Shkruan: Edison Ypi
Garanci, pasaportë, formularë, drejt e tek Ambasada e Gjermanisë.
Para kangjellave nja dyqint a më tepër shqiptarë kokulur me sy të trishtë, të urtë si pula, të heshtur si peshq.
I njëqindesati në rradhë. Pres mbi një orë duke u mbështetur herë në njërën herë në tjetrën këmbë.
Një gjerman koklakër vjen që brenda ambasadës me një listë me emrat e 20 fatlumëve që mund ta marrin vizën sot.
Kushedi kur mund ti mbushet mendja stërnipit të Hitlerit ta vërë emrin tim në atë listë.
Nuk do iki në Gjermani.
Do iki diku këtu brenda, në ndonjë vend të bukur që Shqipëria ka plot.
Pa Vizë, dokumenta, burokracira, pritje poshtëruese nëpër rradha përpara kangjellave si përpara burgjeve, pse jo ku s’kam qënë kurrë, në Skrapar.
Gjyshja ime nga nëna ishte ishte një bejlereshë sa hijerëndë dhe shpirtbutë nga Veleshnja. Aneja, kështu e thirrnim gjyshen, kur ishte fëmijë, i jepte administratorit kaurr të ekonomisë së Beut zahire që i merrte fshehtas në bodrume. Në këmbim, kaurri i mësonte Anesë dhe mikeshave të saj Alfabetin e Kristoforidhit. Aneja dinte përmendësh gjithë çka kishte shkruar Naim Frashëri dhe plot nga Rilindasit e tjerë.
Në ushtri kam pasur dy skraparllinj. Një kapter i keq që mundonte ushtarët në një mijë mënyra, edhe kot. Dhe një ushtar nga tre avgatë që vrau veten se nuk duronte dot orën e edukatës politike.
Në Gjermani u nise, vajte në Skrapar…
Anës rrugës Hotele, Motele, Restorante, Kafenera, Karburante, Vorreza makinash, Gomista, Ofiçina, troje që shiten, lavazhe të shpejtë, ekstra, non stop, special, king, me gjenerator, me ujë të pijshëm, me ujë të bollshëm, number one, amanozot.
Këto vende kanë qënë pothuaj bosh, me ca depo të mjera kooperative, ndonjë traktor që çante arat plot tym e zhurmë, dhe i pamunguari peisazh rural me fshatarë të lodhur të uritur e të rreckosur.
Pata ndalur diku për të pirë ujë, kur një banor lokal mu lut ta merrja se po shkonte për të blerë ilaçe.
-Shtëpia jote është kjo pas këtij gardhit ?
-Po.
-Me dy kate, me oborr, me vreshtë, paske goxha shtëpi.
-Po mor po, por vetë nuk jam mirë.
-Çfarë të dhemb, si quhet sëmundja ?
-Asgjë nuk më dhemb. Nuk e di si quhet sëmundja. Jam i shqetësuar, i dëshpëruar, ndjehem i bezdisur.
I papërshtatur me mënyrën kapitalistike të mbijetesës, ishte thjesht një i sëmurë imagjinar.
Fushat e Myzeqesë nuk janë ende të mbjella si duhet, por janë më të rregullta se disa vite më parë.
Në dalje të Lushnjes zbulova trafik taksish mes fshatrave të Myzeqesë ! Ç’mrekulli !
Në Fiershegan dy të rinj të porsamartuar m’u lutën t’i marr deri tek një fshat rrëzë kodrave pa hyrë ne Berat.
-Si jeni, si ja kaloni, si jetoni, me çfare jetoni ?
-Me emigracion, me Greqi.
-Ah pse jo me Shqipëri ?
Në hyrje te Beratit, në një vend ku mesa duket njerëzia çon bagëtinë tua therë kasapi, tabelë makabre “Thertore publike”.
Një djalë duke më treguar rrugën për në Skrapar më kujton me të qeshur vargjet,
“Hall i madh me skraparllinë / ka rrezik të hash dhe dru / dy ministra le të rrinë / se na duhen dhe pa tru”.
Tek një urë marr një autostopist. Çfarë fati për tu pasur zili, është Skraparlli. Skraparlliu nuk flet. Por ka gjallëri të brendëshme. Nuk mërzitem duke admiruar vetpërmbajtjen e tij.
Pak më tutje nxjerr dorën një tjetër. E marr. Ku ka rrjedhur do pikojë, pres me ankth të më thotë që është skraparlli. Ah, jo, nuk është skraparlli, është gramshak. Gramshaku ka libra e revista në duar, flet urtë dhe butë, por flet shumë, thotë se është misionar, Krishti, Bibla. Nuk dua ta kundërshtoj, por nuk dua edhe t’ia lë thatë. I them se skraparllinjtë të cilëve ay ka ardhur t’u predikojë, e kanë besimin e tyre, janë bektashinj, e kanë shenjtërine e tyre, e kanë Babanë e tyre mbi Tomorr, kanë histori të besimit, me dëshmorë, kurbanë, ceremonira, poezira që i dinë përmendësh, dhe nuk është mirë me ua përzi muhabetin. Vura re gjallërimin e behtë aprovues të syve të skraparlliut që e mora te ura. Misionari nuk e prish terezinë, vazhdon të japi spjegime, të bëjë qartësime, saktësime, por ndërkohë kemi arritur në Poliçan ku zbret dhe biseda ka marrë fund.
