ESE PËR RUSËT NË KOSOVË

NGA IZET DURAKU

1.

Njëkohësisht me hyrjen e trupave të KFOR – it në Prizren, si për të shuar e ngrirë gëzimin dhe shpresat e shqiptarve, një karvan i hekurt tankesh u shfaq rrugëve të Prishtinës duke valëvitur flamurin rus dhe simbolet ruse, si për t’u dhënë zemër serbëve, të cilët, të mbushur me krimet e tyre në Kosovë, po largoheshin prej andej, mbase për të mos u kthyer më kurrë.

Për shkak të Kosovës, duke kundërshtuar ndërhyrjen e trupave të NATO – s, rusët kanë kërcënuar botën me një kataklizëm në përgjithësi duke i kujtuar asaj potencialin bërthamor. Nën këtë trysni, gjithnjë e më shpesh, në mediat e sensasioneve filluan të përkujtoheshin përvajshëm profecitë e Nostradamusit.

Po ç’dreqin duan rusët, ç’kanë me ne, është përsëritur kushedi sa herë në mendjen e shqiptarëve të thjeshtë. Vallë nuk u mjafton vetvetja, ajo hapësirë e pamatë prej milionash km², por iu dashka edhe Kosova shqiptare, e cila mezi shquhet në hartën e botës, diçka me shumë se dhjetë mijë km². Për kaq mund të bëhet kataklizma, apokalipsi?!

Natyrisht çdo ndërrim në hartën e botës, në kundërshtim me interesat ruse, mund të përjetohet si apokalips për arsyen shoviniste sllave të rusëve.
Prej këtyre përplasjeve, tallazet e të cilave desh i shkulën rrënjët tona, shqiptarët në një farë mënyrë u ngjitën në majat e botës. Ditë dhe natë korporatat më të fuqishme televizive CNN, WORDNET, BBC, etj., na bënë të njohur në të gjithë globin.

Megjithëse ja kanë prerë një copë të mirë prej disa milionë km², prapëseprapë Rusia mbetet vendi i një hapësire të pamatë, ashtu siç e karakterizonin pleqtë e katundit tim – Morinit: “Në një anë atje lind dielli e një tjetrin perendon”, duke tundur krenat me thinja e duke sjellë ndërmend mburrjen e carit të fundit të këtij vendi Nikollait (si dreqin të kishte mbërritur në veshin e tyre ky emër). “Nëse qielli rrëzohet, unë do ta mbaja me bajonetat e ushtrisë sime”.

Ndonëse, u mbështoll ters duke u mbytur në një det gjaku, perandoria ruse i mbijetoi trazimeve të fillim shekullit XX. Vetëm qielli i perandorit u rrëzua, humbi ngjyrën e kaltërt dhe u bë krejt i kuq “ ku lind dhe perëndon”, siç thuhej në një këngë të kohës. Ndërroi lëkurën, qimet e saj, por jo huqet, d.m.th. synimet për t’u shtrirë dhe përhapur edhe më tej në këtë lëmsh të rrumbullakët, siç është planeti ynë. Dhe vërtetë, pas dy luftrash të përbotshme, kufijtë e perandorisë ruse, tashmë të kuqe krejt, u zgjeruan deri në zemër të Evropës, zbritën drejt kaltërsive të Mesdheut duke zënë nën hijen e saj të ndikimit edhe Shqipërinë tonë, çerdhen e vjetër të shqiponjës.

2.

Teksa përshkruan një nga betejat me ushtrinë franceze të Napoleonit, shkrimtari rus konti Tolstoi, engjëlli mbrojtës i muzhikëve, në romanin e njohur “Lufta dhe Paqja” gjen rast të përmendë shqiptarët si qortim për disa oficerë e ushtarë, të cilët një eprori i dukeshin si arnaut të shthurur.

“Arnaut, arnaut, djaj me brirë! Në Siberi, në Siberi! Dhe oficeri i stigmatizuar nga Grandduka, në vend të pezmatimit, krekosej e kapardisej para shokëve duke ritreguar ngjarjen.
Por, në mos tjetër, megjithëse e shprehur mjaft me kursim, një fjalë e hedhur majë kalit, duket se përmes saj Tolstoi I madh shpreh hapur antipatinë për shqiptarët.

