E VËRTETUAR, HASHIM THAÇI DHE SHUMË KOMANDANTË TJERË KANË QËNDRUAR LARG FRONTEVE TË LUFTËS

SHKRUAN: LIRI LOSHI

E admiroj përgjigjen e sinqertë të Hashim Thaçit se paska qëndruar larg fronteve të luftës. Edhe vetë kam qëndruar larg fronteve. Edhe këta komandantët që i njoh, larg fronteve të luftës kanë qëndruar.

Por në mesin tonë ka pasur trima që nuk kanë hezituar të përballën me armikun. Shumica e tyre më nuk janë të gjallë. Ata që janë gjallë mezi sigurojnë ekzistencën për vete dhe familjen. Ata janë të harruar nga komandantët, nga mediat e besa edhe nga shoqëria. Sepse, ata janë heronj të vërtetë që luftën e panë si mundësi për kontributin e tyre ndaj atdheut dhe ata heronj jetojnë ende dhe do të jetojnë përgjithmonë në kujtesën e historisë, të brezave.

Ata nuk flasin, sepse nuk duan ta vrasin emrin me lavdin për veten. Jo për shembull si dikush që flet e nuk di çfarë flet. E pyetën një gjeneral se cila ishte beteja më e rëndësishme ku ai kishte luftuar. Tha se kishte marrë pjesë në shumë beteja, por për qudi, nuk e kujtonte dot as edhe një të vetme. Sepse kur veçohet një betejë do të dalin edhe njerëz tjerë që do ta kujtojnë të njëjtën dhe dikush mund të mendojë se ajo nuk ishte betejë serioze!

E pyetën ta veçonte një rast se kur kishte qenë në rrezik për jetën. Gjenerali tha se ishin shumë raste, por nuk e përmendi një të vetëm. Ndoshta sikur ta përmendëte një, dikush do të qeshte:

Vërtet gjeneral?

Po ai nuk ishte rrezik për jetë, ishte veç një rast i zakonshëm lufte. Gjenerali e ka vështirë të thotë se cila ishte beteja kryesore, cili ishte rasti më i rrezikshëm, ashtu sikurse e ka të vështirë të na tregojë se si e ka bërë milionin e parë për të ardhur deri te i dhjeti. Ashtu siç e ka vështirë ta pranojë një gabim të vetëm nga shumë gabime në veprimtarinë e tij publike dhe të kërkojë falje qoftë edhe vetëm njëherë.

Kërkimfalja qenka dobësi për një burrë, kurse rrena virtyt dhe shkathtësi! Edhe për gjeneralët. E pyetën a do të bësh libër për luftën. U përgjigj pozitivisht. Si mund ta bësh librin kur nuk e ke një betejë dhe një rrezik jete për ta veçuar. Çfarë do të lexojë lexuesi i shkretë që mendon se gjenerali e ka bērë namin, kur libri nuk do të ketë përshkrime betejash. Nuk është se ne nuk kemi shtenë ndonjëherë mbi armikun, por shumica e plumbave, rafale të tëra janë zbrazur për ta shënuar natën e Vitit të ri, ose pasi kemi dëgjuar këngët rapsodike.

S’ka gjë pse kur na duheshin plumbat për armikun i kishim me kimet! Por me rafale ahengjesh e festash nuk mund të bëhet libri, sepse nuk del libër i luftës, por del një tragjikomedi.

 


 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top