Disa të dhëna mbi ç’farë përmban libri i Giacinto Sicardi nga Sospello e Italisë, shkruar në vitin e largët 1652

SHKRUAN: MARK PALNIKAJ

HYRJE

Libri që po ju praqesim është një dorëshkrim i pjesës së parë të shekullit XVII. Sipas shënimeve në krye të shumicës së faqeve të tij dhe disa datave të shënuara në vende të veçanta besojmë se materiali që përfshihet në të duhet të ketë filluar të shkruhet në vitin 1634 dhe duhet të ketë përfunduar në vitin 1650. Është i ruajtur në Bibliotekën e Bashkisë së qytetit të Fermos në Itali të quajtur Biblioteca Civica “Romolo Spezioli” me skedën 4-E-7, n. 58, sec. XVII ndjekur nga titulli “GIACINTO P. Da Sospello – Relatione Universale dell’origine, e successo della Missione Apostolica de Frati Min.ri Oss.ti Rifor.ti Del serafico P’rè S. Francisco nel Regno d’Albania.

Da diversi relationi d’alcuni P’rì Missionarij di detta Miss.ne raccolta, ordinata, et aumentata.”

MBI DOKUMENTIN

Autori i librit, materialin e mbledhur e ka përfshirë në një fletore me format A5 ose 21X15 centimetra, duke e shkruar me dorë, me mendimin për ta përgatitur për botim. Fjalën hyrëse ai e ka shkruar në fillim të tij, gjithsej 4 faqe, të nominuar me germa A, B, C dhe jo me numra. Në fund ka të shënuar vendin e shkrimit, Kotorr dhe datën 12 qershor 1652.
Më poshtë vazhdon shkrimi i librit, i numëruar jo siç veprohej zakonisht në atë kohë, ku shënohej numri i fletës nga ana e përparme dhe shënohej një numër i caktuar në mënyrë të vazhduar. Nëse kërkohet identifikimi për të shkruar fusnota kur citohet dokumenti, për të identifikuar faqen nga ana e përparme, mbrapa numrit të fletës shënohet një r – që ka kuptimin në origjinal recto, që në gjuhën shqipe ka kuptimin faqja tek ose faqja përballë duke nënkuptuar anën e përparme të fletës. Në anën e pasme të fletës nuk shënohej numri i faqes. Për të identifikuar faqen nga ana e pasme shënohej numri i fletës që është i vendosur në anën përballë, e ndjekur nga germa v – që ka kuptimin verso, ose në gjuhën shqipe faqja e pasme e fletës së numëruar.

Në këtë libër nuk është ndjekur ky rregull por faqet janë shënuar në vijimësi para dhe prapa çdo flete, duke filluar nga faqja 1 deri në faqen 506, pa asnjë shkëputje. Duke llogaritur edhe 4 faqet e para që po i konsiderojmë si hyrja e librit, janë gjithsej 510 faqe.

Formati i fletës është 14cm x 20cm, pra pak më i vogël se formati standard i sotshëm A5. Është shkruar tërësisht me dorë, me shkrim të imët. Materiali nuk është i dëmtuar, është i ruajtur mirë dhe është e mundur të lexohet, edhe pse me një farë vështirësie. Gjuha e përdorur në përgjithësi është gjuha italishte e kohës, por në shumë raste ka të shënuara fjalë në gjuhën latine, shqipe, kroate dhe rrallë në ndonjë gjuhë tjetër.

PËRMBAJTJA E LIBRIT.

Përveç fjalës hyrëse, libri është i ndarë në 6 kapituj që vijojnë:

Në faqen numër 1, në krye ka shënimin “Relatione delle missioni dell’Albania” – dhe më poshtë shënohet kapitulli i parë.

1. Kapitulli i parë me titull: Cap.o P.o Del sito e stato dell’ Albania, sue Provincie e Cristianità. Faqe 1.
2. Kapitulli i dytë: Cap.o 2 Della Christianità delli monti d’Albania. Faqe 8.
3. Kapitulli i tretë: Cap.o 3 Dell’origine, qualità e costumi delli Albanesi. Faqe 19.
4. Kapitulli i katërt: Cap.o 4 Della necessità che tiene l’Albania dell’ Apostolichè Missi.ni Faqe 24.
5. Kapitulli i pestë: Cap. 5 Dell’origine delle Miss.ni Apostoliche mandati nel Regno di Albania. Faqe 30
Në këtë kapitull përfshihet historiku i 16 Misioneve, të kryera nga viti 1634 deri në vitin 1649, të shkruar nga faqja 35 deri në faqen 477. Në faqen 35 misioni i parë është i titulluar “Relatione delle Difficoltà, successi, gesti, frutti, travagli, e persecutioni occorse nella missione d’Albania dall’anno 1634 sino all’anno 1650.” Këtu fillon historiku i misionit të parë dhe vazhdohet me historikun e 16 misioneve, që përfundojnë në faqen 477 me shënimin përmbyllës në gjuhë latine “Laus Deo, et Beatae Mariae”.
6. Kapitulli i gjashtë: Cap. 6 et ultimo Cattalogo delli Miss.rij et Operarij ò Coad.ri che hanno fatticato nella Miss.nè d’Alb.a . Faqe 478

Në këtë kapitull ka një biografi të shkurtër të të gjithë klerikëve që kanë punuar në Shqipëri gjatë kohës që është përshkruar në këto misione.

