SHKRUAN: AKADEMIK REXHEP QOSJA
Figura më e madhe historike
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është figura më e madhe historike në historinë e popullit shqiptar.
Gjatë, Skënderbeu ishte figura më e madhe e historisë shqiptare si organizues dhe si prijës ushtarak i luftërave njezët e pesëvjeçare kundër pushtimeve të Perandorisë Osmane.
Ajo rëndësi historike Gjergj Kastriotit-Skënderbeut do t’i njihet edhe prej shteteve më të njohura evropiane.
Rëndësia e Skënderbeut në historinë e popullit shqiptar, ndërkaq, nuk është vetëm ushtarake, por është më e gjerë: ajo është rëndësi, njëkohësisht, edhe politike, shtetkrijuese, shtetërore e qytetëruese.
Pikërisht pse ishte e tillë, madhore historike, figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut do të jetë: kur e kur e përvetësuar prej ndonjë shteti tjetër për shkaqe etnike; kur e kur e përvetësuar prej ndonjë bashkësie fetare për shkaqe fetare; kur e kur e keqshpjeguar prej ndonjë publicisti a kronisti të huaj apo madje edhe vendorë për shkaqe politike dhe ideologjike e kur e kur e thjeshtësuar në pikëpamje historike për shkaqe pseudoshkencore!
Por, edhe të gjitha këto trajtime, sado ndërsjellshëm kundërshtimore, deshën s’deshën autorët e tyre, do t’i shërbejnë mitit të Skënderbeut.
Sivjet kemi mësuar shumë për Skënderbeun, por, megjithatë, kjo nuk do të thotë se tani, në 550-vjetorin e vdekjes së tij, dihen të gjitha që do të duhej të dihen për jetën, për fëmijërinë, për pamjen, për veshjen, për luftërat, për strategjinë luftarake, për politikën e tij. Nuk dihet, sa do të duhej të dihej, sidomos për gjendjen shoqërore, ekonomike, shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve në kohën e Skëndërbeut. Rrjedhimisht nuk dihet ende sa do të duhej të dihej se si, përpos përmbajtjeve politike, jetën e Skëndërbeut e përcaktonin përmbajtjet praktike, sociale, fetare, etike, metafizike.
Nuk e dimë, sa do të duhej të dimë për ta kuptuar më tërësisht jetën e tij, se cila ishte fryma e kohës.
Pamja e tij
Si dukej Skënderbeu?
Si dukej Ai kanë shkruar historianët tonë dhe kronistë e historianë të huaj; por, edhe shumë shkrimtarë, piktorë, skulptorë e krijues të tjerë shqiptarë e të huaj.
Sipas të gjitha gjasave, portretin më të saktë, sado të solemnizuar, të Skënderbeut e ka bërë historianë i tij i parë i madh, Marin Barleti. Dëgjoni ç’thotë ai: ”Shtati i tij i lartë dhe i hedhur, krahët që s’ishin parë më të bukura te njeri; qafa e fuqishme dhe e përkulur si e atletëve; gjerësia e supeve e admirueshme; ngjyra e bardhë si e derdhur në të kuq të padukshëm; shikimi i syve as i egër, as i fjetur por shumë i këndshëm. Këto ia rritnin shumë virtytet e tjera dhe dukeshin se ia shtonin mirësinë shpirtërore”.
Kështu të pashëm, duke i shtuar edhe vija të reja hijeshisë së tij, Gjergj Kastriotin do ta shohin edhe historianë evropianë.
Megjithëse e akuzojnë pse kishte braktisur sulltanin, pamjen pamatshëm përshtypjebërëse të Skënderbeut e tregojnë edhe historianë e kronistë osmanë, disa prej tyre e tregojnë, madje, me gjuhë adhuruese.
Veshja e tij
Si vishej Skënderbeu?
