HANI PLUMBIN

Shkruan : Edison  YPI

“Nuk e ha atë kokërr ulliri”, është një thënie popullore, deri diku e lezetshme, që po ta mendosh pakëz thellë, të bën të çuditesh pse populli që dinakërisë i largohet dhe “nuk e ha” për prototip të hiles, nuk ka zgjedhur, ta zëmë, hisllën djegse apo caracin zevzek, por ullirin e pafajshëm të paqes. Megjithatë, kjo thënie një ide e përcjell.

Në vazhdim të metaforave popullore gastronomike, është jo vetëm e pakuptueshme dhe e paarsyeshme, por edhe llaftarisëse, se si dhe pse të dashuruarit tanë, jo rrallë, nuk i thonë njëri-tjetrit ta puthsha buzën ose ballin, apo ta preksha ndonjë nga skutat e lakmuara të kurmit, por hiç më pak se “Ta hëngsha gurrmazin”, që është një tmerr e shkuar tmerrit! Shqipja ka dhe plot llaftarira të tjera me të ngrëna. Për shembull, për ndonjë të avancuar në moshë apo në prag vdekjeje, nuk thonë diçka ngushëlluese apo inkurajuese, por “E hëngri çairin e vet”. A thua se tjetri e ka ngrënë jetën e vet, si hahet një byrek.

Tjetra shprehje drithëronjëse që përdoret për dikënd që e ka zënë një taksirat e nuk ia del dot mbanë, është: “Po ha dhè me dhëmbë”. Edhe kjo, ç’është e vërteta, kuptimin e stërmundimit përmes sakrificave të shumta, pa pyetur cilat janë e si janë, deri diku e ka. Por ç’hyjnë në këtë mes dhëmbët që hanë dheun, duket pa asnjë lidhje. Se sado i madh të jetë taksirati i viktimës sakrifikuese, sa kohë dheu është dhè dhe jo zhavorr, duke qenë i thërrmuar, është vetvetiu i ngrënshëm e i gëlltitshëm, dhe dhëmbët nuk lypsen aspak. Tejet e çuditshme thënie me ngrënie, është edhe ajo që thonë për futbollin, të cilin po nuk e luajte si duhet, “ha gola”. Krejt e pajustifikuar, kjo ngrënie. Golat nuk “hahen”. Golat “pësohen”.

Shtëpia, sidomos kur është e madhe dhe bosh, mund të jetë sa të duash e ftohtë dhe kërcënuese, madje mund të jetë edhe aq e largët, saqë mund të ndodhë që në ndonjë mënyrë, ti ta hash atë. Por s’ka mënyrë si të të hajë shtëpia ty, siç pretendon në mënyrë të papërfytyrueshme, thënia: “Shtëpia të ha!”, çka duket më tepër se marrëzi. Pse lima që, për më tepër, nuk është njeri por send, metalin nuk e gërryen, konsumon, gdhend, por “e ha”, është tjetër dilemë gjuhësore shqiptareske që, po ta mendosh, çmendesh. Po të jesh fëmijë dhe të bësh ndonjë gabim apo faj, mami e nervozuar nuk të këshillon, por të kërcënon, se po e përsërite gabimin, “do hash dru!”. Pohim që të lë pa mendje, tek kujton se fëmija që duhet të pijë qumësht dhe të përtypë çokollata, kërcënohet se mund të hajë dru.

Shqipes me të ngrëna, nuk i ka shpëtuar as Poezia. Posaçërisht i madhi Noli, i cili tek lartëson skraparllinjtë, në një kombinacion sipëran me dru dhe tru, thotë: “Hall i madh me skraparllinë, ka rrezik të hash dhe dru, dy ministra le të rrinë, se na duhen dhe pa tru”. Ndërkohë që dihet se, po të bësh gjëra të zararshme, nuk vuan asnjë pasojë, nuk të gjen asgjë e keqe, mbetet mister, pse referuar pikërisht keqbërjes, gjenia popullore thotë “e ha”, pa e përcaktuar aspak se çfarë ha, mëdyshje kjo që ta sjell mendjen vërdallë. S’kanë të sosur të ngrënat e shqipove. Për bërjen qef, për ta shkuar jetën pa punuar, populli i të ngrënave, se nga kanë gjetur një Muço, për të cilin nuk thonë se lexon libra, bën dashuri, apo i bie fyellit, por edhe këtë e lidh me grykësinë: “Ha o Muço, pi o Muço”. E ngrëna, madje ajo më e frikshmja, të zë rrugën edhe në rastin e atij që për të frikësuar dikënd, pa u kujdesur për ndonjë kazan për zierje, a hell për pjekje, i thotë: “Do të ha të gjallë!”.

Për ta nënvlerësuar dikënd, edhe këtë e lidhin me ngrënien dhe kacafytjen reciproke, kur thonë: “Nuk hahet dot me filanin!”, që tingëllon si duel kanibalësh. Për ndonjërin që i “shkau këmba” dhe gjeti belanë, i bien shkurt, thonë “e hëngri” pa e cilësuar çfarë hëngri. Tjetri që ka një makinë të vjetër, para se t’i ngjitet një maloreje, thotë me vete: “Nuk e di, a e ha apo s’e ha këtë malore, makina ime”. Atij që duan t’ia ndalin hovin e ndonjë nisme, i thonë: “Hëngsh kokën!”. Për ndonjë tjetër, që s’ia ka dalë mbanë për ndonjë punë dhe ka përfunduar keq, thonë se puna “i hëngri kokën!”

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top