Nga Branko MERXHANI
Botuar në vitin 1934
Koha jonë, kohë pleonasmash dhe produksioni të tepër, është mbushur edhe nga Profetë, që profetizojnë “Fundin e Evropës”. Vallë? Kaq shpejt? Po kur u-plak dhe po jep shpirtin djali i djeshmë? Gjurmat e para të jetës së saj nuk e kapërcejnë shekullin XII. Po dita e vërtetë e lindjes së saj është më e afërme. Mund të na e kallëzojë edhe fantAzia më e varfër e brezit më të parë. Besimi i “Perëndisë-Njeri” që erdhi dhe iku si ndonjë “VISION” këtu e njëzet shekuj më parë, po mbretëron akoma edhe sot. Byzanti, ky emër mizor dhe për të qarë, qëndroi më se njëmijë vjet. Vetëm hija e tij rrojti pesë shekuj. Po Evropa? Mbaroi? – E rreme! Në rrezat e Uraleve po gjëmon zëri i saj. Shpirti i saj sapo arriti në fushat mëkatare të Azis së harruar. Evropa hyri në Azi këtu e një shekull e gjysmë më parë. Tani që ikën, që ecën praptazi, tani pikërisht hyn në ‘të. Evropa u-fut thellë në kryet, në gjakun, në shpirtin e robërvet të saj të djeshmë. Atje ku ata hynë horizonti ndrroi menjëherë. Në stepat e thata pa an’e krye po mbijnë pemë që shtien hije aq sa qielli i kaltërt i vendit të prallës dhe të ëndërës po mbushet me tym të zi, që lëshon një Perëndi e re: MAQINA.
Një shekull e gjysmë Azia plakë, ky djep i feve dhe i Theokrative, po lozte me shakat e saj. Dora e saj, e hollë dhe sentimentale po shkruante vjersha dhe bënte lodra. Nuk deshi të ndrojë me fuqin e Maqinës. Trembesh nga armët më të mbaruara dhe nga dituria më e lartë e zaptonjësit si nga ndonjë mëkatë. Kërkoi shpëtimin e saj nga mohimi i duruar dhe i pambaruar i Theokratisë. Atje brenda e kishte burgosur shpirtin e saj. Po turpi i saj mbeti jashtë. Kështu, duke fshehur shpirtin dhe duke lënë jashtë trupin, pandehte se do të shpëtonte. Shpëtoi sa mund të shpëtojë edhe ai zog i varfër që fsheh vetëm kryet brenda në rërë që të shpëtojë nga plumbat e gjahtarit!…
Shtrenjt e pagoi Azia verbërinë e saj. U bë skllave.
Njëqind e pesëdhjetë vjet shkuan sa të sgjohet Azia. Ballët e saj i ndriti tej-për-tej nga një flakë e bardhë. Pasioni i saj është pa fre, i egër, hakmarrës. Po Theokratët u-vogëluan. Tashmë ajo kërkojn Maqinën, beson Maqinën – me atë dashuri, me atë pasion që besonte gjer dje hallet e saj të mëndafshta dhe vazot e saj t’ergjenta. Merr pastaj maqinismën idololatrike dhe e shkrin mirë-e-mirë brenda në flakën e të dhëmburavet të saj njëqind e pesëdhjetë vjet me rradhë. Ka edhe ajo nostalgji për Qytetërimin dhe për Teknikën e madhe të sotme, jo vetëm me syrin e dobisë, po sidomos me vendimin e çlirimit kombëtar. Në Rusi, në Turqi, në Persi, në Hind, po zien nostalgjia e shpëtimit të Aziarit. Azia vjen në vehte – për hir të Evropës.
“EVROAZIA” bredhëse e Trubeckoj-it, kjo copë dhe në mes të Evropës dhe Azisë, ç’bëhet? – Popujt e saj po marin frymë thellë. Demokratitë e saj po shtohen. Është shenjë që edhe ata hynë në periodën e zierjes së brëndëshme. Karta shoqërore dhe ekonomike e popujve të vegjël të ndryshmë, që nga ujrat e shqetësuara të Egjeut gjer në buzëdetin e vërtetë të Filandisë, po sillte gjer dje të nxirat e një rënieje të heshtur. Mirëpo arritën në periodën më karakteristike të mundimeve të tyre të gjata: në periodën e REALITETEVET KOMBËTARE. – Të huajt u-hoqën pothua vetë, pasi humbën robet e tyre të verbër. Po djemt e robërvet, të ritur në pikëllim dhe në mizori, përpiqen të ngulin flamurin e jetës së re mbi gërmadhat e errëta të kullës së neveritur. Sepse besojnë në dynamismën dhe në produktivitetin e popujve të tyre.
Evropa na sbrazi xhepin, po na mbushi shpirtin.