JEPINI FUND MASKARADES; ÇDO KOMUNIST KA QENE NJË ÇEKIST*

SHKRUAN: XHAFER SADIKU

Pas vitit 1992, dëgjojmë të njëjtin refren sikur antarët e Partisë Punës së Shqipërisë (komunistët, PS-LSI) nuk bëheshin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, madje herë thuhet hapur e herë lihet të kuptohet se bashkëpunëtorët ishin nga radhët e të persekutuarëve politikë.

Shprehje të tilla, me burim Sigurimin e Shtetit dhe të majtën politike, i përdorin kryesisht të majtët në luftën politike në parlament, por edhe demokratë me orgjinë të majtë. Këta të fundit për të goditur ish të persekutuarit që janë në PD, pasi që i shikojnë si konkurrentë pushteti brenda partisë. Pa kaluar tek faktet, duhet theksuar se qëllimi i të dy palëve është i njëjtë:

1- Të shpërndajnë përgjegjësinë e krimit komunist,
2- Të mos i lejojnë ish të persekutuarit të kërkojnë ndarjen e pushtetit me ta,
3- Të mbjellin tek te persekutuarit mosbesim tek njeri-tjetri dhe të nxisin përçarjen e tyre.

Ajo që të bën përshtypje është heshtja e shoqatave të ish të përndjekurve politikë. Si ka mundësi, të heshtin për një çështje kaq të madhe, që prek dinjitetin e atyre të cilët pretendojnë se i përfaqësojnë?!

• Për çështjen në fjalë, që të arrihet në përfundim të besueshëm, duhen analizuar disa elementë, të tillë si: platformat politike, organizimi i rrjetit të Sigurimit, statistikat e kontigjenteve dhe agjenturës.

Po tu referohemi deklaratave te udhëheqjes komuniste të kohës, deri në vitin 1948, Sigurimi ka qenë mbi Partinë, dhe se brenda organizatave të partisë dhe institucioneve, Sigurimi kishte krijuar rrjetin e bashkëpunëtorëve. Merret vesh, ata ishin komunistë. Pas dënimit të ministrit të Brendshëm, Koçi Xoxe, pati një farë urrejtje të komunistëve për operativët e Sigurimit, madje nuk pranonin të bashkëpunonin më me ta.

• Duke parë se për Sigurimin u krijua gjendje e vështirë, krerët e regjimit i bindën komunistët se sigurimi ishte armë e Partisë kundër armikut të klasës. Për këtë qëllim, në Plenumin e 23 shkurtit 1951, udhëheqja komuniste mori vendim që masat e popullit, “ të shtojnë dashurinë për organet e Ministrisë se Punëve të Brëndshme, për Ushtrinë tonë Popullore dhe të bëjë që çdo komunist në radhë të parë dhe çdo qytetar i Republikes sonë të bëhet një “çekist”.

Vendimi u përfshi në Rezolucionin e Plenumit që ishte i detyrueshëm për të gjithë komitetet e Partisë në rrethe , të cilat morën vendimet përkatëse për organizatat e tyre, me të njëjtën objekt. Ata komunistë që firmosën bashkëpunimin dhe nuk bashkëpunuan u dënuan, madje edhe me vdekje, duke u akuzuar se punonin për të huajt.

• Më 8 shkurt 1954, Byroja Politike e KQPPSH aprovoi Platformën e Punës Operative të Organeve të Punëve të Brendshshme, e cila u firmos nga kreu i regjimit.

Platforma përcaktonte kriteret dhe mënyrën e rekrutimit të rrjetit të Sigurimit. Sipas saj, informatorët ishin nga të gjitha shtresat e shoqërisë, agjentët ishin kryesisht nga ata që kishin lidhje me armiqtë e klasës, rezidentët dhe strehuesit ishin besnikë të regjimit dhe në përqindje të lartë komunistë. Në përgjithësi, informatorët mbanin lidhje me rezidentët, të cilet i “edukonin” dhe drejtonin dhe pasi mblidhnin informacionin e përpunonin dhe ia dërgonin punëtorit operativ. Agjentët mbanin lidhje direkte me punëtorët operativë të Sigurimit.

