Shkruan: Albert Habazaj
Para viteve ’90-të të shekullit XX personaliteti i Isuf Luzajt ishte vetëm i errët apo me hije, sepse kishte etiketën e ballistit. Pasi u përmbys ai sistem, pra mbasi u klikua edhe në vendin tonë për demokraci e ajo çeli freskueshëm (por më tej, s’di kush i futi virus dhe ka infeksion edhe sot e kësaj dite) emri i Isuf Luzajt u ngrit në piedestal. Shumë u shkrua, u tej shkrua, shumë u lavdërua e shpesh herë vetëm me slogane, me thënie të përgjithshme, pa u futur në një analizë shkencore të profilit të tij të lartë, pa u vlerësuar ashtu siç e meriton mendimi i tij antologjik letrar, kulturor e filozofik, i mirëpritur në qarqet më të larta të botës qytetare në SHBA, si një personalitet shqiptar i mendimit me përmasa universale.
Kur trajtojmë vlerat letrare të vlonjatëve e të shqiptarëve, mendimi i të cilëve i ka bërë mirë përparimit të Shqipërisë, kur analizojmë letrarisht autorë që mendojnë, shkruajnë e veprojnë artistikisht dhe që veprat e tyre kanë vlera estetike, mendoj se nuk është e dobishme që t’i gjykojmë si njerëz që kanë parë majtas apo kanë mbajtur djathtas, që kanë qenë ballistë apo kanë qenë komunistë. Jam i idesë se është më e udhës, aq më tepër sot, që kur hedhim në letër vlerësime për autorë të ndaluar apo autorë të lejuar, t’i përdorim të gjitha shkronjat, të gjitha ngjyrat që pasqyrojnë realitetin siç ka ndodhur, personazhet siç kanë qenë, me plus minuset e tyre, edhe me vijën e drejtë, edhe me zigzaket e jetës. Synimi është përmirësimi duke përparuar.
Le të paraqesim një jetëshkrim të Profesor Emeritus Isuf Luzaj
Kthim në kohë dhe retrospektivë letrare: Nuk bëhet fjalë përmendja e emrit të profesorit shqiptar të Amerikës Isuf Luzaj në Fjalorin Enciklopedik të vitit 1985. Botimet më të reja të nivelit akademik në Shqipëri i japin vendin e duhur me zërin përgatitur nga Prof. Nasho Jorgaqi: “Luzaj, Isuf (1913-2000). Shkrimtar, veprimtar politik, profesor i letërsisë dhe i filozofisë. Lindi në Kaninë të Vlorës. Kreu gjimnazin e Shkodrës (dega normale), plotësoi studimet e mesme në Francë dhe studioi në Universitetin e Sorbonës (1933-1935). Punoi si mësues i frëngjishtes në Normalen e Elbasanit, në Korçë dhe në Shkollën Tregtare të Vlorës, ku më 7 Prill 1939 me një grup nxënësish mori pjesë në qëndresën ndaj pushtimit fashist. Për këtë u internua në ishullin kVentotene. Pas lirimit (1942) u aktivizua në drejtimin e organizatës së Ballit Kombëtar, në krahun luftarak të saj, dhe ishte delegat në Mbledhjen e Mukjes. Pas kapitullimit të Italisë mori pjesë në grupin themelues të Partisë Socialdemokrate me Musine Kokalarin etj. Në prag të çlirimit të Shkodrës u largua nga vendi. Punoi për një periudhë në Bibliotekën e Vatikanit. Në vitin 1948 u vendos në Argjentinë, ku mbrojti doktoraturën. Punoi kryesisht si profesor i letërsisë franceze në Universitetin e Buenos- Airesit, ku u bë dhe drejtor i Institutit Francez të Studimeve të Larta (1960-1964). Në vitin 1964 u vendos në SHBA; punoi si profesor i letërsisë dhe i filozofisë në Universitetin e Indianës, ku u dekorua nga presidenti R. Regan me urdhrin e lartë “Profesor