Në faqen 499 deri në faqen 506 dhe të fundit ka një shkrim në gjuhën latine, që nuk është pjesë e asnjë kapitulli me titull si më poshtë: “Die Xiiii Julij. In festa Sancti Bonaventure Episcopi, et Confessoris, et Ecclesiae Doctoris. Duplex. Ad Vesperas Antephona.” (NB! – Kjo pjesë e shënuar me ngjyrën e kuqe, nuk është pjesë e titullit!)

Në fund të këtij shkrimi ka një shënim me këtë përmbajtje: “Finis officij. Perasti, p.ma die Augusti 1644 à P.re Paulo à Mantua”. Perasti është një vendbanimi në afërsi të Kotorrit në Malin e Zi, ku në vitin 1652 ndodhej një qendër kishtare e rëndësishme e fesë katolike romane.

Ky shkrim bëhet në nderim të martirit Padre Paolo nga Mantova, martirizuar në afërsi të lumit Cem. Fra Paolo nga Mantova dhe fra Salvatore nga Offida, janë masakruar, duke u vrarë me shpatë, buzë lumit Cem, në Kelmend, më 14. 12. 1644. Siç shihet, vrasja ka ndodhur rreth pesë muaj mbas kësaj liturgjie të mbajtur në famullinë e Grudës me 11 korrik të atij viti në stilin e predikimit të asaj kohe, që tashmë nuk praktikohet. (NB! – Këtu nuk është fjala për predikimin, por për lutjen e Liturgjisë së orëve, Breviarit, në gjuhën latine, që e kanë lutur meshtarët. – Prandaj këto dy reshta duhet të hiqen!)

NGJARJE DHE TË DHËNA ME RËNDËSI TË PËRSHKRUARA NË LIBËR.

Një përshkrim sipërfaqësor të këtij libri e ka bërë studiuesi prof. Tadeusz Lewicki (1906-1992), i cili e ka shfletuar në vitin 1949, por mbasi dokumenti ishte jashtë sferës së studimeve të tij, ai pak është thelluar në përmbajtjen e këtij dokumenti. Biblioteka ku ruhet ky dokument ka mijëra faqe dorëshkrime dhe libra mesjetarë, por ky dokument është i vetmi ku flitet për Shqipërinë. Gjatë 370 vjetëve që ky libër ka qëndruar në këtë bibliotekë, mund ta kenë parë dhe shfletuar shumë studiues italianë dhe të huaj, por askush nuk ka shfaqur interesimin më të vogël për publikimin e tij. Autori i këtij libri dorëshkrim, Fra Giacinto da Sospello, ka qenë disa vite Vikar Apostolik i Shqipërisë dhe, përveç këtij libri, ka lënë edhe disa dokumente dhe relacione të shkruara në Arkivin e Propagandës Fide dhe në Arkivin Sekret në Vatikan, në Arkivin e Shtetit në Modena dhe në disa arkiva të tjerë, të publikuar një pjesë e tyre nga studiuesi shqiptar Injac Zamputi dhe nga studiuesi italian Lorenzo Tacchella.

Për praninë e këtij dorëshkrimi, informacionin e parë e kam marrë nga njoftimi i publikuar nga Lewicki. Jam interesuar pranë kësaj biblioteke dhe më kanë thënë që dokumenti nuk është publikuar asnjëherë dhe më kanë dhënë të drejtën e publikimit me disa kushte të vendosura në mënyrë zyrtare midis meje dhe Bashkisë së qytetit të Fermos, në varësi të së cilës ndodhet Biblioteka e sipërpërmendur.

Ata më dhanë të skanuar me mundësitë teknike që ata kishin në institucionin e tyre, por rishkrimi (transkribimi) mbi këtë kopje ishte gati i pa mundur për shkak të cilësisë së kopjes së realizuar nga ata.

Për këtë arsye, unë ju kërkova të më plotësonin njërën nga dy kushte:

1. Të me jepnin dokumentin për ta nxjerrë jashtë bibliotekës për skanim në një studio të specializuar.
2. Të blija një skaner posaçërisht për këtë punë dhe të më lejonin ta skanoja vetë aty.

