Agron Tufa

KATËR QENË TË BARDHË

SHKRUAR NGA AGRON TUFA

I
Katër qenë lëshohen rrufeshëm drejt meje, me më prishë. Dy të mëdhenjtë më arrijnë në mes të vreshtit. Kam veç një shkop frashni në dorë. U hodhën në ajër, me më shqye, por i prita me shkop kresë, njërin mbas tjetrit. Ranë coftë në tokë, bashkë me copat e shkopit, që u thye në goditjen e dytë. Po atëgrimë, ndjeva prapa thembrave kafshimin e qenve të vegjël. Nuk i shmanga dot…

II
Me del gjumi, por ende ka natë. Nga frëngjia e vetme e qelisë hyn thëllimi me kundërmimin e dëborës së parë. Vjen së largu, si e bjerrë, kënga e gjelave të tretë. Pas 9 muajsh hetuesi të egër po gdhin kështu dita e gjykimit tim. Me ato 4 nenet e tmerrshme… dhe atë, dëshmitarin kyç, Veli S…! Sa qenë m’u shtirën në ëndërr? Katër… Të bardhë, të bardhë… Aq sa nenet e akuzës sime: dy të mëdhenj, të frikshëm, dhëmbëçataj e sykuqë, dhe dy të tjerë, të vegjël, me dhëmbët brisk. Si nenet e akuzës sime: dy që të marrin jetën, dy të tjerë që të marrin disa vite jetë. Me bashkim nenesh, të çojnë në pushkatim. Pjesa tjetër dihet: pleqtë, gruaja, pesë kalamajtë… dhe rrugët e pasosura të internimeve… Por, në qoftë se 4 qentë e ëndrrës janë 4 nenet e akuzës sime, puna nuk është keq. Kurrë nuk i kam besuar ëndrrat. Por sot… sot s’kam ku të kapem.

III
– Këtë kokë, zëre se s’e ke më tënden! Do të ta shkulim prej supeve, si një repë! – më kërcënon ndër dhëmbë hetuesi im, kapiten Kote. Nuk i kthej përgjigje. Habitem me ndjesinë e mirë që kam përbrenda. Sallë gjyqi. Fytyra krejt të panjohura. Fillon seanca me nenet e vogla: 1. “Moskallzim bisedash armiqësore dhe pengim të organevet hetuese” dhe 2. “Armëmbajtje pa leje”. Mbrojtja ime bie ndesh me dëshmitarë dhe prova. “Dy qentë e vegjël të ëndrrës kafshuan”, – mendova. Gjithçka e vendos seanca e pasdites.

IV
Lexohet akt-akuza: 1. “Tentativë arratisje në grupazh” dhe, njëkohësisht, 2. “Tradhëti e lartë ndaj atdheut”.
– Fillojmë me zbardhjen e provave dhe rrethanave, – thotë kryetari. – Të hyjë dëshmitari!
Nuk ndjej asfarë paniku. Veli S., nuk po duket, ndërsa koha kalon. Pëshpërima. Hyn një police e bukur, elegante, sikur po shkel mbi vezë. Shkon drejt bankës së akuzës. Kryetari zgjat kokën e thinjur. Qafën e ka ezmere, me rrudha; fytin me arrëz. Si një breshkë. Policja i çuçurit në vesh. Pa gjeste. Ai tund kokën. Mandej, fill pas largimit të vajzës police, thotë: “të vazhdohet përkohësisht me të pandehurin!”. Marr krahë. Rrefuzoj gjithçka. Gjithçka. Të qena e të paqena.
– Janë shpifje të gjitha, – them, – thirreni dëshmitarin t’jua provoj!
Dëshmitari nuk vjen. Trupa tërhiqet për të marrë vendimin.

V
– Ia hodhe, skile! Të ndihmoi fati “me pak”, – u skërmit hetuesi im në koridor. – Por, mos kujto se na shpëton, – tundi gishtin me një gjest kërcënimi të fshehtë. – Herën tjetër, kaptinën tënde do të ta shkulim supesh…
– Si një repë? – e ndërpreva.
– Pikërisht!
– Ruaj kaptinën tënde, kapiten… Timen e ruan Zoti.

VI
Polici që më shoqëron mbrapsht në Degë më flet me dialektin e vendlindjes:
– Sak ta ka ruejt Zoti kryet, or mik… Kujt i shkote ndërmend, se… dëshmitarin tat, do ta bante petë makina, mu para gjykate?
– E shtypi makina!?
– Sa ka hy zotnia juej në sallë…!
– Katër qenë! – thashë nëpër dhëmbë.
– A? – pyeti polici me dorën si hinkë në vesh.
– Të bardhë, – i thashë.
– Të bardhë, çfarë?
– Dy të mëdhenj, dy të vegjël…
Polici ndalon papritmas. Kërkon në xhepa dhe nxjerr një paqetë “DS”. Merr një cigare dhe ma vë në buzë filtrin e verdhë. Mandej flaka e çakmakut me gaz. E thith thellë e me afsh tymin, derisa ndeshem me vështrimin e tij të picërruar, hetues.
– A je mirë, or mik? – pyet serioz ai, pa m’i shqitur sytë.
– Shëndoshë e mirë, – i them. – Gjallë!
Polici tund kokën i kënaqur, në shenjë miratimi.
Vazhdojmë rrugën, vetëm disa metra, deri në oborrin e Degës.
– Po, po, – miraton me zë lëvizjet e mëparshme të kokës, – S’ka me të gjallë…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top