i Amerikës”. Isuf Luzaj u mor me krijimtari letrare që në rini, duke botuar përmbledhjen “Rrëfimet” (Korçë, 1937). Në Buenos- Aires botoi romanin “Los rios bajan rojos”, 1954 (“Lumenjtë rrjedhin të kuq”), me temë nga lufta antifashiste në Shqipëri. Nga viti 1995 filluan të botohen në Tiranë një numër veprash të tij: poetike, si “Gloria e çmendur” (1995). “Lamtumira e yjeve” (1995), “Topografi labçe” (2001) etj., si dhe “Ekzistenca dhe boshësia” (1996), “Sëmundjet e shekullit tonë” (ese filozofike, 1999), “Përtej së mirës dhe së ligës” (2003), “Rindërtimi i fuqive shpirtërore” (2005), “Filozofia e bukurisë”(2009). Ka lënë në dorëshkrim edhe një varg veprash të tjera. Isuf Luzaj pati letërkëmbim me personalitet të shquara letrare, si Pablo Neruda, Jorge Luis Birges, Fan Noli, dhe politike si Sharl dë Gol, Alçide de Gasperi, Palmiro Toliati, Sandro Pertini etj. Vdiq në Çikago”. (Shih Fjalori Enciklopedik Shqiptar (FESH), Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2009, f. 3037). Nuk bëhet fjalë as në historitë e letërsisë shqipe apo në antologjitë letrare të kohës së kaluar të përmendet emri i tij. Përse? Se kishte mendim ndryshe! Punë e madhe se qe shumë i mençur e shumë e vlertë studimtaria e tij e, se profesorit i peshonte fjala në elitën botërore të arsimit të lartë!…Vetëm Robert Elsie e përmend në veprën e tij madhore në nënkapitullin “Poetë të tjerë të kohës para marrjes së pushtetit nga komunistët”, ku shkruan: “… Jusuf Luzaj (l.1913), autor i përmbledhjes sentimentale me 293 faqe “Rrëfimet”, Korçë, 1937” (Shih: Elsie, Robert, “Histori e Letërsisë Shqiptare”, 1997, f.327). Dhe kaq. Sa pak njihet jeta dhe vepra letraro-shkencore e Profesorit në Kryevendin e Demokracisë Botërore, e Profesorit në Tokën e Premtuar! Dhe ajo pak që njihet sa keq që njihet, e tjetërsuar, e qëlluar, e shpërfytyruar, e shpërfillur,…Injorantërisht! Duke u kthyer në kohë, më bën çudi, se nga aq sa kam patur hapësira të gërmoj nëpër arkiva dhe në literaturën e mundshme të paraçlirimit, emrin e Isuf Luzajt nuk e gjej. Të paktën, deri në vitin 1941, dimë që kishte botuar përmbledhjen poetike “Rrëfimet”, por nuk qe shfaqur si emër letrar. Këtë e verifikojmë duke shfletuar literaturën e kohës. Libri “Shkrimtarët Shqiptarë”, Pjesa II. (Po e citojmë me gjuhën e shkruar në tekstin origjinal të kohës)- Prej Lidhjes së Prizrenit deri më sot, botim i Ministrisë së Arsimit, Tiranë 1941, XIX”, në 554 faqe trajton në vijë kronologjike 28 shkrimtarë të Rilindjes: Pashk Vasa, Naim Frashëri, Preng Dochi (Doçi), Sami Frashëri, Filip Shiroka, Andon Xanoni, Ndoc Nikaj, Andon Çakua (Çajupi), Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Gaspër Jakova (Merkuri), Pashk Bardhi, Gjergj Fishta, Mihal Grameno, Aleksandër S. Drenova, Shtjefën Gjeçovi, Papa Kristo Negovani, Faik Konitza (Konica), Kristo Floqi, Luigj Gurakuqi, Fan S. Noli, Mid-hat Frashëri (Lumo Skëndo), Aleksandër Xhuvani, Terenc Toçi, Simon Shuteriqi, Ali Asllani, Hilë Mosi e Vinçenc Prenushi. Kuptohet që I. Luzaj nuk mund t’i përkasë rrymës letrare të Rilindjes, sepse ai është i datëlindjes 21 Shkurt 1913. Teksti