Kontributi i ilirëve në civilizimin perëndimor: rasti i Shën Jeronimit

SHKRUAN: GJON BERISHA

Historia dhe jeta e ilirëve dhe e Ilirisë, veçse nga autorët grekë e romakë, u shkrua dhe u shqyrtua edhe nga autorë të tjerë, prejardhja e të cilëve shpesh nuk është ditur saktësisht. Kjo ndodhte, meqë ata shkruanin në gjuhën greke apo latine, pastaj biografia e tyre shpesh herë është e varfër, dhe pasi shumë herë ata identifikoheshin si grekë apo romak. Në mesin e tyre kishte padyshim edhe të tillë që kishin prejardhje ilire, por që këtë fakt ata nuk e cekën. Ndoshta ndër të parët autorë ilirë të antikitetit të vonë që e bëri të njohur prejardhjen e tij iliro-arbërore, i cili konsiderohet shkrimtar i shquar, nismëtar i shkencës letrare të mesjetës, është personaliteti që njihet përbotërisht me emrin Shën Jeronimi, i lindur në Stridon të Dalmacisë.

Ai që ndër të parët e përktheu Biblën nga origjinali hebraisht në latinisht, e që merret si vepra më autentike dhe si e tillë i kaloi shekujt.

Personaliteti i Shën Jeronimit është shumë kompleks dhe i gjithanshëm, prandaj edhe studimi i jetës dhe veprës së tij, kërkon qasje shumë dimensionale. Veprimtaria e tij bëri që t’i atribuohen shumë epitete si njeriu më i ditur i kohës, filozof i kishës, doktor i kishës, bibliograf, përkthyes i përsosur, letrat dhe si njëri që kontribuoj në përhapjen e civilizimit evropian.

Origjina dhe koha e Shën Jeronimit

Shën Jeronimi (Hieronymus) sё bashku me Niketё Dardanin nga Remesiana dhe disa emra tё tjerë tё historisë e tё kulturës antike dhe tё hershme mesjetare, bёjnё pjesё nё korpusin e dijetarëve tё mëdhenj tё Kishës dhe tё civilizimit perëndimor.

Shën Jeronimi u bë i njohur në histori me emrin Shën Jeronimi apo Eusebius Hieronymus, si e ndeshim në dokumente të kohës, ndërkaq Sophronius ishte pseudonimi. U lind nё Stridon tё Dalmacisё. Megjithatë, sipas biografëve të tij, rreth çështjes së vendlindjes dhe vitit të lindjes ka pasur dhe ka mendime tё ndryshme. Figura e tij madhështore, ka luhatur ndonjë studiues aq tepër, sa që ia ka ndërruar fare edhe vendlindjen e tij. Kështu, sikurse shumë qytete greke të antikitetit më të hershëm, qё bënin përpjekje tё pёrvetёsonin vendlindjen e Homerit, ashtu ndodhi edhe me vendlindjen e Jeronimit. P.sh. Flavio Biondo (1463) ka shkruar nё periodikun Italia Illustrata, se Jeronimi ka lindur nё Istri, e cila nё atё kohё i takonte Italisё.

Megjithatё, sot ёshtё e pranuar se Shёn Jeronimit ёshtё me origjinë ilire nga Stridoni i Dalmacisё, pёr tё cilën ka deklaruar disa herë edhe vetë duke thёnё: Miserere mei Domine, quia Dalmata sum (Mё fal, o Zot, se jam dalmat). Kurse, në një rast tjetër, për vendin ku ka lindur, Jeronimi thotë: “Jeronimi meshtar, i lindur në Stridon, i shkatërruar nga Gotët, dikur ishte kufiri i Dalmacisë dhe Panonisë[…]”. Ndërsa Thomas Archidiaconus shkruan kështu: “Tash Dalmacia është një vend bregdetar që fillon nga Epiri ku gjendet Durrësi dhe shtrihet deri te Kvarneri dhe aty gjendet qyteti Stridon, i cili dikur ishte kufi midis Dalmacisë dhe Panonisë”.

Për ta përforcuar mendimin mbi origjinën ilire të tij, po përmendim edhe një veprim në lidhje me postin e Papës. Duke çmuar aftësitë dhe meritat e tij, Jeronimit ia kanë ofruar postin e papës. Mirëpo, ai e refuzon këtë post më të lartë kishtar me arsyetim se si dalmat që ishte, ka natyrë të vrullshme, është gjaknxehtë, dhe si i tillë nuk është i përshtatshëm për postin më të lartë në hierarkinë kishtare, gjë që tregon origjinën e tij dhe moralin karakteristik shqiptar në lashtësi.

