DIELLI QË LEN ËSHTË MË I SHKËLQYER SE AI QË PERËNDON

SHKRUAR NGA ISMET TOTO NË GUSHT TË VITIT 1932

“Dielli që len është më i shkëlqyer se ai që perëndon” – Pompei

E SHKUAR GLORIOZE

Ishte një kohë që në këtë vendin t’onë dëgjoheshin disa zëra të qëruar. Ishin të ngrohtë, të gjallë e të fuqishëm. Ishin zëra që niseshin nga z’emra të mëdha, nga z’emra të mbushura me dashuri.

Idealistët shqiptarë të a’saj kohe, sado të paktë, u futën mbrënda në mjegullën e zezë që mbulonte Arbërinë dhe thirrën fort me gjuhë të tyre. Shpallnin një të vërtetë të madhe q’e ndjenin thellë në shpirt dhe q’u rrinte përpara syve e shkrojtur me gërma të zjarrta; dhe sado e zezë të jetë mjegulla, sado të tmerrshme të jenë padija dhe fuqit’e përçarjes në popull, kur ç’faqet një mejtim i kthielltë, kur fillohet një punë me vullnetin dhe zjarrin që ka një ideal i lartë, do të gjënden, në çdo kohë, njerëz që janë gati të ndjejnë, të kuptojnë dhe të përpiqen si do qofshin konditat e kohës. Për këtë arësye shohim që çdo qytet shqiptar, çdo katund mund të themi, ka një histori të veçantë në përpjekjet për lirimin e atdheut. Në çdo cep të këtij vendi është derdhur gjak burrash, gjak i kulluar arbënorësh; e kudo që derdhet një pikë gjak i pastër, aty mbinë një IDE që shpejt a vonë do të rritet e do të lulëzojë.

Dhe me të vërtetë, si u bë Shqipëria?!

Shumë vetë kanë thënë nga një fjalë, por Historiani i Kohës, ajo mendje e shkathët që është e rrallë nëpër shekujt, akoma s’na ka folë. Mbase nuk ka lindur ende. Me sa arrin’ kuptimi i ynë i sotëm, guxojmë të themi se mbi të gjitha arësyetimet që mund të bëjmë, ësht’ e dukëshme se në çështjen e fitimit të pamvarësisë t’onë, rolin e madh e ka lojtur vullneti i qëndruar dhe guximi magjik i shqiptarëve q’aso kohe u gufonte goja dhe zemra: “Ja vdekje, ja Liri”. Idealistët shqiptarë punuan dhe luftuan pa u kursyer, duke pritur në krahërorët e tyre plumbat e injorantëve të gënjyer dhe thikat e tradhëtorëve të shitur! Ata qenë ndezur me Idealin e Shenjtë të Atdhedashurisë dhe asgjë në botë nuk mund t’i ndalonte nga ngadhënjimi i realizimit.

Ata qenë VIGAN dhe misioni i tyre në jetë qé sublim. Përpara kujtimit të fytyrave të tyre të ndritura, ne përungjemi sot e përgjithmonë. Dashuria e tyre për né, qé e pakufishme. Adhurimi dhe respekti ynë për Ta ësht’ sa më i thellë dhe sa më mirënjohës. Të tillët e bë’ Shqipërinë dhe të tillët mund t’a mbajnë.

E TASHME IRONIKE

Mbas fitimit të pamvarësisë, shqiptarët përgjithsisht kujtuan se gjeti fund puna dhe detyra që ka seicili ndaj Atdheut, kurse në realitet puna e rëndë dhe e vështirë për themelimin e një Shteti, puna që kërkon heroizmën më të madhe në botë, domethënë djersë dhe përpjekje të vazhdueshme bashk me një tok sakrificash, fillonte pikërisht atjé ku mbaronte heroizma provizore për fitimin e pamvarësisë kombëtare. Si konsekuencë e këtij keqkuptimi, shohim përnjëherësh luftërat midis elementeve, grupeve dhe njerëzve për të siguruar interesa të veçanta, pa asnjë kujdes për të mirën e përgjithshme të Kombit. Në këtë turbullirë të madhe, në këtë trazirë të urrejtur dhe shurdhonjëse që prodhuan njerëzit e vegjël me interesat e tyre të mallkuara, shohim të mënjanohen një nga një, të zhduken dhe të dërmohen krejt SHKËMBINJTË E RREPTË, KARAKTERET E MËDHENJ, IDEALISTËT SHQIPTARË, ata që e bën’ këtë Shqipëri. Vendin e tyre tani po e zënë aventurierët, gënjeshtarët dhe demagogët. Idealistët qenë jashtë kohës. Kënga e tyre “Ja vdekje, Ja Liri” s’kish më kuptim.

