GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU PRITET TË KETË DY MONUMENTE NË PRIZREN

SHKRUAN: NUE OROSHI

Ky vit është viti i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Pasi që jemi në shtator, muajin e nëntë të këtij viti deri me tani nuk është treguar ndonjë aktivitet konkret i cili do të qonte përpara figurën e madhe të kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Nga akademitë dhe sesionet shkencore të mbajtura deri më tani, më i kompletuari ka qenë ai që ka organizuar më 28 Korrik 2018, Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë ” Trojet e Arbrit”, me rreth shtatëdhjetë studiues dhe me një pjesëmarrje nga të gjitha trojet etnike shqiptare dhe diaspora e madhe atdhetare në Evropë e Amerikë.

Edhepse ky vit është shpallur vit i Gjergj Kastriotit, nga dy Qeveritë shqiptare, në Shqipëri dhe Kosovë, dorën në zemër pak është duke u parë aktiviteti i këtij viti të Skënderbeut nga ana e tyre. Janë mbajtur akademi dhe sesione shterpe në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe në diasporën e madhe atdhetare. Madje aty këtu në diasporë kemi pasur si ligjerues disa historianë që fare nuk mirren me figurën e Skënderbeut dhe epokën e tij duke i nënvlerësuar Historianët Medeivistë që me kompetencë shkencore mund të flasin për figurën e Skënderbeut.

Por ajo që më dhembë është fakti se sa do të kompletohen këto akademi dhe sesione shkencore me botimin e librave për Skënderbeun, mbetët një pikëpyetje shumë e madhe? Vërtetë është e dhimshme kur përkrahen në mënyrë institucionale shoqata dhe organizata jo serioze madje edhe ndonjë institucion e në fund nuk del asgjë konkrete, pra, nuk botohet asnjë libër.

Këto akademi shkencore i ngjajnë organizimeve pa koncept, që mbahen sa për t’i arsyetuar aty këtu mjetet e shumta që kanë ndarë dy Qeveritë shqiptare. Aty ku më dhembë më se shumti është fakti se sa libra shkencorë do të botohën në këtë vit jubilarë për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Në bazë të akademive dhe sesioneve shkencore të mbajtura deri më tani, del se minimum duhet të botohen njëzet libra të reja gjatë këtij viti të Skënderbeut. Por, meqense shumica e organizimeve janë mbajtur me 2-3 ligjerues apo 5-6 ato paksa më serioze, dihet qartë mirfilli se shumë pak në këtë vit do të kemi botime për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe periudhën e artë historike shqiptare. Por gjithmonë aty ku mbretëron errësira ka ngapak edhe dritë e cila edhe pse fillon si shkëndi e vogël, ajo përhapet dhe bënë dritë në të gjitha trojet shqiptare . Ajo që nuk do të lenë në errësirë vitin e Skënderbeut është Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit”, e cila është duke përgatitur një libër Enciklopedik me rreth 800 – 900 faqe dhe me rreth shtatëdhjetë autorë nga shumë institucione shkencore nga të gjitha viset shqiptare dhe diaspora e madhe atdhetare.

Por, kjo shoqatë nuk e ka lënë me kaq vitin e madh të Skënderbeut. Ajo ka dalur me dy ide konkrete. E para që në Shatërvan, në qytetin e Prizrenit të vendosët monumenti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe idea e dytë është që në Kalanë e Prizrenit të ndërtohet Muzeu Kombëtar me emrin Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Kjo bëhet edhe për faktin se Prizreni njihet nga historiografia shqiptare si qytet ku ishte qendër e zotërimeve të Kastrioteve, si dhe për faktin e dytë se pikërisht në Kalanë e Prizrenit gjatë rikthimit në vendlindje, Gjergj Kastrioti dhe kalorësit e tij kishin qëndruar disa ditë e pastaj kishin marrë rrugën për në Dibër e për tu kthyer përfundimisht në Krujë.

Shoqata “Trojet e Arbrit” së shpejti do ta fillon aksionin përgatitor për grumbullimin e mjeteve për realizimin e këtyre dy projekteve kombëtare për faktin se Prizreni si një qytet historik dhe që lidhë tri kryeqytetet shqiptare : Tiranën, Shkupin dhe Prishtinën, e meriton një nderë të tillë.

Uroj që viti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut të mos jetë vetëm vit kalues sa për sy e faqe, por institucionet shkencore shqiptare ta ndjekin rrugën e Shoqatës “Trojet e Arbrit” dhe të dalin me botimet e tyre shkencore që së paku krahas Trojeve të Arbrit të kemi minimum edhe dy vepra të mira shkencore për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, një në Tiranë e një në Prishtinë, e sa i përket organizimeve që janë mbajtur gjithandej Trojeve Shqiptare ato organizime tash veq janë harruar edhe nga organizatorët e tyre e le më të mendojnë se duhet botuar veprat me peshë shkencore që do ta ndriçojnë figurën e madhe të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Se si do të duket përfundimisht Monumenti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Muzeu me emrin Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Prizren, kjo do të planifikohet nga grupi i eksperteve të lëmive të ndryshme si historianë, arkitektë, skulptorë që janë pjesë e një këshilli të gjërë për kryerjen e këtyre dy ideve konkrete të Shoqatës “Trojet e Arbrit”.

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top