Kurse sa i përket vitit tё lindjes, janë dhёnё mendime tё ndryshme duke filluar nga viti 331 e deri nё vitin 347. Megjithatë, sё fundi dominon mendimi se ka lindur në vitin 345. Tё dhënat pёr familjen e Jeronimit janë tё pakta. Dihet vetëm se e kishte njё motër dhe njё vëlla mё tё vogël me emrin Paulin (Paulinianin), i cili kishte jetuar nё Betlehem. Jeronimi, mёsimet e para i filloi nё vendlindje, kurse pas moshës 18 vjeçare shkoi nё Romë dhe pranohet nё shkollën e filologut tё njohur romak Elius Donatit. Atje studioi gramatikën, retoriken dhe filozofinë, mësime tё cilat do tё ndikojnë nё veprimtarinë e tij pёr t’u bёrё ati (prifti) mё i ditur i Kishёs Romane. Ai ishte njё studiues serioz, i pasionuar nё letёrsinё latine; si i tillё i vizitonte shpesh katakombet nё Romë dhe kah fundi i arsimimit tё tij romak u pagëzua (rreth vitit 366), ndoshta nga Papa Liberius.

Pas pagëzimit tërhiqet nё selinë mbretërore Trier, ku vendosi tё bёhej asket, qё ishte njё vlerë e madhe edukative nё rrugën e shenjtërisë.

Nё Aquileia (Itali), ai krijoj lidhje me elitën asketike, tё mbledhur rreth peshkopit Valerianus, nё tё cilin grup bënte pjesë edhe Rufinusi, shkrimtar dhe studiues, i cili kishte përkthyer teologun aleksandrian tё shekullit tё III-tё, Origjenin. Pas shpёrbёrjes sё kёti grupi (rreth vitit 373) pёr arsye tё panjohura deri me tani, Jeronimi vendosi tё bёnjё njё udhëtim shtegtimi nё Jerusalem pёr tё vizituar Tokёn e Shenjtё. Nё rrugё pёr nё Palestinё, ai vizitoi Antiokinё (374), ku u prit miqësisht nga prifti Evagrius, vend nё tё cilin ishte sёmuar rёndё pёr shkak tё ndryshimit tё klimës dhe mёnyrёs sё jetesës. Pas shёrimit, nё vitin 375, Jeronimi i’u qas një kërkimi dy vjeçar tё paqes sё brendshme si eremit (vetmuar) nё shkretëtirën Kalikis tё Sirisë, për tё mësuar hebraishten, kurse greqishten do ta pёrsosё gjatё qëndrimit nё Konstantinopojё. Sa i pёrket hebraishtes thuhet se e mësoi nga njё vendas, pas sё cilës arriti tё kopjoi dorëshkrime pёr bibliotekën dhe shokët i tij si dhe mbante korrespodencë nё kёtё gjuhë.

Udhëton edhe nё vende tё tjera tё Perandorisë, siç ishin: Galia, Egjipti, Greqia, etj. Duke parё kёtё përgatitje intelektuale tё tij, tё pajisur me bindje asketike dhe me modesti shenjtërore, ipeshkvi i Antiokisё, Paulini, e shuguron prift nё vitin 379, kurse dy vjet mё vonё, e cakton këshilltar tё vetin nё Koncilin e Konstantinopojёs (381).

Kështu pas njё aktiviteti tё dendur dhe tё njё përgatitje shpirtërore nё vendet e shenjta, nё vitin 382 Jeronimi emërohet nё Romë sekretar i papës Damasit (366-385), i cili do t’ia besojë rileximin e teksteve biblike. Nё Romë qëndroi vetëm tri vite, dhe pas vdekjes sё papa Damasit (385), përsëri kthehet nё vendet e Lindjes, nё Antioki dhe Aleksandri. Nga Antiokia, nё vjeshtën e vitit 386 do tё vendoset nё Betlehem, ku do tё themelojё tri manastire tё grave dhe njё tё burrave. Nё manastirin e burrave do tё veprojë edhe shkolla biblike, nё tё cilёn ai do tё kryej punën mё tё madhe rreth rishqyrtimit tё teksteve biblike, pёrkatёsisht tё përkthimit tё Biblës integrale nga gjuhёt burimore nё gjuhën latine. Nё Betlehem kaloi njё jetё tё përshpirtshme deri sa ndiq mё 30 shtator 420?.

Kisha e Romës e çmonte lartë Jeronimin dhe kujtimet e tij, siç thuhet nё sakramentarin e Gregorit tё Madh, kurse nё kalendarin katolik, emri i tij përkujtohet më 30 shtator. Nё Martyrologium Romanum, Shёn Jeronimi përmendet me kёto fjalё: “Nё Betlehem u varros Shёn Jeronimi i besueshmi dijetari i Kishës, i cili i njihte tё gjitha shkencat shoqërore dhe kështu u bё prifti mё i ditur, i cili dijёn e vet ia nguliti edhe tjerёve[…]”. Kurse nё njё periudhё tё gjatё tё mesjetës, bashkë me Shёn Augustinin, Shёn Ambrozin dhe Shёn Gregorin e Madhё, Shёn Jeronimi do tё quhet “egregius doktor ecclesiae” (Mёsues i shkёlqyeshёm i Kishёs apo Doktor i Kishës Romane). Mё vonё trupi i tij u bart nё Romё dhe u rivarros nё bazilikën e Shёn Mёrisё.