Lugina e Osumit, madheshtore, hyjnore.
S’është luginë, është ëndërr. Po udhëtoj nëpër vende ëndërrash, që nuk i kam ditur se ku janë, por ja ku paskan qenë; “Më çdo anë e kërkova / Thashë ku është Perëndia ? / Dhe ja tani e mësova / Qënkej ndaj meje e s’e dija”.
Pyje me pisha dhe lisa.
Pllajat me përrenj në mes duken si libra të hapur me fletët që ua merr era.
Diku mes lisave, në një kthesë konvekse, mbi një breg anës Osumit, kafene. Çezëm dhe verandë e madhe jashtë kafenesë. Në një nga stolat e drurit të verandës, janë ulur një grua e re dhe një e vjetër. Nuse dhe Vjehërr me siguri. Skraparlleshat e palëvizura me vështrimin drejt infinitit duken si në pritje të diçkaje të rëndësishme që duhet të ndodhi.
Flakem nga makina si me katapultë.
Skrapari është vëndi më i bukur në botë – bërtas me sa kam në kokë.
Vjehrra shtatlartë me flokë të bardhë kthen kokën ngadalë, Nusja përkulet pak për të marrë vesh ç’ngjau.
Deklaratën për bukurinë e Skraparit e bërtas për herë të dytë edhe më fort, sa zogjtë u trembën, Osumi u drodh, malet u rrënqethën.
U bëj të ditur shpejteshpejt cili jam, se gjyshja ime ishte nga Veleshnja, se unë i ngjaj nënës, nëna ime i ngjante nënës së vet domethëne gjyshes time, dhe më të rëndësishmen; unë që skraparlli kam qënë dhe skraparlli jam e do të jem, pa e parë Skraparin nuk dua të vdes.
Aty ndodhi mrekullia.
Zonja thotë se edhe ajo është nga Veleshnja. Dhe pa zhurmë, pa potere, pa lëvizje të tepërta, pa të bërtitura, pa ulurima, pa katapulta, pasi më pyet për ca hollësi të tjera, më bën të ditur faktin me rëndësi historike botërore se ajo dhe gjyshja ime janë kusherira të afërta.
Pij dhallë, thith cigare, bëjmë muhabet. Jo për sorollopët që po e shkatërrojnë Shqipërinë për interesin e vet. Për fisnikët që shkrinë pasuritë e veta për Shqipërinë.
Ndahemi me premtimin e dyanshëm se do takohemi përsëri patjetër.
Më tutje të tjerë skraparllinj. Jo aq madhështorë sa kushurira ime fantastike, por gjithsesi interesantë.
Çorovoda pas një kthese. Pallate soc-realiste, lokale të reja me duralumin dhe vetrata. Nuk i shkojnë skraparlliut këto modernizma. Skraparlliu është tjeter gje. Krenaria e ka kokën në Kolonje, gjoksin në Skrapar, këmbët në Vlorë.
Ulem në një kafene “moderne” ku pij kafe, një teke “Raki Skrapari”, dhe bëj muhabet me kafexhiun. Flasim për malin e Tomorrit, Abas Alinë, Teqenë e famshme, ceremoninë e përvitshme, kanionet e Osumit, fshatrat etj. etj.
Sot nuk kam kohë për të parë ujëvara dhe teqera. Keto ëmbëlsira dhe freskira do t’i shijoj pak më vonë herën tjetër kur të vij përsëri këtu. Sot boll me kaq. Jeta është e shkurtër, prandaj duhet ecur ngadalë, thotë një proverb kinez ose nepalez.
Bëj një shëtitje të shkurtër nëpër qytet, dhe kthehem.
Ndal pak në Bogovë. Freskia e ka shtëpine atje. Lisa dhe fllad që futet nëpër trup. Përrua që rredh nga Tomorri. Kanë ardhur me autobuza nga Elbasani, Fieri, Lushnja. Meshkujt janë shtruar në restorante e shqyejnë mish duke bërtitur. Femrat, pasi i kanë kapur sinjalet e shenjtërisë, po marrin kontakt me të, kanë zbritur në përrua ku prekin këmbët dhe fytyrën me ujin e bekuar që rrjedh nga Tomorri.
Kundroj përsëri e përsëri pa u ngopur malet pa fund.
Më raftë pika që nuk kisha qënë më parë në Skraparin që Zoti e ka bërë me dorën e vet. Se jam Shqiptar, jam Skraparlli, jam veleshnjar, dhe jam krenar, dhe e kam për nder…q’ato që vuan çdo njeri, më mbushin plot me helm e vrer.