Izet Duraku

Shkruan Rexhep Shahu

SHQIP: URREJTJA E SHPIKUR

Bashkë me baltën e plehrat nën këmbë të gjindjes, fare lehtë, po thonë, se mund të shihet sa shumë është shtuar zymtësia e fytyrave, gjithnjë e më të kreshpëruara dhe tonet agresive të shprehjes njerëzore. Afërmendsh, nuk bie gjithnjë shi dhe nuk mban gjithmonë mot i lig, por duket se janë mërguar ngjyrat e çelta dhe hiret e buzëqeshjes. Në pikëpjekjet e njerëzve, qoftë edhe pikëpjekje të rastit, ndihet ftohtësi. Vështrimet dyshuese, të vrazhda, një e folur e rëndë cinike dhe fyese. Siç po rrëzohet, ky vend mund të cilësohet edhe si limeri i urrejtjes. Po thuhet. Ndërkohë tingujt e të ëmblës gjuhë, shpesh poshtërojnë shqip banorin e të gjitha viseve.

Përrenjtë e urrejtjes nën një vërshim në fyerje, po gërryejnë pa prerë shpirtin e shqiptarit. Njëkohësisht thuhet gati me një përndritje ngazëlluese se edhe në këtë plojë shqiptarëve u kanë tepruar do troha virtyti e fisnikërie. Nuk urrejnë të huajt, nuk kanë fobi ndaj të huajve. Një mrekulli qe ngjaka në limerin e urrejtjes, qerthulli i së cilës mund të mbështjellë furtunshëm në gjeratoret e veta vetëm të zotët e shtëpisë, të cilët, me një fjalë mund t’i punojë qindin vetvetes, por kurrsesi të huajve…, të dërguarve të zotit në këtë vend. Një mrekulli, e mrekullishme siç do të shprehej poeti i liqerit. Një mrekulli, po e përsëris, sepse edhe atje ku urrejtja nuk shfaqet sheshazi si një përmbytje, ku uria dhe etja janë larguar, ku problemet vrastare janë zgjidhur me kohë, herë pas here bulqitë e saj shfryjnë mbi të huajt pra edhe mbi shqiptarët, që viteve të fundit përvëlimin e këtij shfrimi e kanë provuar mbi kurrizin e tyre në disa vende të Europës.

O, po në Shqipëri ndodhka ndryshe! Këtu ka edhe s’ka urrejtje, po thonë, sepse i huaji nuk është thjeshtë i huaj, por ai mbaka edhe atributet e mikut. Mos na lashtë Zoti pa miq! Zot na ruaj, nuk kam ndërmend që t’i pakësoj kurrsesi virtytet e këtij vendi, të mohoj ose të vë në dyshim sadopak vlerat e dëshmuara të mikpritjes shqiptare. Por unë do të doja që mikpritjen ose kultin ndaj mikut, siç mund të thotë ndonjëri, ta shoh gjer në nivelin e arsyes. Në një nivel që respekton qeniet më mend në krye, pra pa pikë dyshimi edhe qenien tonë. Duke lavdëruar mikpritjen shqiptare me tone herë – herë folklorike, sigurisht me dëshirën e mirë te mburrjes së cilësive (sikur të ishin më të arrira do të thoshte poetikisht lordi Bajron) ndonjëherë nuk respektohet sa duhet ose nuk dëshirohet të respektohet vështrimi i arsyeshëm. Në këtë sens, mikpritja zhvendoset qëllimisht në një truall të mjegullt mitik dhe shqiptari, nën këtë optikë mitike, të ngjan i zënë rob në lakun e kodeve të veta. Kode që zbresin prej qiejsh të lartë e të kulluar gjer në zymtësinë e ngurtë të kullave.

