Xhevdet Bloshmi, Hajdar Tonuzi, Nexhmie Zaimi, prof. Isuf Luzaj

KALVARI I BALLISTIT QË DHA LEKSIONE NË TË GJITHA UNIVERSITETET E AMERIKËS

Nga Kadri Tarelli

Ish-drejtori i Qendrës Kulturore për Fëmijë në Durrës, Sazan Bitraj, në 70-vjetorin e krijimit të këtij institucioni ndalet te mbresat që i kanë mbetur gjatë drejtimit të tij. Sipas tij, takimi rastësor me Isuf Luzajn, filozofin nga Kanina nuk do t’i shkulet kurrë nga kujtesa.

Në përpjekje për të shkruar historikun e QKF-së së Durrësit, me rastin e 70-vjetorit të saj, natyrshëm m`u desh të takoj e bisedoj me Sazan Bitraj drejtuesin e hershëm të kësaj njësie të veçantë kulturore–arsimore, të njohur me emrin “Shtëpia e Pionierit. Durrës”. Nuk çuditem që biseda rrodhi kaq natyrshëm, sepse mësuesit e gjejnë shpejt fjalën me njëri-tjetrin. Më pëlqeu në fjalë, se pavarësisht moshës, kishte kujtesë të fortë, bisedonte lirshëm dhe me një lloj nostalgjie për vitet e shkuara, kështu s’pata nevojë të ndërhyj me pyetje që ta bezdis. U gjallërua kur i kërkova të ndante ndonjë ngjarje të veçantë që e dallonte nga rutina e zakonshme e të përditshmeve.

– Çuditem, si është puna e jetës dhe e fatit. Mirë që ma kujtove, unë kam takuar filozofin Isuf Luzaj në viti 1989, një vit përpara se të përmbysej sistemi. Ngjarje që po më shoqëron gjatë gjithë jetës me mbresa të forta. Edhe sot më rrëqethet trupi, nga frika dhe kënaqësia. Në Prevezë të Greqisë zhvillohej një festival fëmijësh për këngë e valle. Ministria e Arsimit e asaj kohe vendosi që vendi ynë të përfaqësohet nga Shtëpia e Pionerit e Durrësit. Për ne ishte e para herë që po na jepej mundësia të dilnim jashtë shtetit. Nuk na mbante vendi. Kuptohet, ishte një punë me përgjegjësi për t`u paraqitur sa më mirë, veç anëve të tjera që shikoheshin si në vrimë të gjilpërës, jo vetëm ne si personel, por edhe biografitë e fëmijëve, pjesëtarë të ansamblit artistik. Në grupin shoqërues bënin pjesë, unë Sazan Bitraj drejtor i qendrës, Bajram Pela nënkryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit, një përfaqësues i Ministrisë së Arsimit, Vaso Llapa shefi i muzikës, Gëzim Agolli instruktor i valleve. Me letra unë isha drejtues, ndërsa në fakt për çdo gjë duhej të pyetej e të vendoste përfaqësuesi i degës. Në Greqi na pritën shumë mirë. Dhamë disa koncerte në Prevezë e në Janinë. Na bënte përshtypje takimi me shumë arvanitas që vinin nga vise të largëta të Greqisë, kastile për të na takuar. Ishin shumë të përmalluar. Na përqafonin me lot në sy, sikur çmalleshin me njerëzit e tyre të dashur. Thashë na bënte përshtypje, se na afroheshin pa ndrojtje, pa frikë se po i shikonte kush, ndërsa ne druheshim se po takonim njerëz të panjohur, kishim frikë mos na shpëtonte ndonjë fjalë, dhe hajde gjeje ç`na priste kur të ktheheshim në Durrës. Deri në Janinë isha i qetë, duke u kujdesur për fëmijët që të mos na kumbisnim nëpër qytet. Në një çast, kur do Zoti të shpëtosh, përfaqësuesi i degës bashkë me disa fëmijë u shkëput nga grupi ynë. Shikoj se drejt meje po afrohej një burrë i gjatë dhe veshur shumë bukur, i moshuar rreth të tetëdhjetave, dukej i lodhur. Më pas mësova se kishte pësuar një atak në zemër. Më foli shqip, i ktheva përshëndetjen, ndërsa ai vazhdoi:

