Dorëheqja e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u bë e ditur të shtunën (27.10) përmes një njoftimi të kryeministrit Edi Rama, në rrjetin social Twitter.
Nga postimi i kryemnistrit të Shqipërisë, Edi Rama, duket se arsyeja kryesore për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është kërkesa për “shpejtësi, energji dhe rezultate të reja”.
Kryemnistri Rama njofton, se në vend të Fatmir Xhafajt, ai ka propozuar si Ministër të Brendshëm, Gjeneralin Sandër Lleshi, për të cilin, Kryeministri shkruan, se “do të sjellë një energji të re dhe pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse.”
Ministri i ri i Punëve të Brendshme i kualifikuar në Gjermani
Gjenerali Sandër Lleshi, që do të zëvendësoj Fatmir Xhafajn si Ministër i Brendshëm në Shqipëri, ka kryer kualifikime të larta ushtarake në Gjermani. Ai ka qënë Atashe Ushtarak në Ambasadën e Shqipërisë në Berlin, nga viti 2003-2006. Më herët, Gjenerali Sandër Lleshi ka përfunduar kursin e avancuar të gjuhës gjermane në Institutin Federal të Gjuhëve, (Bundessprachenamt) , kursin e Shtabit të Përgjithshëm dhe kursin e Sigurisë Europiane në Akademinë e Drejtimit, në Hamburg. Gjeneral Lleshi ka kryer edhe Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qëndrën për Studime të Sigurisë Europiane “George C. Marshall”, në Garmisch Partenkirchen, në Gjermani.
Pse dha dorëheqjen Fatmir Xhafaj?
Dorëheqja e Fatmir Xhafajt nga posti i Ministrit të Brendshëm erdhi e papritur. Vetëm një javë më parë, Policia e Shtetit, si strukturë e Ministrisë së Brendshme, zhvilloi me sukses Operacionin e Madh në Shqipëri, si për nga përmasat, ashtu edhe nga rezultatet. Në 12 qytete të Shqipërisë, në të njëjtën kohë, u arrestuan anëtarët e 4 grupeve kryesore kriminale të trafikut të drogës, që bashkëpunonin mes tyre si një organizatë kriminale. U shkatërrua laboratori i përpunimit të heroinës, në Has, të qarkut të Kukësit. U arrestuan dy ish-deputet socialist, Arben Ndoka dhe Arben Çako, për bashkëpunim me krimn e organizuar të trafikut të drogës. Pse dha pra dorëheqjen Fatmir Xhafaj pas suksesit të fundit? Kjo çështje mbetet ende e panjohur. Vet ish-ministri Xhafaj, në një pronocim për mediat, të shtunën (27.10) paradite, nuk dha asnjë shkak për dorëheqjen e tij.
“Sfidat kanë qënë tepër të mëdha, por jam krenar që në krye të një ekipi me integritet dhe përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi arritur suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej të cilave, të konsideruara të pamundura për vite të tëra”, tha Fatmir Xhafaj.
Në maj të këtij viti, Xhafaj hodhi poshtë kërkesën e opozitës për të dhënë dorëheqjen, që pretendonte se ai kishte fshehur dënimin e vëllait të tij, Agron Xhafaj, në vitin 2002 në Itali për trafik droge dhe e kishte mbrojtur nga drejtësia në Shqipëri, ku i vëllai ishte ekstraduar nga autoritetet italiane.
Para marrjes së postit të Ministrit të Brendshëm në shtator të vitit 2017, në qeverinë Rama 2, Fatmir Xhafaj, si kryetar i komisionit të ligjeve ka qënë një nga arkitektët e reformës në drejtësi, kushtit kryesor të BE-së për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë.
Opozita e konsideron dorëheqjen e Fatmir Xhafës si: “hap të rëndësishëm të përpjekjeve për të pastruar politikën nga krimi”. Kryetari i PD, Lulzim Basha, shkruan në median sociale se: “largimi i Fatmir Xhafës është fillimi i shkërmoqjes së bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin”.