Po, vërtet, cili mik trokiti në dyert e kësaj kulle dhe nuk iu hapën bujarisht kanatat, cili nuk gjeti brenda saj zjarrin e vatrës dhe fjalën e ngrohtë të zotit të shtëpisë?! Bukë e kripë e zemër, a nuk bëhen kështu, trinia e shenjtë e mikpritjes, e cila është po aq e shenjtë sa edhe e arsyeshme? Miku, më shumë se sa gjysmëperëndia e pikuar nga rasti në kullën shqiptare, a nuk është njeriu i zakonshëm, i etur dhe nevojtar për të kapërcyer kufijtë e fshatit ose të krahinës së tij, njëlloj siç do të dëshironte të ishte edhe i zoti mikpritës i shtëpisë? Dihet se për shkak të rrethanave dhe të kushteve të palakmueshme, jo larg, po edhe para 100 vjetësh, lëvizja dhe komunikimi në anët tona, veçanërisht në zonat malore kryhej me shumë vështirësi. Ardhja e mikut për këtë arsye ishte një ngjarje e pazakontë që thyente sadopak ritmin e njëjtë të jetës, përbënte një rast fatlum për t’u takuar me jetën e të tjerëve, për të marrë një informacion të ri, për t’u njohur me fqinjët e afërt ose të largët. Një mik në vatër, i grishur apo i paftuar, natyrisht mund të shndërrohej për bukuri në një rast arëgëtimi duke shtuar diçka edhe në sofrën e përditshme jo aq të pasur. Në trokëllimën e qelqeve, në pije e sipër, mund të lidhej një miqësi e re një aleancë e dobishme për të dyja palët.

Kështu “mirë se te ka pru Zoti”, një urim vërtet gjithë dritë perëndie, do të shndërrohej, mbase, në një urë solide për të shkruar deri tek shprehja tjetër më pak e ndritshme, por gjithsesi më tokësore “më mirë një mik se një çiflig”. Po vallë cili mik trokiti në dyert e kullës shqiptare dhe s’iu hapën kanatat?! Edhe në këtë pyetje, që duket se nuk pranon përjashtim, shihet qartë detyrimi i mikut për të trokitur në shtëpinë e mbyllur mirë nga zoti i saj, i cili edhe në rastin e ndonjë dasme, do të thoshte si me shaka për të paftuarit “or ti i pa grishëm, hajde na e mbaj pishën”. Me zbutjen e rrethanave të komunikimit, veçanërisht në gjysmën e fundit të shekullit XX edhe ardhja e mikut, për shkak të shpeshtësisë së ardhjes, do t’i fironte dalëngadalë vlerat e mëparshme. Madje në qendrat urbane ardhësit e zonave të thella, si bujtës në një periodë ritmike, do të humbisnin edhe emërtimin mik për tu quajtur qesëndisshëm “shtunak” kur tregu bëhej në qytet të shtunën, thjesht “pazarli” apo edhe me ndonjë emër tjetër, gjithsesi jo fort të përzemërt, kur ardhësi kishte si synim tregun.

Ndërkohë që qëndrimi i dashkëqijve kundrejt nesh duket se ka mbetur në të njëjtat nivele, në këto 100 vjetët e fundit, sipas intereave në kohë të ndryshme, duket se ka ndërruar qëndrimi i të huajve dashamirës për shqiptarët. Tjetër është qëndrimi i Bajronit, Hahnit, Durhamit, bie fjala, e tjetër duket ai i oficerëve anglezë të ardhur në Shqipëri gjatë luftës së Dytë Botërore. Të parët ngazëllehen nga virtytet e të bijve të shqipes, ndërsa të dytët janë të prirur të ndriçojnë më fort veset e tyre. Ato ua shohin për të madhe shqiptarëve pse nuk vihen aq me zemër të luftojnë kundër gjermanëve, pse nuk e kundrojnë atë si luftën e tyre, por interesohen më shumë për të ardhmen e vendit të vet dhe çdo të bëhej me kombin e tyre pas luftës.

