INTERVISTA E IMZOT MARK SOPIT NË ZVICËR – Arbon/TG, 1 Mars v. 2000

ARBON, mars 2000 – Intervistoi Islam Sadiku

Ju jeni ata që do e ndërtoni Kosovën. Gjithë këtë miqësi dhe ndihmesë që ka dhënë Kisha e Arbonit është fryt i një apo dy personave ( Ahmet Asani dhe Kristè Coli )!

• Ditë më parë Imzot Mark Sopi i bëri një vizitë pune dhe miqësore Kishës Katolike në Arbon (TG) të Zvicrës. Shfrytëzuam rastin për një intervistë të shkurtër rreth situatës në Kosovë dhe qëllimit të vizitës së tij në Zvicër.

Pyetja: Imzot Sopi, vini nga Kosova a mundeni në pika të shkurtra të na përshkruani situatën momentale atje?

MarkSopi: Situata në Kosovë është në përmirësim e sipër si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në atë të mbijetesës. Kemi kaluar një dimër shumë të vështirë me një temperaturë Siberie deri në -27 gradë… Shumë familje tërë dimrin e kanë kaluar nën tenda, por të lumtur që gjinden pranë pragut të shtëpive shekullore. E tërë bota perëndimore është e befasuar me zellin dhe punën, që po bëjmë për të ndërtuar Kosovën. Ata njëherë u befasuan pas kthimit të menjëhershëm të shqiptarëve e tani u befasuan se si i përvjelën mëngët dhe ia filluam ndërtimit ,të paktën,të një dhome banimi. Problem për ne është sot Mitrovica dhe Kosova Lindore. Sa i përket Mitrovicës kam besimin e plotë se së shpejti do të gjendet një zgjidhje. Në mbledhjen e Këshillit Transitor, (ku jam anëtarë i rregullt i saj, së bashku me përfaqësuesit e të dy feve të tjera), unë vetë i kam tërheqë vërejtjen z. Kushner, që të mos e përdorë më, në të ardhmen termin Mitrovica e Veriut dhe Mitrovica e Jugut. Ne kemi një Mitrovicë e ajo do jetë një e vetme dhe pjesë integrale e Kosovës.

Pyetja: Jeni në Zvicër. Keni ardhur privatisht apo zyrtarisht dhe cili është qëllimi i vizitës tuaj?

Mark Sopi: Kam ardhë me ftesën e Priftit të kishës Katolike të Arbonit, një Miku të madh të shqiptarëve. Ky mik i yni, ishte njeri ndër organizatorët e Simpoziumit të “2000 Vjetorit të Krishtenizmit të shqiptarëve”. Po ashtu ka dhënë ndihma në çdo drejtim dhe ishte e pa mundur që ta refuzoj një ftesë të tillë. Edhe pse nuk kam shumë kohë ( do qëndroi vetëm tre ditë) prapë se prapë jam i kënaqur me mikpritjen e tyre.

Pyetja: Prifti i kishës Katolike të Arbonit, e ceket edhe ju, është një mik i madh i shqiptarëve. A pajtoheni edhe Ju se kjo miqësi ka lidhje të forta me popullin shqiptarë sidomos në Kosovë?

Mark Sopi: Po është plotësisht e vërtetë se z. Leo Rüedi është mik i madh i yni. Po ashtu e tërë kisha Katolike është e lidhur jo vetëm me kishën Katolike të Kosovës po me tërë popullin shqiptarë të Kosovës. Jam shumë i lumtur që kemi një mik të këtillë dhe se i përgëzoi nga zemra ata persona të cilët vunë kontaktet e para me të. I dijë me emër e mbiemër ata persona po për shkaqe të asaj se ata thonë se krejt këtë e kanë bërë në të mirë të Kombit, nuk dua ti përmend. I falënderoi nga zemra këta djelmosha ( Ahmet Asanin e Kristë Colin – vërejtje autorit dhe gazetës Bota Sot !) poashtu edhe vetë priftin. Unë i porosita këta djelmosha që, ështe shumë lehtë të gjindet një njeri i tillë, po është edhe më lehtë që të humbet, prandaj punoni në këtë drejtim. Në bazë të seriozitetit që kanë, kam shpresë se miqësia vetëm se do të shtjellohet -rritet- zgjerohet edhe më shumë.

Pyetja: Për kujdesin dhe ndihmën,që ka dhënë Prifti i Arbonit a do ta ftoni për një vizitë miqësore në Kosovë?

Mark Sopi: Po si. E kemi ftuar dhe na ka premtuar se në muajin qershor do ta vizitoi Kosovën. Çdo person që vije nga kisha e Arbonit do të jetë i mirëseardhur. Do ta zbuloi edhe një fshehtësi të këndshme. Kisha Katolike e Arbonit na ka premtuar që do të na ndihmoi financiarisht për të ngritur një shkollë të mesme në Gjakovë. Shkolla do të jetë për aftësimin e kuadrove në fushën e Informatikës dhe të gjuhëve të huaja. Edhe pse ideja ishte nga kisha Katolike e Kosovës, kjo shkollë apo Gjimnaz ta quajmë, nuk ka aspak të përbashkët me kishën. Ne e pamë të arsyeshëm këtë projekt dhe ia prezantuam Kishës së Arbonit dhe këta e shprehen pëlqimin të na ndihmojnë. Vendi për ndërtim na është caktuar. E kemi marrë edhe lejen për ndërtim nga UNMIKU si dhe Këshilli komunal i Gjakovës. Vlera e paraparë për ndërtim do të jetë diku-deri në 2,5 milion DM.
E tërë ndihma do jetë e Kishës së Arbonit.