Historiani Kristo Frashëri, padyshim historiani më i shquar e më i përkushtuar i tij, thotë se “për veshjen e tij të përditshme mund të thuhet fare pak… ai vishej me dolloma prej stofi skarlati, e cila lidhej me një bres të gjerë, siç e shohim në disa piktura të hershme dhe siç ishte veshja e qarqeve të kamura të shoqërisë italiane. Dollomaja ishte e gjatë deri në kyçet e këmbëve… veshjen që mbante Skënderbeu në fushën e betejës nuk e njohim…”
Prej disa autorëve ballkanikë, mund të mësohet, ndërkaq, se Skënderbeu, në luftë vishte një jelek, të leshtë, të zi, të shtruar përbrenda me zhgun të kuq, që i mbërrinte deri në bel, me mëngë që ia mbulonin krahët gati deri te bërrylat.
Përpos shpatës së madhe, Skënderbeu përdorte edhe një shpatë të shkurtër, me dy teha. Dhe, këto dy shpata e bënin edhe më të dukshme se që ishte veshjen e tij.
Njeri prej këtyre autorëve do të shfaqë edhe një mendim që nuk ka mundë të dëshmohet as për të gjallë të Skënderbeut e as pas vdekjes së tij. Dhe ky mendim imagjinar është: me dy shpatat e tij Skënderbeu kishte vrarë rreth dymijë armiq!
Kushtet në të cilat u rrit, jetoi, sundoi dhe luftoi
Kushtet në të cilat do të rritet, do të jetojë, do të sundojë dhe do të luftojë Skënderbeu ishin të rënda.
Bashkësitë krahinore dhe principatat shqiptare, cila më pak e cila më shumë, kishin prapambetur në krahasim me ato evropiane.
Numri i bashkësive krahinore dhe i principatave në hapësirën gjeografike, që më vonë do të quhej Ballkan, ishte vërtet i madh.
Kufijt mes tyre ishin shumë të paqëndrueshëm: ata mund të zgjeroheshin dhe mund të ngushtoheshin varësisht prej sunduesve dhe varësisht prej zhvillimit të tyre të përgjithshëm.
Dhe, këta kufij të tyre, leht, kaloheshin prej kaçakëve dhe plaçkitësve të shumtë.
Megjithëse shoqëri pak e diferencuar, shoqëria shqiptare, megjithatë, ishte shoqëri me një vetëdije shtetërore po thuaj të formuar.
Kjo vetëdije ishte formuar që nga fundi i shekullit XII kur krijohet shteti i 14 bashkësive krahinore i quajtur Arbëria, por edhe nën ndikimin e shteteve të huaja.
Mund të thuhet kështu sepse hapësira Ballkanike, si thonë historianët, kurrë s’kishte qenë pa pushtim të perandorive. Aty ishin përshtrirë Perandoria e Aleksandrit të Madh, Perandoria e Romës, Perandoria e Bizantit dhe Perandoria Osmane.
Krijimi i shtetit
Dëshmia kryesore se Skënderbeu prej Edrenesë, ku mbahej peng, kthehet në vendlindje me vetëdije të vendosur shtetkrijuese është Kuvendi i Lezhës dhe i Besëlidhjes, të krijuar në vitin 1444, që ishin themeli i Arbërisë së tij.
Besëlidhja, na thonë historianët, ishte një lidhje (aleancë) politike dhe ushtarake, që me kohë do të bëhet edhe lidhje administrative, diplomatike dhe shtetërore. Institucioni më i lartë, vendimmarrës, i kësaj Lidhjeje do të bëhet Kuvendi i anëtarëve të Besëlidhjes, kurse Skëndërbeu “i parë ndër të barabartët”!
Historianëve e të tjerëve, shqiptarë a të huaj, që kur e kur kishin thënë fjalë shpërfillëse për Skëndërbeun shtetkrijues mund t’u jipet përgjigja: Arbëria që krijoi ai ishte shtet, shtet në kuptimin e plotë të fjalës shtet. Ky shtet kishte tokën e vet, kishte popullsinë e shtetit, kishte administratën shtetërore, kishte forcën mbrojtëse shtetërore, kishte diplomacinë shtetërore, kishte simbolet shtetërore, kishte kryeqytetin dhe kishte sundimtarin atëherë të quajtur Zot i Arbërisë, që ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Politika e tij e jashtme
Të dhënat jetëshkrimore për të na tregojnë se përpos strateg ushtarak, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu ishte edhe shtetar me prirje politike largpamëse.