Në Dalmaci, dita e Shën Jeronimi nderohet më një respekt të veqantë. Ky nderim është fuqizuar edhe me ligj. Kështu, në Ligjin dhe Statutin e Trogirit (Dalmaci) të vitit 1455 është futur plotësimi për respektimin dhe kremtimin e Ditës së Madhe të Shën Jeronimit “ashtu që asnjeri dhe asnjë person në qytet, në kopshte dhe në rrethin e Trogirit atë ditë nuk guxon të punojë as të bëj diçka, i cilësdo klasë, rend apo pozitë që të jetë, por duhet të heqë dore fare prej çfarëdo pune ditën e kremtes së Shën Jeronimit”, e “sidomos u ka hije të nderojnë më së shumti dalmatinasit, sepse në Dalmaci është i lindur”.

Veprimtaria letrare dhe shkencore

Shën Jeronimit i atribuohen një korpus i madh veprash, kurse vlera e këtyre veprave ka qenë objekt i shumë studiuesve dhe polemikave gjatë shekujve.

Vepra që u tërhoqi më tepër vëmendjen mban titullin Epistulae (Letrat), e cila përveç vlerave të mëdha teologjike, historike e filozofike, zotëronte edhe vlera të mëdha artistike dhe burimore të një zhanri të ri letrar në letërsinë evropiane.

Në mesin e 147 letrave që përbëjnë Epistolarin e tij, 26 i janë drejtuar Jeronimit, prej tyre 10 Shën Augustinit. Tërë personaliteti i Jeronimi është i gërshetuar në këto letra: fantazia e zjarrtë dhe karakteri impulsiv, stili i njohur dhe polemit i rreptë, që nuk fshehë dashurinë ndaj shkrimtarëve paganë romak, mirëpo as idealet e veta askete të drejtuara kah e mira e kishës. Rëndësia e këtyre letrave rritet edhe nga fakti së në to gjejmë përshkrime edhe për ilirët dhe Ilirinë si dhe për vendlindjen e tij, Stridonin.

Për historiografinë letrare në kuptimin e ngushtë është me rëndësi të posaçme vepra De viris illustribus liber (Libër mbi njerëzit e shquar), i njohur edhe me titullin De scriptoribus ecclesiasticis (Mbi shkrimtarёt kishtarё), e botuar në vitin 392, e që ёshtё njёherit edhe historia e parё e letёrsisё kristiane prej Shёn Pjetrit apostul, e deri nё ditët e tij. Kjo vepër, e cila është një katalog, ku ka prezantuar biografitë e 135 shkrimtarëve kristian (135 kapituj), është plotësim i veprës së humbur të Euzebit të Cezaresë, por në tërësi e shkruar sipas modeleve të klasikëve, sidomos duke pasur parasysh veprën e Seutonit. Qëllimi i autorit ishte që të dëshmonte para botës se edhe shkrimtarët kristian nuk mbesin prapa klasikëve paganë. Ndërkaq në jetëshkrimin e shenjtorëve (Vita Pauli, Vita Malchi, Vita Hilarionis), kemi një dimension të ri përmbajtjesor në historinë e letërsisë botërore. Gjithashtu, edhe në këtë vepër Jeronimi ofron shënime edhe për vetveten ku ndër tjera thotë: “[…]unë, Hieronymi, biri i Eusebit, nga qyteti Stridon[…]”.

Një vepër tjetër, e cila sot është burim i shënimeve, kurse në mesjetë ishte themel i kronografisë së përgjithshme është Chronica (Kronika), e cila nё tё vërtet ёshtё plotësim i përkthimit nga greqishtja i veprës së Euzebit tё Cezaresё, e cila paraqet historiografinë para Aleksandërit të Madh. Kurse me pёrbajtje kishtare shkroi edhe trajtesat: De spirtu sancto (Mbi shpirtin e shenjt), De situ et nominibus locorum Hebraicorum (Mbi shtrirjen dhe emrat e vendeve hebraike), De nominibus Hebraicis (Mbi emrat hebraikё), Questiones hebraicae in genesim (Çёshtje hebraike nё burimёsi), si dhe polemikat e ashpёrta, Adversus Jovinianum (Kundёr Gjonit), Contar Vigalantium (Kundёr Vigilanit), Adversus Helvidium (Kundёr Helvidit), Apologia adversus Rafinum (Apologjia kundër Rufinit), Commentariorum in Sophoniam prophetam liber (Libër komentarësh për profetin Sofon), etj.

Në korpusin e veprave të tij bëjnë pjesë gjithsesi edhe përkthimet e homilive të filozofit të njohur alaksandrin Origjenit, sikurse edhe shumë shënime nga përvoja e tij e pasur përkthyese nga gjuha hebraike dhe greke.