Pyetja: Ku ju zuri lufta dhe si u gjendet?

Mark Sopi: Lufta më zuri në Prizren. Aty ku e kam edhe Selinë. Gjatë tërë kohës së bombardimeve qëndrova duke ju dhënë ndihmë dhe shpresë popullatës pa marr parasysh besimin. Në kishën e Prizrenit u mblodhën shumë familje për të kërkuar ndihmë. Numri i familjeve arrinte deri në 450-me disa mijëra anëtarë. Pastaj gjatë luftës kam vizituar shumë pleq e plaka nëpër shtëpia, të cilët nuk patën mundësi të lëviznin e lere më ta lëshojnë Kosovën. Isha pranë fëmijëve,të cilët filluan të traumatizohen tek dëgjonin bombardimet. Mora pjesë vet në shpërndarjen e ndihmave, ato ndihma që kishim në dispozicion për momentin. Dhamë edhe kafshatën e fundit për nevojtarët. Sot jam i lumtur që munda dhe u gjenda afër popullit tim në ditët më të vështira,që i kaloi.

Pyetja: Para ca kohësh u rrënuan varrezat Katolike në Prizren dhe Pejë. Njëra ndër to ishte edhe përmendorja e Nikprelës. Si e shpjegoni një vepër të tillë makabër dhe se kush qëndron prapa sajë?

Mark Sopi: Po është e vërtetë-fatkeqësisht. Një KRIMB i tillë ndaj objekteve të shenjta të popullit tonë, siç janë varrezat, nuk është vepër shqiptari. Ai ndoshta vetëm fletë shqip por fare pikë gjaku Shqiptari nuk kalon nëpër venat e tija. A thua pse nuk ndodhi një gjë e tillë më parë ku ishim të robëruar, po mu tani kur jemi në liri? Ky ishte vetëm një krimb ditorë, që të komprometohemi ne si popull para opinionit të huaj e posaçërisht KFOR-it. Ne e ditëm qëllimin e këtij krimbi dhe se nuk e polemizuam. Pastaj i jam mirënjohës z. Rexhep Bojës i cili me tërë delegacionin e tij e vizitoi vendin e ngjarjes dhe e dënoi krimbin. Po ashtu e dënuan të gjitha partitë politike. E dënoi edhe z. Adem Demaçi i cili edhe e vizitoi vendin e ngjarjes. Prandaj neve si popull nuk na ka përça, as që mundet, por vetëm e ka treguar fytyrën e një të ligu. Pa marr parasysh se a kanë qenë ato varreza të katolikëve a po të myslimanëve,vepra ishte e drejtuar kundër shqiptarëve prandaj e luftuam dhe gjithnjë do t’i luftojmë veprimet e tilla të paskrupullta. Unë mendoi se autori i një vepre të tillë i ka rrënjët diku në Beograd.

Pyetja: Çfarë janë marradhënjet e kishës Katolike të Kosovës me kishat e tjera në botë dhe bashkëpunimi i sajë me KFOR-in?

Mark Sopi: Kisha jonë ka marradhënje të mira me të gjitha kishat dhe çdo institucion tjetër fetar qoftë katolik,mysliman apo ortodoks. Jemi të njohur nga selia e shenjtë si kishë e pavarur ashtu sikur çdo shtet tjetër dhe se kjo ka domethënie të madhe për ne dhe për të ardhmen tonë. Me KFOR-in kemi marradhënje të shkëlqyeshme. Shumë pjesëtarë të tyre vijnë të dielave për mesha pa kurrfarë dallimi. Pastaj sivjet organizuam Karnavalet, që ishin të parat e një lloji të këtillë, ku përpos shqiptarëve, kënaqësinë dhe bukurinë e tyre e ndjenë dhe shikuan edhe një numër i madh i pjesëtarëve të KFOR-it.

Pyetja: Porosia juaj për shqiptarët e Zvicrës dhe të diasporës-në përgjithësi?

Mark Sopi: Do t’ju them se Ju jeni ambasadorë të Kosovës. Ju jeni ata që do e ndërtoni Kosovën. Gjithë këtë miqësi dhe ndihmesë që ka dhënë Kisha e Arbonit është fryt i një apo dy personave ( Ahmet Asanit e Kristè Colit – vërejtje autorit)! Merreni me mend po të kishim persona të këtillë më shumë, s’paku në çdo Kanton nga një apo dy në çdo shtet! Do të ndërtonim nja 26 shkolla apo spitale, shtëpi të shëndetit apo diçka tjetër të nevojshme. Andaj duajeni njëri-tjetrin para së gjithash si vëlla e jo, se kujt i takon. Kjo është gjëja më e shtrenjtë që mundeni dhe duhet ta bëni. Keni treguar veten para lufte dhe gjatë luftës. Andaj mos e harroni Kosovën e pas luftës. Ajo kërkon ndihmën tuaj. Ja sot ja kurrë! Shëndet dhe çdo të mirë në jetë dhe familje.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top