BOTIM EKSKLUZIV I REDAKSISË SË INFORMATORIT “LIDHJA E PRIZRENIT”
DËSHMI E SEFEDIN KRASNIQIT, ANËTAR I KRYESISË SË BALLIT NË MËRGIM
Në vjetshën e vitit 1996, Ahmet Krasniqi ka qënduar në Zvicër dhjetë ditë. Kemi biseduar për shumë tema që lidheshin me çlirimin e Kosovës.
Një natë e pyeta nëse kishte menduar për Betimin e ushtarit. Po, edhe betimin do ta shkruajmë. Më propozoi aty për aty që t’i shkruaj 4 fjalë, që sipas meje do të duhej të figuronin në tekst. Në tavolinë e kishim gazeten « Bota sot ». Mora stilolapsin dhe i radhita e shkrova me shkronja të mëdha fjalët:
ATDHEU, KUSHTETUTA, ZOTI, FLAMURI.
Në këtë moment nuk kam menduar në ndonjë radhitje sipas rëndësisë së ndonjërës prej këtyre fjalëve.
Pas pak, koloneli më tha, tash me këto fjalë, shkruaj dy fjali të shkurtëra ose një më të gjatë (të përbërë). Gjatë përpilimit të tekstit, e di që e shkrova: do të luftojë për çlirimin e trojeve shqiptare… Jo, më tha koloneli, nuk shkon përfshirja e trojeve shqiptare kur thirresh në Kushtetutën e Kaçaniut, prandaj, “çlirimin e trojeve” e zëvëndësova me çlirimin e Kosovës.
Në rreshtin e fundit pata shkruar: do t’i respektoj urdhërat dhe detyrat e komandantëve dhe eprorëve. Edhe këtu, koloneli ndërhyri dhe kërkoi korrigjim. Duhet ta shkruash: do t’i respektoj urdhërat dhe detyrat e komandave eprore, sepse komandantët dhe eprorët mund të vriten, por komandat eprore vazhdojnë të funksionojnë!
Pasi mbarova, e mori gazetën, e shqeu atë pjesë ku e shkrova tekstin dhe e futi në xhep të këmishës. Anën zyrtare ia jap kur të vjen koha, më tha, por ky do të jetë Betimi i ushtarit.
Ky është spjegimi dhe e vërteta e pamohueshme lidhur me Betimin dhe spjegimi im i parë me shkrim. Me gojë deri tash ua kam spjeguar dy vetave: njerit para shumë kohe, sepse i besoj shumë, e tjetrit para disa ditëve.
Nga Shqipëria koloneli më ka njoftuar personalisht për dy gjëra. Për Betimin dhe gradimin e kolonel Tahir Zemajt. Këto dy ngjarje më gëzuan pa masë, por ky gëzim u shnderrua në hidhërim, të nesermën kur në orën 06 :45 e mora lajmin për vrasjen e tij në Tiranë.
Sefedin Krasniqi