Vulgata dhe interpretimet e saja

Megjithatë, veprimtarinë e madhe letrare dhe shkencore që e theksuam më lartë, emri i Shёn Jeronimit mё sё shumti identifikohet si përkthyes i Biblës, nga gjuha hebraike nё gjuhёn latine, e cila do tё quhet Vulgata. Mirëpo para se tё flasim pёr përkthimin e Biblёs nga Jeronimit, qё te kemi njё pasqyre tё qartë mbi shkaqet qё shtynë Jeronimin qё t’i hyjë kësaj beteje tё madhe, sё pari duhet tё njihemi se nё çfar gjendje ishte Bibla para këtij përkthimi ?.

Nga tё dhënat historike na ёshtё e njohur se pas pushtimit tё Jerusalemit nga romakët (viti 70) dhe pas shkatërrimit të tempullit çifutë nё Jude, njё pjesë e çifutëve tё ikur (diasporës) u vendosën nё qytetin e Aleksandrisë. Thuhet se çifutët e Aleksandrisë u helenizuan shumë mё tepër se ata tё Judesё, dhe e harruan hebraishten. Pёr kёtё arsye u pa e nevojshme tё përkthehej Dhiata e Vjetër nё greqisht; rezultati ishte Septuaginta. Kurse Pentateuku ishte përkthyer nё mes tё shekullit tё tretë para Krishtit, pjesët e tjera disi mё vonё. Pёr ta përkthyer Dhiatёn e Vjetёr nё greqisht, kryeprifti i çifutëve Elaezari, caktoi nga gjashtё vetё prej çdo fisi hebraik. Mbasi ishin 12 fise hebraike, u zgjodhën 72 veta dhe puna u krye brenda 72 ditёve. Mu pёr kёtё edhe ky përkthim u quajt Bibla e hebrenjve nё diasporë, pёrkatёsisht nё shkencën biblike quhet SEPTUAGINTA. Kur versionet e tyre u krahasuan u gjet se ishin identike deri nё detajet mё tё vegjël. Megjithatë, studimet mё tё vonshme treguan se Septuaginti kishte defekte tё mёdha.

Tё krishterёt e fillimit, duke mos ditur hebraishten, u bazuan tek Septuaginta, apo tek disa përkthime tё tij nё latinisht. Njё tekst mё i mirё, ndonëse me disa gabime, doli nga puna e Origjenit nё shekullin e tretë.

Siç e theksuam edhe mё parё, papa Damasi ia kishte besuar Jeronimit rishqyrtimin e teksteve biblike, ngase me përkthimet e mëparshme nё gjuhёn latine, tё njohura si Vetus latina (Pёrkthim i vjetёr latin), nuk ishin tё kënaqur nё Perëndim pёr shkak tё mangësive dhe gabimeve tё shumta gramatikore dhe ortografike. Pas vdekjes sё papës Damasit, Jeronimi tërhiqet prapë nё Betlehem, ku serisht iu përvesh studimeve hebraike, me qёllim qё tё shqyrtonte përkthimin grek tё Besëlidhjes sё Vjetër (Septuaginta). Kështu fillon edhe përkthimin integral tё Biblёs nga origjinali hebraisht duke e krahasuar me greqishten nё gjuhёn latine.

Jeronimi kishte informacion tё plotё pёr gjendjen e teksteve burimore dhe tё përkthimeve tё këtyre teksteve nё gjuhёt e lindjes, nё gjuhёn greke dhe nё gjuhën latine. Siç dihet përveç Septuagintёs, ekzistonin përkthime tё tjera greqisht, targume tё shumta, qё ishin përkthime karakteristike ose shpjegime armenisht, pastaj përkthime kopisht (nё disa dialekte), siriakisht, etj. Ç’ёshtё e vërtetë, renditja e punës së tij kishte filluar nga Beslidhja e Re pёr tё kaluar nё Psaltir (Psalterium Romanum) dhe nё libra tё tjerё tё Beslidhjes sё Vjetёr, gjithёherё duke qenё nё konsultim me rabinёt e shkolluar, sidomos me mikun e tij, rabinin Baranin. Studiuesit kanë konstatuar se ai kishte respekt tё shtuar ndaj teksteve hebraike, pёrkatёsisht ndaj tё vërtetës hebraike dhe kanonit hebraik. Gjatё përkthimit, Jeronimi ka zbatuar gjithsesi mёnyrёn shkencore nё çdo pikëpamje, sikur nё kuptimin e drejt tё tekstit burimor, ashtu edhe nё bartjen e tij nё gjuhёn latine, duke respektuar tё gjitha karakteristikat gjuhësore tё kësaj gjuhe dhe duke u mbështetur nё veçori morfo-sintaksore dhe leksikore qё janë tё natyrës, si tё thuash, popullore (lat. vulgus-popull).