Mbas këtyre dy kushteve të propozuara, ata më thanë se dokumenti nuk mund të nxirret jashtë institucionit në asnjë mënyrë.
Si zgjidhjen më të mirë ata më propozuan të më gjenin një specialist shumë profesionist, tek i cili ata kishin besim për të bërë skanim profesional dhe pagesën e specialistit ta kryeja unë.

E pranova kushtin menjëherë dhe bëmë vërtetë një skanim shumë të mirë, mbi të cilin mund të punohej në mënyrë shumë komode dhe leximi të ishte i saktë.

Leximi dhe rishkrimi në mënyrë korrekte e një dorëshkrimi kaq të madh është një punë mjaft e vështirë për një studiues. Zakonisht këtë punë e kryejnë persona që janë të specializuar në degën Paleografi, Arkivistikë dhe Diplomatikë. U munduam të merreshim vesh me dy specialistë që kishin mbaruar këtë shkollim në një universitet në Lecce të Italisë, por ata, mbasi kaluan 6 muaj hoqën dorë nga kontrata pa rishkruar asnjë faqe.

I ndodhur në këto kushte, gjetëm zgjidhjen duke u lidhur me një specialist në pension në Itali, i cili pranoi më tepër për miqësi ta rishkruante librin në kompjuter, me kushtin që të kryente rreth 98% të punës pa mbajtur përgjegjësi për ato fjalë ose rreshta që nuk mund t’i lexonte ose do t’i shkruante gabim. Korrigjimi do të bëhej nga unë dhe përgjegjësia do të ishte jo e atij, por e imja. Rishkrimi zgjati rreth një vit dhe falë punës së palodhur dhe shumë profesionale të mikut tim dhe të korrigjimeve të kryera nga unë dhe bashkëpunëtorëve të mi në Shqipëri dhe në Kosovë, tani materiali i rishkruar është gati për përkthim dhe për botim.

Është habi e madhe se si ka mundësi që një dokument kaq i rëndësishëm dhe me një volum kaq të madh shkrimi nuk u publikua për 370 vjet asnjë faqe e tij. Kjo ka ndodhur, ndoshta, nga fakti se personat që e kanë parë nuk kishin si objekt të studimeve të tyre të publikonin të dhëna për historinë e Shqipërisë.

I ndodhur në këto kushte, vendosa që t’i hyja punës për publikimin e plotë të këtij dokumenti, pa marrë parasysh kostot financiare dhe mundimin e madh që do të më shkaktonte ky publikim. Mbas një viti e gjysmë pune këmbëngulëse, sot libri është gati për publikim.

ÇFARË PËRMBAJTJE KA LIBRI?

Siç e përmendëm edhe më sipër, libri është i ndarë në gjashtë kapituj dhe përshkruan historikun e 16 misioneve fetare, të kryera nga autori nga viti 1634 deri në vitin 1650. Aty përshkruhen përpjekjet që bënin misionarët katolikë për edukimin fetar dhe social të popullsisë shqiptare ku ata punuan.

Libri, përveç anës fetare, e cila përbën afërsisht gjysmën e këtij publikimi, dhe për këtë pjesë nuk do të flasim në këtë fjalë hyrëse, përmban anën sociale dhe historike për të cilën do të japim shkurtimisht disa njoftime.

Në kapitullin e parë ka një përshkrim të shkurtër mbi historikun e krishterimit të Shqipëri. Në faqen 7 jepen të dhëna me rëndësi për krishterimin në Durrës dhe zonat në varësi të tij që shtriheshin nga Myzeqeja deri në Burrel.

Në faqen 10 përshkruhen Kelmendasit, të cilët ai i vlerëson si “Më të fortët shqiptarë të fushës dhe të maleve”.
Në faqen 12 flitet për Berishën dhe Sapën dhe për një betejë të tyre me turqit. Në faqet 16 dhe 17 flitet për zonat e Matit dhe përshkruan se ku ka lindur Skënderbeu. Në faqen 23, përshkruan se në kundërshtim me mësimet e fesë, banorët festonin festat fetare me abuzime të mëdha dhe me gabime, që për fretërit katolikë ishin të palejueshme. Në faqen 114 flet se si disa njerëz të këqij, kishin vjedhur vulën e fretërve dhe kishin vulosur dokumente që i kishin hartuar vetë, për të komprometuar dhe penalizuar fretërit në raport me sundimtarët turq. Kjo ju ka hapur atyre shumë telashe, sepse arrestohen shumë priftërinj dhe paguhen shumë para për lirimin e tyre, edhe pse ishin të pafajshëm.

