EMËRSHENJTI I TË GJITHA KOHËVE: SHËN HIERONIMI ILIR, 340 – 30 SHTATOR 420

SHKRUAR NGA PREND BUZHALA

Tha një françeskan bashkëkohor: ja një shenjtor për të gjitha kohët. Data 30 shtator 420 pas Krishtit, shënon vitvdekjen e Shën Hieronimit ilir (340-420), pajtor i bibliotekave, përkthyesve, satiristëve e polemistëve, dhe, mbasi ishte përkthyes i Biblës, përzgjidhet edhe pajtor i shkrimtarëve dhe gazetarëve të krishterë. Mbi të gjitha, nderohet si Njeri i Biblës. Ai është i njohur në shtresat popullore shqiptare ndër shekuj si Shën Gjeri (Shaban Sinani: “Beratinus”, fq 397), apo Shën Gjera, emër që haset shpesh dje e sot nëpër shumë vise të Kosovës.

I lindur në Stridon të Dalmacisë, ky shenjtor për vetveten thoshte: “Parce mihi, Domine, quia Dalmata sum” (“Më fal, o Zot, se jam dalmat”; “Dalmata natus sum” (“Jam i lindur dalmat”). Veprimtaria e tij letrare, diturore, ekleziastike, historiografike, jetësore e në fushën e përkthimeve, rrezaton edhe sot përmasa të reja. Figura e Shën Hieronimit zgjohet nga lashtësia dhe vjen në kohën tonë si njëri ndër personalitetet qendrore të krishterimit, të kulturës e të qytetërimit evropian dhe të botës shqiptare. Së bashku me dhjetëra emra ilirë-shqiptarë të shenjtorëve (Shën Flori, Shën Lauri, Shën Niketë Dardani); së bashku me një plejadë të shquar emrash të perandorëve ilirë që e drejtuan Perandorinë romake, atë organizëm shtetëror që i jep vulë identitetit evropian (Deci, Probi, Aureliani, Makimiliani, Diokleciani, Kostandini i Madh, Justiniani etj); së bashku me data e kremte të krishtera, kishash e katedralesh, ikonash e librash të shenjta, praktikash rituale e arkitekturash sakrale; së bashku me një histori të tërë të “Biblës” e me dokumente të shumta, – tradita hieronimiane ka marrë dhe merr pjesë në formimin e identitetit kulturor e në fondin e vlerave të kulturës sonë nacionale. Shtyllat e këtij identiteti dhe sfondin e po këtyre vlerave, do t’i formësojnë, gjithsesi, edhe shtresat e kulturës pagane me ato të krishterimit ilir, të cilës kulturë, në kapërcyell kohësh e epokash, iu dha trajtë, përmbajtje e pamje vetë Shën Hieronimi. E pra, ilirët ishin polem i civilizuar. Ai vjen në kohët moderne ta ndriçojë atë thënien e lashtë sokratiane, të përjetësuar ndër shekuj: Tautotes/Identitas/Njih vetveten, kundruall hullive të shterpëzuara e të shtrofuara të historisë sonë; kundruall paragjykuesve të ndryshëm. Historia, me shprehitë dhe me refleksionet e saj, ende e ndrydh edhe sot vetëdijen tonë. Pra, situatat dhe atmosfera shpirtërore, në të cilat jetojmë dhe të cilat i përjetojmë, janë edhe një dëshmi ende e pashfrytëzuar për figurën dhe të veprën e Shën Hieronimit. Edhe pas kaq shekujsh identifikohemi, me shumëçka, përmes kësaj figure: e spikatim vetëdijen shqiptare për përkatësinë e rrënjëve të përbashkëta të krishterimit; vetëdijen se Evropa krishterimin e mori nga ilirët; se Librin e Shenjtë Evropës ia dhanë të parët tanë. Emri dhe vepra e Shën Hieronimit janë emri dhe vepra që ndërlidhen me “Biblën”si sinonim i një civilizimi të ri që u përhap nën emrin e krishterimit; janë fijet që e patën bashkuar Evropën për dy mijë vjet..

