HASHIM THAÇI ME IDETË E TIJ TË ÇMENDURA PËR KORRIGJIM TË KUFIJVE PO E DËMTON KOSOVËN

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Diplomacia e dobët dhe pa vizion e Hashim Thaçit dhe Behgjet Pacollit ka përforcuar dukshëm pozitën diplomatike të Serbisë armike për çështjen e Kosovës, ndërkaq që e ka dobësuar shtetin tonë karshi Serbisë në arenën ndërkombëtare.

Madje, Serbia ka filluar të tallet me politikanët e nënshtruar asaj, si Hashim Thaçi dhe klika e tij, i cili kinse po flet për shkëmbim të territoreve, e në anën tjetër Serbia po lobon intensivisht dhe publikisht, që shtete të ndryshme të tërheqin njohjet dhe pavarësisht faktit se Ministria e Jashtme nuk po e pranon, disa njohje tashmë janë tërhequr.

Dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme janë duke e shkatërruar imazhin Republikës së Kosovës në botë, siç po e dëmtojnë deri në nënshtrim të pashembullt deklaratat prej kuislingu të Hashim Thaçit për pazare dhe ndarje të Kosovës, për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale.

Si pasojë e diplomacisë së dobët, pozita ndërkombëtare e Kosovës në botë është në pozitën më të dobët që ka qenë ndonjëherë dhe kësaj i ka kontribuar më së shumti Hashim Thaçi me idetë e tij të çmendura për korrigjim të kufijve që s’janë gjë tjetër, pos ndarje e territorit të Kosovës për Serbinë armike.

Deri te kjo gjendje ka ardhur shkaku i dy bartësve të politikës së jashtme, Thaçit e Pacollit pa vizion e pa strategji si dhe me prioritete të gabuara dhe afatshkurtra në politikën e jashtme!

Në vend se prioritetet të jenë afatgjata, ato ndryshohen për çdo ditë, për teke dhe qejfe personale të shefit të shtetit dhe shefit të diplomacisë, duke krijuar kështu konfuzion dhe situata të papëlqyera para partnerëve ndërkombëtarë, ku stopimi i procesit të njohjeve është vetëm një nga pasojat e kësaj politike të jashtme të çakorduar, të papërgatitur dhe tepër të dëmshme për shtetin e Kosovës.

Defansiva e Kosovës në politikën e jashtme i ka hapur rrugën Serbisë për lobim kundër shtetit të Kosovës, gjë që më nuk po flitet për njohje, por për tërheqjen e tyre.

Për këtë situatë inferiore të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duhet të thirret sa më parë një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, për të kërkuar llogari ndaj shefit të shtetit dhe shefit të diplomacisë së jashtme, për një katandisje të tillë të shtetit, e pse jo të kërkohet edhe shkarkimi i menjëhershëm i tyre.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top