fragment…
Eni ju o motra, eni ju o gra,
Eni ju o vasha, që dini me qa
Eni ju reçjanka, vajtimtare n’za
Eni t’marrim vajin, sot hije na ka
Eni gjithë s’bashku, le t’a shpallim zinë
Me gjamë e me kujë t’a vajtojmë Shqipninë
Le t’a qajmë me lot, ta qajmë pa pushu
Me afshin e zemrës, të rrëzojmë gur e dru
Le t’a qajmë këtë nanë, le t’a qajmë këtë bijë
Le t’a qajmë këtë nuse, pa foshnje në gji
Le t’ia heqim vellon, stolisjet e kota
Le t’ia zbulojmë shtatin, t’a shohë gjithë bota
Nda e përçundue, larg prej shoqesh tjera
Shikoni si dergjet, si lëngon e mjera
Mundohet qyqanja, rron me shpirt ndër dhambë
Banditët e vendit, e kan vu nën kambë
E mposhtën, e shtruen, me hekur e zjarr
Neronët e kohës, ia banë jetën vorr
E veshën me gjemba, me tela e therra
E kyçën nga brenda, se lanë as te dera
N’derë, as n’dritare , se lanë me pa fare
Ia kane kepë sytë, per faqe t’zezë e marre
Lidhun me zinxhirë, shkoqun krahë e fletë
Në ditën plot diell, në lumë e terr ka mbetë
E thithen shushunjëzat, i ligu – mizori
E thanë , e ç’nderuen , epshori e horri
A e dini shqiptarë, n’ç’greminë kemi rà
Hangrëm njeni-tjetrin , u mbytëm vëlla me vëlla
Hangrëm njeni-tjetrin, me kurthë e t’pabesë
Me thasë e intriga, shamata rri ndeze
O Zot , çka po hjekim , çfare na shohin sytë
S’na gëzohet mbramja , as kur zbardhet dritë
S’na tremb burgu, plumbi e as litari
Kur na shkel me kambë , na zhagmit zuzari
Ngrehuni o vllazën, ngrehuni o shokë
Ngrehuni shqiptarë, sot të gjithë në kambë
Nuk rr’nohet me zor , nuk lihet kjo nanë
A lulëzon dheu, pa diell e hanë?
Jo, jo , nuk durohen, sarhoshët e marrë
Banditët e vendit, ti shporrim sa mà parë
Selinë e pergjakun, ta bàjmë rrafsh me tokë
Ngrehuni o vllazën , ngrehuni o shokë
A jeton shqiponja, e shembun pertokë
Thye krahë e pendë, lidhun kamb e kokë?
A jeton kjo zonjë, në llum e batak
Në lëngim e vaj, e mbytun ne gjak?
Ku e keni trimninë, krenarinë e parë?
A jeni sot të denjë, të quhemi shqiptarë?
A do ta lemë veten, Shqipninë në kafaz,
Në det plot stuhi, me dallgë me u përplasë?
Shikoni rreth e rrotull, shikoni pranë nesh
Shihni popujt tjerë, me ç’gjuhë mirren vesh
Kanë shpallur miqësine, vini vesh k’saj fjale
Po kapen dorë për dore, po hyjnë në një valle
Asht vallja e re, krejt ndryshe nga tjetra
Asht vallja hirplote, që i shëron plag’të e vjetra
Burrel, shkurt 1977
Havzi Nela asht poeti i fundit i varun nga diktatura komuniste në Shqipni. Babai i kryeministrit aktual, ish krimineli komunist me damkën e antishqiptarit, Kristaq Rama, e dënoi poetin me vdekje për shkak të veprës së tij letrare.