Historia nuk shënon ndonjë konflikt të hapur ruso – shqiptare më 1810, ndërkohë që përplasjet me perandorinë osmane kishin filluar përpara kësaj kohe. Shkrimtari i madh rus, si studjues dhe njohës i apasionuar i historisë së vendit të tij, me siguri i ka njohur hollësirat e këtyre përplasjeve, të cilat u ashpërsuan në mesin e shekullit të 19 – të dhe që janë fiksuar qartë edhe në trashgiminë kulturore shqiptare.

Batalionet shqiptare, të përziera me pjestarë të racave të tjera të shumkombëshes osmane, janë cilësuar prej kronistëve të kohës si lulja e ushtrisë perandorake osmane. Të etur për famë dhe për emër, për nishane dhe pasuri, në jo pak raste, arnautët u vunë në ballë të luftës, atje ku rreziqet dhe lavdia ishin kaq pranë njëra – tjetrës.

Arnautistani, ky vend i pakët, i papërfillshëm në hapësirën botërore qe mbushur me agallarë, çaushë, spahi, flamurmbajtës, pashallarë e deri vezirë të cilësuar Gazi (i ndritshëm), të plotëpushtetshëm, që vrajnë edhe kthjellin, dënojnë, falin e kryejnë mirësira.

Në qendër të Prizrenit xhamia e Sinan Pashës ruhet si një ndër tempujt më të vjetër. Në shenjë nderimi për vendlindjen e tij, Topojanin e Kukësit, veziri tjetër me të njëjtin emër nxori dekretin për heqjen e taksave. Dekretin në fjalë, pergamen i ndritshëm me përmasa jo të zakonshme e përmend konsulli rus, Jastrebovi, i cili ka botuar një libër rreth udhëpërshkrimit të tij në luginën e Drinit dhe në Kosovë. (Më shumë se mision të shkencëtarit, studjuesit e kanë cilësuar veprën e tij si një pararojë të pushtimeve dhe masakrave të mëvonshme sllave në vendet ku kaloi konsulli i lart përmendur.)

3.

Në një fshat të thellë të Kukësit, në Teqen e Kolosjanit janë ruajtur prej pluhurit dhe tallazeve të kohës për më se 200 vjet një tufë letrash, dokumente me vlerë edhe për faktin se në to, krahas të tjerash, na del emri i Rusisë dhe ku përshkruhet inkursioni i shqiptarve nizamë deri në kufijtë e këtij vendi të largët. Të gjetura nga Shukri Bulica dhe të përkthyera prej orjentalistit të shquar Vexhi Buharaja (Berat) dokumentat në fjalë janë botuar dhe paisur me shënime prej studjuesit Shefqet Hoxha. Ato flasin ndër të tjera edhe për konfliktin e hershëm ruso – shqiptar, ndonëse të shfaqur jo drejtpërdrejt. Po citojmë disa fragmente nga letrat e ushtarëve që datojnë afërsisht vitin 1851 dhe që dërgohen nga fronti i luftës ruso – turke:
“Në paçi mirësinë, që të pyesni për ne, lavdi të madhit Zot, jemi shëndosh e mirë. Natë e ditë pysnim që ju t’i luteni Zotit që të na e bëjë mbarë që të shihemi edhe një herë”.
“Në qoftë se pyesni për ne, lavdi Zotit, gjer në këtë rast që po ju shkruajmë këtë letër, jemi mirë. Zoti na e bëftë mbarë që të shihemi së afërmi”.
“Në pyetshi për ne, mësoni se ne u larguam nga Sevastopuli dhe shkruam në krahën e Abkhazisë. Ndodhemi në qytetin Xhamqirak. Forcat e tjera ushtrake marshuan përpara dhe tani ndodhen ballë për ballë me ushtrinë ruse. Kemi përpara një lumë të madh. Mbasi ta kemi kaluar, në dashtë Zoti, këtë lumë, do të nisemi për Tbilis. Në qoftë se vjen që andej ndonjëri njeri, të më dërgoni letër me të, babai im i dashur. Biri juaj. Sulejmani (çaush)”.

4.

