Shkruan: Artur Roshi, Kryetar i Ballit Kombëtar Demokrat
Dekorimi i 82 martirëve nga Presidenti i Republikës është një akt i drejtë në raport me të vërtetën historike. Ishin dokumentet e arkivit të shtetit që ju paraqitën Presidentit dhe e bindën atë për këtë veprim. Pushkatimi i tyre nga brigada e Mehmet Shehut tregon qartë luftën civile të komunistëve për pushtet, por nuk është ky qëllimi i reagimit sepse historianët po binden se ka një abuzim me historinë.
Sot historia nuk mund të mbulohet më me gënjeshtra bajate sepse arkivat janë të hapura dhe njerëzit e interesuar për të vërtetën nuk mund të shmangen më nga ajo. Kështu që, më duket një reagim skematik jashtë logjikës ai i z.Paskal Milo. Përgjigjia e tij është thjesht automatikisht si refren i të shkuarës dhe jo i realitetit të sotëm që nuk ka më një informacion të kontrolluar e selektiv mbi historinë, pra një monopol të historianëve të djeshëm.
Kapitalizmi që jetojmë sot, edhe pse “klanor”, me ngadalë, por do të drejtojë shigjetën e historisë drejt të vërtetës dhe herët apo vonë martirët e Nacionalizmit(Ballit) do të ngjiten në altarin e demokracisë.