i cituar vijon me 20 shkrimtarë të tjerë të kohës (kupto, deri në vitet 1940 – shën. im: A. H) dhe merr në shqyrtim letrar autorët Kolë Thaçi, Kolë Kasmi, Mustafa Merlika-Kruja, Marin Sirdani, Anton Harapi, Ilo Mitkë Qafëzezi, Justin Rrota, Ndre Zadeja, Zef M. Harapi, Lazër Shantoja, Karl Gurakuqi, Lasgush Poradeci, Vngjel Koça, Etëhem Haxhiademi, Ernest Koliqi, Dhimitër Pasko, Eqrem Çabej, Namik Ressuli, Ismet Toto e Millosh Nikolla (Migjeni, dy vjet më i madh se Luzaj). Janë trajtuar dhe 11 shkrimtarë arbreshë: Anton Argondizza, Bernard Bilotta, Frano Krispi Glaviano, Kristian Gentilae Mandala, Zef Skiroi, Pal Skiro, Agostin Ribecco, Kozmo Serembe, Gaetan petrotta, Salvator Braile e Rosolin Petrotta. Botues i librit është Namik Ressuli dhe ka 15 bashkëpunues. Ky botim, për Ali Asllanin ka patur Nexhat Hakiun përpilues (Shih: “Shkrimtarët Shqiptarë”, Pj. 2, vep. e cit., f. 325-336). Përse nuk i përmendet emri Isuf Luzit? Kaq shumë i tmerroka neronët shqiptarë poezia “Neroni” që u botua në “Rëfimet” e Luzajt, saqë ata janë përpjekur ta mbulojnë me heshtje emrin e tij në vijë kronologjike, me harrim. Por mbetet e pamundur, sepse “sorbonasi” i ndritur po shkëlqente matanë Atlantikut si “Medalje e Artë” e Amerikës.
Pak histori. Rikthehemi vijueshëm në kohë: Mbas viteve ’90 është shkruar bollshëm për Isuf Luzin dhe për shkrimtarinë e tij filozofike. Vlen, që për lexuesin e gazetës sonë “Tirana Observer” të prezantojmë pakëz biografi historike, pa u futur në “hisenë” e historianëve. Si burim reference kemi marrë botimin korent më të mundshëm, librin “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, I, 1939 – 1943” me autor Prof. Dr. Paskal Milo, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 2014. Nëpër faqet e librit, ndalojmë atje ku përmendet emri i Isuf Luzajt. Së pari, emri i tij përmendet, kur shkruhet për ditën kur antifashizmi shqiptar pas pushtimit u shfaq hapur e në veprim konkret, në ditën e përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, më 29 Nëntor 1939. “Si kundërshtarë politikë të regjimit u pushuan nga puna një numër relativisht i madh profesorësh: në Shkodër, Safet Butka, Tefik Gjyli, etj., në Korçë, Selman Riza, Vasil Germeni, Enver Hoxha, etj., në Tiranë mjaft të tjerë, përfshirë edhe Xhevdet Dodën. Një pjesë e mirë e organizatorëve të këtyre manifestimeve antifashiste, si Safet Butka, Isuf Luzaj, Llazar Fundo, Fazlli Frashëri, Emin Duraku, etj., në fillim të vitit 1940 e në vijim u internuan në ishullin Ventotene e në ishujt të tjerë të Italisë”. (Shih: Milo, Paskal: “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, I, 1939 – 1943”, vep. e cit., f. 177-178). Kur trajton formimin e Balit Kombëtar, historiani i njohur, pasi vëren se shumica e nacionalistëve të vjetër ishin përfaqësues të shkollës tradicionale politike konservatore që gjithë veprimin e tyre politik e shikonin brenda institucioneve të regjimit ekzistues fashist, thekson: ‘Kishte edhe disa nacionalistë liberalë e me formim bashkëkohor që kishin ide e pikëpamje më të avancuara, që ishin shquar në vijën e parë të antifashizmit, që ishin antikomunistë, por që ishin të prirur që në emër të luftës kundër fashizmit të bashkëpunonin me komunistët e të kryenin veprime të armatosura. Të tillë ishin Safet Butka, Abaz Ermenji, Hysni Lepenica,, Isuf Luzaj, Skënder Muço, etj.”