Sulmi i fundit nga grupi radikal islamik Hamas është vetëm edhe një kapitull tjetër në një konflikt dhjetravjeçar midis izraelitëve dhe palestinezëve. Cila është origjina e konfliktit të përgjakshëm dhe pse zgjidhjet e paqes janë kaq të vështira për t’u zbatuar? Pyetje dhe përgjigje mbi temën.
Maximilian König, Jan-Henrik Petermann, Sven Christian Schulz dheThoralf Cleven
Tel Aviv. Historia e konfliktit në Lindjen e Mesme është historia e një tre çerek shekulli plot mosbesim, dhunë me përshkallëzim periodik dhe shpresa të shuara – si nga ana e Izraelit dhe aleatëve të tij ndërkombëtarë, ashtu edhe nga ana e palestinezëve dhe pjesëve të mëdha të botës arabe. Gjashtë luftëra, vrasje të panumërta dhe sulme të shpeshta me raketa, si dhe mijëra e mijëra vdekje. Konfliktet mes izraelitëve dhe palestinezëve e formësojnë të gjithë rajonin, shkaktojnë vuajtje të mëdha në intervale të rregullta dhe luajnë rol në fusha të mëdha të politikës ndërkombëtare.
Ku janë rrënjët e konfliktit në Lindjen e Mesme?
Vështirë se mund të gjejmë ndonjë burim tjetër të përhershëm të krizës në marrëdhëniet ndërkombëtare ku pretendimet territoriale dhe parandalimi ushtarak janë kaq të përziera me çështje fetare dhe politike, dhe ndonjëherë edhe me çështje ekonomike dhe sociale, si në Lindjen e Mesme. Konflikti në formën e tij aktuale lindi në thelb të kërkesës palestineze për shtetin e tyre në territorin izraelit. Por origjina e konfliktit shkon shumë më tej: zona midis Jordanit dhe Mesdheut – e njohur historikisht si Palestina – ka një kuptim të veçantë për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët. Të tre fetë monoteiste botërore kanë vende të rëndësishme të shenjta në atë që tani është Izraeli. Vendbanimet hebraike u ngritën atje qysh 1000 vjet para erës sonë. Që nga shekulli i 16-të, emigrantët hebrenj janë vendosur vazhdimisht në Palestinë, e cila u bë një provincë e Perandorisë Osmane në 1516. Por edhe popujt arabë kanë jetuar gjithmonë në rajon.
Kur, ku dhe pse u themelua Shteti i Izraelit?
Në fund të shekullit të 19-të, shumë hebrenj që jetonin në skajin lindor të Mesdheut dëshironin të krijonin shtetin e tyre. Lëvizja e Sionizmit fitoi vazhdimisht më shumë ndjekës. Megjithatë, për shkak se të krishterët, dhe veçanërisht myslimanët, jetonin gjithashtu në rajon, pati tensione të përsëritura midis grupeve të ndryshme të popullsisë. Gjatë Luftës së Parë Botërore, trupat britanike pushtuan zonën dhe, si një fuqi e mandatuar, premtuan një “shtëpi kombëtare për popullin hebre në Palestinë”. Si rezultat i Holokaustit, shumë hebrenj më vonë u larguan në Palestinë dhe përsëritën kërkesën për shtetin e tyre.
Në vitin 1947, Kombet e Bashkuara (OKB) vendosën të ndajnë zonën dhe të krijojnë një shtet për hebrenjtë dhe një për palestinezët. Megjithatë, popullsia myslimane dhe shtetet fqinje arabe e hodhën poshtë vendimin e OKB-së. Disa orë pasi kryeministri i parë i Izraelit David Ben Gurion lexoi Deklaratën e Pavarësisë më 14 maj 1948, Egjipti, Jordania, Libani, Iraku dhe Siria i shpallën luftë izraelitëve. Izraeli fitoi luftën dhe pushtoi pjesën perëndimore të Jeruzalemit. Rreth 700 000 palestinezë u detyruan të largohen.
Çfarë janë Rripi i Gazës dhe Bregu Perëndimor – dhe cilat zhvillime i shtynë ato të bëhen territore palestineze?