Konflikteve ruso – turke u dihet fundi. Dihen edhe fitimtarët. Rilindasit e mëdhenj përmendin drojet e tyre se mos duke u shembur gërmadhat e perandorisë osmane do t’i zinin nën vete Shqipërinë dhe shqiptarët.

Të huajt kishin vënë re se turqit nuk u zinin besë shqiptarëve në asnjë betejë, përveçse kur viheshin përballë sllavëve.
Poezia popullore, përmes perlave poetike, shënon me një dëndësi të thellë emocionaliteti luftërat e përgjakshme veçanërisht në Plevnë. Prej fitores ruse dolën në dritë “me krye më vete”, Mali i Zi, Serbia dhe Bullgaria, që kërkuan menjëherë të zgjeroheshin në hapsirën shqiptare.
“Prej Prokupjes deri në Nish.
Seç po vijnë bajraqet, seç po vijnë…”.

Mbaj mend studiuesit e ndjerë Qemal Haxhihasani tek i dridhej zëri para ne studentëve në vitin 1976 duke folur për epikën historike. Në një rrafshinë prej mijra kilometrash të populluar dëndur me shqiptarë që u vranë, dëbuan dhe u shfarosën, në një sipërfaqe gati sa Kosova e sotme, poezia popullore dëshmon përpjekjen e përgjakshme, ku ushtarët shqiptarë në mbrojtje të trojeve etnike të dhunuara, kapërcejnë radhët e llogoreve, të mbuluar gjithkund prej tymit të luftës, vihen përballë serbëve, rroken fyt për fyt, zateten.

“Bini djem dushmanit.
për hatër të vatanit..”.

Duke deklamuar, Qemal Haxhihasani fshinte lotin që i rrokullisej në cep të syrit.
Të gjithë flamurmbajtësit nga Luma pjesëmarrës në betejë, u vranë. Vetëm nga bajraku i Çajës me njëqind e tridhjetë shtëpi në luftën e Nishit, siç shkruan Shefqet Hoxha, morën pjesë 60 luftëtarë, dyzet prej të cilëve mbetën të vrarë, midis tyre bajraktari Baftjar Graci me tre vëllezërit. Si mbaroi lufta, ata që shpëtuan, u kthyen natën nëpër shtëpi, në shenje zie për shokët e humbur. Të nesërmen u shpallën njëherësh dyzet morta dhe ky vit mbahet mend në Çajë si viti i dyzet vdekjeve. Vetëm në luftën e Plevnës, në betejën me rusët, u vranë treqind lumjanë.
A mund të thuhet, bëje zot ëndërr ?! Jo, shqiptarët kanë luftuar kundër rusëve dhe kundër serbëve. Në një përballje të pashmangëshme, nuk ka shteg tjetër shpëtimi veçse të vdesësh me nder ose të të lëshojë ora e të mbarosh pa kurrfarë dyshimi në gazepin e turpit.

5.

Para disa vitesh, struktura shtetërore ruse shpalli hapur synimin për të ngritur një bazë të fuqishme ushtarake në Mal të Zi, pikërisht në Ulqin, në qytetin e përmendur shqiptar. Analistët thanë se rusët u nxituan, kur shpallën hapur synimet e tyre. Një gabim, lajthitje e diplomacisë ruse, veprim i pamatur? Mendoj se jo. Ngutja, nëse mund të flitet për një gjë të tillë, veçse shfaqte hapur synimin shekullor sllav. Është e njohur historia e gjeneralit me origjinë hungareze Maxharr Pasha, i cili më 1878 mori përsëri prej Portës së Lartë t’i bënte dorëzimin e Plavës e të Gucisë, Malit të Zi. Krahinat shqiptare në fjalë u mbrojtën në një betejë historike, që mbahet mend edhe sot prej malësorëve edhe për shkak të humbjeve që pësuan. Fuqitë europiane atëherë menduan ta shpërblenin fitimarin rus duke i dhënë Malit të Zi, Ulqinin dhe Tivarin. Edhe këto u mbrojtën mrekullisht, por u gjendën nën kërcënimin e flotës së fuqive europiane.