.(Milo, Paskal: vep. e cit., f. 287). Më tej, duke folur për “Dekalogun” ose dokumentin programatik të Ballit, historiani Milo shkruan: “Shumë kritik për politikën që devijoi nga programi është një nga eksponentët e njohur të Ballit Kombëtar, Isuf Luzaj. Vite më vonë, duke analizuar e reflektuar ai ka shkruar se “politika e Ballit Kombëtar ishte false dhe e pavendosur. Gjatë 2 vjet e tre muaj lufte kundër ushtrisë italiane, kurrë, asnjëherë nuk erdhi direktivë ose urdhër nga Komiteti Qendror…”.(Milo, Paskal, po aty, f. 292). Referenca e këtij informacioni është libri i Isuf Luzit “Filozofia e bukurisë. Pjesë ditaresh, ese dhe rrëfime për vetveten”, Tiranë, Ombra GVG, 2009, f. 92. Më tej, kur trajton zbarkimin e Aleatëve në Itali dhe rënien e Musolinitt, historiani tërheq vëmendjen se udhëheqja e Ballit u vu në alarm për të lëvizur nga pozitat e politikës së vjetër. “Ajo ishte futur në konflikt me një pjesë të mirë të bazës së organizatës, që ishin për aksione të armatosura kundër pushtuesve dhe drejtonin çeta, si Safet Butka, Hysni Lepenica, Skënder Muço, Isuf Luzaj, Tefik Cfiri, Abaz Ermenji etj”. (Milo, Paskal: po aty, f. 384.). Kur flet për Konferencën e Mukjes, që u hap më 1 gusht 1943, autori, ndër të tjera, shkruan: “Në bazë të një marrëveshjeje paraprake delegacionet e të dyja palëve do të kishin nga 12 anëtarë të ulur përballë njëri – tjetrit. Delegacioni i Ballit Kombëtar përbëhej nga: Mithat Frashëri, Hasan Dosti, Thoma Orollogaj, Skënder Muço, Hysni Lepenica, Isuf Luzaj, Kadri Cakrani, Reuf Fratari, Nexhat Peshkëpia, Halil Mëniku, Ismail Petrela dhe Vasil Andoni. Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar kishte për anëtarë: Jahja Çaçin, Myslim Pezën, Abaz Kupin, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Omer Nishani, Sulo Bogdo, Shefqet Beja, Medar Shtylla, Stefan Plumbi, Haki Stërmilli, Gogo Nushi. Përveç delegacioneve, kishte edhe vëzhgues nga të dyja palët. Për Ballin Kombëtar si të tillë ishin edhe Ali Këlcyra, Nuredin Vlora, Azis Çami, etj. Ndërsa nga ana e Këshillit të Përgjithshëm ishin Vasil Nathanaili, Spiro Koleka, Syrja Selfo, etj. Çetat e Ballit dhe të Lëvizjes Nacionalçlirimtare mbyllnin rrethimin e sheshit të takimit”. (Milo, Paskal: po aty, f. 394). Për këtë informacion autori i librit në fjalë ka shfrytëzuar procesverbalin e mbledhjes së dytë të delegacioneve të organizatave të Ballit Kombëtar dhe Nacionalçlirimtare në Mukje, 1 gusht 1943. AQSH. Fondi 14/ APL. Viti 1943. Dosja Nr. 21, f. 9. “Ymer Dishnica vazhdon të jetë edhe pas Mukjes “diplomati” dhe negociatori kryesor i PKSH-së në marrëdhëniet me Ballin Kombëtar. Herë me Nako Spirun, herë me Omer Nishanin ai gjatë muajve shtator-tetor 1943, ka takuar e biseduar me Fuat Dibrën, Hasan Dostin, Nexhat Peshkëpinë, Skënder Muçon, Isuf Luzaj, Uan Filipin, madje edhe me Mehdi Frashërin”. (Milo, Paskal, vep. e cit. f. 409).