Pas të ashtuquajturës Luftë e Pavarësisë, Jordania mori kontrollin e Jeruzalemit lindor dhe Bregun Perëndimor në vitin 1949, një zonë midis zonave thelbësore të Izraelit më në perëndim dhe Jordanit si lum kufitar lindor me Jordaninë. Egjipti kontrollonte Rripin e Gazës, një pjesë e ngushtë toke në Mesdhe midis zemrës izraelite dhe kufirit egjiptian, pak më shumë se 40 kilometra e gjatë dhe gjashtë deri në dymbëdhjetë kilometra e gjerë. Pasuan gjithsej pesë luftëra të tjera: Kriza e Suezit në vitin 1956, Lufta Gjashtë Ditore në vitin 1967, Lufta e Yom Kipur në vitin 1973 dhe Luftërat e Libanit në vitet 1982 dhe 2006. Në Luftën Gjashtë Ditore, Izraeli pushtoi Rripin e Gazës, Gadishullin e Sinait, Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Lartësitë veriore të Golanit pranë kufijve me Sirinë dhe Libanin.
Izraeli është ende zxyrtrisht në luftë me dy fqinjët e tij veriorë. Ka pasur tensione dhe beteja të përsëritura e shumë të dhunshme, veçanërisht me Libanin; Izraeli dhe shumë shtete të tjera e shohin Hezbollahun, grupin radikal islamik, i cili është i ankoruar atje dhe i lidhur me Iranin, si një organizatë terroriste. Egjipti ishte vendi i parë arab që nënshkroi një traktat paqeje me Izraelin në vitin 1979, ndürsa Jordania ndërmori të njëjtin hap në vitin 1994.
Çfarë roli luajnë organizatat palestineze dhe ndërtimet e vendbanimeve hebreje?
Në emër të palestinezëve, Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) bëri thirrje për një shtet të pavarur në Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe pjesën lindore të Jeruzalemit të dominuar nga arabët. Si pjesë e Marrëveshjes së Paqes së Oslos të nënshkruar midis Izraelit dhe PLO pas vitit 1993, palestinezët gjithashtu arritën autonomi të pjesshme në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor. Megjithatë, zgjerimi i dëshiruar i zonave të tyre autonome nuk u materializua dhe negociatat e paqes dështuan në vitin 2014.
Një pikë kyçe e mosmarrëveshjes mes të dyja palëve është gjithmonë ndërtimi i vendbanimeve hebreje. Pasi pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, Izraeli filloi sistematikisht të vendoste në këto zona popullsinë e vet. Kjo bëri që shumë palestinezë të humbnin shtëpitë e tyre dhe ta perceptonin Izraelin si një fuqi pushtuese të paligjshme. Përveç rreth tre milionë palestinezëve, rreth gjysmë milioni izraelitë jetojnë tani në rreth 200 vendbanime në Bregun Perëndimor, dhe së bashku me Jerusalemin Lindor numri i kolonëve mbërrinë në 700 000.
Sipas ligjit ndërkombëtar, shtetet nuk lejohen të rivendosin popullsinë e tyre civile në territorin e pushtuar. Në fund të vitit 2016, Këshilli i Sigurimit i OKB-së i bëri thirrje Izraelit që të ndalojë plotësisht ndërtimin e vendbanimeve në territoret e pushtuara palestineze, përfshirë Jeruzalemin Lindor. Izraeli, nga ana tjetër, është i mendimit se Bregu Perëndimor, të cilin e pushtoi në vitin 1967, më parë nuk ishte shtet, por kontrollohej vetëm nga Jordania. Vetë kolonët nuk e shohin veten si trupa të huaj këtu. Sipas kuptimit të tyre, ata jetojnë në tokën e të parëve të tyre.
Kush është Hamasi dhe cili është roli i tij specifik në Rripin e Gazës?
Fillimisht kishte disa vendbanime izraelite në Rripin e Gazës, por këto u evakuuan plotësisht gjatë tërheqjes në vitin 2005. Që nga viti 2007, organizata islamike palestineze Hamas ka sunduar de fakto rripin e ngushtë të tokës në Mesdhe, me të cilin Izraeli është përfshirë në mënyrë të përsëritur në konflikt të armatosur – siç ka bërë tash edhe që nga 7 tetori. Në vitin 2014, më shumë se 2200 palestinezë vdiqën gjatë luftës së Gazës, ndërsa më shumë se 70 njerëz u vranë në anën izraelite. Konflikti u bë edhe më i ndërlikuar sepse organizata rivale palestineze Fatah, e cila ishte konsideruar prej kohësh e moderuar, u përplas me Hamasin në fusha të ndryshme politike dhe në disa raste, edhe në qëndrimin e saj ndaj Izraelit.
