Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, në meshën kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut
Të dashur vëllezër e motra në pagëzim,
meshtarë, rregulltarë/e e të gjithë të pranishëm,
Dëshiroj ta falënderoj Zotin për këtë moment kaq të bukur dhe domethënës, kur Kisha jonë e bashkuar në Katedralen e Shenjtës së vet – Shën Nënë Terezës, dëshiron t’i lutet Zotit për popullin, për vendin, për atdheun dhe për heroin kombëtar Gjergj Kastriotin. Sepse Kisha gjatë shtegtimit të saj në tokë nuk harron të bashkëndaj me njerëzit të gjitha ngjarjet që ndodhin, si të mirat ashtu edhe të këqijat, e në mënyrë të veçantë ajo lutet për ta, që ta kenë dritën e zemrës, për ta njohur e për ta parë të kaluarën dhe të ardhmen e vet.
Zoti, që moti, kishte vendosur ta dërgonte në popullin e vet të zgjedhur Dritën e botës, që është Krishti. Pjetri dhe nxënësit tjerë mendonin se kjo Dritë duhet të kufizohej vetëm në popullin e zgjedhur, në popullin hebre. Por, Krishti nuk e mendonte ashtu. Prandaj, Ai e zgjodhi Shën Palin, e preku mendjen dhe zemrën e tij, sepse donte që këtë Dritë ta shpërndante tek të gjithë popujt. Donte që paqja dhe pajtimi i tij të depërtonte te gjithë zemrat e njerëzve. E falënderojmë Jezu Krishtin që e bëri këtë vepër kaq të madhërueshme të kthimit të Shën Palit, historinë e të cilit e dëgjuam në leximin e parë nga Veprat e Apostujve (9, 1-19). Ky Shën Pal erdhi te populli ynë dhe e solli Lajmin e Mirë, dhe që atëherë e deri më tani, populli ynë është bërë popull biblik. Qysh atëherë Kisha në popullin tonë është treguar, njëkohësisht, nënë e mirë dhe atë i dhimbshëm e i mëshirshëm, i durueshëm për secilin prej bijve të tij. E kemi dëgjuar në Ungjillin e sotëm, shëmbëlltyrën e djalit të humbur apo atit të mëshirshëm. Një shëmbëlltyrë që Jezusi e zgjodhi për të treguar dashurinë e Atit për fëmijët e vet; një Zoti që nuk hidhërohet dhe nuk e dënon mëkatarin, por është Atë i dhimbshëm dhe i mëshirshëm, që kur të kthehet djali i humbur gëzohet, e përqafon, i harron të gjitha gabimet e tija dhe ja kthen dinjitetin e birit të vet, duke bërë festë. Me të njëjtin gëzim Kisha i pranon bijtë e vet të dikurshëm, e këtu në kishë janë shumë prej tyre, që e kanë përjetuar kthimin e Shën Palit, që e kanë përjetuar depërtimin e rrezeve të Dritës së Zotit në zemrën e vet, që kanë mbërri ta shohin të vërtetën. Këta Kisha i ka përqafu me gëzim e do të vazhdoj t’i përqafoj të gjithë, sepse Fuqia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nuk ishte në shpatë, siç mendojnë shumë, por fuqia e tij më e madhe ishte vetëdija se ishte bir i madh i këtij populli. Fuqia e tij ishte në zemër, të cilën ia kishte dhuruar Zotit. Ishte në krejt qenien e tij.
Vëllezër e motra,
Ne sot i lutemi Zotit dhe e kujtojmë Gjergj Kastriotin – Skënderbe si njeriun dhe heroin më të madh që historia i ka dhënë popullit tonë dhe vazhdojmë ta kujtojmë me atë zell me të cilin populli ynë e ka kujtuar gjatë gjithë këtyre shekujve dhe kurrë s‘do ta harrojmë. Mbrëmë, gjatë promovimit të 3 librave të rinj, në Rezidencën e Ipeshkvisë, u tha se Gjergji ka qenë mbret pa kurorë, por sot ne mund të themi se kurora e tij jemi ne. Gurët e çmuar dhe xhevahirët në kurorën e tij janë të gjithë ata që kanë guximin të kthehen dhe ta përqafojnë të vërtetën.
Barleti na shkruan për trishtimin e madh që e kishte kapluar popullin tonë kur vdiq Skënderbeu. Lek Zakaria, atëbotë kishte dal në pazar dhe kishte bërtit, o Princa të Arbërit, ka vdekur Skënderbeu, dhe duke e shkulur mjekrën thoshte mblidhuni me vrap të gjithë, o princa e sundimtarë të Arbrit, sepse sot bënë copë dyert e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot u shua çdo shpresë e jona.
Megjithatë, Kisha e ka mbajtur gjallë shpresën e shqiptarit, dhe ka vazhduar pandërprerë, me rezistencën pasive dhe qëndresën aktive, për ta mbajtur të gjatë këtë shpresë. E sot, e falënderojmë Zotin që jemi dëshmitarë të kësaj, që gjithë kjo rezistencë nuk ka qenë e kotë. Historia dhe e sotmja po e shpërblen vuajtën shekullore të popullit tonë.
Populli ynë e ka pasur një fat të keq, sepse ata të cilët nuk mund ta fiknin kujtesën u mundonin të mbillnin në të gënjeshtrën, por ja që e vërteta kurrë nuk vdes. Shuflaj thonte, mos kërkoni dokumente për Gjergjin në Shqipëri se atje nuk ka, turku i ka djegur, atje mund të gjeni ndonjë gur o ndonjë mur. E vërteta nuk digjet, sepse e vërteta mbetet e gjallë në zemrat e të bijve të Gjergjit.
Vëllezër e motra,
ju ftoj sot të lutemi për secilin njeri në vendin tonë, që ta ketë Dritën e së Vërtetës në zemrën e vet. Të lutemi për gjithë ata që na udhëheqin e na drejtojnë, që të mendojnë si Gjergj Kastrioti për të tashmen dhe të ardhmen e popullit tonë. Të lutemi edhe për neve, që mos të strukemi te inati ynë personal, që e cenon të ardhmen tonë të përbashkët. Të lutemi për ata që nuk ju gëzohen të mirës.
Kthimi është i domosdoshëm. Jo vetëm ai i Shën Palit, nga hebre në të krishterë, apo ai i Gjergjit nga Stambolli në Krujë, jo vetëm kthim në vendin e lindjes, por ne sot duhet ta përjetojmë kthimin e zemrës. Ne duhet ta përmbysim mendimin tonë që na çon drejt ushqimit që e errëson shpirtin. Secili prej nesh ka nevojë të kthehet.
Të lutemi sot për çdo njeri në këtë Vend, që ta gjejë guximin e kthimit, që secili ta gjejë forcën e nxitjes së shpresës, të bëhet punëtor i vyer dhe mbrojtës i paqes mes njerëzve. Që në këtë vend të mos e ngrit flamurin kuq e zi për t’u mbështjell me të, ose për të marr të mira prej kombit, por le ta ngritë për t’u përkul përpara tij, për t’u vu në shërbim të vëllezërve dhe motrave, duke sakrifikua gjithçka, sepse vetëm përmes sakrificës mund t’ia ndërtojmë të ardhmen tonë të mirë.