I vetëdijshëm se luftërat e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë ishin pjesë e luftërave ç’është e vërteta ende të pakta të disa vendeve evropiane kundër këtyre pushtuesve, ai kujdesej të mbante lidhje me ato vende. Dhe, me Vatikanin. Në sajë të këtyre lidhjeve ai shpresonte të siguronte përkrahje politike e ndihma ushtarake dhe materiale.
Mund të besohet se përmes politikës së jashtme, Skëndërbeut i vinin ndikime politike, shtetore e të tjera prej vendeve evropiane, por mund të besohej se me atë politikë të tij ai edhe ndikonte në to.
Qëndrimet ndaj fesë
Historianët dhe publicistët tanë sivjet kanë folur në mediet elektronike dhe kanë shkruar në gazeta , në revista e në libra për përkatësitë fetare të Skënderbeut shumë më tepër se ndonjë vit tjetër.
Disa prej tyre thonë se ai i kishte provuar tri fe: katolike, ortodokse dhe myslimane.
Disa të tjerë thonë se feja ortodokse ishte feja e besimit të tij.
Historianë e publicistë të tjerë thonë, ndërkaq, se feja e tij, në vitet e fundit të jetës, ishte feja katolike.
Cila është e vërteta për qëndrimin e Skënderbeut ndaj fesë?
Unë nuk mund të them me bindje të krijuar prej të dhënave të bëra botore deri sot se cilës fe ai i takonte shpirtërisht dhe zyrtarisht: asaj katolike apo asaj orotdokse.
Por, unë me bindje të krijuar prej disa veprave që kam lexuar për jetën, për politikën dhe për shtetin që kishte krijuar ai e, sidomos, me bindje të krijuar prej veprimeve të tij si kryekomandues i luftës 25 vjeçare kundërosmane edhe si prijës politik e shtetëror i shqiptarëve të Arbërisë mund të them se Gjergj Kastrioti –Skënderbeu ishte politikan, prijës, kryekomandant dhe shtetar, fetarisht tolerant, kur e kur ndoshta indiferent ndaj fesë.
Si ndodhi që Skënderbeu të bëhet ashtu tolerant, kur e kur ndoshta indiferent, ndaj fesë në një kohë kur Evropa s’dukej fetarisht shumë tolerante?
Një faktor i pamohueshëm që ndikon në qëndrimin e tij tolerant ndaj fesë është animizmi që, edhe në kohën e tij, gëzonte përkushtim të veçantë prej njerëzve, që në pjesën më të madhe ishin fshatarë. Animizmi ishte besim i shumëkohshëm i shqiptarëve.
Siç shkruajnë disa historianë evropianë, Perandoria Osmane, sidomos në shekujt e saj të parë dhe në kohën kur kishte jetuar Skënderbeu, ishte një perandori tolerante ndaj feve. Mund të besohet se kjo tolerancë do të jetë një mësim të cilin Skënderbeu nuk do ta harrojë kur të kthehet në Atdhe.
Skënderbeu në Perandorinë Osmane do ta provojë atë që për konvertimet në këtë Perandori do të thotë historiani anglez Mark Mazover: “Kalimi në fenë e re shpesh ishte vetëm shtim i besimeve të reja mbi të vjetrat e jo akt i mohimit të të vjetrave dhe kalim i tërësishëm në të rejat”.
Në jetën e në mendësinë e Skënderbeut, mund të hamendjesohet se do të ndikojë edhe një ngjarje e madhe: pushtimi i Konstantinopojës prej sulltan Mehmetit II. Historiani anglez që posacituam, Mark Mazover, do të shkruajë:”Rënien e Konstantinopojës më 1453 të krishtërët e shpjegonin si dëshmi të shpërfytyrimit të krishtërimit, si mosukses përfundimtar të Bizantit si sistem imperial dhe si dënim prej Perëndisë për mëkatat njerëzore”.
E ky mësim që ua kishte sjellë evropianëve rënia e Konstantinopojës, s’kishte sesi të mos ndikonte edhe në Skënderbeu dhe ta pajiste jo me bindjen se krishtërimi vërtet na ishte shpërfytyruar, por me bindjen se do të jetë më mirë për shqiptarët, për shtetin e tij dhe për të që të jetë jo katolik a ortodoks tepër i përkushtuar, por Gjergj Kastriot –Skënderbe tolerant deri në indiferencë ndaj feve.