Për fat, pas njëqind e njëzet e dy vjetësh raportet kanë ndryshuar. Rusia e ka humbur luftën, natyrisht jo me Evropën por me Amerikën. Jo në fushëbetejat e mbushura me mina e hendek lidhje, llogore dhe tela, por në një kacafytje qiellore të emërtuar si “Lufta e Yjeve”. Prej këtij Qielli erdhi rrënimi ekonomik i Rusisë. Këndej filluan grindjet nacionale brenda shumkombëshes komuniste. Kësisoj humbësi u ndëshkua me humbjet e milionave km. katror.

Rusia nuk po arrin të përballojë as sfidën çeçene. Nuk po i vijnë në ndihmë as emërtimet “fondamentaliste”, “terroristë”, “mysliman”, etj. A thua të jetë rastësi përdorimi i cilësimeve të tilla përbuzëse “çeçen” edhe për shqiptarët? Veçanërisht për ato shqiptarë që dikur luftuan kundër sllavëve.

6.

Nën diellin përvëlues të gushtit, përmes kodrave të Drenicës, kur sapo kemi lënë prapa një urë të shkatërruar, duke u shmangur në një rrugë anësore bri së cilës shtrihej një zabel me dushqe të rrallë, na dalin përpara rusët. Ushtarë rus me uniforma të zbërthyera prej vapës, me mëngë të përveshrua, tre – katër veta pranë një autoblinde të mënjanuar në kanalin e cektë e të mbështetur në skrapatën e rrugës. Autobusi ka ngadalsuar shpejtësinë dhe ushtarët rus ndjekin ecjen e tij si të hutuar dhe gati shpërfillshëm. Të bëshëm, qimeverdhë, syçelët. Shoh shenjat e tyre në krahë, në kapelet që i kanë rrasur në rripin e mesit, shoh flamurin tringjyrësh mbi autoblindën e rrëzuar. Nga entusiazmi me të cilën qenë futur më parë në aeroportin e Prishtinës, duket se pak iu ka mbetur. Duke kaluar në krah të tyre, shoferi e ka ndaluar edhe më shumë shpejtësinë. I ulur thuajse andej nga fundi i autobusit, ndjek me vemendje reagimin e udhëtarve të paktë. Përpara kam dy të rinj, njerin prej të cilëve duket se e ka zënë gjumi. Tjetri përbri e godet me bërryl:
– Qyri more, – i pëshpërit në vesh.
– Çfarë, thotë tjetri përgjumësh.
– Qyri, more rusët,
– Aha, shkiet, i paska qit kali. Po ti bërtit pak me të madhe, burrë!
– Pse, a mos më ka marrë malli për to, thotë duke nënqeshur dhe duke nxjerrë trupin në dritaren e autobuzit. Ngre dy gishtat lart në shenjën e V – së, ndërsa ushtari rus ja kthen përshëndetjen me tre gishta.
– Qyre, more qenka serb qafiri, – bërtet. – Një turi kanë shkijet!
Rusët këtu në Drenicë identifikohen si shkije njëlloj si serbët. Dikush në Tiranë, duke dashur t’i qortojë shqiptarët e Kosovës, tha se jo vetëm serbët përdorin fjalë fyese për etninë tonë, por edhe kosovarët i fyejnë serbët kur thonë ”shka”, në shumës “shkije”.

Gjuhëtari i nderuar Eqerem Çabej tek fjala “shkja” nuk gjen asgjë fyese. Ai e sheh këtë fjalë si një zhvillim normal brenda frymës së gjuhës shqipe të një emërtimi të vjetër latin “sklavus” siç emërtoheshin sllavët, kur erdhën në Ballkan së pari herë, në fundin e mijëvjeçarit të parë.

Shqiptarët kur gjykojnë për rusët nuk kanë parasysh vetëm të kaluarën, historinë e konflikteve të tërthorta të pasqyruara siç thamë në trashëgiminë kulturore, por në mjaft raste luftëtarët e UÇK – së, strukturat e specializuara të kësaj ushtrie kanë hetuar, se përballë tyre nuk kishin vetëm trupa të rregullta të ushtrisë serbe apo çetnike serbe, të drejtuara nga gjithfarë monstrash, por edhe mercenarë rus etj. të cilët me zellin e tyre për krime, nuk u linin gjë mangut as bishave më të egra. Me një rast të tillë u njoh në Koshare edhe gazetari I RTP-ës, Fadil Bytyçi, kur luftëtarët e përmendur të kësaj zone, midis armiqëve të vrarë kishin identifikuar edhe një oficer të lartë rus. Jo oficer i liruar, siç u tha më vonë, por tepër aktiv. Madje me një të kaluar të pasur kriminale në fushëbetejat e Afganistanit e të Çeçenisë.