Këto fije, që nga “Kodiku i Purpurt i Beratit” (një shekull e gjysmë pas “Vulgatës), që nga Formula e Pagëzimit (1462) e Pal Engjëllit (1417-1470) e këndej, i ndërlidhin me traditat evropiane edhe shkrimin në gjuhën dhe letërsinë shqipe. Përkthimi dhe përvetësimi i “Biblës” shënon fillet dhe vazhdën e traditës shkrimore e letrare të shumë popujve evropianë. E megjithatë, këto fije zgjaten tutje nëpër thellësitë e shekujve : që nga mesjeta e hershme arbërore e deri tek humanistët shqiptarë. Lënda biblike qëndron në themelet e letërsisë shqipe, por ajo qëndron, gjithashtu, edhe në themelet e kodit kulturor e shpirtëror të shqiptarëve.

Në historinë e letërsisë shqipe që nga Barleti, humanistët tjerë e këndej, ai vlerësohet dhe nderohet lart, sidomos te “Çeta e profetëve” e Bogdanit. Andrea Lleshi, humanist nga Durrësi, që jetoi në shekullin XV, e përjetëson figurën e Shën Hieronimit në shumë vepra arti nëpër tempuj kishtarë. Një shoqatë me emrin e Shën Hieronimit e kishte formuar poeti Ndre Mjedja (dr. Engjëll Sedajt). Interesimi i sotëm për figurën e Hieronimit në suazat historiko-letrare, është interesim për vetveten dhe për kulturën tonë. Edhe sot ilirët, siç shprehet Aleksandër Stipçeviq, “janë brenda nesh.”

Më se njëherë, me mburrje, vetë Shën Hieronimi e ka theksuar përkatësinë e tij ilire. Në veprën e tij “De viris illustribus” (“Mbi njerëzit e shquar”) për veten e tij thotë: “Unë, Hieronimi, biri i Eusebit nga qyteti Stridon, që dikur gjendej në kufi mes Dalmatisë dhe Panonisë e që u shkatërrua nga gotët deri në këtë vit (në vitin 393) dhe pikërisht deri në të 14-tin vit të sundimit të perandorit Theodos, – shkrova këto vepra…” Në veprën tjetër të tij, “Epistolae” (“Letrat”), ai flet për veten e tij, familjen dhe për Atdheun e tij, Ilirinë. Përkatësinë e tij ilire nuk e kontestojnë autorët evropianë. Në veprën e tij ai jep jo pak dëshmi për ilirët, për pushtimet e tokave ilire nga Perandoria Romake. Në shkrimin e tij “Komentar për Isainë” Hieronimi dëshmon për përdorimin e gjuhës ilire tek populli i tij. Ai ishte dëshmitar i depërtimit të popujve barbarë në Panoni e në Dalmaci, të cilit u kishin shkaktuar ilirëve dhe romakëve vuajtje të mëdha dhe u sollën atyre shkatërrime të pafund (shekujt II e III).

Në njërën nga “Epistulat” e tij, ai bën një përshkrim tronditës të atyre ngjarjeve:

“Më rrënqethet shtati, kur mendoj të tregoj për shkatërrimet në kohën tonë…goti, sarmati, kuadi, alani, huni, vandalët dhe markomanët shkretërojnë, plaçkisin dhe grabisin Sktythinë, Maqedoninë, Dardaninë, Dakinë, Thesalinë, Ahenë, Epirin, Dalmatinë dhe gjithë Panoninë. Sa gra fisnike, sa virgjëresha kushtuar Zotit, sa njerëz të lirë dhe fisnikë u dhunuan në këto luftëra! U morën robër peshkopë, u vranë presbiterë dhe shërbyes të tjerë të ndryshëm të kishës. U shkatërruan kishat. Pranë altarëve të Krishtit u vendosën kuajt si në grazhd. Kockat e martirëve u nxorën nga varret. Kudo zi, kudo tmerr dhe hija e madhe e vdekjes.”