Hamasi është klasifikuar si organizatë terroriste nga Izraeli, BE dhe SHBA. Militantët palestinezë lëshojnë vazhdimisht raketa nga Rripi i Gazës në zonën kufitare izraelite dhe dërgojnë balona ndezëse ose shpërthyese në pjesën tjetër. Ndonjëherë eksplozivët fluturojnë larg mu në zemër të Izraelit, duke shkaktuar një alarm ajror dhe duke detyruar mbrojtjen ajrore izraelite të vihet në veprim. Izraeli shpesh përgjigjet me sulme ndaj objektivave të Hamasit. Në vitin 2007, qeveria izraelite forcoi bllokadën e Rripit të Gazës, e cila tani për tani mbështetet vetëm nga Egjipti. Rreth dy milionë banorë jetojnë në kushte shumë të këqija në brezin e ngushtë bregdetar të mesdheut. Shumë aktivistë të të drejtave të njeriut dhe organizata të ndihmës humnaitare, jo vetëm që dënuan sulmet e Hamasit ndaj Izraelit, por gjithashtu kritikuan edhe udhëheqjen izraelite për bllokadën e vazhdueshme të Rripit të Gazës.
Çfarë synimesh ndjek Hamasi?
Në manifestin e Hamasit të botuar në vitin 1988, terroristët deklaruan se qëllimi i tyre qendror ishte shkatërrimi i plotë i shtetit të Izraelit përmes një lufte të shenjtë (xhihad). Ata i mohojnë Izraelit të drejtën për të ekzistuar dhe në vend të kësaj duan të krijojnë një shtet islamik.
Sipas studiuesit të terrorizmit Peter R. Neumann, profesor i studimeve të sigurisë në King’s College në Londër, është vërejtur prej disa vitesh që Hamasi është bërë një grup i fokusuar vetëm tek vetja. Hamasi nuk e ndjek më qëllimin për të mposhtur Izraelin dhe për të krijuar një shtet palestinez. “Hamasi është i shqetësuar kryesisht për ruajtjen e pushtetit të tij. Pushtetin mbi palestinezët”, thotë Neumann. Hamasi në mënyrë të përsëritur nis spiralen e dhunës në mënyrë që të paraqitet më pas si mbrojtësi i palestinezëve.
Partia Hamas fitoi zgjedhjet e vitit 2006 në territoret palestineze, por Perëndimi nuk i njohu rezultatet e atyre zgjedhjeve. Grupi radikal dëboi më pas përkrahësit e presidentit palestinez Mahmud Abbas dhe mori kontrollin e Rripit të Gazës në vitin 2007. Pas përfundimit të periudhës legjislative në vitin 2010, nuk pati më zgjedhje. Opozita dhe liria e shprehjes nuk tolerohen nga Hamasi në Rripin e Gazës.
Çfarë roli luan Hezbollahu?
Në Liban, Hezbollahu vepron si shtet brenda shtetit. Milicia shiite mbështet sundimtarin sirian Bashar al-Assad në luftën civile të vazhdueshme në vendin fqinj. Hezbollahu është përgjegjës për sulme të shumta kundër ushtrisë izraelite. Në korrik 2006, Izraeli dhe milicia libaneze e Hezbollahut luftuan një luftë njëmujore.
Në vitin 1982, regjimi i mullahëve iranian ndërhyri në mënyrë aktive në konfliktin midis Libanit dhe Izraelit me roje revolucionare në mënyrë që të eksportonte revolucionin islamik në Liban bazuar në modelin iranian. Që atëherë, Hezbollahu është konsideruar si krahu ushtarak i Teheranit në Lindjen e Mesme për të siguruar fuqi dhe ndikim, të cilin Irani e sheh si të penguar nga Izraeli.