Kjo, bёri qё përkthimi, pёrkatёsisht rishqyrtimi i Biblёs integrale nё shek.V tё merr përmasa tё gjёra, qё mё nё fund, nё shek.VI tё pranohet nga tё gjitha kishat. Nё kohёn e Karlit tё Madh, nё vitin 800, mendohet se ishte versioni i vetëm qё përdorej gjithkund edhe nё liturgji, kurse nё kohёn e Gutembergut, Bibla e Jeronimit qe libri i parё qё u botua nё shtypshkronjën nё vitin 1452, nga i cili botim sot janë ruajtur nja 45 kopje.

Mё vonё, pikёrisht me 8 prill 1546, nё Koncilin e Tridentit, u zyrtarizua pёr përdorim përkthimi i Jeronimit si “autentik” me fuqinë disiplinore, duke e quajtur Vulgata, me dekret vetëm pёr Kishёn Katolike tё Romёs, pra pёr atё pjesё tё Kishёs, ku mund tё hynte nё përdorim gjuha latine. Mё 1592 ёshtё bёrё edhe njё redaktim i Vulgatёs, sipas urdhrit tё papës Klementit VIII, kështu qё deri vonё ishte nё përdorim e ashtuquajtura Vulgata Clementiana, kurse mё 25 prill 1979, tё nënshkruar e tё lejuar nga papa Gjon Pali II, botohet Nova Vulgata (Bibliorum sacrorum editio typica prior a MCMXXIX, pp.2326) e shёn Jeronimit, nё tё cilёn Vulgatё ёshtё mbështetur edhe përkthyesi i Biblёs integrale nё gjuhёn shqipe dom Simon Filipaj.

Nё Vulgatёn e tij, Jeronimi nuk dallohet vetëm si filolog i ditur, i cili përkthen me zotësi nga origjinali, hebraisht duke krahasuar me greqisht, por aty ai na del edhe si artist i talentuar i fjalёs, si krijues gjenial, qё ka ditur tё deportojё nё thellёsinё e mendimit tё përsosur tё tij. Nё tё, si dhe nё Epistolet, gjuha e Jeronimit ёshtё mё e zgjedhura dhe mё e përsosura. Jeronimi e krijoi normën pёr shekujt e mё vonshëm tё shprehjes latine kristiane, dhe ka ndikuar nё mёnyrё direkte edhe nё gjuhёt letrare popullore. Nё shumë vende nё veprat e tij edhe teoritikisht i ka arsyetuar përvojat e veta nё përkthim.

Nё mesjetё, por edhe mё vonё Jeronimi me tё drejtё ёshtё konsideruar si njёri nga pёrfaqёsuesit mё tё mёdhёnjё tё humanizmit kishtar. Tek ai njerëzit e Renesancёs kishin gjetur modelin e stilit, kishin pëlqyer temperamentin e tij luftarak. Ky humanist e filolog i shquar thuajse i pashoq, me veprën e vet, siç ka pohuar edhe studiuesi Aleksandёr Stiçeviq, i ka dhёnё njё kontribut tё çmueshëm botёs perëndimore nё fushёn e kulturës.

Ndërkaq, pёr nga dija e fuqia e talentit, siç ka vlerësuar shkrimtari dhe studiuesi Imzot Zef Simoni, Jeronim iliri, biblist, jo aq teolog, por komentator i pёrzemёrt i Shkrimeve Shejte, qëndron mbi Augustinin e Ambrozin, mbi Krizostomin etj.

Qëndrimet e Shën Jeronimit ndaj kulturës së antikitetit

Që në shek. II, fillon diskutimi apo më mirë të themi polemika e hapët në mes mendimtarëve të krishterë rreth problemit të vlerave shpirtërore e kuptimore të filozofisë pagane. Problem thelbësor i polemikave do të jetë harmonizimi i botëkuptimeve të kundërta antiko-pagane me atë të krishterë të cilët apologjetët e parë të krishterë, që për nga formimi intelektual ishin pjellë e kësaj filozofie pagane, përpiqen ta realizojnë, të paktën sa i përket mënyrës së të shprehurit. Kjo shihet qartë në faktin se idetë e veta apologjike të krishtera i shprehnin në petkun e të menduarit filozofik helenistik.