Në faqen 19 jepet një historik i shkurtër i Shqipërisë, bazuar mbi dokumente që sot cilësohen si të pavërteta, në lidhje me origjinën e popullit tonë.

Në faqen 123 Sospello viziton Kishën e Deçanit dhe na jep informacione me rëndësi. Si përkthyes merr Ipeshkvin e Dioqezës së Shkupit, Dom Andrea Bogdani, xhaxha i Pjetër Bogdanit, i cili zotëronte gjuhën shqipe, serbishte, turke dhe italiane.

Në faqen 131 ka përshkruar me detaje luftën e Kelmendasve me 700 burra kundra ushtrisë së Vuçi Pashës së Bosnjës me 30 mijë ushtarë dhe humbjen e pabesueshme që kelmendasit i shkaktojnë kësaj ushtrie. Po aty, përshkruan edhe për sjelljen e këtij Pashai me banorët e fushës, që përshkruhet si sjellje korrekte dhe fisnike. Në faqet 141 dhe në vazhdim, në tre faqe, përshkruhet me imtësi se si pajtoheshin gjaqet në Tropojë midis Gashit dhe Krasniqes. Çuditërisht, ajo metodë është përdorur deri në vitin 2000 në disa zona të Tropojës. Në faqen 142 përshkruan hollësisht se si kapërcehej Drini me rrëshiqe prej lëkure, metodë që është përdorur deri në vitet 1970 në fshatrat e Pukës. Në faqen 149 përshkruan shkollën që kishin hapur priftërinjtë në gjuhën shqipe për fëmijët 8 deri 10 vjeç, por edhe më të mëdhenj. Aty tregohet se shkolla nuk kishte karakter vetëm fetar, por edhe shkencor. Në faqen 154 përshkruhen ngjarje supersticioni, në kundërshtim të plotë me mësimet e Kishës Katolike, ku besimtarët në disa fshatra të Zadrimës, në mënyrë shumë antihumane zhvarrosnin të vdekurit dhe i masakronin. Në faqen 155 përshkruhet se si fra Giacinto dhe Ndre Bogdani u munduan të bënin pajtimin e kishave të ritit latin me ato skizmatike serbe. Përshkruhet vizita e Sospellos në shtëpinë e Bogdanit dhe disa rrethana në të cilat ai punonte. Në faqen 216, përshkruan se si i persekutonin gratë në famullinë e Perastit në Mal të Zi, duke i akuzuar si shtriga. Në faqen 239 përshkruhet se si fshatarët e Iballes përgatisnin litarë nga lëvoret e blirit dhe kishin arritur të bënin kapërcimin e njerëzve nga njëra anë në tjetrën me një pajisje që rrëshqiste mbi litar. Nga faqja 275 deri 278, përshkruhet me detaje si veprohej në Tropojë për pajtimin e gjaqeve midis fiseve Gash dhe Krasniqe. Në faqen 282 përshkruhet se si jetonin gabelët në komunitet me shqiptarët. Në faqen 302 dhe në vazhdim tregohet për ekspozitat që organizoheshin në Kishën e shën Aleksandrit në Orosh duke na dhënë detaje mjaft interesante për studiuesit. Në faqen 311 shpjegon se si u transferua në Bytyç misioni i Gashit (nga Geghyseni i sotëm) në vitin 1643. Në faqen 337, përshkruhet vrasja e dy meshtarëve të fshatit Hot nga Kelmendasit, duke sjellë të dhëna që plotësojnë ato që kemi ditur deri sot. Sospello ishte bashkëkohës dhe epror i tyre. Dëshmia e tij ka vlera historike. Në faqet 347 dhe 348 shpjegohet me imtësi për supersticionin në fshatrat e Kthellës dhe Trafandinës, ku bëhej zhvarrosja dhe masakrimi antihuman i kufomave. Në faqen 366, duke folur për misionin në zonën e Hasit, përshkruan dimrin e ftohtë, ku ngrihej vera në gotë dhe Drini në lëvizje ngrinte duke bërë të mundur kalimin mbi akull të njerëzve dhe të bagëtive. Në faqen 403 dhe 404 përshkruhet bashkëpunimi i shqiptarëve katolikë me gjeneralin Dalmat në luftë për çlirim kundra turqve. Në kapitullin e 6 dhe të fundit jepet një biografi e shkurtër e personave që i shërbyen Kishës në vitet kur Sospello punoi në Shqipëri.
Këto informacione që përmenda shkurtazi këtu, e bëjnë këtë libër një burim me rëndësi për informacionet që përcjell për zhvillimet historike dhe sociale në Shqipërinë e asaj kohe.

Ju faleminderit!

Mark Palnikaj,
Tiranë 11 gusht 2022

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top