Sipas ekspertëve, Hezbollahu do të përfshihet në konfliktin aktual, nëse ky veprim do të paraqiste interes të rëndësishëm për Iranin. Një ofensivë tokësore nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës mund ta përshkallëzojë situatën edhe më tej. Kjo do të bënte që shumë fqinjë arabë, të cilët kohët e fundit ishin në rrugën e një marrëveshje bashkëjetësore me shtetin hebre, të përmbaheshin nga kjo për shkak të solidaritetit me palestinezët. Mosmarrëveshja i shërben interesave të Teheranit.
Pse nismat e paqes e kanë kaq të vështirë?
Konflikti izraelito-palestinez ka përcaktuar situatën politike në Lindjen e Mesme për më shumë se 75 vjet. Ka pasur disa përpjekje për të ulur tensionet përmes negociatave dhe marrëveshjeve. Por, si në Izrael ashtu edhe në mesin e popullatës palestineze gjithmonë kishte kundërshtime të forta ndaj marrëveshjeve. Nga ana palestineze, sulmet nuk u ndalën kurrë plotësisht, madje edhe në kohë më të qeta. Gjatë kryengritjeve palestineze midis viteve 1987 dhe 1993 dhe 2000 dhe 2005, të njohura si Intifada, ushtria izraelite u përgjigj me sulme ushtarake.
Një forcë e veçantë ndikuese e konfliktit është edhe statusi i diskutueshëm i Jeruzalemit. Të dyja palët e pretendojnë qytetin e shenjtë si kryeqytet. Një nga çështjet më të ndërlikuara është çështja e refugjatëve. Sipas shifrave të OKB-së, numri i refugjatëve palestinezë të regjistruar, ku përfshihen edhe pasardhësit e tyre, është rreth gjashtë milionë. Shumë prej tyre jetojnë në kampe në Liban dhe Siri, por ka edhe kampe të brendshme refugjatësh në zonat e kontrolluara nga palestinezët. Përderisa udhëheqja palestineze kërkon të drejtën për t’u kthyer në atdheun e tyre të vjetër, Izraeli e refuzon kategorikisht këtë mundësi.
Cilat janë karakteristikat thelbësore të Izraelit sot?
Izraeli zyrtarisht e përshkruan veten si një shtet hebre dhe demokratik. Një ndarje e pushteteve në kuptimin perëndimor synon – megjithëse nuk ka një kushtetutë formale dhe të shkruar – për të siguruar që qeveria, parlamenti dhe gjykatat të kontrollojnë në mënyrë adekuate njëra-tjetrën. Mosmarrëveshja mbi reformën gjyqësore të ndjekur nga kryeministri Benjamin Netanyahu, e cila synon të kufizojë të drejtën e vetos në Gjykatën e Lartë, e ka zhytur vendin kohët e fundit në një krizë të thellë të brendshme politike.
Izraeli ka rreth 9.7 milionë banorë, duke përfshirë hebrenj, të krishterë dhe grupe të tjera, duke përfshirë edhe shumë banorë me origjinë arabe. Izraeli shtrihet në më pak se 21,000 kilometra katrorë. Fusha të caktuara të ekonomisë izraelite janë të dominuara nga bujqësia, industria e tekstilit, si dhe një industri e lulëzuar e teknologjisë së lartë dhe e turizmit, veçanërisht në rajonin metropolitan të Tel Avivit. Në përgjithësi, Izraeli mbështetet shumë në tregtinë e jashtme.
Sa e madhe, sa ka ndikim dhe sa e fuqishme është ushtria e Izraelit?
Izraeli nuk deklaron zyrtarisht se sa personel ka në total ushtria e tij, e njohur si Forca e Mbrojtjes. Vlerësime të ndryshme ekspertësh në vitet e fundit e kanë vendosur numrin në rreth 170 000 ushtarë. Gjithashtu duhet të ketë shumë më shumë rezervistë. Ushtria izraelite konsiderohet të jetë e ankoruar fort në shoqëri – edhe për shkak të shërbimit ushtarak. Në disa vende, pjesëtarë të forcave të armatosura iu bashkuan protestave kundër reformës në drejtësi, duke shkaktuar shqetësime te disa vëzhgues për destabilizimin e mundshëm të brendshëm të vendit. Izraeli nuk bën pjesë zyrtarisht në grupin e fuqive bërthamore, por ky status i është dhënë prej kohësh dhe ai mban qendrat e veta për kërkime bërthamore.