Ta ruajmë si mit a ta çmitizojmë Skëndërbeun?
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është figurë historike, të cilën gojëdhëna, historiografia, letërsia e artet e tjera e kanë bërë figurë mitike.
Për këtë arsye disa historianë, publicistë dhe krijues të tjerë janë shprehur sivjet: Skënderbeun duhet ta trajtojmë realisht e ta çmitizojmë.
E them menjëherë: jam kundër këtij qëndrimi ndaj figurës historike të Skënderbeut.
Dhe, jam kundër, përpos të tjerash, edhe sepse Skëndërbeun s’e kanë bërë mit trajtimet ndjenjore, zmadhuese, që nuk kanë munguar, po në radhë të parë trajtimet objektive, realiste, me të vërteta për karakterin e tij, për natyrën e tij, për politikën e tij, për luftërat e udhëhequra prej tij dhe për Rolin e tij madhor në historinë e popullit shqiptar.
Nuk thuhet kot se nuk ka popull dhe nuk ka shoqëri pa mite.
Dhe, nuk thuhet kot se qenia e popujve, e identiteteve dhe e qytetërimeve të tyre gjithmonë e gjithkund është ndërtuar mbi mite.
Jo vetëm se ruhen mitet e mëparshme, por krijohen edhe mite të reja.
Identitetet kolektive kanë traditë të pasur e të gjatë, shpesh të ndërtuar në mite.
Historia na mëson se në qoftë se përmbysen mitet e derisotme, shoqëria do të krijojë mite të tjera. E ato mitet e tjera mund të jenë të gjithfarshme. Po të përmbysej miti i madhërishëm i Skëndërbeut në historinë mbi pesëshekullore shqiptare traditat tona historike e kulturore do të varfëroheshin pamasë!
Skënderbeu dhe Rilindja Kombëtare
Prej shtjellimit të sipërthënë mund të shihet, besoj, se miti i Skenderbeut kishte filluar të ndërtohej për të gjallë të tij.
Por, rolin më të madh në ndërtimin e këtij miti, pothuajse përcaktues për shpjegimet e pastajme, e ka luajtur Rilindja Kombëtare Shqipëtare.
Pse pikërisht Rilindja Kombëtare?
Epoka e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Epoka e Rilindjes Kombëtare janë dy epoka të mëdha, më të mëdhatë, në historinë shqiptare.
Epoka e Skënderbeut është epokë e madhe e veprimit për liri: të mbrojtjes së lirisë dhe të sendërtimit të saj politik e shtetëror.
Epoka e Rilindjes Kombëtare është epokë e madhe e mendimit për krijimin e kulturës kombëtare dhe politikës si segment i saj.
Siç dihet, epokat e mëdha historike, gjatë ndërtimit dhe sendërtimit të tyre, e thërrasin njëra tjetrën – epokat e pastajme, natyrisht, i thërrasin epokat e përparme.
Epoka e Rilindjes sonë Kombëtare e thërret, e kërkon, e bën nxitje, frymëzim të vetes Epokën e Skënderbeut.
E kuptueshme: sistemet e tyre qëllimore e vlerore në shumë pika janë të përputhshme.
Epoka e Skënderbeut është epokë me shumë veprime dhe me shumë etikë.
Epoka e Rilindjes Kombëtare është epokë me shumë ide dhe po ashtu me shumë etikë.
Në të janë përmbledhur shumë risi mendore e vlerësuese. Njëra prej tyre është, fjala vjen, vetëdija se krim nuk është vetëm vrasja e njeriut, por krim është edhe vrasja e lirisë, e të drejtës dhe e të vërtetës: kur vriten liria e drejta dhe e vërteta vritet lehtë jo vetëm trupërisht por edhe shpirtërisht njeriu; kur vriten liria, e drejta dhe e vërteta vritet lehtë sistemi i vlerave me vlerat e tij.