Botimet e Isuf Luzit në Shqipëri: Nga letërsia e autorit Isuf Luzaj, në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë janë 10 regjistrime të gjetur dhe po aq të shfaqur. Po i paraqesim sipas rendit kronologjik të regjistrimit: “Gloria e çmendjes”, libër me poema, redaktuar nga Prof. Dr. Fatmir Agalliu, gjuhëtari i paharruar dhe shkrimtari i njohur Xhevat Beqaraj. Ky libër është botuar në vitin 1995. Më tej, vjen libri “Ekzistenca dhe boshësia: filozofia dhe shkenca, metafizika dhe metalogjika, shpirti dhe arsyeja”, përgatitur për botim nga i madhi Xhevahir Spahiu e botuar nga shtëpia botuese “Dituria” në vitin 1996. (Ky titull është paraqitur dy herë). Libri trajton çështje themelore të diturisë e të kulturës, filozofi botërore dhe shqiptare, rrok tema nga materializmi ontologjik. Më hollësisht, një lexues i kualifikuar gjen edhe njohuri për filozofinë e kulturës, sistemet kulturore, teorinë e komplekseve kulturore etj. Po kështu ngjet edhe me librin tjetër vijues me ese filozofike “Sëmundjet e shekullit tonë”, 1999. Ky botim dhe të gjithë të tjerët në vazhdim do të botohen nga shtëpia Botuese “Ombra GVG” dhe do të kenë përpilues, përgatitës për botim e redaktor të mençurin Xhevat Beqaraj, i cili na jep shëmbëlltyrën e urtësisë së florinjtë në thjeshtësinë e tij. Në vijim kemi dy vëllime me poema, “Lamtumira e yjeve” dhe “Topografi labçe”, të dyja botuar në vitin 2001. Më tej vijnë botimet me letërsi shkencore dhe filozofike: “Përtej së mirës dhe të ligës: poezi, esse, mendime filozofike…”, 2003. Në këtë botim vërejmë sistemet dhe pikëpamjet filozofike, botëkuptimet, qëndrimet e mundshme filozofike, tipologjinë e sistemit e shumë elementë të letërsisë shkencore dhe filozofike si gjini letrare në formën e poezisë dhe esesë. Në këtë libër ngjizet letërsia shqipe në poezinë filozofike me histori, filozofi e filozofë dhe bëhet një lëndë letraro-shkencore shumë interesante, tërheqëse dhe e asimilueshme për lexuesin. Në vitin 2005, në serinë e botimeve filozofike, “Ombra GVG” boton librin “Rindërtimi i fuqive shpirtërore: refleksione filozofike”, ku filozofia shqiptare dhe historia me etikën sociale, me filozofinë e moralit, filozofinë praktike janë integruar harmonishëm me njëra – tjetrën, pa eklipsuar shoshoqen, duke qëndruar hijshëm në tekst secila më vete dhe së bashku, si një e tërë. Në vitin 2009 botohet libri “Filozofia e bukurisë: pjesë ditaresh, ese, rrëfime për vetveten”, ku autori me metodologjinë e tij të suksesshme të raporteve midis disiplinavedhe nëndisiplinave shkencore, nën një këndvështrim krahasimtar paraqet letërsi shqipe dhe filozofi shqiptare origjinale, falë një plotësimi sipëror filozofik perëndimor. Në trajtë antologjike paraqet pikëpamje politike dhe shoqërore, si dhe studime biografike dhe autobiografi në formën e ditarit, kronikës atë burimit letrar. Botimi i fundit i derisotëm, regjistruar në Bibliotekën Kombëtare është libri letrar “Festimi i yjeve: agonia dhe ekstaza: (rrëfime për vetveten, analiza, esse, poezi)” botuar nga “Ombra GVG” në vitin 2013, zgjedhur dhe përgatitur për botim nga Xh. Beqaraj dhe nën redaktimin e Nexhat Myftiut. Nga libri “Ekzistenca dhe boshësia” na tërheqin vëmendjen disa citime si: “…do të mundohem të sqaroj konceptin tim për problemin e ekzistencës së Zotit dhe të MOSEKZISTENCES së Zotit, që unë e kam quajtur: EKZISTENCA DHE BOSHËSIA…”; “Ekzistencializmi është një filozofi që lindi nga angushia e dëshpërimit të Kristianizmit; është një mënyrë mendimi që ka mbajtur METAPSIKOLOGJINË KRISTIANE, ndërsa braktisi METAFIZIKËN KRISTIANE.”; “…Duhet përmendur përkundër disa mendimtarëve të këtij fundshekulli se e ashtuquajtura filozofi ekzistencialiste nuk është domosdo ATEISTE”. Sipas filozofëve katolikë, lumturia bazohet në BESËN dhe vjen nga BESA. Mirëpo, duke i ndenjur besnik logjikës, as besimi as mosbesimi, nuk mund të shpjegohen me anë të BESËS. Vetëm një besimtar i vendosur mund të pohojë që besa e tij mund të japë shpjegim e llogari të eksperiencës së tij fetare. Po ashtu, vetëm ateisti mund të thotë ç’është ATEIZMI