Detyra jonë-detyra dhe misioni i djalërisë neoshqiptare-është të kuptojmë dhe të predikojmë ndryshimet radikale që ekzistojnë në mes të jetës e mendimit oriental dhe të jetës e mendimit oksidental. Ky zë le të dalë nga goja e të gjithë të rinjve me kulturë e me ndërgjegje: Kemi nevojë për punë sistematike; nuk na pëlqejnë mballomat!
Nga Branko Merxhani *
Shqipëria jonë e sotme është një Botë kaotike e vogël. Në rrembat tona rrjedhin shumë hidhërime dhe helme, gjurmë të prishjes, të robërisë, të një tronditjeje historiko-shoqërore të pakapshme.
Trazimi dhe anarkia, që mbretërojnë sot në gjuhën tonë, nuk janë veçse një pjesë, një pamje, një fazë e prishjes sonë historiko-shoqërore. Gjithë ky trazim, gjithë kjo anarki mbretërojnë edhe në të gjitha shfaqjet e tjera të dinamizmit tonë qytetëronjës. Në idetë dhe tendencat tona shoqërore, ca më tepër në kuptimet tona mbi formën dhe esencën e instituteve tona shoqërore. Është një anarki, e cila ka thëthitur të gjithë pothuaj jetën tonë. Ideale s’kemi. Racionalizmi ynë është pothuaj si i djemve. Dispozita për të bë gjurmim të ngulur shkencor dhe sistematik na mungon krejt. Ku e ka rrënjën e saj kjo e keqe? A ka vallë arsye historike? Nga pikëpamja e kuptimit sociologjik cili është shkaku i kësaj gjendjeje?
Ja disa pyetje që vë Neo Shqiptarisma përpara Djalërisë sonë intelektuale dhe idealiste. I vë dhe shton: Pa dhënë përgjigje në këto pyetje, s’mund të bëhet asnjë hap përpara!
* * *
Ka shumë kohë që shkoi ajo epokë në të cilën Nacionalizma ishte shoqe e Romantizmës. Nacionalizma e sotme e çmon kryesisht Realitetin. Është shprehja e gjallë e Socialogjisë si shkencë, njëfarë toke zbatimi të Higjienës Shoqërore, një laborator i sëmundjeve psikologjike-shoqërore. Si vlerë pozitive ka vetëm gjurmimin. Zbulimin e rrënjës të së keqes.
Kërkimi themelor i Neo–Shqiptarizmës nga Djalëria-nga ajo Djalëri e cila, e ndritur me fenerin e mendjes, ndjen pa dyshim përkundrejt fatit historik të Atdheut një respekt të thellë dhe është vënë me mish e me shpirt në rrugën e fatit dhe të së ardhmes ëhstë ky: të ndjekë një formë shkencore në gjurmimet dhe në përkufizimet, si edhe një kuptim filozofik të plotë dhe të tanishëm në idealizmin kombëtare….
Jo mballoma!
Jemi të shtrënguar me dashje a padashje të ecim për në Oksident. Po kjo ecja jonë nuk mund të ketë kurrë një kuptim imitimi.
Përkundra. Ecja jonë nëpër viset e Oksidentit lypset të jetë në një kohë e sipër edhe një ecje triumfale drejt viseve tona, drejt parimeve krijonjëse të jetës sonë kombëtare. Domethënë, nga Oksidenti kemi për të marrë vetëm metodat e punimit, vetëm qytetërimin, po kurrë kulturën. Parimi i sinqertë dhe i vërtetë i kulturës shqiptare është i fshehur brenda në shpirtin e pazbuluar, të papunuar, të panjohur të kombit. Mësimi, rregulla, që kemi për të marrë nga Europa nuk është një gjë e adoptuar nga një filozofi ose nga një tendencë e caktuar e profesioni në Europë.
Filozofia, jeta mendore, ka një cilësi të përgjithshme, e cila përbën misterin e superioritetit europian si dhe bazën e suksesit të tij. Kemi që të fitojmë këtë cilësi, që është e domosdoshme për çdo klasë njerëzore dhe nuk mund të përbuzet prej asnjë grupi intelektual, me gjithë kundërshtimet e parimeve dhe doktrinave. Ja si quhet kjo cilësi e përgjithshme, e domosdoshme dhe bazale e europianit: Mendimi sistematik. Dhe ja ku qëndron pika me rëndësi: Mendimi sistematik do të thotë fitim i një zotësie mendore të vazhduar, nisja e së cilës është e lidhur nga brenda me përfundimet e saj –një vazhdim që nuk vjen në kundërshtim me veten e tij dhe që nuk e ndryshon kurrë formën sipas shtrëngimit të çdo çasti. Jetë sistematike do të thotë jetë e rregullt, e pastër, e thellë, që nuk harxhon kot as kohën, as fuqinë, as talentin, dhe brenda në të çdonjëri nga ne përpiqet me vullnet dhe me dashuri të sigurojë një pozitë të tillë që të bëhet një element i dobishëm, jo vetëm për veten e tij, por edhe për ata që rrojnë rreth e rrotull nesh.
Morali i njeriut të Oksidentit është i lidhur, drejtpërdrejt, me mendimin sistematik të tij. Nga kjo lidhje midis moralit e mendimit lind edhe vlera pozitive e kohës dhe e punës.
Parimet nuk kanë pothuaj asnjë rëndësi për sa i përket vlerës dinamike e moralit. Europiani mund të jetë i lidhur me moralin e detyrës, të interesit, të energjisë ose dhe me moralin e mirëbërësisë. Po këto ndarje në parime vijnë në radhë të dytë. Pika më me rëndësi dhe esenciale është se europiani i mirë vepron kurdoherë, me çdofarë kuptimi moral e në çdo rast, sistematikisht. Vetëm kur do që të shpjegojë përse ka vepruar ashtu ose kështu, ahere vetëm ndjen nevojën dhe të shfaqë parimin moral të tij. Bile dhe aktiviteti ekonomik i europianit është i lidhur në këtë bazë.
Punët që kanë krijuar kapitalet e mëdha, veprat madhështore që kanë dalë në shesh, nuk janë fituar dhe plotësuar për hir të fuqisë misterioze të jetës, po janë përfundimet e një punimi dhe mendimi sistematik, që nuk lë kurrë të shkojë kot as edhe pjesa më e vogël e energjisë njerëzore. Janë piramidat kolosale të ngrehura dalëngadalë dhe me anën e një përpjekje intensive, të vazhduar dhe të plotësuar, pak nga pak, me zell, me durim e djersë. Gjithashtu edhe vetë monumentet kulturale të Oksidentit, s’janë gjë tjetër veçse rezultatet e mendimit sistematik. Këto monumente përbëjnë një tok të “vërtetash” që nuk janë gjetur në udhë, po janë nxjerrë nga themelet e shëndosha të diturisë së shekujve dhe janë marrë nga çdo pjesë e një realiteti, arsyet e të cilit janë të lidhura kurdoherë me rezultatet e tyre.
Këto janë edhe virtytet dhe cilësitë karakteristike që lypset të ndajmë shqiptarin e ri nga shqiptari i vjetër. Detyra jonë-detyra dhe misioni i djalërisë neoshqiptare-është të kuptojmë dhe të predikojmë ndryshimet radikale që ekzistojnë në mes të jetës e mendimit oriental dhe të jetës e mendimit oksidental. Ky zë le të dalë nga goja e të gjithë të rinjve me kulturë e me ndërgjegje: Kemi nevojë për punë sistematike; nuk na pëlqejnë mballomat!
* Illiria,24 qershor, 1934