Djali i peshkop Kozmait konfirmon me përgënjeshtrim terrorin e Janullatosit!

Shkruan: Arben Llalla

Replik at Ilias!

I nderuar atë Ilia! Ju falenderoj shumë, sepse ju, me përgënjeshtrimin tuaj, konfirmuat ato që unë publikova, duke pranuar se keni patur, keni dhe do të keni “probleme pune”, si një thirrje e dëshpëruar për të shpëtuar nga gjendja e terrorit psikologjik, ku ju ka futur kryepeshkop Anastasi për mbi 15 e kusur vjet, duke ju mbajtur peng të drejtësisë së padrejtë kishtare. M’u bë qejfi shumë që m’u përgjigjët, pasi ka shumë kohë që shkrimeve të mia, nuk u përgjigjet askush nga zyra e shtypit të KOASH, për vetë faktin se janë tërësisht të vërteta dhe bazohen në burime të brendshme, të dëshmive të hierarkve të lartë, si dhe civilëve drejtues, që m’i japin me qëllim informacionet për të denoncuar Janullatosin botërisht, sepse vetë nuk kanë guxim t’i “zgjidhin” gjërat nga brenda kishës, siç thoni ju, se janë të kapur prej bukës së gojës, shtëpive të blera, konvertimeve dhe dosjeve. Madje nuk flasin vetëm me mua, por edhe me autoritetet.

Nga leximi mes rreshtave, kuptova terrorin që ka ushtruar Janullatosi mbi ju, pasi ju theksonit me forcë, se nuk e keni kërkuar ndihmën time, dhe nëse ju ndihmoj, po e them mëme forcë, që nuk e keni bërë aspak këtë gjë, por as unë nuk ju kam ndihmuar fare juve, madje, nëse më keni lexuar me vëmendje, unë gjatë gjithë ndërhyrjes sime, ju kam prezumuar të fajshëm madje, dhe kam analizuar pasojat që sillte dënimi juaj publik, që ju e dini mirë, por nuk e gëzoni lirinë që ta pranoni publikisht, se mund t’ju nxjerrin dhe nga shtëpia që thoni se s’është e juaja drejt e në rrugë të madhe, përveç se mund t’ju heqin bukën e nënës dhe të fëmijëve tuaj. Këtë strategji, të skllavërimit ekonomik të klerit dhe marrjes peng të administratës së kishës, e kam denoncuar vazhdimisht në shkrimet e mia të mëparshme.

Si duket, kryepeshkopi yt i dashur, t’i ka kujtuar bukën, shtëpinë, pensionin e nënës, mjekimin e babait dhe zhveshjen tënde të mundshme që të terrorizojë , gjë që del në pah mes rreshtave në shkrimin tuaj. Por ju harroni, se këto nuk jua kanë bërë nder, këto vijnë si privilegj kishtar i rangut të një peshkopi që dha jetën për kishën e tij, që doli në pleqëri të thellë nga vatra familjare e u mbyll në manastir e u sëmur, vetëm për hir të ortodoksisë, dhe nëse Anastas Janullatosi jua përflet, përveçse ju helmon ju dhe nënën tuaj në këtë moshë të thyer, fyen sërish rëndë kujtimin e hirësi Kozmait, pasi asgjë nga këto që po jua zënë në gojë, nuk e shpaguan dot, sakrificën e tij martirike e sublime.

Unë po i kthehem sërish inkuizicionit tuaj publik, i cili qe i ulët, i pabesë dhe dinak, siç është edhe karakteri i gjykatësit inkuizitor, që hiqet si misionar i dashur, e që tundte në ajër dosje dhe letra akuzuese për ju. Nëse doni, më përgënjeshtroni faktin që juve me dhimbje shpirti dhe i pashpresë, nuk thërrisnit në ndihmë, kujtimin e atit tuaj gjatë asaj seance makabre e të pashpirt. Më përgënjeshtroni që bashkëfshatari juaj, nuk e fyeu rëndë kujtimin e babait tuaj duke u shprehur që “ia kishit turpëruar varrin”, apo që Janullatosi vetë, më shumë se një herë ju hakërrohej të pushonit dhe t’i kërkonit të falur duke ju thënë se “e di mirë ti që ekziston një vendim gjyqi kundër teje”, duke ju shantazhuar si keqbërës. Ju nuk e meritonit kurrë të trajtoheshit në këtë mënyrë.