Filmimi i dokumentave të tij që iu bënë të njohur opinionit publik botëror e detyroi ministrin e jashtëm rus, Ivanov të reagojë, duke pohuar se ky rast “s’kishte të bënte me politikën shtetërore të Rusisë, por me vullnetarë, që veprojnë jashtë kontrollit të qeverisë”. Mbase nuk do të përmendej një rast i tillë, nëse rusët nuk do të ishin të pranishëm në Kosovë, madje as prania e tyre nuk është krejt shqetësimi i shqiptarve. Misioni rus që në fillim është deklaruar krejt i njëanshëm dhe në mbrojtje të serbve. Çfarë kërkojnë rusët në Drenicë, kur serbët që paskan nevojë për mbrojtje, s’kanë qenë asnjëherë të pranishëm këtu?! Vendosja e tyre në Llaushë gjoja për të mbrojtur një manastir ortodoks që përfaqësoka kulturën e hershme serbe të rrezikuar prej shqiptarëve është e papajtueshme dhe nuk tingëllon e vërtetë as prej rusëve.

Perenditë xhuxhë të stepës, siç do të shprehej Ismail Kadare, frynë bulçitë e tyre të zemërimit, duke ngritur pluhurin sa për të qorrollepsur sedrën nacionaliste ruse, kur zaptuan triumfalisht aeroportin e Prishtinës në qershor 1999. Trubullira e ngritur nga media, nuk ia prishi terezinë gjeneralit të trupave të NATO – s, Majkëll Xheksonit dhe koha atij i dha të drejtë. Rusët u tërhoqën nga aeroporti dhe dështuan në përpjekjet e tyre për të pasur një zonë kontrolli në Kosovë. Dështuan gjithashtu edhe përpara banorëve të Rahovecit, që për disa muaj mbajtën rrugën të bllokuar për të mos lejuar hyrjen e trupave ruse në këtë qytet. Rusët duket se e kanë kuptuar se janë të padëshirueshëm në Kosovë.

7.

Një kafe me profesorin e Fakultetit të Gjeologjisë të UT, Eftim Dodona është më tepër se një kënaqësi. Eftimi është me origjinë nga Korça dhe i përket atij brezi studentësh shqiptar që përfundoi shkollimin e tij të lartë në fillim të viteve ‘60 të shekullit të kaluar, në një prej universiteteve më të njohura të Rusisë. Përveç gjeologjisë, e cila viteve të fundit, ka mbetur disi në hije, Eftimi interesohet për muzikën, letërsinë, publicistikën, historinë. Më ka qëlluar të rri shpesh me të, tek përgatisja një cikël emisionesh në Radio Tirana: “Shqiptarët dhe Harvardi”, ku kemi folur ndër të tjera për Nolin, Konicën, Kostë Çekrezin, etj. Shqiptarët që në fillimet e shekullit të njëzet, çelën me dinjitet dyert e dijes në universitetin e njohur amerikan.
Eftimi është nga ata njerëz, që ndonëse flasin shumë, ke dëshirë t’i dëgjosh, sepse punojnë me shumë regjistra tonalitetesh, ku nuk mungojnë të papriturat. Në një nga këto ndërrime të befta tonaliteti, ai më pyet:
– A e di se ku bie Drejtoria Botërore e Mushkonjave?!
Si përgjigje mund të vija vetëm buzën në gaz duke kujtuar mbase ndonjë moçalishte të humbur, të mbuluar prej harlisjes së bimëve, diku në pyjet tropikale afrikane.
– Është në Siberi, – vazhdon Eftimi. – Në atë hapsirë të pafund ruse, që taposet në dimër prej borës dhe akullit dhe që ruajnë në këtë periudhë miliardat e larvave për të çelur në stinën e ngrohtë të pranverës në formën e reve roitësve dhe pickuese.
Ndërsa Eftimi vazhdon duke më habitur me aftësinë e tij të madhe vëzhguese, mua më bie ndërmend se në mjediset mjeksore më kishin zënë veshët të flitej për një lloj sëmundjeje, që emërtohej si Ethja hemoragjike KONGO – KRIME. Mushkonja, gjum i trazuar mes vapës, lufta me ajrin cimbisës në errësirë, minj të infektuar, djersë, rriqna. . .
Vuk Karaxhiçi, njëri prej pionierëve të kulturës serbe kujtonte me nostalgji vitet e shkollimit në Rusi, të përkrahjes së gjithanshme ruse për përparimin e popullit serb, rrugës për tu çliruar nga robëria osmane. Mbase Vukut nuk i shkonte në mendje se serbët do të infektoheshin prej etheve të shovinizmit sllav, për të kapërcyer edhe një herë jashtë shtratit të tyre natyral, me synimin për të vënë në kontroll udhët e Mesdheut gjer në brigjet e Afrikës Veriore e pse jo për të mbërritur, mbase, gjer në Kongo, duke lidhur kështu vendet e ethes me të njëjtin emër.
Republika Demokratike e Kongos, një vend i përmbytur nga uria dhe luftrat civile, natyrisht që përfshihet, jo rastësisht, në zonat ku përdoret si armë kallashnikovi rus.