Lidhur me qëndrimin ndaj kulturës antike në përgjithësi dhe veprave letrare e filozofike në veçanti, vend të posaçëm zë Shën Jeronimi. S’do mend se formimi i tij intelektual i lartë ai mundësoi edhe njohjen e shkëlqyeshme të letërsisë, filozofisë dhe në përgjithësi të kulturës shpirtërorë pagane. Si fëmijë, në Romë u njoh me mësimet e Elius Donatit, gramaticentit dhe komentatorit të veprave të Tarencit. Për mrekulli i njohu Plautin, Tarencin, Lucrecin, Ciceronin, Salustin, Vergjilin, Horacin, Lukanin etj. Njohja dhe ndikimi i tyre ndeshet në çdo faqe të veprave të tij. Ai, kur në moshë të shtyrë i kujtohet se sa vështirsi të mëdha kishte pasur të zotëronte hebraishten, ndër të tjera thotë, se shkaku i kësaj qëndronte në faktin se ishte i mësuar me “mprehtësinë e mendimit të Kuintilianit, rrjedhshmërinë e Ciceronit, dinjitetin e Frontinit dhe me butësinë e Plinit”. Ndërkaq kur Magnusi e pyet pse i përdor aq shumë shembujt nga letërsia pagane, ai me argumente të shumta fletë për nevojën e tyre. Qëndrimin pozitiv ndaj kësaj letërsie e shohim edhe në letrën e tij të famshme dërguar Paulin Nolanit, e shkruar rreth vitit 395. Në këtë letër jep udhëzime se si duhet të lexohet Shkrimi i Shenjtë ose Besëlidhja nga një anë dhe, nga ana tjetër flet me dobi të argumentit të lashtësisë – prioritetit të vetë Biblës ndaj të menduarit shkencor pagan. Aty theksohet në dobi të argumentit të lashtësisë – prioritetit të vetë Biblës ndaj të menduarit shkencor pagan. Kështu, prandaj, kur flet për Librin e Numrave, thekson se aty paraqiten të gjitha fshehtësitë e matematikës. Kur fletë për Librin e Jobit, thekson se në të gjenden të gjitha rregullat e didaktikës në aplikim. Po aty Jeronimi e ka krahasuar Davidin me Simonidin, Pindarin, Alkeun, Horacin, Katulin dhe Serenin. Në letrën në fjalë, që shpreh njëkohësisht edhe njohjen e shkëlqyeshme të filozofisë dhe të literaturës klasike, Jeronimi shprehimisht thotë se as Pjetri as Gjoni nuk kanë qenë peshkatarë të paarsimuar.

Nga kjo shihet qartë se për Shën Jeronimin kuptimi i Biblës nuk është i mundur pa njohjen e filozofisë dhe literaturës klasike. Këtë qëndrim e shpreh qartas në parathënien e Kronikës botërore të Euzebit të Cezaresë, që e përpunoi në sistemin tabelar, të përshkruar me shënime historiko-letrare dhe u bë gurëthemel i “kronikës së letërsisë historike” në të cilën do të përqendrohet pastaj Izidori i Sevilës.

Për qëndrimet e Jeronimit ndaj letërsisë klasike dhe korrespodencës së trajtave letrare të teksteve biblike me ato të teksteve shekullare, flasin edhe autorët e mëvonshëm. Jeronimi, në të vërtetë, këtë konkordancë të letërsisë pagane me atë të teksteve biblike e shpreh edhe në parathënien që i paraprinë Vulgatës, përkthimit të tij.

Iliret dhe Iliria te Shën Jeronimi

Për sa i përket të dhënave që na jep Jeronimi mbi ilirët dhe Ilirinë, ato janë natyrave të ndryshme. Në to flitet për sulmet e gotëve dhe barbarëve të tjerë në fundin e shek.IV, për shkatërrimet e plaçkitjet që pësojnë krahinat e ndryshme të Ballkanit, për përhapjen e krishterimit në këto hapësira; ai jep gjithashtu dhe njoftime të tjera me karakter gjeografik e administrativ.

Nё tё gjitha veprat e tij, madje edhe nё letrat, ka tё dhëna edhe pёr “vendin tim, ku kam lindur”, shkruan Jeronimi. Ai nё shkrimet e veta pёrmendё fakte tё rralla, por shumë tё rёndёsishme pёr popullin e tij. Kёshtu nё lidhje me gjuhёn ilire thotë: “[…]se ilirёt deri nё Perandorinё e vonshme (romake) flitnin ekskluzivisht nё gjuhёn e tyre…”. Po ashtu me pietet flet pёr birrën ilire tё quajtur sabaium ose sabaia që e përdornin bashkë me një pije prej mjalti. Ndërsa në mitologji dhe në antropologji, legjenda e Shën Jeronimit e shënuar mbi jetën e Shën Hilarionit, i cilie mbytë gjarprin Boas dhe i shpëton banorët e Epidaurit, është komentuar edhe nga pikëpamja shkencore nga Artur J. Evans, më vonë si personifikim i fitores së krishterimit ndaj besimit pagan, si lidhje e mitologjisë vendase me religjionin e ri.

Sipas studiuesit Z. Mirdita, i cili është marrë me studimin e zhvillimit të historiografisë kishtare, rrënjët e historiografisë kishtare shqiptare janë shumë të lashta dhe ato lidhen me veprën e Shën Jeronimit “Mbi njerëzit e shquar”. Në të vërtetë Shën Jeronimi e rikonfirmon pohimin e Shën Palit dhe ofron dëshmi në lidhje me përhapjen e krishterimit në Iliri në krye me këtë apostull, duke thënë: “In omnibus locis versabatur[…]cum Paulo in Illyrico” (U përhap në të gjitha vendet[…] me Palin në Ilirik).

