FFK, 20 nëntor, 2018 – Kombëtarja e Kosovës e ka shkruar një faqe të artë në historinë e futbollit të vendit tonë. Djelmoshat tanë kanë dhuruar spektakël në fushë në ndeshjen vendimtare të Grupit 3 në Ligën D të Ligës së Kombeve, duke e mposhtur Azerbajxhanin, me rezultat bindës, 4:0, në stadiumin e stërmbushur “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Krahas spektaklit në fushë, spektakël kishte edhe në tribuna, ku tifozët “Dardanët” edhe një herë tjetër krijuan atmosferë spektakulare që nga fillimi i ndeshjes dhe duke mos e harruar minutën e 9-të, kur me duartrokitje frenetike e përshëndetën legjendën e futbollit tonë, presidentin tashmë të ndjerë, Fadil Vokrri, sukses i cili i dedikohet pikërisht atij, që dha aq shumë që futbolli ynë të jetë këtu ku është sot. Kësisoj, Kosova e mbylli vitin 2018 pa asnjë humbje, duke dëshmuar rritje të jashtëzakonshme të formës së saj.
Kosova e nisi shkëlqyeshëm ndeshjen dhe qysh pas dy minutash kaloi në epërsi me golin e Arbër Zenelit, i cili pasi mori një top të mirë nga Kololli, e dërgoi topin në rrjetë për 1:0, duke krijuar festë në tribuna. Pas këtij goli djelmoshat tanë e kontrolluan plotësisht lojën, duke mos i lejuar azerët ta rrezikojnë për asnjë moment portën e Arijanet Muricit, i cili debutoi në këtë ndeshje, deri në minutën e 40-të, kur portieri i ri dëshmoi cilësitë e tij me një pritje të jashtëzakonshme. Në pjesën e dytë Kosova jo vetëm që mbizotëroi me lojë, por dhuroi edhe spektakël me gola. Ishte sërish Zeneli ai që u përkujdes për gëzimin e radhës për “Dardanët”, kur doli i vetëm para portierit azer Agayev dhe ishte i pagabueshëm për 2:0. Gëzimi i radhës erdhi në minutën e 61-të, kur Amir Rrahmani shënoi me kokë pas një harkimi të Kollollit për 3:0. Mirëpo, kjo nuk ishte e tëra, ngase Arbër Zeneli doli sërish në skenë në minutën e 76-të, kur shënoi edhe një herë për të realizuar het-trikun e tij në këtë ndeshje historike, për rezultatin përfundimtar 4:0. Me përfundimin e ndeshjes futbollistët festuan duke i përshëndetur tifozët përreth tërë stadiumit, derisa në platon e Pallatit të Sporteve u ndezën fishekzjarret e shumta për këtë sukses historik. Me këtë fitore, Kosova e mbylli Grupin 3 të Ligës D në pozitën e parë dhe në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve do të garojë në një rang më lart në Ligën C, derisa në “play-off” të Ligës D do të kërkojë biletën për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020. Në gjysmëfinale Kosova në mars të vitit 2020 do të luajë kundër Maqedonisë.
Deklaruan në konferencë për media:
Përzgjedhësi i Azerbjaxhanit, Gurban Gurnanov: E kam ditur se Kosova është më e mirë dhe u kam thënë edhe futbollistëve. Kosova luajti më mirë dhe pati edhe lojën më të mirë individuale. Kështu që unë e uroj Kosovën për sukses.
Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes: Jam i kënaqur me lojën dhe përformancën e ekipit. Kisha disa dilema në mendjen time para ndeshjes, por gjithçka shkoi mirë. Ne kemi edhe shumë për të bërë, na pret një punë e vështirë në vazhdim të kualifikimeve. Mund të kemi përballje si me Gjermaninë, apo Francën e kjo na mundëson që të marrim përvojë edhe nëse nuk kualifikohemi.