Mos më detyroni të publikoj gjithë materialin audio dhe video që disponoj nga ajo ditë e zezë për ju dhe kishën shqiptare, pasi do tronditeni ju më shumë, se e kishit humbur totalisht kontrollin dhe nuk dinit ç‘thoshit, pasi në atë pikë donte Janullatosi t’ju shpinte, që të rëndonte më tej pozitën tuaj. Vërtet mendoni se unë mund të flas si gazetar, pa patur prova shumë të forta në dorë? Nuk më njihni mirë.

Unë, atë Ilia, nuk ju mbrojta ju, por gjithë klerin shqiptar të abuzuar emocionalisht dhe ekonomikisht, kur nënvizova se, kur Janullatosi ju trajton ju kështu, që jeni bir dhespoti, imagjinoni çfarë mund t’u bëjë të tjerëve?

Fola gjithashtu për faktin që drejtësia kishtare është lënë e pashkruar në statut që primati juaj grek, të bëjë me ju, si t’i dojë qejfi, e të kënaqë orekset e tij diktatoriale. Thua që kanë qenë miq me babain tuaj se bashkëpunonin krah për krah. Shumë mirë bënin, por babai juaj bashkëpunonte për hir të besimit të tij, dhe do bashkëpunonte me çdo kryepeshkop, si me eprorin e tij, në respekt të rolit të tij si prift, dhe as që do e imagjinonte kurrë, këtë denigrim publik që po ju ndodh sot ju. Çdo babai i dhemb në shpirt kur nëpërkëmbet fëmija i tij.

Por a do guxonte Janullatosi që nëse babai juaj do të ishte gjallë, t’ju akuzonte para tij, si hajdut pronash dhe si shkaktar të bllokimit të rrogave në KOASH? Dhe nëse do ta bënte, thua se yt atë, do mbante anën e tij, dhe miqësia e tyre do vazhdonte? Nuk e besoj, një baba, edhe fajtor ta ketë të birin e mbron me shpirt, e shumta do t’i thoshte, që për hatrin tim, mund t’ia kishe kursyer këto skena turpërimi, dhe Janullatosi, as për hatër të miqësisë që ju mbroni, nuk ju kurseu, por ju bëri rezil përpara gjithë kolegëve, dhe po ju detyron që tani t’i puthni dorën publikisht. Dhe kjo, jo për ta nderuar kujtimin e miqësisë së tyre, se Janullatosi nuk njeh miq, por sepse do ta njollosë figurën e tij, dhe ju këtë e dini fare mirë. Juve ju kanë detyruar t’i firmosni ato rreshta sepse ju kërcënohet mbijetesa, strehimi, punësimi dhe buka e gojës. Kjo është skemë e njohur.

Tani, sa për atë që thoni, se problemi juaj do të zgjidhet me urtësi, këtë e pamë, kur ju “groposën” të gjallë përpara të gjithëve, sa për atë tjetrën, që problemi juaj do të zgjidhet brenda kishës, ju sërish tradhtoni maninë e Janullatosit që shfaqet si hegjemon dhe shtetar, pasi është adhurues i pushtetit. Kush jeni ju apo Janullatosi që të shpallni hapur se akuzat për falsifikim dokumentesh zyrtare, për shitje abuzive pronash, për tejkalim kompetencash, apo për falsifikim firme, na u dashkan zgjidhur brenda kishës?

Ky argument “gjenial” që ua ka dhënë Janullatosi e implikon atë dhe ju në përgjegjësi të rënda penale, i nderuar uratë. Këto probleme tuajat, nëse janë konsumuar, përbëjnë krime të rënda penale, të parashikuara në kodin penal të Republikës së Shqipërisë, dhe ju me Janullatosin na dashkeni t’i zgjidhni brenda kishës? Pse çfarë jeni ju, shtet paralel apo Vatikani, që t’i zgjidhni këto nga brenda, këto zgjidhen vetëm duke iu nënshtruar ligjit shqiptar, që ka fuqi mbi ju dhe mbi Janullatosin që po konsumon kundravajtje të rënda penale në territorin e Shqipërisë. KOASH nuk është plaçkë e tij.