Kurse nё lidhje me dyndjet e popujve barbarë dhe shkatërrimet qё përjetuan territoret ilire, Shёn Jeronimi dëshmitar i këtyre ngjarjeve tё tmerrshme, i përshkroi nё Epistolae me fjalët:“më rrëqethet shtati kur mendoi të tregoi për shkatërrimet në kohën tonë. Në vazhdim të njëzet vjetëve, bile edhe më tepër, gjaku romak derdhet për çdo ditë ndërmjet Konstantinopolit dhe alpeve Jule: goti, sarmatë, kuadi, alani, huni, vandalët dhe markomanët shkretojnë, plaçkitin dhe grabisin Skythinë, Thrakinë, Maqedoninë, Dardaninë, Dakinë, Thesalinë, Ahenë, Epirin, Dalmatinë dhe gjithë Panoninë. Sa matrone, sa virgjëresha kushtuar Zotit, sa njerëz të lirë dhe fisnikë u dhunuan në këto lufta! U morën robër peshkopë, u vranë presbiter dhe shërbyes të tjerë të ndryshëm të kishës. U shkatërruan kishat. Pranë altarit të Krishtit u vendosën si në grazhd, kuajt. Kockat e martirëve u nxorën nga varret. Kudo zi, kudo ofshe dhe pamje vdekje[…]. Më pas letra vazhdon në lidhje me shkatërrimet që i pësojë vendlindja e tij :”[…] për këtë arsye […] u detyruam të dërgojmë në atdheun tonë vëllain Paulinianin, që të shiste shtëpitë e vogla gjysmë të shkatërruara, të cilat u shpëtuan duarve të barbarëve, dhe pasurinë e prindërve tanë të përbashkët, në mënyrë që të mos t’u japim rast të qeshin smirëzesëve dhe atyre që mendojnë keq, duke lënë pa kryer punën e shenjtë që kemi ndërmarrë […].

Gjithashtu në lidhje me sulmet e gotëve në veprën e tij Comentariorum in Sophoniam prophetam liber (Libër komentarësh për profetin Sofon) shkruan: “[…] kur shkatërrohen qytetet dhe vriten njerëzit, ikin dhe rrallohen edhe kafshët, zogjtë e peshqit. Për këtë është dëshmitar, Iliriku, dëshmitarë është Thrakia, dëshmitarë është edhe vendi ku kam lindur, ku çdo gjë u zhduk përveç qiellit e tokës, gjembave që rriten dhe pyjeve të dendura”. Kurse në veprën e tij De viris illustribus liber (Liber mbi njerëzit e shquar), jep informata edhe për vetëvetën :”Unë, Hieronymi, biri i Eusebit, nga qyteti Stridon, i cili dikur gjendej në kufi në mes Dalmatisë dhe Panonisë dhe që u shkatrrua nga gotët deri në këtë vit [393] dhe pikërisht deri në të 14-in vit të sundimit të perandorit Teodos, shkrova këto vepra[…].

Shën Jeronimi në relievet e skulptorit Andrea Aleksit

Jehona e Shën Jeronimit ka qenë e madhe në shekuj të ndryshëm. Jeta dhe veprimtaria e tij u bënë frymëzim për shumë studiues të ndryshëm. Me figurën e tij u morën jo vetëm biografë e gjuhëtar por edhe piktorë e skulptorë të ndryshëm. Kështu, figurën e Shën Jeronimit e pikturon vetë Leonardo da Vinçi. Njihen më shumë se 1500 portrete të Jeronimit në pikturën evropiane. Disa figura re relieve të Jeronimit i ka bërë edhe skulptori i madh shqiptarë i shekullit XV Andrea Aleks Durrësaku, apo siç quhet ndryshe edhe si Andreas Alexius Epirota Durachinus (1425-1505).

Interesimi i Andrea Aleksit për figurën e dhe relievet e Shën Jeronimit është rezultat i situatës së vështirë të viteve tetëdhjetë të shekullit pesëmbëdhjetë në të cilën u gjend Dalmacia, pikërisht është fjala për kohën e rënies së Krujës në duart e turqve, kurse ekspansioni turq erdhi deri në dyert e Dalmacisë. Edhe Andreu, sikur i ka ndie disa lidhje intime me këtë njeri (Jeronimin) të madh dhe artist të madh, me këtë bashkatdhetar të humbur në shkretëtirë, me këtë shkrimtar që me nostalgji e përkujtonte vendlindjen e vet, dhe sikur andria këtë lidhshmëri të tij intime dëshironte ta muronte në gur me shumë inkarnime të figurës së Jeronimit. Sot janë të njohura njëmbëdhjetë relieve të këtilla, kurse për të tjerat supozohet se gjithashtu janë vepër e ofiçinës së tij.

