IKJA PA KTHIM NGA ËNDRRA JUGOSLLAVE

SHKRUAR NGA AKADEMIK MEHMET KRAJA

Shqipëria apo Jugosllavia, kjo ishte dilema për një numër kosovarësh, të cilët në periudhën e autonomisë kishin filluar t’i vilnin frutat e integrimit dhe të lojalitetit jugosllav. Si u krijua dualizmi bilingual në Kosovë? Kur u përball Kosova me rrezikun e vërtetë të asimilimit? Si u dëbuan nga “ëndrra jugosllave” kosovarët e jugosllavizuar, bashkë me klasën politike të Kosovës? Si u bë politikisht dhe sa kohë jetoi “kombi kosovar”, i themeluar si kundërvënie integralizmit shqiptar? Si u përvijuan idetë autonomiste në lëvizjet politike të viteve ’90 dhe si i dhënë lëndë të mjaftueshme Ahtisarit për “status të baraspeshuar” të Kosovës…?

(Nga libri “Identiteti kosovar”, vazhdim)

Pas vitit 1981nacionalizmi shqiptar në Kosovë fitoi pikë, sa për shkak të shpërthimeve euforike të formës së demonstratave, po aq edhe për shkak të sjelljes pa takt të shtetit dhe të pushtetarëve. Nën presionin e fuqishëm të nacionalizmit serb, shteti jugosllav pothuajse e humbi toruan: riktheu në agjendë recidivat e vjetra antishqiptare, si në vokabularin e propagandës, ashtu edhe në metodat e veprimit politik. Brenda një kohe fare të shkurtër, Jugosllavia që së fundi kishte fituar shumë mbështetës në Kosovë, mbeti pothuajse pa krejt kontingjentet e saj të përkrahësve ideologjikë dhe politikë. Vitet e autonomisë kishin qenë periudhë e shkëlqyer e nacionalizmit shqiptar në Kosovë, por kishin qenë njëkohësisht edhe vite të triumfit të jugosllavizmës, të politikave të vëllazërim-bashkimit dhe të integrimit. Gara ndërmjet nacionalistëve shqiptarë dhe mbështetësve të ideve integruese ishte zhvilluar vite me radhë në prapaskenë. Pavarësisht se Kosova tradicionale dhe konservative mbante qëndrim refuzues ndaj Jugosllavisë dhe, për shkak të përvojës së hidhur historike, qëndrim krejtësisht armiqësor ndaj Serbisë, politikat liberale identitare të pandikuara nga Serbia, sikundër edhe zgjerimi i përgjithshëm i të drejtave, kishin krijuar përkrahës të shumtë të jugosllavizmës ndër gjeneratat e reja të popullsisë urbane në Kosovë. Beteja ndërmjet këtyre dy polarizimeve zhvillohej në të gjitha frontet, por përplasjet më të mëdha ndodhnin në planin e identitetit dhe të vetëdijes politike.

