Hante dhe qante

Shkruan: Edison YPI

Mund të qaje, lotoje, shikoje, lëvizje, duke përdorur sytë, veshët, duart, këmbët. Por ngaqë s’kishe të haje, nuk mund të përdorje dhëmbët. Duke mos pasur lëndë të parë, dhëmbët u shndrruan dalngadalë në një alet batall, në një gjymtyrë atavike që përdorej pak. Thirrja instinktive për t’i mbajtur gjallë i bëri shqiptarët t’i përdorin dhëmbët në vend të çekiçit. Nisën të thyejnë me dhëmbë sende të forta, arra, bajame, kafshonin llastiqe, shkulnin tapa, bluanin qelqe. T’i thyeje tjetrit dhëmbë e dhëmballë për shkaqe minimale, u bë sport i preferuar i rrugaçërisë proletare. Kush nuk kishe fuqi ose mundësi t’ja thyente vetë tjetrit dhëmbët, bënte diçka më të kollajtë, e spiunonte që dhëmbët t’ja thyente në birucë polici. Aq qef e kishin thyerjen e dhëmbëve dhe spiunimim, sa e futën në fjalorin e propagandës. Thoshin se me armikun e rrezikshëm të jashtëm dhe të brendshëm ndeshemi dhëmbpërdhëmb, i thyejmë dhëmbët.

Dhëmbët ishin problem më i madh atje ku për të ngrënë kishte më pak, në burg. Në burgun politik flitej gjërësisht për dhëmbët. Për dhëmbin e qenit, dhëmbin e qumështit, dhëmbin e shkulur që duhej hedhur mbi çati. Më tepër se për të gjithë dhëmbët, flitej për dhëmbin e dhëmbëve, superdhëmbin, kryedhëmbin, dhëmbin e florinjtë të kurvit. Cili dentist ja ka mbushur ? Ku ? Në Belgjikë apo në Francë ? Sa kushtoi ? Kush pagoi ? A e kishte dashnor dentistin ? E vrau pas shpine, apo e burgosi ? Nuk e vrau. E burgosi. Atë dentist e kemi këtu, në gjirin tonë, e kemi mes nesh, pa dhëmbë natyrisht. Pak dhëmbë shumë kafshime në burg. Kryesisht kafshime veshësh, por edhe coptim hunde, çarje fyti, kafshim qafe dhe ijesh. Mos u merr me të. Ta jep llapën e veshit në dorë. Puthja është kafshim. Kafshimi është puthje. S’ka më të ëmbël, më të magjishëm, më turbullues, se kafshimi i buzëve të një goje pa dhëmbë.

Njeriu po nuk kafshoi dhe po nuk puthi, vdes. Kafshimet e qenit, ujkut, ariut, gjarpërit, janë puthje shtazarake. Pjetri i Madh pa një natë në ëndërr sikur u bë dentist. Një tu ngritur në mëngjez, mblodhi urgjent oborrtarët. Mori një darë kovaçi ua shkuli ofiqarëve dhëmbë e dhëmballë. Koleksionin e dhëmbëve dhe dhëmballëve që shkuli Pjetri mund t’i shohësh sot e kësaj dite në Bunkart-in e Petërburgut. Thuaj shyqyr që kurvit s’i ka vajtur në mendje tek një hukubet i tillë. E ka një arsye. Kurvi është specializuar në Francë jo për shkulje dhëmbësh por për thithje trush. Shqipëria e mori pavarësinë kur Turqisë i ranë dhëmbët. Klasa puntore ja merr pushtetin borgjezisë kur kapitalizmit i bien dhëmbët. Nuk ka rëndësi sa tru ke në kokë ? E rëndësishme është sa dhëmbë ke në gojë ? Thonë se popujt që dalin nga diktaturat ngaqë kanë dhëmbë të ngathët pë vite të tëra nuk hanë por pinë. Kumbullat mpijnë dhëmbët. Pse nuk përdoren kumbullat për anestezi ?

Në bisedat me dhëmbë flitej për një të burgosur të çuditshëm. Ishte i heshtur, nuk llafosej me kërrkend, rrinte veç, punonte veç, hante veç. Ca të rënë nga mosha, ca të shkulur nga kalbja, ca të dërrmuar nga grushtat në hetuesi, nuk i kishte mbetur asnjë dhëmb. Për çudi, ky pa asnjë dhëmb në gojë, hante më tepër se gjithë të tjerët. Ka pasur në këtë burg gjithfarsoj. Pa këmbë por që ecnin, pa duar por lëviznin, pa veshë por dëgjonin, pa sy por lotonin. Por s’ka pasur asnjë si ky që pa asnjë dhëmbë, kafshon, copton, dërrmon, ha.

Në përpjekje për ta zbardhur sadopak misterin e ngrënies pa dhëmbë, bëheshin hamendje nga më të ndryshmet. Supozohej se punën e dhëmbëve këtij njeriu ja bënin kockat e forta të nofullave. Të tjerë thoshin se ushqimin dhe kockat i bluante paraprakisht, u shtonte pak ujë, sajonte një palte viskoze, dhe e gëlltiste. Hante gjithçka. Kocka, dhjamra, deje. Kafshonte dhe rënkonte. Hante dhe qante. Ngrënia e çuditëshme mbeti mister për vite të tëra. Enigma u zbulua vetëm kur vdiq. Mes sendeve që mbante nën dyshek j’u gjetën dhëmbë metalikë, dhëmbë llamarine që i kishte gdhendur vetë me gërshërë dhe limë, dhëmbë që i hiqte kur fliste, i vinte kur kafshonte.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top