Epoka e Rilindjes Kombëtare këtë vetëdije e gjen të krijuar e të zbatuar në Epokën e Skënderbeut, siç e kishte gjetur edhe në Epokën e kulturës antike greke dhe në Epokën e Iluminizmit evropian, para së gjithash francez.
Në Epokën e Rilindjes Kombëtare njëkohësisht shquan vetëdija e krijuesve të saj se vepruesve politikë, shtetërorë, shoqërorë dhe krijuesve të ideve e të veprave të rëndësishme diturore, letrare, artistike në përgjithësi mund t’u bëhen përmendore në qoftë se personifikojnë ngjarje, bëma, procese, ide, vepra krijuese që duhet të kujtohen përgjithmonë e të ruhen në Mendimoren Kombëtare. Dhe, ato përmendore bëhen për të ndriçuar në të sotmen e në të ardhmen me mësime atdhetare, mendore e etike e për të frymëzuar brezat e ardhshëm.
Përfundimi
Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu është figura më e madhe në historinë e popullit shqiptar për një varg arsyesh historike mbi të cilat është ndërtuar dhe qëndron pacenueshëm miti i tij. Dhe, këto arsyje janë:
1. Emri i tij qëndron gjerësisht e thellësisht në themelet e vetëdijes sonë kombëtare,
2. Ai e ndërtoi idealin e luftës për liri dhe pavarësi të popullit të cilit i takonte – të popullit shqiptar.
3. Ai e organizoi dhe e kryekomandoi luftën njëzetepesë vjeçare kundër Perandorisë Osmane, që po përshtrihej në gjithë Ballkanin dhe po rrezikonte Atdheun e tij,
4. Ai prej bashkësive krahinore dhe principatave krijoi shtetin e tyre të bashkuar shqiptar, të quajtur Arbëria,
5. Ai, i pari, i bashkoi në një shtet shqiptarët e përkatësive të ndryshme fetare,
6. Ai e shprehu me jetën e tij dhe e predikoi me politikën e tij tolerancën fetare që, kur e kur, sendërtohej si menjanëri (indiferencë) fetare, dhe e bëri historike idenë e njësisë së shqiptarëve,
7. Ai ndërtoi politikën e jashtme të shtetit që krijoi, që mbështetej në bashkëpunimin me mbretëritë dhe principatat evropiane dhe në përkrahjen e tyre,
8. Ai me Arbërinë e tij arriti të merrej me çështje botërore dhe të bëhet faktor me rëndësi të madhe evropiane në kohën në të cilën jetoi,
9. Ai idesë së shtetit dhe rëndësisë së tij për ata që e përbëjnë ia flijoi jetën e vet e fatin e pasardhësve të vet në kohën kur sundimtarë të tjerë ballkanikë kishin pranuar të bëhen vasalë të Sulltanit dhe ashtu Etikën politike e bëri thelb kuptimor të Shtetit.
Për këto arsye krijuesit e mëdhenjë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare do t’i shquajnë, duke i lartëvlerësuar, vlerat e tij mendore, morale, politike, shtetërore dhe përbashkuese në historinë shqiptare në përgjithësi. Mendësinë e tij, Veprën e tij heroike, Rolin e tij përbashkues në përpjekjet e tyre për krijimin e Shqipërisë dhe për krijimin e shqiptarit ata, rilindësit, do t’i bëjnë Shembullin madhështor, Mitik, për ndërtimin shpirtëror dhe atdhetar të shqiptarëve.
Ta privojmë historinë tonë prej këtij miti? Jo.
Ta privojmë Kombin shqiptar prej këtij miti? Jo.
Jo, jo, sepse ashtu do të pajtoheshim me përpjekjen për ndryshimin e vetëdijes dhe të kujtesës kolektive të popullit shqiptar.
Jo, jo, sepse ashtu do të varfëronim identitetin tonë kolektiv, sepse ashtu do të dobësonin fuqinë e përbashkësisë në historinë tonë, sepse ashtu do të privoheshim prej një Madhërie historike që e kishte filluar Epokën e Madhe të Humanizmit dhe Renesansës në Historinë tonë.
Miti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është Mit fuqidhënës edhe në jetën, edhe në politikën, edhe në kulturën e qytetërimin, edhe në etikën e popullit shqiptar sot.
Sot dhe gjithmonë.