Shqipëria apo Jugosllavia, kjo ishte çështja për një numër jo të vogël kosovarësh, të cilët tashmë kishin filluar t’i vilnin frutat e integrimit dhe të lojalitetit jugosllav. Luhatjet dhe dilemat ndër kosovarët nuk kishin qenë të vogla. Por edhe nëse kjo situatë e dyzuar e kosovarëve nuk manifestohej në formë të tillë, pra të luhatjes dhe dilemave, praktikat jetësore kishin çuar në drejtim të pranimit të shumë postulateve politike të integrimit. Gjuha dhe kultura, mënyra e jetës dhe ambienti identitar bipolar sikur u stabilizuan në Kosovë. Këto ishin shenjat identifikuese të integrimit. Kosovari fliste shqip në komunikimin e përditshëm, në shkollë, në fakultete, në administratë, në jetën e përditshme, por aty pranë gjithmonë e kishte dikë me të cilin duhej të fliste serbisht, ose serbokroatisht, siç thuhej atëherë. Dhe këtë ai e bënte pa ndonjë shkathtësi të madhe, por duke mos qenë i vetëdijshëm se në brendinë e tij, në perceptimin e tij gjuhësor tashmë ishte krijuar dualizmi bilingual. Në radio, në televizion dhe në shtyp, ndonëse me mjaft ngathtësi, kosovari përdorte gjuhën e standardizuar, gjuhën letrare shqipe, por pa qenë i vetëdijshëm se në perceptimin e tij gjuhësor ishin futur nocione sllave, idioma sllave, togfjalësh të gjuhëve sllave, të cilat interferonin me shqipen letrare të pastabilizuar në mendjen kosovare dhe, për pasojë, krijonin përparësi perceptimi dhe përdorimi. Kosovarët lexonin serbokroatisht, sepse literatura që vinte nga Shqipëria ishte e kufizuar dhe nuk mjaftonte. Të paktë ishin ata që mësonin gjuhë të huaja, sepse serbokroatishtja dukej e mjaftueshme për të dalë nga kuadri uniform dhe i kufizuar i një gjuhe. Kundruall shqiptarëve të Kosovës, por edhe kundruall shqiptarëve në përgjithësi, Jugosllavia e popujve të bashkuar, edhe për shkak të pozicionit të favorshëm ndërkombëtar, kishte përparësitë e një superfuqie kulturore, arsimore, shkencore. Një numër i këtyre intelektualëve kosovarë as që e lexonte literaturën shqipe, madje e nënçmonte atë, sepse përmes serbokroatishtes mund të kapnin majat e avangardës dhe modernitetit, ndërsa literatura e Shqipërisë, krahas pamundësive të tjera, kishte edhe kufizime ideologjike, prej të cilave Jugosllavia ishte çliruar që vitet ‘50. Mirëpo, këta kosovarë për shumë vite me radhë, madje një numër syresh edhe sot e kësaj dite, do të mbajnë të fshehur në veten e tyre një defekt jashtëzakonisht të madh: ata do të flasin një gjuhë surrogat, do të bëjnë një kulturë surrogat dhe do të krijojnë një mentalitet surrogat. Tani së fundi do të jenë edhe ideatorët dhe përkrahësit më të zëshëm të identitetit surrogat.
Për paradigmën kulturore të identitetit kosovar do të flasim në një hapësirë të veçantë në këtë shqyrtim, ndërsa tani do të mjaftohemi me një konstatim të përgjithshëm se ndër kosovarët fryma e integrimit tashmë kishte depërtuar thellë në të gjitha sferat e jetës intelektuale, ishte bërë pjesë e mentalitetit te një numër jo i vogël syresh dhe ishte bërë mënyrë e perceptimit të botës dhe të realitetit te një kategori tjetër jo aq e papërfillshme e popullsisë. Nga fundi i viteve ’70 rinia urbane e Kosovës filloi të konsumonte me të madhe dhe t’i bënte për vete modelet e kulturës mediale, e cila sapo kishte filluar të shfaqej në hapësirat më të zhvilluara të Jugosllavisë. Për shkak të pozitës inferiore në të gjitha aspektet dhe në të gjitha fushat, kjo rini kosovare nuk do të jetë në gjendje t’i asimilojë këto modele, por do t’i imitojë ato në variantin krejtësisht jokreativ, duke pranuar shartime të panatyrshme dhe kundërthënëse kulturash me referenca antagoniste dhe përjashtuese.

Sido që të jetë, në vitet e lulëzimit të autonomisë, Kosova ishte përballur me rrezikun permanent të dëmtimit të substancës, kësaj radhe jo përmes dëbimit, shpërnguljeve dhe dhunës sistematike, por përmes një integrimi që gradualisht po merrte përmasat e një asimilimi, të ngadalshëm por të sigurt. Koha e shkurtër e autonomisë nuk krijoi shumë hapësirë për pasoja më tragjike, por që këto pasoja do të jenë evidente dhe do të përçohen në të gjithë përbërësit identitarë të kosovarëve, për këtë tashmë nuk duhet pasur asnjë dilemë. Demonstratat e vitit 1981 me një shpejtësi të paparë i ndërprenë këto rrjedha të panatyrshme në të dy krahët. Pas atyre ngjarjeve, Jugosllavia, nën diktatin e fuqishëm të Serbisë, iu kthehet recidivave të vjetra antishqiptare dhe zbraz mbi kosovarët krejt arsenalin e urrejtjes, dhunës dhe përçmimit. Më anë tjetër, reagimi i kosovarëve do të jetë i menjëhershëm dhe do të ketë objektiv ndërprerjen e të gjitha lidhjeve me serbët dhe jugosllavët në përgjithësi.

