Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, zhvillon sot vizitë zyrtare në Shqipëri dhe do të mbërrijë në aeroportin ‘Nënë Tereza’ në orën 09:00. Do të jetë Presidenti Bujar Nishani që do ta presë në aeroport dhe do të zhvillojnë një takim në sallën VIP.
Prej këtej, Kerry do t’i drejtohet Kryeministrisë ku do të takohet me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati e më pas me kreun e Qeverisë, Edi Rama. Pas këtij takimi, Sekretari Amerikan do të zhvillojë një takim me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe me 4 deputetë të tjerë të selisë blu.
Për vizitën e Sekretarit Kerry janë ndërmarrë masa të larta sigurie, ku në terren kanë zbarkuar 1500 efektivë. Vizita e tij do të jetë nën monitorimin e agjentëve të CIA-s, Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ të Shtetit, gardës etj.
Siç ndodh në të gjitha vizitat e tjera të rëndësishme, rrugët kryesore të kryeqytetit do të jenë të bllokuara nga ora 07:00-15:00. Më poshtë, rrugët ku do të ndalohet qarkullimi:
Aksi rrugor nga Aeroporti Rinasit “Nënë Tereza” – mbikalimi i Kasharit
Aksi rrugor nga Superstrada Vorë – Tiranë, nga mbikalimi i Kasharit – mbikalimi i Kamzës, në të dyja krahët e autostradës, si dhe rrugët dytësore paralel me to.
Aksi rrugor nga mbikalimi Kamëz – Sheshi “Shqiponja” – Rruga “Dritan Hoxha” – Rruga e “Durrësit” .
Aksi rrugor Sheshi “Skëndërbej” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- Sheshi “Nënë Tereza” , si dhe rrugët lidhëse me to.
Aksi rrugor nga Rruga “Teodor Keko” – Fabrika e Bukës – Bulevardi “Bajram Curri”, nga ura Teknologjike – Ura e Kualidimit – Ura e Drejtorisë Tiranë – Ura e Dajtit deri te ura e Rrugës së Elbasanit.
Aksi rrugor Bulevardi Zogu i Parë nga Ministria e Drejtësis deri tek Sheshi Skënderbej. Gjithashtu njoftohen të gjithë drejtuesit e mjeteve që do devijohet aksi rrugor i kamzës deri tek shinat e trenit.
Gjithashtu nuk do te lejohen parkimet e mjeteve duke filluar nga Sheshi Shqiponja deri te rruga Elbasanit si dhe nuk do te lejohet parkimi prapa Muzeut (Çaplini ose ish estrada).
Subjektet e linjave të shërbimit publik që operojnë në linjat brenda qytetit të Tiranës dhe linjave të transportit udhëtarëve ndërqytetëse, kryesisht ato që përdorin rrugët në pjesën veriperëndimore të qytetit të Tiranës, nuk do të lejohet qarkullimi i këtyre mjeteve në këto pjesë të rrugës. (BotaSot)