Kosova në udhëkryqin e sajuar nga presidenti i saj në modelin e Viktor Janukoviç!

SHKRUAN: PROF. ASOC. DR. ENVER BYTYÇI

Dje janë bërë dy deklarata: Në Zërin e Amerikës ishte zoti Thaçi, nga ku vazhdoi të këmbngulë për ndarjen e Kosovës. Në Neë York Times u botua një editorial i zotit Haradinaj, ku zotohet se nuk do të lejojë në asnjë rrethanë ndarjen e Kosovës. Presidenti dhe kryeministri i Kosovës shfaqen kështu në të njëjtën ditë në mediat prestigjioze të Amerikës në kundërshti të hapur me njëri-tjetrin sa i përket integritetit territorial të vendit. Zotit Haradinaj i erdhi në ndihmë kroati prominent Stipe Mesiç, i cili nga Tirana e 28 nëntorit dërgoi mesazhin kuptimplotë. “As Milosheviçi nuk mundi ta ndajë Kosovën”!, tha ai. Por vendosja e taksës duket se po shfrytëzohet në Beograd për të realizuar një skenar “të faktit të kryer”! Katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës dhanë dorëheqjen dhe nuk duan që t’u binden autoriteteve të Prishtinës. Justifikimi: – Ne jetojmë nën presionin e qeverisë së Haradinajt për shkak të venies së taksës për mallrat serbe. Në fakt ky vendim erdhi ende pa u ndjerë asnjë pasojë e vendimit të qeverisë për taksën në fjalë.

Çka do të thotë se vendimi është politik, i urdhëruar nga Beogradi dhe i orkestruar nga një plan B. Ky plan B lidhet me skepticizmin e qeverisë dhe presidentit të Serbisë për realizimin e projektit të tyre për ndarjen e Kosovës dhe krijimin e Serbisë së Madhe. Pengesa Haradinaj shihet si tra i pakapërcyeshëm për ndarjen e Kosovës “me marrëveshje”!. Në këto kushte duket se ka nisur një skemë e re. Rebelimi i komunave me shumicë serbe. Njësoj si në enklavat ruse në lindjen ukrainase, si në Krime, në Abkazi dhe Osetinë e Jugut. E njëjta metodë, e njëjta mendësi, e njëjta strategji. Skemën ukrainase e mbështeti asokohe vetë presidenti i Ukrainës Viktor Janukoviç. Skemën e Beogradit po e mbështet aktualisht vetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Janukoviç përfundoi në azil në Moskë. Thaçi ka mundësi të kërkojë dhe ai azil në Beograd ose në Moskë. Janukoviç la pas tij një konflikt shumëvjeçar midis Ukrainës dhe Rusisë. Thaçi do të lejë pas tij një konflikt ndoshta dekadash të ngrirë midis Serbisë dhe Kosovës. Njerëzit e Kremilinit janë e njëjta rracë. Fusin sherrin te popujt e tyre dhe më pas le t’i dalë tymi gjithçkaje! Ky është mesazhi që Hashim Thaçi dha dje te Zëri i Amerikës.

Asnjë hap prapa në rolin që ai ka marrë për ta shkatërruar shtetësinë e Kosovës dhe cënuar territorin e saj! Dhe gjithçka ai po e shet në përfundim të vizitës në Uashington si projekt amerikan. Në fakt Amerika nuk duket se është për ndarjen e Kosovës. Sekretari i Shtetit, me të cilin u takua Thaçi, nuk jep asnjë insinuatë të tillë. Bolton, ndoshta në takim me presidentin e Kosovës ka dhënë ndonjë sinjal mbështetjeje, sepse ai është shprehur hapur kundër shtetësisë së Kosovës që para shpalljes së pavarësisë. Por Bolton nuk është Amerika! Thaçi ka aftësinë që të shfrytëzojë çdo gjë antikosovare për ta realizuar projektin e tij serb! Konflikti ashpërsohet dhe merr përmasa në rastin kur kryeministri i Shqipërisë i ka ndarë shqiptarët “në gomerë e në tradhëtarë”! Ai është shfaqur në Pejë hapur pro planit serb të ndarjes së Kosovës, duke luajtur rolin e një Janukoviçi numër dy! Kjo mbështetje i jep Thaçit kurajo ta thellojë konfliktin në Kosovë dhe ta sjellë atë në zgrip, në kufijtë e një konflikti gati civil. Nëse Rama dhe Thaçi vazhdojnë të luajnë rolin e regjizorëve dhe aktorëve në zbatimin e skenarëve rusë e serbë, atëherë ka mundësi që Kosova të shkojë drejt një konflikti civil. Zhvillimet e reja në veri të vendit janë sinjali i krijimit të një situate të tillë.

Ndërkohë institucioneve të Kosovës u shtohet edhe një vështirësi e re. Ato do të jenë në çoroditje, sepse do t’u duhet të veprojnë nën ndikimin e dy faktorëve të kundërt. Nga njëra anë mbi to ndikon presidenti dhe nga ana tjetër ndikon qeveria. Kjo çoroditje do të jetë asi serb i shkatërrimit të Kosovës. Nëse Prishtina zyrtare e kupton këtë lojë dhe këtë skenar, do të duhet që ta shkarkojë më urgjencë presidentin e vendit, Hashim Thaçi dhe t’ia ndalojë Edi Ramës të merret me Kosovën! Ndryshe situata do të shkojë keq e më keq dhe në kushtet kur Ramush Haradinaj ka vendosur ta mbrojë atdheun prej Milosheviçëve të kohës së sotme, treshes Thaçi-Rama-Vuçiq, përplasja civile është e pashmangshme. Por edhe nëse nuk do ta bëntë këtë Hardinaj, do të dilnin forca të tjera patriotike, të cilat do të viheshin në mbrojtje të atdheut me emrin Kosovë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.