Ma lejoni një analogji pak të ashpër, do të ishte njësoj sikur ju t’ju akuzonin për vjedhje me thyerje, dhunë, trafiqe apo ndonjë abuzim a krim më të rëndë, dhe juve me Janullatosin t’i zgjidhnit këto brenda kishës si “probleme pune”, me “lutje dhe urtësi”,duke iu shmangur drejtësisë. Ky është kulmi, këshilltarët apo vetë Janullatosi që kanë formuluar përgënjeshtrimin tuaj qenkan totalisht të paaftë dhe haptazi shkelës të ligjit.

Unë akuzoj publikisht Janullatosin për pengim të drejtësisë, fshehje provash, dhe shmangie të kallëzimit penal kundër jush apo çdo përgjegjësi tjetër, që të mos mendoni fare se po ju mbroj, meqë ju kanë bërë shantazh ta thoni.

Le ta zgjidhë drejtësia e shtetit, jo ajo cinike e Janullatosit me shokë, nëse ju e keni shitur pronën e kishës në qendër të Vlorës pa të drejtë, të dënoheni sipas ligjit, nëse jua kanë falsifikuar firmën, të dënohen falsifikatorët dhe ju të shpëtoni nga përndjekja. Pronat e kishës nuk janë personale, as tuajat as të Janullatosit që të na i zgjidhni “punët e brendshme” si t’ju vijë për mbarë. Ato janë mbledhur me gjak të besimtarëve shqiptarë që përbëjnë kishën ortodokse shqiptare, dhe janë të shenjta dhe mbrohen prej ligjit e të gjithëve ne, që do të denoncojmë cilindo për çdo abuzim në këtë drejtim. Në një kuptim më të gjerë, ato janë pronë e të gjithë shqiptarëve, si pasuri kombëtare dhe trashëgimi kulturore.

Ju nuk mund të silleni sikur KOASH-i na qenka shtet brenda shtetit, as sikur të jeni mbi ligjin, që na i zgjidhkeni problemet nga brenda, sipas mençurisë prej shenjtori të vetëshpallur të Janullatosit. Jo për gjë, po nga një anë, kërkoni prej shtetit t’jua kthejë pronat kishtare, dhe nga ana tjetër i nxirrni bojën njëri-tjetrit se nuk jeni të aftë të mbroni as ato prona që tashmë i keni, por jua marrin nga duart, siç i marrin bukën nga dora një fëmije. Me këto mënyra, ju po tregoni se nuk jeni akoma të pjekur të administroni thesaret e mëdha që përbëjnë pasuri shpirtërore kombëtare shqiptare, të cilat mund të rrezikojnë rëndë që të humbasin, nëse gjenden në duar të njerëzve të papërgjegjshëm.

Së fundmi, ju firmosni përgënjeshtrimin si famullitar i Skrofotinës, duhet ta dini se pezullimi pa afat që ju komunikoi para tërë botës Janullatosi, ju zhbën si famullitar, madje ai që thoni se jua nderoi babain duke e varrosur me dinjitet peshkopal, jua ka hequr tashmë të drejtën që të mos hidhni dot as një trisai mbi varrin e tij, pasi ju ndalohet pa afat, të kryeni çdo shërbesë fetare.

Koha kur fetë bënin ç‘të donin dhe i zgjidhin gjërat nga brenda, ka perënduar. Në të gjithë botën, kishat dhe kleri i nënshtrohen kritikës së ashpër të mediave, investigimit gazetaresk të skandaleve (edhe nga jokristianët), si dhe drejtësisë dhe ligjit sekular. Bën mirë që Anastas Janullatosi dhe çdo prelat arbitrar të mësohet me këtë gjë, siç po mësohen edhe kolegët tuaj matanë kufirit. Jetojmë në kohë të tjera…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top