“Letrat” e tij kanë edhe vlerë të madhe letrare e dokumentare. Të 157 epistulat janë shkruar e janë frymëzuar edhe nga kërkesat e mëdha të njerëzve të kohës, anekënd botës së atëhershme, të cilët kërkonin këshilla dhe i drejtoheshin atij. Ato dëshmojnë për urtësinë, për orgijinalitetin dhe për stilin e zhdërvjelltë; ato dëshmojnë, gjithashtu, për talentin e për prirjen e tij në përshkrimin e gjendjeve shpirtërore të asaj kohe. I përshkon, këto përshkrime të situatave, ndjeshmëria e mendjemprehtësia e veçantë, siç e pamë edhe në letrën mbi sulmet barbare në Iliri.

Në veprën “Mbi njerëzit e shquar shkruan biografitë e shkurtra të poetëve, retorëve, gramatikanëve, historianëve, oratorëve dhe shenjtorëve. Ndikimi i antikës shihet edhe në veprën “Mbi njerëzit e shquar”. Simbas shembullit të Sveton Trankillit, shkruan biografitë e shkurtra të poetëve, retorëve, gramatikanëve, historianëve, oratorëve dhe shenjtorëve. Ndërsa Komentimet e tij për Biblën, i ka bërë tek “Kronikat”, duke e krahasua Psaltirin me kumbimin harmonik të poezisë së Pindarit e të Horacit, kurse te Libri mbi Jobin, ai do ta veçojë përsosmërinë. Pra, në kontekstin historiko-letrar dhe në rrafshin e teorive letrare, do të mund të flitej, me siguri të plotë, për një teori e poetikë të Shën Hieronimit. Gjithnjë simbas frymës së krishterë patristike dhe hyjnore-shkollore (E. R. Kurcius). Në topikën e veprës së tij, Shën Hieronimi do ta përdorë arsenalin shprehës antik-ciceronian, sikundër janë formulat hyrëse e përfundimtare, formulat e thjeshtësisë, ligjërimin ngushëllues, si dhe ligjërimin me formula të nënshtrimit, të përkuljes, të lutjes e të devocionit. Retorikën e krishterë biblike dhe poetikën biblike do ta zbatojë edhe te një varg shkrimesh tjera, të cilën poetikë “ai ia lë trashëgim Mesjetës” (Kurcius). Tradita e lashtë e muzave, si pajtore të arteve, do të shtegtojë edhe në kohën e Hieronimit. Mbi muzat është shkruar e folur gjithnjë, që nga Antika e deri në ditët tona. Për to ligjëron edhe Shën Hieronimi. Mirëpo, mbi të vërtetën që e ngjizin muzat, ai e vë mbi to dhe e parapëlqen të vërtetën hyjnore: “para kësaj të vërtete le të tërhiqet mënjanë kjo mrekulli e gënjeshtërt dhe e trilluar, qoftë në stilin grek, qoftë në stilin romak.”( nga “Epistula 3”). Në thjerrëzën e shkrimeve të tij do të gjenden autorë si Varroni, Lukreci, Virgjili e Tertuliani, si dhe romani satirik i Petronit. po shumë të tjerë nuk pajtoheshin me mënyrën e tij të përkthimit. Shkruan komentarë të librave biblikë në disa vëllime: Komentarë të Besëlidhjes së Vjetër, Kometarë të Besëlidhjes së Re, Komentarë të Çështjes hebreje, Kometarë të Kronikave të Eusebiusit, Komentarë të Shkrimeve të Hershme etj. I pari e hetoi se përkthimet e fjalëpërfjalshme kanë shumë të meta, sepse nuk marrin parasysh frymën e secilës gjuhë, prandaj përkthente kuptim mbas kuptimi (sipas ekvivalencës dinamike). Në këtë fushë ishte jashtëzakonisht i suksesshëm, kështu që edhe shumë specialistë të sotëm biblikë thonë se si ata komentarë ende janë shumë aktualë e të dobishëm. Studiuesit e sotëm thonë se askush nuk ka mundur të depërtojë në thellësitë e Biblës si Shën Hieronimi i moçëm. Vlen të theksojmë, së mbrami, se Shën Hieronimi kishte temperament polemik. Në lëmin e polemikës do të mbajë qëndrim satirik. Kishte një karakter tepër krenar, ashtu siç shkruante për vendlindjen e tij dalmate (Parce mihi, Domine…), prandaj aq shpesh dinte t’i kritikonte opononetët e tij. Kështu, për komentues tjetër të krishterë biblik, pena e tij nuk do t’i kursejë, qofshin ato edhe qarqet kishtare (e quante Romën, si Shën Gjoni tek “Zbulesa, “Roma kurvë”), ndërkohë që korrupsioni i shoqërisë romake do të përvëlohet nën flakët e ashpërsisë së kësaj satire. Këta dy rrathë tematikë-polemikë do t’i trajtojë në letrat që i shkroi në Siri. Akuzuesit e tij, e, në mesin e tyre, edhe Shën Augustini, tek e përbuznin punën e tij titanike të përkthimit të Biblës, do të bëjë që Libri i Shenjtë të mos pranohej deri në Kuvendin e Tridentit. Kundër këtyre akuzuesve, nuk do të kursejë për ta shfaqur temperamentin e tij të njohur polemik, por në këto polemika ai do të tregojë dije e njohuri të thella. Janë të botuara në gjuhë të ndryshme të botës disa vëllime me polemika, si Librat kundër Rufinit (pesë libra), Librat kundër Jovinianusit (dy libra), Librat kundër Pelagianëve (tre libra), e të tjerë. Prandaj, edhe mbas shumë e shumë shtegtimeve të gjata e mbas shumë veprimtarive të nduarnduarta, Hieronimi idhnak e i rreptë në polemikat e tij, gjeti prehje, më në fund, në Tokën e Shenjtë, ku i kaloi 34 vjetët e fundit të jetës së tij, “pranë pemëve të Hyjit në Betlehem, duke u lutur, duke studiuar dhe duke udhëhequr me manastirin e murgjve” (po aty). Mirëpo, as atje nuk iu shmang polemikave! Në vetminë e tij të Betlehemit nuk mundi ta anashkalojë karakterin e tij të ashpër polemik e që ndeshej me të tjerët, siç ishte ngjarja me ipeshkvin e Salaminës në Qipro, Shën Epifani-n, i cili mblodhi dosje të tëra akuzash kundër Hieronimit. Do theksuar, se, në traditën shkrimore evropiane gjatë shekujve, janë shkruar qindra monografi e vepra kushtuar Shën Hieronimit, i janë kushtuar qindra vepra të arteve figurative.