Në të vërtetë, reagimi kosovar ishte i imponuar dhe vinte pas dhunës joproporcionale të përdorur ndaj demonstruesve dhe pas shpërthimi të një mllefi dhe urrejtjeje të paparë ndaj shqiptarëve në medie, në organizata partiake, në institucione, kudo. Histeria antishqiptare ishte e tillë, saqë ajo përfundimisht bëri të qartë se idetë e bashkëjetesës dhe të integrimit të shqiptarëve në Jugosllavi kishin qenë floskula dhe gënjeshtra propagandistike, ose, thënë më mirë, shkarje të çastit nga vija konsistente e politikave antishqiptare. Kjo histeri, sado që dikur u pa se kishte kaluar çdo masë dhe u bënë disa përpjekje të pasuksesshme që ajo zbutej dhe të kontrollohej, nxori “në anën tjetër” jo vetëm shqiptarët e zakonshëm të Kosovës, ose ata me pikëpamje të luhatshme, por edhe një numër të integruarish dhe me identitet të dyzuar. Kosovarët nuk kishin si t’i përgjigjeshin ndryshe kësaj histerie, përveç se duke shtrënguar radhët e veta dhe duke u rreshtuar në krah të nacionalizmit të tyre. Ata mund të mos kenë bërë ndonjë veprim që do të çonte në masivizimin e organizatave ilegale, por rreshtimi i tyre në krah të nacionalizmit shqiptar ishte e vetmja rrugë logjike, sepse streha e tyre komode e integrimit jugosllave ishte prishur përfundimisht.

Pra, as atëherë e as sot nuk mund të thuhet se braktisja pothuajse euforike e integrimit jugosllav ishte meritë e kosovarëve me identitet tashmë të dyzuar, apo vetëdijesim i tyre në këto rrethana të reja, megjithëqë as kjo nuk mund të përjashtohet. Më shumë ishte një dëbim i tyre, si e qenit me shkop, që do të prodhojë situata përçmuese për një numër syresh dhe situata tragjike për një numër tjetër. Do të prishen familje me martesa të përziera, do të përfundojnë të izoluar nga rrethi shoqëror fëmijët e paintegruar kosovarë të këtyre martesave. Baballarë dogmatë, të magjepsur pas jugosllavizmës, do të kërcënohen dhe do të shahen nga fëmijët e tyre. Do të prishen lidhje intime, të kultivuara vite me radhë dhe do të ndodhë ajo që nuk është tipike: nacionalizmi do të ngadhënjejë edhe mbi dashurinë. Ideatorë dhe kultivues të kësaj atmosfere doemos që ishin serbët, të cilët urrejtjen ndaj shqiptarëve tashmë e kishin bërë kredo jetësore, individuale dhe kolektive.

Në këtë rrethanë, klani politik i Kosovës ishte i prirë që situatën ta kanalizonte në favor të vetin, ashtu siç kishte bërë më 1968. Mirëpo, në mungesë të Titos, ai u margjinalizua nga udhëheqja qendrore e Serbisë dhe Jugosllavisë dhe, më keq se kaq, iu nënshtrua një verifikimi dhe diferencimi të padinjitetshëm, duke kërkuar prej secilit ta ridëshmonte lojalitetin. Disa nga ky klan u sakrifikuan, të tjerët u bënë bastardë që turpëruan familjet, farefisin dhe kombin, por shumica syresh, me etër dhe bij, me klane familjare dhe me rrethe miqësore, një herë mbeten të stepur, pastaj e morën veten dhe shpejt u futën në luftën politike kundër nacionalizmit shqiptar, në mënyrë që t’i shpëtonin valës së parë të nëpërkëmbjes dhe etiketimit. Në skenë dolën kuadrot e vjetra, kryesisht të rekrutuarit e hershëm të OZNA-s dhe UDB-së, tradhtarë me damkë, të cilët në kohën e autonomisë ose ishin veshur me lëkurë qengji, ose ishin mënjanuar nga skena politike. Vërsulja e tyre kundër rinisë së popullit të vet ishte e turpshme, por njëkohësisht edhe pa ndonjë rezultat, sepse rikuperimi i tyre në skenën politike do të dalë i pamundshëm. Fadil Hoxha dhe të tjerët pas tij për pak që nuk veshin edhe një herë uniformat partizane, kësaj radhe për t’u futur në një luftë kundër popullit të vet pa ekuivoke. Mecenët e tyre politikë në Beograd, kryesisht nga radhët e nacionalizmit serb, pasi i shfrytëzuan deri në turpërim në mësymjet antishqiptare, në çastin kur u bënë të papërdorshëm, ua dhanë shqelmin dhe i nxorën nga ëndrra jugosllave pa pikë dinjiteti.

Kaq vlen të thuhet për fundin politik të veteranëve të lojalitetit jugosllav në Kosovë, por jo për fundin e tyre botëkuptimor, sepse rikuperimi i tyre do të ndodhë në intervale kohore përgjatë gjithë periudhës së mëvonshme, deri në ditët e sotme.