• Sigurimi i Shtetit i kishte regjistruar të persekutuarit, si kontigjente të hapura dhe ushtronte ndaj tyre të katër format e kontrollit: me vijën e masave, përpunim paraprak, kontroll operativ 2-B dhe përpunim aktiv 2-A.

Të persekutuarit ishin të izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë, ata e kryenin shërbimin ushtarak në repartet e punës. Natyrshëm lind pyetja: po pjesën tjetër të shoqërisë si e kontrollonte Sigurimi i regjimit?! Me cilët bashkëpunëtorë?! Po në repartet e shumta të ushtrisë, ku nuk kishte ish persekutuar, nga kush përbëhej rrjeti i Sigurimit?! Po në repartet e kufirit, ku të persekutuarit nuk lejoheshin, kush e përbënte rrjetin?! Po tek sportistët dhe artistët që shkonin jashtë shtetit, kush ishin informatorët?!

• Po tu referohemi statistikave kemi të njëjtën tablo. P.sh., në vitin 1979 Sigurimi kishte të regjistruara 28962 kontingjente të hapura. Për të kontrolluar këta kishte një rrjet prej 3364 bashkëpunëtorë, nga të cilët 256 rezidentë dhe 289 strehues. Nga këta kontingjente, 5225 ishin kulakë të cilët kontrolloheshin nga 348 bashkëpunëtorë të sigurimit, nga të cilët 18 rezidentë dhe 21 strehues. Sikur të tërë agjentët dhe informatorë të ishin nga radhët e tyre, do të thotë se 545 prej tyre kanë qenë komunistë ose njerëz besnikë të regjimit.

Edhe sikur ti marrim të gjithë bashkëpunëtorët nga radhët e tyre, po të bëhet diferenca midis numrit të kontingjenteve dhe numrit të rrjetit, duke përjashtuar rezidentët dhe strehuesit, na rezulton se 26163 persona nga 28962 gjithsej, nuk kanë patur asnjë lidhje me sigurimin por kanë qenë të survejuar. Po kështu nga kulakët. Nga 5225 gjithsej, 4916 prej tyre nuk kanë patur lidhje me sigurimin e shtetit. Po kështu mund të thuhet edhe për vitet e tjera.

• Përfundimisht, duhet theksuar se teza e së majtës dhe e demokatëve të majtë është diskredituese për ata vet. Dosjet e Sigurimit të Shtetit, vendimet, urdhërat e udhëzimet, planet e punës dhe ato agjenturalo-operative, statistikat e kontigjenteve dhe përpunimeve, të rrjetit agjentural, te dënimeve dhe demaskimeve janë treguesit realë të mizorisë komuniste. Regjimi gjakatar u mbështet tek njerezit “me biografi të mirë” për të shkatërruar të tjerët.
Ata që nuk kanë ndërgjegje për të kërkuar falje, nuk duhet të tregohen të pafytyrë dhe të kenë guximin për të akuzuar viktimat e terrorit të kuq.
_______________
* çekist, këtu ka kuptimin e bashkëpunetorit të Sigurimit të Shtetit.
ÇEKA, ish policia sekrete sovjetike, e njohur në fillimet e revolucionit bolshevik si Komisioni i Jashtëzakonshëm për të luftuar kundërrevolucionin dhe sabotazhin. Më 1922, u quajt Administrata Politike e Shtetit (GPU), ndërsa në 1934 u përfshi në Komisariatin e Popullit për Punët e Brendshme (NKVD). Nga viti 1954 deri në 1991 njihet si Komiteti per Sigurimin e Shtetit (KGB). Ne kohën e kolektivizimit të bujqesise në Bashkimin Sovjetik, anëtarët e policise sekrete quheshin akoma si “çekistë”.

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top