“Jam Isuf Luzaj nga Kanina e Vlorës. Kam studiuar në Sorbonë në Paris, ku jam doktoruar në filozofi dhe letërsi. Kam punuar si profesor në disa shkolla të mesme të asaj kohe, në Korçë, Elbasan, Vlorë. Kundërshtova pushtimin italian, ndaj më internuan e burgosën në Ventotene në Itali. Isha delegat i Ballit në bisedimet e Mukjes”. Në prag të çlirimit, profesori ishte larguar nga Shqipëria në Austri, pastaj në Itali, ku punoi disa vjet në bibliotekën e Vatikanit, e më pas si pedagog filozofie dhe letërsie në Universitetin e Buenos-Ajresit në Argjentinë. Deri këtu po e dëgjoja me kureshtje, por më tej, hapu dhe e të futem, kur më tha se ka qenë i kërkuar në gjyqin special në Tiranë, që në ditët e para të Çlirimit. Ishte një ndër dhjetë eksponentët që u dënuan me pushkatim. Isufi u dënua në mungesë. Nuk di si u bëra, u zverdha, më iku fytyra e mezi po qëndroja në këmbë. Zoti e di si u mbajta e thashë me vete: Nga na mbiu ky “reaksionar” këtu në Janinë? Nga erdhi e më gjeti mua të ziun? Ç`do të them në Durrës po u hap fjala? E mblodha toruan: Le të dalë ku të dalë, nuk duhet të turpërohem këtu.

Vizitori i paftuar vazhdoi me qetësi: “Kam botuar disa libra, bile që para luftës. Për shumë vite kam punuar edhe në disa universitete në SHBA, ku në vitin 1984, më është dhënë dekorata “Profesor i Amerikës”, nga vetë presidenti Regan me dorën e tij. Në fjalën time të rastit thashë: “I lutem Zotit që të jetë e vërtetë ajo që mendoj, se kam mësuar më shumë unë nga ju se ju nga unë”. Mbaj mend se Profesori u ngrit në këmbë, më përqafoi e tha:“Më vjen mirë që këto fjalë kaq të sinqerta i dëgjoj nga një intelektual shqiptar”. Kam shumë mall për të ardhur në Shqipëri dhe në vendlindje, në Kaninën time. I kam kërkuar Ramiz Alisë që të më lejojë të vizitoj vendin tim, por akoma s`më ka kthyer përgjigje”. E sjell nëpër mend atë takim dhe më vjen keq që, Profesori ynë i nderuar nuk e pa dot Kaninën dhe Vlorën. Nuk e lejuan, pavarësisht se ai i bën nder Shqipërisë dhe gjithë kombit . Ai meriton monument.

Këto që dëgjova e i thashë më lart, janë një pjesë e vogël e asaj që mësova më pas nga shtypi ynë.

Në gazetën “Shekulli”, datë 06. 11. 1998, në artikullin e z. Aristotel Zoto, shkruhej: “Intervistë: Isuf Luzaj, 86-vjeçari që meritoi titullin më të lartë në SHBA. “Shqiptari që u dekorua nga Presidenti Regan”.

Kalvari i ballistit që dha leksione në të gjitha universitetet e Amerikës.

Duke diskutuar me Rrapi Toska, ish- përgjegjës i sektorit shkencor në Shtëpinë e Pionierit në Durrës, njëkohësisht edhe mik i drejtor Sazanit, më tregon: Që ditën e parë, kur drejtori u kthye nga Greqia dhe u paraqit në punë, pas përshëndetjeve të zakonshme dhe pyetjeve të shumta, më tërhoqi mënjanë drejt drejtorisë. Dukej sikur s`po e mbante vendi pa më rrëfyer diçka të fshehtë. Sapo u futëm në zyrë, u kthye dhe mbylli derën me çelës. Mbeta pak i habitur nga ky veprim jo i zakonshëm. Pa u ulur më thotë: “A e di se kë kam takuar në Janinë?”. Unë ngrita supet. “Kam takuar Filozofin Isuf Luzaj nga Kanina e Vlorës”. Të them të drejtën unë s`e kisha dëgjuar kurrë këtë emër. Veç në fytyrën e drejtor Sazanit, ndjeva një lloj frike (kuptohet për kohën që jetonim, ishte viti 1989), por edhe një krenari fisnikërie, se kishte takuar një mik të hershëm të babait të tij. Vetë drejtor Sazani është nga Tragjasi i Vlorës. Më vjen mirë që kjo ngjarje nuk u mor vesh nga organet e sigurimit. Mbase, ndoshta ishte pragu i ndryshimit të sistemit. Edhe tani që kanë kaluar kaq vjet, shpesh në biseda shokësh, Sazani e kujton me një lloj admirimi atë takim të rastësishëm, duke thënë me qetësinë e tij të zakonshme: “Sa e çuditshme është jeta. Të përfshin e të sjellë gjera që s’i ke shkuar kurrë nëpër mend. Po takimi me atdhetarin, luftëtarin, filozofin dhe poetin Isuf Luzaj nga Kanina, mbetet një dhuratë e çmuar në jetë time”.

Mos beso po deshe! Kur në rini ka shkruar këto vargje, ai sikur e ka parandjerë fatin e mërgimtarit që s`u kthye kurrë në vendlindje:  U, jam fakri i Qabesë, kam ardhur që t’ju thërresë, “Të luftojmë për liri!”.

1 thought on “KALVARI I BALLISTIT QË DHA LEKSIONE NË TË GJITHA UNIVERSITETET E AMERIKËS”

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top