Por si ndodhi rikuperimi i parë i lojalistëve të hershëm jugosllavë të Kosovës dhe të integruarve apo të të bashkuarve të tjerë rreth idesë së jugosllavizmës, pas katastrofës që pësuan më 1981? Në të vërtetë, ajo ishte një katastrofë e dyanshme, sepse, më një anë, ata prej vitesh i kishin këputur të gjitha lidhjet e komunikimit normal me popullin e vet, ndërsa, më anë tjetër, Jugosllavia e idealeve të tyre i kishte dëbuar në mënyrë tepër cinike dhe fyese. Pra, kishin mbetur pa asnjë mbështetje. Për popullin e vet ata kurrë nuk kishin pasur konsideratë, madje e kishin urryer atë, ose e kishin konsideruar të denjë vetëm sa për të ushtruar pushtetin, ose për të siguruar privilegjet mbi kurrizin e tij. Por, gjithsesi, Jugosllavia ishte dhembja e tyre e madhe, sepse ata, për shkak të identitetit të luhatshëm, ose për shkak të inferioritetit; për shkak të shërbimeve të mëdha që i kishin bërë asaj, të shpirtit vasal apo mercenarizmit, shtetin e sllavëve të jugut e kishin parë si të përjetshëm, si identifikim, si emblemë, si strehë, si azil, si mburojë, madje si ideal. Dëbimi i tyre nga Jugosllavia, nga Beogradi, nga gjezdisjet në Terazia dhe nga shëtitjet në Kalemekdan, sikundër edhe përplasja e dyerve përpara fytyrës nga miqtë e tyre të dikurshëm sllavë të të gjitha republikave, bashkë me kthimin e detyrueshëm në Prishtinën provinciale, të gjitha këto do t’i ngjajnë me një farsë tragjikomike, e cila u ndodhë të gjithë shërbëtorëve të padinjitetshëm të kësaj bote.

Në të vërtetë, vitet ’80 në Kosovë, veçmas në gjysmën e dytë e prapa, dukej sikur ishin të mbaruar për të nxjerrë në sipërfaqe çdo ditë një konfuzion të ri politik. Fillimisht lojalistët jugosllavë u përpoqën të bënin hapin e parë të rikuperimit, duke e goditur vetë me ashpërsinë më të madhe nacionalizmin shqiptar dhe duke u bërë bashkëpjesëmarrës në euforinë antishqiptare, e cila shpërtheu anë e kënd Jugosllavisë. U gjunjëzuan dhe u skllavëruan, pështyn veten në surrat dhe përfolën e shanë gjenezën e vet dhe origjinën me zë të lartë, vetëm e vetëm që të fitonin edhe një herë “të drejtën” për të qenë të nënshtruar. Si e kryen këtë mision të shëmtuar dhe si u bënë të urryer dhe të mjerë para popullit të vet, njëri pas tjetrit u flakën si të papërdorshëm. Në të vërtetë, fillimisht u futen në betejën e klaneve të brendshme, për disa vjet e zhvilluan luftë brenda llojit, sakrifikuan të gjithë ata që kishin sadopak integritet moral dhe, në vitet vijuese u zëvendësuan me gjeneratën e dytë të luajalistëve. Nëse gjenerata e parë kishte qenë e rekrutuar nga OZNA që në kohën e LNÇ-së, gjenerata e dytë, që nga i pari e deri në të fundit, ishte e rekrutuar nga UDB-ja. Duke qenë shumica syresh agjentë të sigurimit të shtetit, ata vazhduan fushatën e egër të diferencimit ndaj të gjitha shtresave shoqërore, por sulmin më të ashpër dhe më të paskrupullt e ndërmorën kundër inteligjencies krijuese dhe universitare. Disa nga këta burra edhe sot mund t’i takoni gjithandej rrugëve të Prishtinës, ndërsa nuk u vjen turp aspak për atë që kanë bërë në një kohë jo shumë të largët.

