Nëna Tereze me Imzot Nikë Prela, Don Lush Gjergji dhe Don Fran Sopin. Don Lush Gjergji ia dhuron Nënës Tereze monografinë e parë “Nëna jonë Tereze” (Pejë, 22 tetor 1982). Imzot Nikë Prela dhe Nëna Tereze (Pejë, 22 tetor 1982).

Diplomacia kosovare në Itali dhe prezantimi i vlerave kulturore

Shkruan: Gëzim Muçolli – Itali, 3 Qershor, 2023

Vlerat e një shteti dhe qytetarëve të tij janë esenciale në pasqyrimin e identitetit social, material, shpirtëror dhe kulturor para botës. Trashëgimia kulturore e Republikës së Kosovës është pasuri e madhe dhe e pazëvendësueshme në paralelet e shkëmbimeve ndërkulturore me vendet e pasura që nga kultura kanë krijuar shtyllat e identitetit europjan dhe botëror. Vlen të përmendet se Italia në shkallë globale ka krijuar pozitë dhe emër prandaj edhe rastet e prezentimit të vlerave tona kulturore në gadishullin Apenin mund të kuptohen edhe si sfidë e madhe e përballjes qytetëruese të dy popujve që historia jo rrallë i vuri pranë dhe përballë njëri-tjetrit.

Mirëpo për diplomacinë kosovare në Itali duket se dëshira e prezentimit të pozitives nga tradita si dhe thyerjes së paragjykimeve të mbrapambetura që nganjëherë kushtëzojnë vlerësimin objektiv të artit dhe kulturës paralelisht me ofertat tjera vlerësuese mbi mundësitë e hapjes dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, kohëve të fundit po gjen hapësirë dhe vend. Kështu ndodhi edhe në qytetin Milano ku konsulli i përgjithshshëm i Republikës së Kosovës, z.Diamant Kastrati, të dielen me 21 maj kishte organizuar një takim publik në Qendrën kulturore-religjioze Ambroziano, ku ishin ftuar miq italianë si dhe veprimtarë të dëshmuar të çështjes kombëtare si përfaqësues të shoqatave kulturore shqiptare, shkollave të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, etj.

Në hyrje të sallës mysafirët e nderuar u pritën me respekt dhe bujari nga konsujt e nderuar z, Driton Blakçori dhe z.Besnik Maxhera, kurse salla e mbushur plot ishte tregues i interesimit të madh për të marrë pjesë në prezentimin e madh të krijimtarisë letrare dhe publicistike të njërit nga personazhet më emblematike të Kosovës në gjysmëshekullin e fundit, shkëlqesisë së tij Don Lush Gjergjit i cili kishte ardhur nga Kosova në Milano për të promovuar disa nga librat e tij kushtuar figurës së ndritshme të shenjtores dhe nobelistes shqiptare Shën Nënë Terezës.

Tubimin e hapi konsulli i përgjithshëm, z.Diamant Kastrati, i cili tha : Është nder i veçantë për mua, të hapë këtë prezantim të veprave të botuara kushtuar Nënë Terezës, për arsye se vetë fakti që kemi të bëjmë me një person shumë unik siç ishte Nënë Tereza, dhe fakti që kemi të bëjmë me një shkrimtar, veprimtar të shquar dhe biograf të Nënë Terezës, siç është Don Lush Gjergji, e bënë këtë ngjarje shumë herë me të rëndësishme dhe na mundëson të kujtojmë së bashku, veprën e madhe jetësore të cilin ajo ia dhuroi njerëzimit”.

Me respekt duke folur për punën kolosale të Don Lush Gjergjit, konsulli Kastrati tha se ky prezentim i sotëm është një hap i vogël në krijimin e kujtesës kolektive për Nënën e madhe Shën Terezën shqiptare dhe shprehu mirënjohjen e madhe për autorin dhe librat e tij. Prandaj themi me krenari se Nënë Tereza paraqet jo vetëm simbolin e dashurisë, të paqes e humanizmit, por edhe një fat të madh historik, të cilin ne, pasardhësit e saj, duhet ta kujtojmë çdo ditë e ta themi me zë të lartë se ajo u shndërrua në fytyrën morale të njerëzimit, duke e shfaqur traditën morale të saj e të familjes, dhe traditën e popullit të vet shqiptar.

Kjo duhet të jetë arsyeja që ne të mos reshtim së theksuari emrin e saj, mësimet e saj, personalitetin e saj të jashtëzakonshëm dhe të jemi krenar që botës ia kemi ofruar shembullin e gruas shqiptare të quajtur, Agnesë Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, e përkushtuar skajshmërisht ndaj njerëzve dhe e gatshme që çdo herë të sakrifikojë për të tjerët.

Z. Kastrati duke e prezentuar autorin ai ua kujtoi të pranishmëve se Don Lush Gjergji është një prift katolik shqiptar nga Kosova, që ka jetuar dhe studiuar për shumë vite në Romë. Është gazetar dhe autor i shquar, bashkëpunëtor në revista dhe magazina të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Përveç kësaj, ai është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Gazetarëve Katolikë të Evropës dhe anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve.