dhe ç’është eksperienca e tij logjike që e shpie në kënaqësinë e zbulimit të së vërtetës, të cilën ai e beson”; “Po të studiojmë filozofinë e Historisë, do të shohim qartë se për arsye të relacionit të imtë në mes të shoqërisë dhe të besimit, ateizmi është shfaqur si kundërshtari i besimit, si një besim i përkufizuar mirë, si një armik i besimit në fuqi në atë shoqëri njerëzore, në atë kohë, në atë vend. Ky mendim na sqaron paradoksin aparent që disa nga gjenitë e mendimit botëror qenë akuzuar si ateistë nga shoqëria e kohës së tyre dhe dënuar me vdekje si p. sh. Faraon Akhenaten, Sokrati, Krishti, Muhameti, Mahatama Gandi.”; “Një njeri që jeton për ideale të larta është e pamundur të besojë që të jetë i kënaqur me idenë se jeta nuk ka tjetër përfundim veçse veten e saj: jetë materiale.”; “Në këtë botëkuptim të ri për mua, arrita në zbërthimin elementar të ekuacionit: ateizmi është një fazë neurotike, sëmundje dëshpërimi e njeriut që i tmerruar nga padrejtësitë e jetës dhe nga ideja e varrit, bën kryengritje kundër Zotit.”; “Është e nevojshme të nënvizojmë se Marksi, i cili e konsideronte veten si një njeri shkence, nuk ndjeu detyrimin për të vërtetuar ose për të justifikuar asgjë mbi ç’tha për besimin. Ateizmi i Marksit nuk është shkencor. Ai qëndron vetëm në situacione emocionale dhe duhet shpjeguar më mirë nga psikologjia shkencore sesa nga ekonomia politike që është false.”; “Ndodh që edhe besa fetare që është një nga aktet më autentike të ekzistencës së njeriut, disa herë kundërshton dritën e arsyes së njeriut të qytetëruar. E dimë që as arsyeja nuk është një dritë absolute, ndaj besa fetare është një akt shumë i ndërlikuar. Emocionet disa herë e drejtojnë njeriun dhe arsyen e tij drejt AGNOSTICIZMIT.” Vlerësimet e filozofit të sotëm, Prof. Artan Fuga dhe të intelektualit Shkëlzen Maliqi janë orientuese për të kuptuar më mirë këtë vepër interesante filozofike- teologjike.
Për librin filozofik “Sëmundjet e shekullit tonë” ka patur vlerësime të merituara, po vlen të theksojmë, se autori në tekst ngre lart rolin e poezisë së vërtetë morale në jetë. Kjo vepër ka karakter të theksuar njerëzor. Ideja themelore e saj është: Pa një shpirt fisnik, pa një edukatë dhe karakter të fuqishëm, shoqëria do të mbetet gjithmonë në vendnumëro, apo më keq, do të eci me moton regresiste një hap para, dy hapa mbrapa. Autori është i bindur se vetëm besnikëria ndaj së vërtetës e çon botën përpara. “Shpirti dhe lënda (materia) janë dy parime të bashkuara në të njëjtën qenie, e cila quhet njeri”. Pa shpirt nuk ka qenie njerëzore dhe studimi i personalitetit njerëzor është punë e vështirë. Si duket, autori e njeh mendimin e prerë të Hygoit, sipas të cilit roli i mësuesit në shkollë është që nga nxënësi të farkëtojë një njeri. Zoti i vërtetë është shpirti njerëzor dhe feja e mirë është ajo që ka dalë nga vullneti hyjnor për jetën. Njeriu duhet ta pastrojë shpirtin në luftë me djallin, trurin nëpërmjet gjimnastikës së tij, pavarësisht se nuk e arrin pastërtinë e plotë. Shoqëria njerëzore përmirësohet shkallë-shkallë dhe vetëm nëpërmjet përpjekjeve të mëdha, me ndihmën e të gjithëve dhe sidomos nëpërmjet përparimit të shpirtit dhe të edukatës. Na tërheq vëmendjen pozitivisht, se edhe pse autori në tërësi është një bulëz shqiptare e iluminizmit europian, ve në dukje disa të meta te shqiptarët, të cilat duhet të kihen parasysh, sepse ato kanë lindur gjatë historisë fatkeqe të tyre. Shqiptarët, thotë ai, duke mos e përjashtuar as veten, kanë gdhendur në shpirtin e tyre vese të egra, të trashëguara nga pushtimet e ndryshme: barbare, bizantine, osmane, fqinjëve të egër. Kjo traditë, e mbushur me vese, duhet të krasitet dhe pastaj të zhduket një herë e mirë. Ato vese përbëjnë një virus që duhet pastruar medoemos, në qoftë se dëshirojmë të shkojmë drejt qytetërimit njerëzor. Në këtë libër rëndësi vendimtare i jepet rolit të edukatës, të arsimit, duke patur bindje se shqiptari fare mirë mund të shërohet, përndryshe nuk do të arrihet qëllimi fisnik, i cili nuk është asgjë tjetër, veçse “e mira e përgjithshme”.