Gjatë këtyre viteve për herë të parë u shfaqën në skenën intelektuale të Kosovës trashëgimtarët e veteranëve të lojalitetit jugosllav. Çuditërisht ata fituan terren shumë shpejt, gjë që bënte me dije se nuk ishin të paktë njerëzit në Kosovë, të cilët binin dhe zgjoheshin me ëndrrën jugosllave. Tashmë ata ishin kthyer në iluzionistë, sepse do të mbeten ndër të fundit në krejt Jugosllavinë, që do të heqin dorë nga idetë e jugosllavizmës. Këta trashëgimtarë të veteranëve të lojalitetit jugosllav, ashtu sikundër mund të pritej, së pari fituan terren duke synuar të rikthenin në agjendë vlerat burimore të politikës jugosllave të periudhës së Titos, siç ishte barazia e kombeve dhe e kombësive, që iu leverdiste më së shumti kosovarëve të anatemuar. Krahas kësaj, duke pasur biografi dhe gjenealogji krejtësisht të pastër jugosllave, ata guxuan të shqiptonin kritika të vockla, gjithsesi jo ndaj parimeve, por ndaj praktikave politike të fushatave antishqiptare, gjithnjë duke ndjekur parimin tashmë të sprovuar mirë: njëqind herë godite nacionalizmin në radhët e kombit tënd, një herë në radhët e kombeve të tjera. Në hapësirën jugosllave paraqitja e këtyre trashëgimtarëve botëkuptimorë (ndonjëherë edhe biologjikë) të veteranëve të lojalitetit jugosllav nuk do të thoshte asgjë, sepse ata do të vazhdojnë edhe më tej avazin e vjetër të histerisë antishqiptare, ndërkohë që në Kosovë, bashkë me paraqitjen e tyre në skenën mediale, do të lind ideja e hershem dhe e pavërejtur e rikuperimit dhe të ringritjes së klaneve të të integruarve në Jugosllavi.

Sikundër e thamë, nga fundi i viteve ’80, Kosova u përfshi nga një konfuzion i paparë politik, sepse askush që merrej me politikë në këtë vend nuk ishte në gjendje t’i printe ndonjë procesi, por merrej vetëm me pasojat e asaj që ndodhte në Beograd ose gjetiu në Jugosllavi. Udhëheqjet politike të Kosovës ndërronin njëra-tjetrën, përdoreshin për një kohë të shkurtër dhe flakeshin tej. Ndodhin edhe shumë absurditete politike, në qendër të të cilave ende ishin luajalistët jugosllavë, të cilët manipulonin popullin dhe bënin prej tij një popull politikisht palaço. Në të vërtetë, në fund të viteve ’80 ata ia dalin ta mundin nacionalizmin burimor shqiptar dhe nga kosovarët arrijnë të bëjnë komb jugosllav, pa asnjë atribut tjetër. Në këtë rrethanë, ideja e shqiptarizmës kosovare, e tillë siç ishte, e degjeneruar në shumë pika, ishte ide krejtësisht autonome, kryekëput kosovare, sikundër që edhe lëvizjet politike ishin krejtësisht kosovare, autoktone, pra nuk njihnin asnjë dualizëm me ndikim nga Shqipëria. Mund të ketë zgjatur disa muaj, një vit, dy, por “kombi kosovar” ishte bërë politikisht vetëm në ato rrethana. Ishte komb jugosllav? Doemos, sepse nëpër manifestime publike dalin rreth një milion njerëz, të cilët mbajnë të lidhur njëri pas tjetrit flamurin shqiptar dhe flamurin jugosllav.

Kombi kosovar, i themeluar në atë rrethanë dhe funksional vetëm për një përdorim, ishte komb jugosllav, sepse, qoftë edhe për pak çaste, kishte hequr dorë nga integralizmi shqiptar dhe ishte futur me krejt qenien e tij në lojërat politike jugosllave. Ishte komb jugosllav, sepse me krejt qenien e tij mbështeste udhëheqjen e vet politike krejtësisht pro-jugosllave, autonomiste, e cila natën takohej me Milosheviqin, ndërsa ditën manifestonte kundër tij. Ishte komb jugosllav, sepse mbështeste minatorët e “Trepçës”, që bënin grevë urie qindra metra nën tokë, për të mbrojtur të drejta politike minimale në një bashkësi të kombeve që tashmë i refuzonte me përçmim. Kosovarët për pak kohë ishin bërë komb më vete dhe komb jugosllav, sepse i kishin ngatërruar në mënyrë të tmerrshme të gjitha gjërat, patriotizmin shqiptar, idealet kombëtare, amendamentet kushtetuese, ndryshimet kushtetuese të Serbisë, autonominë, madje edhe moralin politik. Edhe Shqipëria, e gjendur në zgrip të rënies së sistemit, ishte e kënaqur me atë që ndodhte në Kosovë, sepse për herë të parë një lëvizje politike në Prishtinë zhvillohej pa asnjë ndikim nga Tirana.