Ka themeluar shkollën e retorikës për fëmijë në Jerusalem, kujdesej për refugjatët që kishin ikur në Tokën e Shenjtë mbas vërshimit të vandalëve në Romë më 410. Është shpallur shenjtor dhe At i Kishës. Janë mbi 30 vepra që Shën Hieronimi ia la trashëgim literaturës botërore. ”Tek vetja i bashkoi pelegrinin me aventurierin, asketin me rregulltarin, shkrimtarin me përkthyesin e Shkrimit Shenjt, luftëtarin pasionant të Kishës me kontestatorin e ashpër e të pakompromis … I rreptë ndaj vetes, sypatrembur, ishte gjithnjë i gatshëm t’i nënshtrohet rrezikut të konflikteve, nëse është për të mirën e kishës.”(Ati Lonçar). Në traditën e krishterë ai paraqitet si njeri i hapët, që pikësynon të vërtetën, besnik ndaj miqve përkundër dallimeve në mendime e veçanërisht me ndjeshmëri të zhvilluar ndaj bukurisë së fjalës. I butë ndaj nevojtarëve, as në shkretëtirë nuk i heq nga mendja të varfrit. Kudo që shkonte, linte gjurmë të thella e ndikime të fuqishme. Prandaj nuk është e habitshme pse secila kohë tek ai ka mundur të gjejë shëmbëlltyrën e saj. Ai është njeri që me të vërtetë, në të gjitha kohët, mbetet gjithnjë aktual. Përnjëmend, shenjtor për të gjitha kohët. Aktual për të gjitha kohët.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top