Gratë e mia

Shkruan: Edison YPI

Lana jo. Jo Lana. Me gjithato ujra, ura, tuba, gjiriza, lavirja Lana s’bën për grua.
As shkodrania Buna. E bukura Buna s’ka këllira. Por Buna në derdhje bashkohet me Kirin.

Vjosa po. E hirshme, e rrjedhëshme, rretheqark me male që i bëjnë lajka, nga koka tek këmbët, nga burimi në det, dridhet e përdridhet e tëra. Po, por Vjosa ka kleçka. Se Vjosa shoqërohet me të gjithë meshkujt, nga Leskoviku dhe Dhëmbeli deri tek Mifoli dhe Deti. Vjosa është si interneti të cilin të gjithë e duan askush s’e dashuron. Pastaj, vjosën nuk e zë kurrë gjumi. S’rrihet zgjuar me grua natedit me mijra vjet.

Mikesha e saj, e ngurta Nëmërçka, më serioze se Vjosa. E hedhur, e hajthme, me pyje me dëborë me dhi’ të egra. Mirpo tepër e re e larta Nëmërçka. As tre milionë vjeçe. Duhet pritur të bëhet të bëhet të paktën nja pesë milionë.

Divjaka çka. Por e ka një të dashur, Shkumbinin, i cili prej shekujsh në gjunjë me lum’ lotësh i lutet. Pra i dashur i Divjakës nuk është mashkull i rrezikshëm. Por halli me Divjakën është se ajo ndritet dhe ndizet në kohën më delikate, kur erret. Nuk mbahet e tilla për grua.

Për bijëzën e Divjakës, Karavastanë, s’bëhet fjalë. Njomcakja karavastaja dit’ e nat’ mes ujrave, myshqeve, peshqve, gjarpërinjve, ngjalave, gaforreve.
Perria Llogoraja. Po, por me karaburun brënda. Dhe pis xhelozi Karaburuni s’e lëshon si qeni. Ka kirurg shkëmbinjsh t’i nxjerrë karaburunin të më fusë mua ?!

Puka si Puka. E lagur e tëra. Harta e qefit të saj mund të shëtitet vetëm nëpër ëndërra. Ta shohësh nazelien Pukën plot me ujvara, ke vetëm një dëshirë, ujrat qiellorë t’ia pish.

Krraba të lë duke dyshuar tërë jetën. Por ja vlen ta kesh për grua. Se me gjith mundimin e dyshimit, mbi të mund të pushtosh gjithçka; Baldushkun, Cecebecin, Peqinin, Paprrin, Rrogozhinën, deri të pafundmin detin.

O Krrabë hyjnore. Pa ty jam det pa tallaz, qiell pa blu, materie pa gravitacion, qymyr pa furrë. Thuam se më do. Fol’ pra fol. Klith pra klith. Hidhmi mua të gjitha. Sëmundjet, sëkëlldirat, dhimbjet, ankesat, nazet, meraqet, ankthet, recetat, ilaçet, farmaqet, të gjitha. Dhe të vdes unë për Ty. Tani që dheu po tundet, tempujt po shemben, qielli po çahet, Zoti po trembet. Tani në këtë muzg të vështirë plot me shqiptarë të çmëndur poetë të pa shprehur.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top