Për disa muaj “kombi kosovar” i kreu disa misione të shpejta: një herë vetë i miratoi ndryshimet kushtetuese të Serbisë, me të cilat Kosovës i merreshin atributet e autonomisë, pastaj vetë u ngrit kundër këtyre ndryshimeve; shpalli të ashtuquajturën deklaratë kushtetuese, kushtetutën e Kaçanikut, nxori njerëz në rrugë që të vriteshin radhë-radhë etj. Por çfarë ndodhi në të vërtetë? Dhe kush ishin këta njerëz, që e manipulonin aq keq një popull të tërë? Ishin autonomistët, ata që idetë politike i kishin formuar nën ndikimin e madh të titizmit dhe të Jugosllavisë ideale, si bashkësi e përsosur e popujve të barabartë. Përveç se të mbrujtur me ide politike titiste dhe jugosllave, ata, shumica syresh, për vite me radhë kishin qenë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, pra të UDB-së, e cila në Kosovë kishte krijuar një kontingjent të jashtëzakonshëm spiunësh të vegjël dhe të mëdhenj. Ishte kjo gjenerata e dytë e lojalistëve jugosllavë, të cilët ishin përpunuar nga shërbimet e sigurimit që në bankat shkollore, pastaj si studentë, pastaj si aktivistë të LKJ-së, pastaj si funksionarë të vegjël ose të mëdhenj, në administratën qendrore ose lokale, në organizata punuese gjithandej Kosovës. Ata i organizuan tubimet masive me fotografitë e Titos në krye të kolonave. Ata u bënë bartës të proceseve politike në LKJ dhe në të gjitha organet e pushtetit qendror dhe lokal, nëpër kuvende, nëpër këshilla ekzekutivë, nëpër të gjitha dikasteret. Ta zëmë, është i njohur fakti se të ashtuquajturën “Deklaratë kushtetuese”, sikundër edhe kushtetutën e Kaçanikut e shpallën delegatët e Kuvendit të Kosovës të zgjedhur një për një me miratimin e UDB-së. Pra, në Kosovë, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, jugosllavizma kishte triumfuar. Lëvizja politike nuk kishte synim avancimin e të drejtave politike të shqiptarëve, pra jo “republikë me të drejtë shkëputje” siç kishte qenë më 1968 dhe 1981, por mbrojtjen e autonomisë së reduktuar, atë që vetë klasa e re politike e Kosovës, nën trysninë e Beogradit, e kishte minimalizuar deri në zhvlerësim.

Që të konstituohej dhe të bëhej komb tamam, “kombi kosovar” kishte zgjedhur momentin më pak të përshtatshëm, sepse, sipas logjikës së gjërave, ai duhej të ishte komb jugosllav, komb komunist, ndërkohë që Jugosllavia dhe komunizmi kishin marrë tatëpjetën dhe rënien pa kthim. Më anë tjetër, ky komb politik mbahej pas idesë autonomiste dhe jo të idesë indipedentiste. Pra, ishte komb që nuk kërkonte mëvetësi dhe pastaj bashkim të barabartë në një “bashkësi kombesh”, siç ishte Jugosllavia, por ishte komb që kërkonte strehë ku të futej, kërkonte Jugosllavinë që ta pranonte, me kusht që ajo Jugosllavi edhe më tej të ishte titiste, të ishte komuniste në variantin e saj dhe autonomia e Kosovës, edhe pse tashmë e reduktuar, ta konsideronte si zgjidhje e përhershme dhe të qëndrueshme.

Në përgjithësi, kjo lëvizje politike në Kosovë do të jetë johistorike, një lëvizje që nuk do të prodhojë asgjë të qartë dhe asgjë të qëndrueshme, përveç se do të shumëzojë ndërvetshëm autonomistët dhe do t’i inkurajojë ata për rigjenerim dhe ringritje, sa herë që për këtë paraqitej ndonjë situatë e volitshme.