Autori ngre lart rolin e poezisë së vërtetë morale në jetë. Sipas Luzajt, poezia e Dantes është e mirë, sepse është morale. Ajo përfshin në të vërtetë edhe fisnikërinë e artit. “Poezia ekziston si art kur poema e lexuar na bën të qajmë, të qeshim, të pendohemi, të korrigjohemi”. “Parajsa e humbur” e Miltonit, i përmbledh të gjitha cilësitë e poemës:“Virtytin, ekstazën, pastërtinë shpirtërore…edukimin dhe mbi të gjitha muzikën qiellore”. Autori me të drejtë ngre lart Homerin, Hygoin, Getën, Shilerin, Miltonin, Mysenë, etj., por dhe Konfucin, Budën, Krishtin, Muhametin, sepse edhe ata kanë në veprat e tyre poezinë e vërtetë, sepse prekin fort mendjen dhe shpirtin te njeriu. Për autorin, poezi e pastër është ajo që mundohet të shprehë sa më sinqerisht, sa më vërtetësisht mendimet e ndjesitë. Në libër shfaqet bota shpirtërore e Prof. Isuf Luzajt shumë e pasur, e pastër, e çiltër, sepse është bota e kulturës, e edukatës dhe e gjithë cilësive dhe vlerave të shumta humane. E rëndësishme është se autori këto kërkon t’i shikojë te tërë shqiptarët.
Në librin “Përtej së mirës dhe së ligës” autori Isuf Luzaj përmbledh vargjet, që mundohen të reflektojnë hijen e dhembjes së tij. Do të duhej një libër voluminoz për të shpjeguar kuptimin metafizik të këtyre dy termave, e mira dhe e keqja gjatë udhës që ka bërë filozofia e popujve, si atyre perëndimore, edhe atyre orientale. “Nuk është vendi këtu për ato spekulime filozofike – metafizike, fetare, -shkruan autori në parathënien e librit. Dhe vijon- Këtë studim e kam shkruar si ndërmarrjen më guximtare të studimeve të mia, në librin: “Eksperienca metafizike”.
Këtu po kufizohem të jap një përmbledhje të shkurtër, në ngjasim të fluturimit të shpendit, që këto dy koncepte kanë pasur gjatë mendimit filozofik – metafizik – fetar, perëndimor, në këta pesë shekujt e fundit të Historisë së mendimit dhe përfundon substancën e mendimit: “Në arritsha të shpreh në vargje këtë sferë -klimë shpirtërore në lartësinë psikologjike të Historisë së Filozofisë, që përmbledhin këto dy koncepte, atëherë dua të shpresoj që lexuesi të ndjejë në ndërgjegje dhe në mendim diç nga ato ngashërime që kam provuar unë nëpër udhë të mërgimit, udhëtar në të pesë kontinentet, duke pasur të vetmin shok e të vetmen mike: “vetminë”. Sinqerisht më bën përshtypje ky refleksion i filozofit dhe madh dhe poetit e fuqishëm sentimental nga Kanina dhe, interesant, ende pa e lexuar librin “Përtej së mirës dhe së ligës”, dhuruar nga miku im i xhevahirtë Xhevahir Spahiu, pata shkruar një poezi të vockël, me titullin “Vetmia: Që kur u çmend njerëzimi/ Dhe futi në burg drejtësinë,/ I dëshpëruar nga pikëllimi/ U dashurova me vetminë”. Dhe pastaj vazhdoj me një ton entusiast, si për t’i ndezur motorin e shpresës vetes dhe shoqërisë pikëllore nga realiteti i hidhur që na dhuron vertikaliteti drejtues “Vetmia, si vjeshtë varfanjake,/ Venitet, vyshket, vetëm vdes./ Unë, i mbushur me dufet rebelake/ I them të nesërmes: Mirëmëngjes!”. Nuk gjykoj të hedh në botim shumë vargje nga poezitë e autorit Isuf Luzaj, sepse ato i gjen tashmë të botuara dhe online, por ja disa nga ato më të hershmet, botuar tek “RRËFIMET”, në ciklin “Kohë turpi”:“Të gjorët vargjet e mi,/ I dogji dor’ e kusarit,/Turpi i gjorë në histori,/ Kohë polici, dhe xhandari…Kohë e nëmur,/ kohë urie/ Kohë turpi,/ kohë zie,/ Që në kokë e gjer në thua;/ Vdekur zana, vdekur ora,/ Vdekur kombi, kur vdes Vlora,/shurdhër, memecë dhe qorrë;/ Burrat për trastë hauri/ Kërrusur shpina, thyer gjuri,/ Helm në kokë e në thua,/ Shkarrëzyer nëpër llomi,/ Popull, more lum e përrua-/ Turpi i parë në Histori!