Nderimet e rastit duke shprehur konsideratë me fjalë të zgjedhura i bëri edhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Sh.S., zonja Lendita Haxhitasim e cila nënvizoi respektin e madh për punën dhe veprimtarinë e madhe të biografit dhe mikut të Nënë Terezës.Ajo e falenderoi Don Lushin i cili kishte ardhur të nderonte me praninë e tij dhe dëshminë e gjallë dhe të çmuar mbi jetën dhe veprën e shenjtores tonë, Nënë Tereza.

Don Lushi mori fjalë dhe me një gjallëri dhe stil komunikues vëllazëror foli për simbolin e madh të dashurisë njerëzore e cila rrezatoi kudo në botë vlerat e trashëguara në familjen e Nënës Drane dhe babës Kolë Bojaxhiu. Gonxhe Bojaxhiu ishte dhe do të mbetet motiv i krenarisë dhe bujarisë, si dhe udhërrëfyese për njerëzit shpirtmirë, të devotshëm dhe të gatshëm të sakrifikohen për mirëqenien e të gjitha shtresave të popullsisë kudo në botë.

Don Lushi dha përshkrime të hollësishme dhe besnike të fazave të njohjes dhe të shoqërimit me Nënën e madhe Terezë, duke përshkruar emocionin e veçantë kur me 10 dhjetor 1979 në Osllo të Suedisë ajo pranoi çmimin Nobel për Paqe. Poashtu foli për misionin e saj që kudo që shkoi ishte simbol i bamirësisë dhe humanizmit, duke u takuar edhe me njerëzit më me ndikim në botë të cilët e nderuan dhe i premtuan se do të angazhoheshin për shtresat e emargjinuara skajshmërisht të çdo vendi.

Edhe Papa Gjon Pali i II kishte një konsideratë të veçantë për murgeshën shqiptare dhe e kishte lutur në emrin e tij dhe të tërë kishës që të shkonte kudo për të ungjillizuar dhe dëshmuar dashurinë e Zotit për të gjithë.

Nënë Tereza gjatë gjithë jetës së saj bëri gjithçka që të mbillte dashurinë mes njerëzve ndaj Zotit dhe më të dobtëve,të varfërve, të pastrehëve, të sëmurëve, etj. Ajo i dhuroi njerëzimit dashuri prej nëne duke u shëndërruar në simbol universal duke shpërndarë vlerat e edukatës familjare dhe kombëtare shqiptare kudo dhe dëshmoi rëndësinë e parimeve morale e zakonore tona si nderi, bujaria e ndihma për të varfërin që janë ekzistenciale dhe universale.

Vlerën artistike të lutjeve dhe bekimeve të Nënë Terezës publiku e ndjeu me recitimin e shkëlqyeshëm të poezisë së saj nga dy të rinj: zonjusha Ema Kastrati dhe Eraldo Stafa, në gjuhën shqipe dhe italiane.

Më pastaj pati bashkëbisedim të autorit Don Lush Gjergji me publikun të cilët e falenderuan për ligjeratën e mbajtur dhe për kontributin e dhënë në ndriçimin e veprës dhe jetës së Nënë Terezës. Fjalë respekti dhe mirënjohje foli edhe konzulli i përgjithshëm i Kroacisë z. Ribic i cili kishte ardhur bashkë me konsullin e Sllovenisë dhe të Bosnje-Hercegovinës me ftesën e mikut të tyre z. Diamant Kastrati.

Poashtu edhe konsulli nga Shqipëria, z. Rrezart Shkëmbi foli për autorin dhe të madhen nënë të njerëzimit, Gonxhe Bojaxhiun. Diskutimi vazhdoi edhe me përshëndetjen që Gëzim Muçolli veprimtar nga Padova, ia dedikoi autorit Gjergji në shenjë të miqësisë shumëvjeqare duke rikujtuar edhe njëherë qëndrimin e drejtë e dinjitoz që ka mbajtur Don Lushi edhe në kohët më të vështira duke qenë burim i vlerave dhe energjisë pozitive edhe për studentët e viteve tetëdhjetë si dhe që nuk u nda asnjë hap nga fati i popullit tonë të vuajtur.

Duhet përmendur se atë ditë në Milano për ta dëgjuar dhe përshëndetur Don Lushin kishion ardhur veprimtarë të shoqatave dhe shkollave shqipe si dhe krijues dhe artista që kudo po e ngritin lart emrin e popullit shqiptar, si Faik Tafolli nga Montebelluna, Ferat dhe Miradije Avdullahu nga Arzignano e Viçencës, Ragip Thaqi dhe Avdi Beqiri nga Bassano del Grappa, Anila Hoxha-Gjermeni nga Milano, Petrit Aliaj nga Federata e shoqatave të Shqipërisë, zonjat Dava Gjoka dhe Antoneta Nushi, Isuf Zenelaj nga Montebelluna dhe avokate Ermira Zhuri nga Trevizo,e shumë të tjerë.

Poashtu ishte i pranishëm edhe një përfaqësues nga shtëpia botuese “Velar” nga Bergamo e cila ka publikuar shumicën e librave të Don Lushit në italishte i cili kishte sjellur shumë libra të cilat publiku i bleu me kënaqësi.

Në fund të takimit konsulli i përgjithshëm me bashkëpuntorët e tij për të nderuar pjesëmarrësit e takimit ofruan një koktej rasti në ambientet e bukura të kopshtit të Qendrës Ambroziano.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top