Sapo u shfaqën shenjat e parë të pluralizmit politik, lindi edhe ideja se Jugosllavia mund të shpëtohej me anë të kësaj forme të organizimit politik, duke pandehur se Jugosllavia komuniste në rënie e sipër mund të zëvendësohej me një Jugosllavi demokratike më të qëndrueshme. Trashëgimtarët biologjikë dhe botëkuptimorë të lojalistëve jugosllavë në Kosovë ishin ndër të parët që e përvetësuan këtë ide, duke themeluar një të ashtuquajtur “union demokratik jugosllav”, me mbështetës nga një “elitë” autonomiste, kryesisht të tillë që ishin zhvendosur nga Beogradi në Prishtinë, bashkë me idetë, botëkuptimet, mënyrën e jetës, madje edhe gjuhën e ngatërruar shqipe, të cilën kurrë nuk do ta mësojnë tamam. Por ideja e shpëtimit të Jugosllavisë nuk do të funksionojë, kështu që autonomistët bënë lëvizjen tjetër të radhës: futën dhe fuqizuan krahun e tyre në Lidhjen Demokratike të Kosovës, pastaj themeluan ca “partijëza” të tjera, organizuan lëvizje të ndryshme politike, tubime masive, “varrosje të dhunës”, ndezje qirinjsh, zhurmë me çelësa, me tenxhere, vetëm me një synim, që ta rikuperonin veten dhe situatën gravide ta kthenin në favor të “trashëgimtarëve të ligjshëm” politikë të Kosovës. Ata kishin bindje se Kosova ishte e tyre, e tillë siç kishte qenë gjithmonë, vetëm se tani duhej ndërruar mënyrën e qeverisjes së saj. Nëse dikur ishte qeverisur me “pushtetin populluer” dhe më vonë me institucione autonomiste, tani mbi Kosovën mund të ushtrohej pushteti moral i po asaj provenience politike dhe ideologjike, vetëm me një kostum tjetër, më në modë dhe i përshtatur për klimën e re politike.
Ata u trimëruan jashtëzakonisht shumë dhe pandehen se e kishin marrë situatën në dorë, kur vërejtën se në manifestime publike të “padëgjueshmërisë qytetare” mund të tërhiqnin me vete mijëra njerëz, madje tërë Kosovën. Ende vazhdonte atmosfera e homogjenizimit dhe, në një rrethanë të tillë, e gjithë Kosova dukej sikur merrte frymë me një komandë. Por me kalimin e ditëve, kur organizimi politik kërkonte sakrificë, guxim dhe përgjegjësi, veçmas kur padëgjueshmëria e tyre qytetare u gjend përball policisë së Miloshveiqit, ata u tretën, u zhdukën dhe, në këtë rrethanë, LDK-ja mbeste vetëm në të gjitha aktivitetet politike, me Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut prapa, i cili, pasi kalonte furtuna, vetëm se numëronte të vrarët dhe të plagosurit.

Që në ditët e para, që në themelim, autonomistët arritën të futnin eksponentët e tyre në LDK, në kryesi dhe në të gjitha instancat organizative, në forumin e gruas, të rinisë, nëpër degë dhe nëndegë, pra gjithandej. Ata ishin shumë fleksibilë dhe ne, edhe përkundër faktit se i identifikuam shumë qartë, nuk arritëm asnjëherë t’i nxirrnim jashtë. Pse nuk arritëm asnjëherë t’i largonim nga strukturat e LDK-së, besoj se kanë qenë dy arsye: e para, sepse LDK nuk ishte e profilizuar qartë në pikëpamje ideore, pra ishte një lëvizje gati gjithëpërfshirëse, një konglomerat njerëzish të të gjitha profileve, biografive dhe interesave politike; dhe, e dyta, sepse autonomistët, brenda dhe jashtë LDK-së, bënë koalicion të shpejtë dhe efikas me marksist-leninistët dhe ish-të burgosurit politikë dhe, së bashku, ndërmorën një fushatë kundër asaj pjese të LDK-së që konsiderohej autentike. Por gjithsesi profili më i çoroditur politik i asaj kohe do të jetë Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ), ku ishin mbledhur në një vend ish-të burgosur politikë dhe persekutorët e tyre (madje edhe ata që iu kishin hequr dajak), avokatë që dikur kishin qenë gjyqtarë dhe që iu kishin shqiptuar me qindra vjet burgim po atyre me të cilët rrinin pranë e pranë ne të njëjtin forum “për liri dhe të drejta”, pastaj spiunë të OZNA-s dhe të UDB-së, pastaj patriotë të dëshmuar, intelektualë në zë etj. Të tillë e donin organizimin politik autonomistët, sepse vetëm në një zallamahi të tillë ata shpëtonin pa u etiketuar.