Edhe poezitë e Luzajt janë të tipit të K. Kokoshit dhe poetëve të tjerë të angazhuar me poezinë atdhetare ndjesore, me të cilët do të njihemi në numrat vijues të gazetës “Tirana Observer”. Kjo lloj poezie është si të thuash një urë midis letërsisë së traditës rilindase dhe asaj vijuese të fillimshekullit të XX dhe periudhës së Pavarësisë. Midis tyre ka një lidhje vazhdimësie të brendshme. Nuk mund të pohojmë dot se në këtë grup poetik të Vlorës apo edhe në rang vendi ndihet hopi cilësisht artistik. Me veçime të rralla. Uniformizmi dhe skematizmi atdhetar, që paraqiteshin ende nën qyrkun e temës së qëndresës së njeriut dhe të popullit tonë përballë sulmeve dhe goditjeve të historisë, nuk mund të shqiteshin kollaj nga fryma e re që natyrshëm, por prapë me vështirësi po fillonte të ndihej në letërsinë e kohës. Patjetër që dhe Profesori nuk mund t’i shpëtonte ndikimit tematik dhe teknik të poezisë atdhetare me natyrën rilindase të të shkruarit. Ndoshta ishte ende koha, që duhej shkruar me atë frymë frymëzuese, kushtruese, mobilizuese, sedërtare, thirrëse, sepse Atdheu kishte nevojë për shpirt furtune. Në librin “Antologji, tregime të zgjedhura të autorëve vlonjatë”, botuar në Vlorë, nga “Europrint”, 2006, janë përfshirë 23 autorë dhe përkatësisht Anastas Kondo, Andrea Varfi, Andi Meçaj, Astrit Hajdini, Astrit Xhaferi, Asqeri Llanaj, Albert Habazaj, Bardhosh Gaçe, Eqerem Canaj, Elma Rama, Fatos Arapi, Fadil Zeqiri, Hiqmet Meçaj, Isuf Luzaj, Muhamet Derri, Pali Shtembari, Petro Marko, Petrit Qejvani, Shevqet Musaraj, Tomor Balla, Vilhelme Vranari, Xhemil Lato e Ylli Bora. Nga Isuf Luzaj hartuesit përzgjodhën prozën poetike, aq të bukur dhe lakonike, veç një faqe e gjysmë me titullin: “Kur bie shi në fshatin tim”.
Më 27 dhjetor 2000, shkencëtari, poeti, filozofi dhe atdhetari shqiptar Isuf Luzaj mbylli sytë në Çikagon e largët. Sipas amanetit që la, eshtrat i prehen të qeta në vendlindjen e tij të dashur në Kaninën e bukurive me emër në histori. Në Kaninë prehen dhe eshtrat e humanistes së madhe, Ambasadores së Kombit Nermin Vlora Falaschit, mbesë së Plakut të Bardhë të Flamurit Kombëtar Ismail Qemal Vlorës, së toku me eshtrat e bashkëshortit të Nerminit, Renzo Falaschi, ambasador i përjetshëm i Italisë, që aq shumë e donte Shqipërinë, sa prehet në Kaninë përjetësisht. Nga Kanina, Profesor Luzaj bën apel me veprën që na ka lënë: “Të përmirësohemi duke përparuar në ekonomi, në kulturë, në letërsi”.