Relievin e parë të këtillë Andreu e punoi në pagëzimoren e tij të Trogirit, kurse njëzet vjet më vonë e ndërtoi përsëri relievin Shën Jeronimit për kishëzën e asketëve të Shën Jeres në Marian (afër Splitit). Edhe sot është e ruajtur kjo shpellë askete në të cilën me shekuj kanë jetuar asketët pranë kësaj kishëze mbi altarin e të cilit Andreu e ka ndërtuar relievin e vet me përkushtim dhe emrin e vet si dhurues(Andreas lapicida) dhe me shënimin e vitit 1480 si vit i dhuratës.

Përpos këtyre dy relieveve të sigurta ekziston edhe i treti për të cilin mund të thuhet me siguri se është vepër e Andreut ose e ofiçinës së tij. Relievi gjendet në Londër dhe dikur është menduar si vepër e skulptorit italian Pietro Lomnardi, kurse më vonë është vetëtuar nga Cvito Fiskoviq, se ky punim është vepër e ofiçinës së Andreut. Siguria e atribuimit të këto tri relieve bën të mundshme që Andreut t’i atribuohen edhe disa relieve të pasinjifikuara të Shën Jeronimit, që gjinden në disa vende në Dalmaci dhe në botën e jashtme. Kështu, në Galerinë e Arteve në Split është një reliev i Jeronimit më i vogël (i madhësisë 39×36,5 cm.) i punuar prej gurit të Trogirit.

Në kishën e Shën Gjonit në Zarë është zbuluar relievi i Shën Jeronimit me dimensione të ngjashme (34×35 cm.) sikurse ai i mëparshmi dhe duke e krahasuar përsëri me relievin e Marianit (forma e shpellës është e ngjashme, përpunimi i murit gjithashtu, i njëjti është edhe vendosja e luanit, librit dhe gjarprit), Petriciolo konsideron se “relievin e Zarës dhe të Marjanit e ka punuar i njëjti mjeshtër” dhe se “mbasi në relievin e matjanit është nënshkrimi i Andreut mund të supozohet me siguri se Andreu është autor i relievit të Zarës”.

Në lapidarin e Dubrovnikut gjendet gjithashtu një reliev i ngjashëm dimensionesh më të vogla (38×40 cm.) që më parë ka qenë muruar buzë kishës së Zonjës së Kashtelit në Dubrovnik. Për këtë, Kruno Prijateli konstaton se përkundër disa ndryshimeve ekziston “ngjashmëri e padyshimtë” në mes të relievit të Dubrovnikut dhe atij të Splitit.

Në bazë të këtij relievi Fiskoviq dhe Petriciolo me ofiçinën e Andreut e kanë lidhur relievin e Shën Jeronimit (madhësia 31×39 cm.) që gjendet i murosur nën rrasën e varrit të Gaspar Bolduit në kishën e Shën Maria de Ciglio në Venedik. Gjithashtu, në Dubrovnik gjendet edhe një reliev, përsëri me madhësi të ngjashme (37×39), që rrjedh nga Sllani, i cili është i vendosur në Galerinë e Arteve. Ky reliev ndryshon pak nga ata të mëparshmit për nga tretmani i shpellës, rrudhat e rrobave dhe shenja e re ikonografike në formë të kryqit.

Në koleksionin e Romës, gjithashtu gjendet një reliev i Shën Jeronimit, kurse historianët, ia atribuojnë Andreut edhe një reliev të këtillë nga koleksionet e huaja, përkatësisht në muzeun Jacquemart-Andre në Paris. Bashkë me këto relieve Petricioli, ia atribuuan Andreut ose pasardhësit të tij edhe një reliev të pakryer që gjendet përmbi portalin e kishës françeskane në Kraj në ishullin Pashman, të cilin ai e konsideron kopje të relievit të Marianit.

Në të gjitha këto relieve të përmendura të Andrea Aleksit, Shën Jeronimi është paraqitur në mënyrë besnike ikonografike si asket në shpellë me luanin, gjarprin dhe shkrapin. Ky i shenjtë është mbrojtës i Dalmacisë, prandaj edhe Lleshi e punon disa herë, qoftë sipas logjikës së porosisë, qoftë për interesimin e tij për një figurë asketi dhe për botën magjike të peizazheve të tij. Kompozicioni është shumë i bukur. Portretin e Shën Jeronimit të realizuar nga Andreu e përshkruan bukur Kruno Prijatel me këto fjalë: “Shenjti rri i qetë dhe i natyrshëm, kurse lojën e bukur të vijave e krijojnë këmbët dhe shkopi në tërësinë e përbashkët të kompozuar me mjeshtëri”.

Shën Jeronimi është paraqitur në mase 300 punime të autorëve të ndryshëm të Evropës, është paraqitur si kardinal në shkëlqimin e purpurit, është paraqitur si intelektual në bibliotekë dhe është paraqitur si monak mistik i manastirit lindor, që në kohën e Andrea Aleksit të merrte karakteristikat ikonografike të dhëna në relievet e tij. Dhe për fund, duhet theksuar se Andreu, vitet e fundit të jetës së tij ia dhuroi relieveve të Shën Jeronimit.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top