Gjashtë shtete që kanë qenë anëtarë të ish-bllokut lindor komunist, i kanë kërkuar Komisionit të BE-së në vitin 2010 ndalimin në të gjithë Evropën të mohimit të krimeve komuniste.
Ministrat e Jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë kanë kërkuar në një letër zyrtare të dërguar më 14 dhjetor Komisares Evropianë për Çështje të Drejtësisë Viviane Reding, të dënojë “miratimin publik, mohimin dhe trivializimin e krimeve totalitare.” Matthew Newman, zëdhënës i Komisares së BE-së thotë: “Ne e marrim shumë seriozisht këtë kërkesë. Krimet e regjimeve totalitare janë pjesë e kujtesës kolektive të Evropës”.
Për krimin duhet të vlejnë të njëjtat norma
Letra e vendeve ish-komuniste të BE-së, e ka nismën tek iniciativa e ministrit të Jashtëm lituanez, Audronius Azubalis. Gjashtë ministrat e bazojnë këtë tek mohimi i Holokaustit, i cili është i dënueshëm si në Gjermani ashtu edhe në shumë vende të tjera. “Mohimi i çdo krimi ndërkombëtar duhet t`i nënshtrohet të njëjtave norma, për të shmangur rehabilitimin dhe ringjalljen e ideologjive totalitare”, shkruan Azubalis.
Ai është i bindur se shqetësimet e shteteve të reja anëtare të BE-së, duhet të merren seriozisht nga Brukseli. Të gjithë i dinë krimet e nacionalsocializmit, por vetëm një pjesë e Evropës është e vetëdijshme për krimet e komunizmit, thotë Azubalis. Një pozicionim i ngjashëm vjen edhe nga ministri i Jashtëm çek, Karel Schwarzenberg. Schwarzenberg është i mendimit se të dy sistemet totalitare duhet të maten me të njëjtin kut. Për të si Hitleri ashtu edhe Stalini kanë qenë vrasës, dhe ata që i kanë shërbyer atyre bashkëfajtorë.
Komisioni Evropian në Bruksel angazhohet
Historiani dhe shkrimtari rumun Marius Oprea, ish-president i Institutit Shtetëror për Hetimin e Krimeve Komuniste në Rumani, drejton tani një organizatë joqeveritare me këtë objektiv dhe ka inicuar që në shkurt të 2010, një “Deklaratë të Pragës” për këtë temë: “Ne kërkojmë që krimet komuniste të trajtohen njësoj si Holocaust-i, që do të thotë se krimet nga koha e regjimit komunist duhet të trajtohen para drejtësisë në të njëjtën mënyrë. Veprat e tyre nuk duhet të deklarohen se u ka kaluar koha, me këtë problem konfrontohemi të gjithë në ish vendet komuniste. Ne kërkojmë drejtësinë ligjore, jo vetëm dëmshpërblim moral. Ata që kanë kryer vrasje në emër të komunizmit, duhet të dënohen. Është e papranueshme, që ne të jetojmë bashkë me vrasësit dhe kriminelët. Ata janë kriminelë që kanë kryer vrasje dhe tortura në emër të një ideologjie. Çfarë i dallon ata nga nazistët? Asgjë!”
Tani me këtë temë merret Komisioni në Bruksel. Ende nuk dihet nëse do të arrihet të shpallet ndalimi i mohimit të krimeve komuniste. Matthew Newman shprehet me kujdes: “Që kur kemi marrë kërkesën, jemi duke punuar në përpilimin e një raporti që do të përfundojë që këtë vit. Në këtë raport do të përcaktohet, nëse jemi në gjendje të dënojmë njerëz, që mohojnë krimet e regjimeve totalitare.”
Autor: Dimitrova/ Andreev/ Schwartz/ Cama
Redaktoi: Lindita Arapi