Puna politike me autonomistët u paraqit tejet e vështirë në fillim të viteve ’90, por edhe më vonë. Ndër të tjera, ata morën edhe një mbështetje të fortë ndërkombëtare, sepse ky ishte kontingjenti që mbështeste mbetjen e Jugosllavisë dhe Kosovën në kuadër të saj, ndërkohë që po këtë ide e kultivonte edhe faktori ndërkombëtar. Më vonë, me shpërbërjen e Jugosllavisë, autonomistët ishin të gatshëm për të gjitha zgjidhjet parciale, për të gjitha modalitetet, përfshirë edhe mbetjen e Kosovës nën Serbi. Më anë tjetër, ata paraqiteshin të pasigurt në çdo veprim, sepse, përmes lidhjeve të vjetra, të cilat vazhduan t’i mbanin funksionale, dekonspironin çdo nismë politike. Në kuadër të LDK-së, ata kishin gjetur një mbështetje të fuqishme të vetë Ibrahim Rugovës, i cili, ndërsa vetë i konfirmonte lidhjet që krahu autonomist mbante me serbët dhe me Beogradin, në anën tjetër bëhej mbrojtës i tyre i pakursyer, sapo të tjerët ndërmerrnin ndonjë veprim demaskimi. Akoma më e vështirë paraqitej puna në terren, për shkak të këtij krahu brenda LDK-së, sepse jo rrallë bëheshin akuza të drejtpërdrejta, me emër dhe mbiemër dhe me dëshmi konkrete, për veprimtarinë e dyshimtë ose punën prej spiuni të ndonjërit prej anëtarëve të kryesisë.

Për shkak të zhvillimeve që morën hov në vitet ’90, profilizimi politik në Kosovë mbeti në gjysmë të rrugës dhe më nuk do të përfundojë kurrë. U bë një homogjenizim i jashtëzakonshëm i popullsisë dhe një diferencim politik dhe botëkuptimor brenda saj ishte pothuajse i pamundur. Megjithatë, nën trysninë politike dhe publike të krahut autonomist, atëbotë Kosova do të jetë e detyruar të futet në një sërë bashkëbisedimesh politike me Serbinë, që nuk synonin kurrfarë zgjidhjeje, vetëm konfirmonin mbetjen e Kosovës në kuadër të Serbisë dhe autonomistët i bënin faktor politik vendimmarrës. E njëjta gjë, afërsisht, mund të thuhet edhe për bisedimet e Rambujesë: autonomistët e përfaqësuar gjerësisht si të infiltruar në njërin krah ose në krahun tjetër politik, ndonëse nuk përfaqësonin askënd, në ato bisedime do të shërbenin si katalizatorë, respektivisht si amortizues të krahut nacionalist. Realisht, me sjelljen e tyre konformiste, autonomistët tashmë e kishin përgatitur terrenin e brendshëm dhe të jashtëm që Kosova të mos dilte e pavarur, por limitet e saj të shkonin te një autonomi e vitit 1974.

U bë apo nuk u bë lufta, ndodhën apo nuk ndodhën bombardimet e NATO-s, u bënë apo nuk u bënë bisedimet e Vjenës, u shpall apo nuk u shpall formalisht pavarësia, ideja e një Kosove autonome, tani e modifikuar por që gjithnjë do ta ketë limit të paarritshëm pavarësinë e plotë dhe funksionale, çuditërisht do t’i mbijetojë të gjitha sfidat, sepse është një ide kompatibël me interesat e një pjese të rëndësishme të faktorit ndërkombëtar në Ballkan, dhe, më anë tjetër, nuk cenon baraspeshën politike, të vendosur që më shumë se një shekull dhe këndej, ku Serbia e dominon këtë hapësirë politikisht dhe ekonomikisht. Autonomistët, në rrethanat e reja, do t’i japin lëndë të mjaftueshme Ahtisaarit që ai të përcaktojë një status të baraspeshuar të Kosovës dhe të kërkojë decidivisht që në kushtetutën e saj të përfshihet pamundësia e bashkimit me dikë tjetër, as bashkimit të dikujt tjetër me të. Por kjo ka pak rëndësi, karshi faktit se Kosova u bë një shtet i idealeve politike dhe historike të askujt. Autonomistët tradicionalë dhe mbështetësit e tyre, që të mbeteshin të faktorizuar edhe pas mbylljes politike të çështjes së Kosovës, duke u ekspozuar si tolerantë dhe të moderuar karshi faktorit ndërkombëtar, pikërisht me ndihmën e këtij faktori me pushtet të vazhdueshëm politik dhe të parasë, arritën të futnin në agjendën e diskutimeve publike dy çështje themelore: e para, çështjen e kombit, respektivisht të identitetit kosovar; dhe, e dyta, çështjen e integrimeve, respektivisht rrugën e integrimit të Kosovës në Europë, përmes Beogradit apo përmes Tiranës.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top