është vrarë shpresa, është ligjëruar vjedhja e votës,instrumenti bazë i demokracisë.

Shiheni efektivitetin e polikbërsve shqiptarë dhe mateni me atë çfarë është arritur në Shqipëri në këto 28 vite demokraci: Vendi ynë është bërë më i varfër, edhe pse pakica e pasur dhe e kriminalizuar, nuk dinë se ç’kanë. Pasuritë e dyshimta kurrë nuk u hetuan pasi Drejtësia jonë së bashku me politikën kanë bërë Padrejtësi…se Drejtësia jonë, ashtu si politika, janë militante, janë dhe të kriminalizuara. Pa e pastruar me rrënjë kancerin nga demokracia shqiptare nuk ka shërim të Shqipërisë, nuk ka demokraci reale.

Po kush merret me politikë në Shqipëri?

Mjafton të shihni Parlamentin që kemi sot, duke llogaritur dhe ata që u përzunë si kriminelë. Fatkeqsisht Shqipëria vuan mungesën e elitës Kombëtare në udhëheqje, e cila është zëvendësuar nga militantët. Fatkeqsisht Shqipëria jonë po prodhon elitë false, shitblerja e diplomave të universiteteve apo plagjitarurat pasuniversitare, janë tregues i degradimit të shoqërisë. Mjerisht bëhen politikanë ata që nuk i duhen Shqipërisë dhe shqiptarëve, bëhen ata që s’kanë asgjë të përbashkët me artin e të bërit politikë, bëhen ata që delegon bota e krimit, e cila dërgoi në Parlament edhe kontigjente të drejtëpërdejta të kriminalizuara.

Ka ardhë koha që shqiptarët të reflektojnë dhe të bëhen zotë të vetvetes dhe të votojnë ata politikanë që u duhen, që nuk e kanë shitë veten dhe shpirtin, që kanë karakter të pastër, që vetingun nuk presin t’ua bëjnë të tjerët por ia bëjnë vetes çdo ditë, ata që nuk betohen për Partinë që i ka bërë të pasur, por që janë idealistë dhe betohen dhe luftojnë për Kombin. Një shoqëri që nuk nxjerr në krye elitën idealiste, është e destinuar të dështojë.

Gati një shekull më parë , ish editori i gazetës “Dielli” në SHBA, Bahri Omari, tek krahasonte politikbërjen në Amerikë me atë në Shqipëri konstatonte se në Shqipëri të gjithë duan të bëjnë politikë, të gjithë duan të bëhen shkrimtarë, të gjithë kritikojnë, por sa efekt ka kritika dhe kush e bën atë?.

Në Shqipëri konstatohet se populli merret me politikë dhe politikanët merren me biznes. Deri kur?

Deri atëherë, kur votuesit të mos mendojnë të shesin votën, qoftë edhe për të mbajtë shpirtin gjallë, pra as për një thes miell e as për 50 mijë lekë, kur votuesi të denoncojë jo vetëm vjedhësin kundërshtar politik, por edhe militantin apo udhëheqësin e vet. Kur vota të marrë shenjtërinë e vet e paprekshmërinë, vetëm atëhere do të kthehet Demokracia reale, ajo për të cilën luftuam në fillimin e proceseve.

Le t’i mbyllim këto radhë me konstatimin e Bahri Omarit, gazetarit që e drejtoi Diellin e përditshëm nga 7 korriku 1916 deri në 3 nëntor 1919: Në Amerikë, kritikat i bëjnë ata njerëz që janë të zotë, krerët e punëve, dhe populli mban sehir dhe bën gjykimin e vet. Po ne shqiptarët, u bëmë të gjithë politikanë, kritikanë, shkrimtarë të klasit të parë, kurse s’kemi haber fare nga çështja. Kështu çgjaksohet njeri dhe tjetri dhe pastaj mbushen zemrat me inate dhe mërira.

Shikoni se ç’ndodh në Shqipëri 100 vite më pas këtij konstatimi dhe nëse mundni, i hiqni një presje Bahri Omarit të ndjerë, i cili edhe para Prokurorit dhe gjykatësitë, tek dënohej me pushkatim, edhe para skuadrës së pushkatimit, deklaroi: ” Unë edhe në varr do t’i shërbej Shqipërisë!”. Edhe pse e lanë pa varr, ai ende na mëson se duhet t’i shërbejmë Kombit. Po ku t’i gjejmë idealistët e këtij kalibri?!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top