Shqipëria dukej sikur t’ishte lodhur dhe s’rritej dot me njerëz si ata të kohëve të para.

Një materializëm i tmerrshëm barbarë filloi të mbysë njerëzinë t’onë. Sigurimi i jetesës dhe imirëqenjes personale është qëllimi kryesor që drejton sot njeriun shqiptar.

Shqipëria nuk është më një IDEAL i qëmotit, por një tregëti, një gjë për të spekulluar dhe për të rrojtur në kurriz të saj.

Çdo gjë ka një tendencë centrifugale. Të gjithë përpiqen të ç’këputin nga një gjë për vete. Fare të paktë janë ata që japin ndonjë gjë. Po këta quhen pleonasma për këtë kohë, gjëra që s’duhet të ekzistojnë.

Po! Elemente heteroklitë, dalkadal muarën vendin e idealistëve që folëm më sipër. Këto elemente janë të mbruajtur me tradicionalizmën e një të shkuare të turpshme e të mbushur me servilizëm që shquan njerëzit e vdekur shpirtërisht. Janë njerëz që s’kanë një personalitet, që kthehen nga të frynë era. Të rritur pa parime dhe në mes të korrupcionit, këta nuk mund të bënin veçse atë që bënë: e tronditën shumë keq të gjithë strukturën shpirtnore dhe morale që karakterizonte dikur kolektivitetin shqiptar. Mbi atë moral, ndonse pakëz primitiv por me themele graniti, mund të ngrihej një pallat mermeri i përjetshëm, Falëtorja e Shqiptarëve të të gjitha kohëve.

Sot, të përqeshin po u fole për patritizmën! Gjer në këtë shkallë na e sollën gjendjen njerëzit që me jetën dhe të mirën e tyre nuk barabitin asgjë. Këta njerëz, që s’guxojnë të thonë kurrë të vërtetën në qoftë se kjo nuk i pëlqen atij që dëgjon, në vend të mendjes kanë nga një inteligjencë djajsh dhe në vend të z’emrës një pompë mekanike q’u përcjell posht’ e lart gjakun.

Sa kohë që në krye të një shoqërije njerëzore qëndrojnë të tillët, ësht’ e dukshme për cilindo se jeta e asaj bëhet gjithnjë më kritike.

BESIM I PATUNDUR

Nuk dëshpërohemi aspak!

Sidoqoftë puna, Shqipëria ësht’ e destinuar të rrojë e të përparojë.

Shqiptarët që dyshojnë mbi të nesërmen e këtij Atdheu, janë njerëz të paralizuar shpirtërisht, njerëz që s’ndjejnë asnjë fuqi në brendësinë e tyre për të realizuar vepra fisnike dhe të bukura në jetë. Shkurtaz, janë kufoma të gjalla të shpirtzërave të vdekur me kohë. Duhet qëndruar larg, sa më larg që të jetë e mundur nga të tillët.

Në krye të kolektivitetit shqiptar qëndron sot madhërisht Mbreti i Ri dhe Përparimtar, fytyra më shkëlqyer dhe moderne që ka prodhuar gjaku shqiptar në këta shekujt e fundit, një YLL shpëtimtar i ngritur në qiellin arbënor në mes të mjegullave, drita e të cilit buron nga shpirtrat e idealistëve dhe të dëshmorëve të perënduar.

Në katundet dhe në qytetet e Arbëris po rritet një brez i ri, në dejt e të cilit bashk me gjakun e kulluar lëvrijnë dhe instinktet supreme të fisit; shkathtësia, dynamizma dhe guximi. Ky brez, kjo Djalëri idealiste, ësht’ armata glorioze e Mbretit dhe e Kombit. Shpresa supreme e Atdheut qëndron tek Zogu i Madh dhe tek fuqia e pathyeshme e Djalërisë që ësht’ nën urdhërat e Tij.

Vetëm djalëria intelektuale dhe e shëndoshë, ndjen dhe kupton thell dëshirat dhe idealet e larta të Mbretit. Vetëm ajo do të mundë t’i zbatojë për të transformuar Shqipërinë, nga ç’është, në një shtet të lumtur dhe të qytetëruar.

Dhe është fare afër dita që djalëria shpatullgjerë do të jetë gati t’i përgjigjet udhëheqësit të saj të Madh. Që n’atë ditë fillon puna për të bërë një Atdhe të Madh, një shtet me parime dhe një popull me Ideal të Lartë në Jetë.

Besimi i ynë për këtë çështje ësh’ i patundshëm…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top