8.

Gjatë shekullit të njëzetë që sapo lamë pas nuk kanë qenë të paktë shqiptarët që patën simpati për rusët dhe Rusinë. Nisur nga denoncimi që iu bë Traktetit të Londrës, por edhe nga propoganda ruse, u shtuan iluzionet se udhëheqja bolshevike e këtij vendi do të ndihmonte aspiratat dhe përpjekjen e shqiptarve për liri dhe bashkim kombëtar.
Pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht pas vitit 1948, kur Shqipëria zyrtare u largua nga influenca jugosllave, ndikimi rus u bë i madh. Shkrimtari Naum Prifti që jeton në Amerikë duke analizuar këtë periudhë kohët e fundit shkruante:

“Dyert e universiteteve sovjetike u hapën për mijra studentë shqiptar dhe gjuha ruse u bë e detyrueshme në të gjitha sistemet e shkollave duke mënjanuar frengjishten, anglishten dhe italishten. Agjensia e Librit Sovjetik në Tiranë shiste me çmime të ulta librat e klasikëve rus, gazeta e revista sovjetike, filmat rusë mbushën kinematë, lajmet ndërkombëtare merreshin vetëm nga agjensia TASS dhe partia krenohej se ndiqte me besnikëri politikën e Bashkimt Sovjetik.

U përkthyen gati të gjithë kolosët e letërsisë ruse të shekullit të 19 – të, të cilët qenë njëkohësisht edhe personalitete të kulturës botërore, si Pushkini, Lermontovi, Tolstoi, Gogoli, Çehovi, Turgenjevi, Gorki etj. U dëgjuan muzika e kompozitorve të mëdhenj Çajkovski, Glinka, Haçaturian, Shostakoviç, u njohën riprodhimet e piktorëve të shquar rus, u panë filmat e regjisorëve me famë.”
Në Shqipërinë zyrtare ekzistojnë disa shoqata miqësie e kulturore me Rusinë. Madje edhe një shoqatë miqësie me Serbinë. Popujve u ka hije miqësia midis tyre dhe, të paktën, dëshira e shqiptarve për miqësi rezulton e sinqertë.

Duke konsideruar librin e tij “Eskili ky humbës i madh”, si një gjest miqësie me fqinjët tanë grekë, Ismail Kadare dikur është shprehur se do të ishte i lumbur po t’i krijohej rasti të shkruante një libër të tillë edhe për sllavët.

“Krushqit janë të ngrirë”, novela e njohur në qendër të së cilës janë fatet shqiptare të përgjakura e të kryqëzuara në pranverën e vitit 1981, duket se edhe për një kohë, do të mbetet aktuale. Ndoshta për aq kohë sa xhelati, të paktën t’i kërkojë ndjesë viktimës.

“Dy Drina” 1999

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top