Epilogu i një takimi të rastit

Letër publike drejtuar z.Steiner
14 janar 2003 / Shkruan: Sefedin KRASNIQI

E di që për ju takimet zyrtare dhe jo zyrtare me njerëz të ndryshëm janë të rëndomta dhe shpesh çështje rutine. Por, për mua, një takim, edhe pse i rastit, me njerëz sikur ju mbetet i paharruar, i gravuar në kujtesë. Në mëngjesin e 10 tetorit të vitit 2002, pra jemi takuar krejt rastësisht. Kur ju thash : – Mirëmëngjesi z. Steiner i Kosovës, kjo “i Kosovës” si duket ju befasoi. Me buzëqeshjen e zakonshme karizmatike dhe të ëmbël më përshëndetët edhe Ju.

Pasi u interesuat, ju tregova që jam shqiptar nga Kosova. Derisa kryeja, ndaj jush, detyrën time zyrtare, ju propozova një kafe të cilën e pranuat me «gjithë dëshirë ». Duke më shikuar në sy, si duket, për të përceptuar reagimin tim, shprehët entuziazmin për dorëzimin e Ivanoviqit te organet gjyqësore të Kosovës. Për këtë fakt, tashmë, ishit shprehur ditë më parë për mediat.

Sigurisht për të mësuar se sa i përcjellin shqiptarët ngjarjet në Kosovë, u interesuat edhe nëse isha në rrjedhë për shtatë pikat e juaja për bashkimin e Mitrovicës. Atëherë ishin shumë aktuale. Duhet të pranoj se më habiti, për të mirë, thjeshtësia e juaj e komunikimit me njerëz që nuk janë të ngarkuar me kurrfarë funksioni politik në Kosovë, siç ishte dhe është rasti im. Në fillim ngurrova t’a shpreh mendimin tim edhe pse biseda jonë as nuk ishte zyrtar as nuk luante ndonjë rol të veçant për këto çështje.

Megjithatë, ju thash se për Ivanoviqin nuk kisha ndonjë koment, sepse edhe ashtu pas atrociteteve që serbët na kanë shkaktuar në Kosovë, edhe sikur ky të shndërrohej në engjëll, unë megjithatë do të isha i njëanshëm. Ndërsa për bashkimin e Mitrovicës, pasi mu dha rasti, u shpreha se plani juaj ishte ambicioz dhe bashkimi i Mitrovicës më gëzonte si çdo shqiptar të Kosovës.

Sa për të mbajtur gjallë fillin e bisedës i përmenda problemet kufitare me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Duke vërejtur ngërthimin e fytyrës tuaj mu duk sikur deshët të më thoni se këto probleme, tash për tash, ishin klasuar. Pastaj, kaluam në një problem që në Kosovë edhe sot po kërcënon mbi kokë si shpata e Demokleut.

Siguria dhe vrasjet misterioze në Kosovë

Ju thash se, sipas asaj që po përshpëritet në popull, siguria në Kosovë lë për të deshiruar. Se policia e UNMIK-ut, po thuhet, është e ngathtë, e SHPK nuk ka mjaftë kompetenca. Se hija e zezë e grindjes së luftës për pushtet po mbështjell në të zeza familje të tëra në Kosovë.

Meqë ishim në prak të zgjedhjeve lokale, humbja e «partive të dalura nga lufta » mund të përcillej me dhunë. Kisha deshirë dhe nevojë t’ju flisja edhe më, por ana zyrtare e imja nuk ma lejonte. Edhe ju e mbaruat kafen, e ora e ikjes ju erdhi. U përshëndetëm ëmbël dhe shumë njerëzisht.

Nga ai takim, që te unë ka lënë mbresa, z. Steiner, sot më 10 janar 2003, u bënë tre muaj. Për këta tre muaj në Kosovë nga plumbat e „gangesterëve“ janë vrarë dhjetë njerëz. Po them njerëz, sepse, në një takim me Presidentin e Kosovës dr. Rugovën, keni kërkuar që këto vrasje të mos kualifikohen si vrasje politike.

Pra është vrarë Ukë Bytyçi, vetë i treti. Është vrarë avokati Ibish Hoti në Pejë, pastaj dy të rinj, gjithashtu në Pejë, që emrat e tyre për momentin nuk më kujtohen. Është vrarë Adem Zeka në Pejë. Më 04 janar 2003 janë vrarë Tahir Zemaj, me të birin Enisin dhe kushëririn Hasanin, edhe këta në Pejë.

Pasi këtë shkrim po e bëj publik, asnjërit nga të vrarët nuk ia përmenda as funksionet politike as pjesëmarrjen e tyre në luftë. Por kjo nuk i zbut fare dhembjet e familjeve, të afërmëve të tyre dhe më gjerë.

Kjo nuk e zbeh as respektin e popullit për ta, varësisht nga kontributi që kanë dhënë për Kosovën. Megjithatë, vrasja e Tahir Zemajt, djalit të tij Enisit dhe kushëririt Hasan Zemajt nga „gangsterët“, si duket ka trazuar më së shumti shqiptarët në përgjithësi, ata të Kosovës në veçanti.

Askush nuk di sa veta i shkuan në varrim. Po thonë se toka mezi i ka mbajtur! “Gojëkqinjët” po thonë se “gangsterët” edhe ditën e varrimit të Tahir Zemajt kanë arritur ta montojnë një bombë në vendin ku duhej të zhvillohej ceremonia e varrimit. Shpërthimin e saj e paska bërë policia speciale e UNMIK-ut, vetëm tridhjetë minuta, para fillimit të ceremonisë mortore.

Sidoqoftë, skena politike dhe vrasjet misterioze në Kosovë m’i kujtojnë « Brigadat e kuqe » në Itali dhe vrasjet serike të asaj kohe deri te vrasja e Aldo Moros.

Kjo më kujton edhe vrasjet serike në Gjermani nga FARL (Fraksioni i Armatës së Kuqe). Kujtesa e së kaluarës shpesh është ugur i keq për të ardhmen, prandaj me shqetësim po pyes z. Steiner: A do të lejojë UNMIK-u dhe KFOR-i zhytjen e Kosovës në banjo gjaku ?

Pas pyetjes kam edhe një lutje. Ashtu siç i ka shpetuar shqiptarët e Kosovës Bashkësia ndërkombëtare nga gjakatari Millosheviq, shpëtoni edhe sot nga gangsterët.

Z. Steiner, bërja publike e një takimi të rastit është shprehje e lodhjes dhe mërzisë së një njeriu që është kundër dhunës të çfarëdo lloji.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top