DRENICA DHE SHPIRTI I MADH PAJTIMTAR

Shkruan: Prend Buzhala

TEMPULLI QË SFIDOI HARRESËN

(Ese i shkruar në korrik 2016, i ripublikuar me rastin e shugurimit të kishës Shën Abrahami në Lllapushnik të Drenicës)

1.

I admirueshëm angazhimi, përpjekja dhe veprimtaria që ka bërë Llapushniku në ngritjen e një kishe katolike.
Thjesht, ky angazhim SFIDON shumëçka brenda nesh e jashtë nesh:
– e zgjon një KUJTESË TË FJETUR ilire-arbërore-shqiptare ndër shekuj, për të mos thënë, që nuk e la të vdiste e të shuhej përfundimisht kjo kujtesë historike,
– sfidoi trashëgiminë e ish-pushtuesve dyfish: të trashëgimisë otomane (me tyrbet sulltanore e heronjtë neo-otomanë) dhe të trashëgimisë serbe (me manastiret): se shqiptarët nuk paskan trashëgimi të veten, se atë trashëgimi e kanë ose serbe ose otomane e ne qenkemi dofarë qiraxhinjsh në tokën tonë,
– nxori në pah një tipar të mrekullueshëm të popullatës së Drenicës: bashkëndjesinë vëllazërore (tolerancën proverbiale brendashqiptare)… e kishin kot zërat e errësirës të bënin atentat mbi këtë kryevlerë moderne shqiptare e europerëndimore, të lashtë sa vetë Iliria,
– e pra, u spikat edhe kryevlera e civilizimit modern botëror e europerëndimor: se është e mundshme bashkëjetesa, bashkëndjesia e laryshia e besimeve dhe e diversiteteve, sipas atij parimit antik; UNITAS IN DIVERSITATE (Bashkim në dallime),
– vuri në veprim vetënjohjen identitare shqiptare…
– nxori në sipërfaqe një ndrydhje që ka vluar e vlon së brendshmi: si ta ndjesh veten ashtu si je, në çështje të besimit e në LIRINË E BESIMIT!
-prandaj, e mësoi (dhe e edukoi) një publik të gjerë se cili është THELBI I LIRISË SË BESIMIT…

2.

Gjithsesi, dhe mbi të gjitha, është nevoja që, ata që duan të besojnë atë që e ndiejnë, ta kenë faltoren e tyre… e cila askujt nuk i sjell të këqija, por vetëm sa i konfirmon vlerat e lirisë. Vlerat e besimit… Mos të harrojmë, edhe Drenica e sotme dikur ishte pjesë e Ipeshkvisë së Pjetër Bogdanit (në dokumente e tij Bogdani përmend shtatë kisha, në të cilat strehohej gjatë përndjekjeve otomane), aty ku ishin, në këtë pjesë, dhjetëra (për të mos thënë: qindra) faltore të krishtera ilire-arbërore-shqiptare… aty ishin varret e të parëve, lutjet që pëshpëriteshin tinëz netëve të errëta pranë një drite qiriu, a duke e përcjellë të vdekurin në varr (me një pëshpërimë lutje e shpirti që nuk binte në sy), … aty ku historia ka shënuar qindra e mijëra emra të martirizuarish për besim të lirë, emra shenjtorësh, intelektualësh etj emrat e të cilëve ende rëndojnë nën bashkat e harresës… E, cila familje shqiptare nuk e heq GJENEALOGJINË E FAMILJES andej?! Kjo gjenealogji nuk është e vërtetë se na shkuaka vetëm deri në shk XIX…
Te e fundit, harta e Kosovës gjendet në Evropë, shqiptarët i takojnë IDENTITETIT EVROPIAN, ku e kanë hisen e tyre…

3.

Dëshmitar i këtyre pëshpërimave, isha vetë që më 1990, në takim me Ismet Sopin e pleqtë e familje së gjerë SOPI… që rrëfyen përjetimet historike e familjare, ato që i nxorën në shesh pas luftës… në Kosovën e lirë.

Ismeti posa kishte dalë nga burgu politik. Bijtë dhe bijat e familjeve Gashi dhe Sopi të Llapushnikut ishin krah Drenicës në të gjitha rrjedhat e historisë më të re: në burgje gjatë viteve ’80, në lëvizjet e hapëta politike-kombëtare gjatë viteve ’90, me armë në dorë gjatë viteve të luftës së UÇK-së… me Drenicën ata janë edhe sot. Sepse, Drenica është e tyre. Hapësira e tyre e Atdheu i tyre, është kjo hapësirë e varreve të të parëve, ata që i bartën me vete në varr pëshpërimat e fshehta të lutjeve…

Me Drenicën, si TEMPULL PAJTIMI E JO PËRÇARJEJE, është edhe kjo Kishë. Si tempull që ofron shpirtrat. Drenica e ka pritur Anton Çettën që në vitet ’50, kur mblidhte urtinë popullore të kësaj ane; e priti këtë burrë edhe gjatë fillim-viteve ’90, kur u bë pajtimi i madh i gjaqeve, i ngatërresave, kur ndodhi PAJTIMI I MADH kombëtar…

Lutem që kjo Shtëpi e Lutjes të përfundojë së ndërtuari.
Drencia edhe sot e lartëson, me shpirtin e kësaj urtie të shquar dhe me SHPIRTIN E MADH PAJTIMTAR, edhe këtë tempull të këtyre besimtarëve.

Të mos harrojmë: Shën Abrahami i Biblës (Besëlidhjes së Vjetër), është patriark a At i religjioneve monoteist e që ndryshe quhen RELIGJIONE ABRAHAMIKE: judaizmit, krishterimit dhe islamit. Me këtë simbolikë uniteti religjionesh, larësohet edhe më shumë harmonia fetare shqiptare.
Lutemi që aty ta gjejnë kënaqësinë shpirtërore të besimit këta besimtarë të këtyre anëve!
Zoti e bekoftë Drenicën!

1 thought on “DRENICA DHE SHPIRTI I MADH PAJTIMTAR”

  1. “Të mos harrojmë: Shën Abrahami i Biblës (Besëlidhjes së Vjetër), është patriark a At i religjioneve monoteist e që ndryshe quhen RELIGJIONE ABRAHAMIKE: judaizmit, krishterimit dhe islamit. Me këtë simbolikë uniteti religjionesh, larësohet edhe më shumë harmonia fetare shqiptare” sa bukur thuhet, dhe kjo duhet te respektohet apo?

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top