Megjithëse as tek misionarët anglesë nuk mungojnë fjalët e mira për mikpritjen shqiptare, me bollëk e vend e pa vend u adresojnë vendasve vesin e vjedhjes, të grabitjes, prerjes në besë etj… Por edhe kur vlerësimet janë tejet negative, shqiptarët asnjëherë nuk shihen si qenie me mendësi mitike, por, së paku të pajisur mirë me arsyen e plotë për të parë gjithnjë interesat e tyre, qoftë edhe të ngushta, përpara interesave të të huajve. Është e kuptueshme që mik dhe i huaj nuk janë e njëjta gjë. Të ngulësh këmbë se shqiptarët duan më tepër të huajt se veten e tyre, duket se synohet për t’i paraqitur ato si qënie të sëmura dhe anormale. Në këtë prizëm ndjellakeq po synohet të kundrohen edhe virtytet e pamohueshme për t’i nxjerrë ato të lindura jo prej mendjes së shëndoshë, por prej kultesh të verbëra të një idhujtarie që i rrëzoka në gjunj duke i degdisur në kohrat prehistorike. Duke i përzënë prej historisë prej disa mentarëve të kudogjindshëm po kërkohet të përligjet robërimi i gjysmës së kombit shqiptar. A nuk shkon kjo përpjekje në hullinë e angullimës njëqind vjeçe serbe “shqiptarët nuk e meritojnë lirinë”. Thua krejt rastësisht po tendohet të shpërfytyrohet edhe gjeografia e këtij vendi duke e mbushur atë me shkrepa të zhveshur, guva, skërka e shpella të banuara ngado prej delirantësh e përbindshash folklorikë, që hanë pa prerë njëri – tjetrin sipas normave vrastare të një kanuni të kobshëm? A nuk është bërë tashmë krejt e dukshme, madje e ethshme përpjekja për të shtrembëruar kanunin e vjetër shqiptar dhe për t’i parë të paktën gjysmën e shqiptarëve të zënë rob prej tij, aq ligsht sa s’ka zot t’i shpëtojë nga lëngata?!

Dhe pas gjithë kësaj angullime shihet qartë si vetëtinë si teh thike lumi Shkumbin mes për mes truallit tone, duke bërë ulëritëse ethen për ta ndarë më tej këtë vend, duke yshtur me gjithfarë formulash urrejtjen ndërshqiptare midis toskëve e gegëve. Duke mos mohuar aspak veset, që janë me tepri edhe ndër ne, si tek të gjithë gjallesat tokësore a nuk tingëllojnë, në mos tjetër fare, së paku të pabesueshme, karakterizime që duan të na karfosin brenda hapësirës së urrejtjes, për të pjellë veç sherr, mëri e dhunë të shfrenuar? Janë fjalë të artikuluara shqip, bile me një shqipe bukur të qëruar, por karakterizime të tilla, të paktën, duken se rrjedhin prej një zemre të huaj, sa nga njëra anë përndizet të na shohë të përsheshur e të karmashitur me njëri – tjetrin e nga ana tjetër, për hir të absurdit, të përfshirë nga adhurimi për të huajt edhe kur këta të fundit e kanë shfaqur haptas armiqësinë! Të gjithë të huajt që janë të pa anshëm dhe mëndje kthjellët e dinë se ne shqiptarët, në mos tjetër, për shkak të vobektësisë tonë, duam që të lihemi të qetë në punët tona dhe të shkojmë me të gjithë fqinjët dhe me të gjithë botën sa më mirë që të jetë e mundur. ISMET TOTO “ARBËRIA” 1936 Disa flasin shqip, por nuk ndjehen shqiptarë.

Të ngjethet mishi pas një konstatimi të tillë. Duhen arsye të forta për të mbërritur gjer në mohimin e vetvetes. Vetëm përmes një stërmundimi mund t’ia dalësh të bësh një jetë gjysëm ilegale. Të ndjehesh i huaj dhe ta ndrydhësh që prej lindjes ndjenjën tënde, më tepër se brengë kjo shndërrohet në brerje dhe gërryerje.

Zot na ruaj prej tharmeve të enës së mbyllur! Po kush u ka faj shqipfolësve të huaj të mos e thërrasin, madje gjer në kupë të qiellit, emrin e vet të vërtetë? S’do mend, shqiptarët nuk kanë qenë aq të verbër sa të mos dallojnë të huajt. Mbase, në ndonjë rast, mund të mos kenë qenë aq të përzemërt sa duhet ose mund të jenë keqkuptuar, por, së paku, historia që njohim nuk dëshmon për ndonjë masakër ndaj grekve, vllehëve, shuleve e romëve në Shqipëri. Ato nuk janë përndjekur e dhunuar dhe për këtë shqiptarët kanë pse të mos turpërohen. Së paku, ato hebrej të paktë, që dallga e fatit i hodhi në Shqipëri, dolën gjallë nga ferri nazist i Luftës së Dytë Botërore. Dhe hebrejt mirënjohës e kanë gdhendur gjestin në fjalë në memorjen e tyre.

Nëse shqipfolësit, siç po duket, llogaritnin me gjak të ftohtë se u del më mirë të jenë anonimë e të treten paqërisht në detin e shqiptarëve, atëherë duhet të flasin e të sillen shqip.

Dy Drina nr.2, 1999

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top