DEKALOGU I IBRAHIM RUGOVËS

SHKRUAR NGA SABRI HAMITI

1. Ngrica

“Sa herë merr ngricë kujtojmë emrin Tënd”, tha poeti. Ibrahim Rugova erdhi në dhjetor e shkoi në kallnor; nga bora në akull. Kaloi një jetë njerëzore duke ngrohur zemrat e duke ndritur mendjet, për t’u bërë ikonë e bashkimit të Popullit të Kosovës, për ta fituar lirinë, dhe një yll që ndriçon në yllësinë e historisë shqiptare. Kujtimi në dhjetëvjetorin e tij është kohë për të rimarrë identifikimin me Njeriun e Prijësin e këtij vendi që i thonë Kosovë, Dardani antike.

2. Trashëgimi

Nëse e marrim politikën si veprim e si vizion, atëherë cili është mirasi i filozofisë politike e i praktikës politike të udhëheqësit të Pavarësisë së Kosovës, sot e këtu, jo vetëm për rugovianët e rugovistët, por për të gjithë qytetarët e Kosovës?

1. Politika me premisa morale e humane;
2. Politika e hapjes e jo e izolimit;
3. Politika e jodhunës, e mirëkuptimit dhe e mirëbesimit;
4. Politika e dialogut me kundërshtarët si hapësirë e alternativës demokratike;
5. Politika e sundimit të ligjit, e barazisë para ligjit, si detyrim demokratik;
6. Politika e lirisë së individit si themel i lirisë kolektive e nacionale;
7. Politika e konsensusit për interesa nacionale e vizion zhvillimor strategjik;
8. Politika e tolerancës edhe në kohë të krizave, me lëvizje pragmatike për qëllime strategjike;
9. Politika e nderit, e integritetit dhe e përgjegjësisë të përfaqësuesit e të prijësit të qytetarëve;
10. Politika e vullnetit për drejtim nëpërmjet programit e konkurrencës që prodhon alternativë (zgjedhje) përbashkuese e jo shoqëri konfliktuale, shkatërrimtare e likuiduese.

3. Perëndimi

Shqiptarët në Perëndim të Lindjes; shqiptarët në Lindje të Perëndimit; lakohen tezat e hipotezat gjeografike, historike e kulturore, dikur, dje, sot, duke i parë shqiptarët në zonën gri të kapërcimit.
Rugova krijues, empirik e fantastik, shqiptoi kokrrën e djersës si kokrrën e mendimit, kur tha: “Shqiptarët në Perëndim, dikur, dje, sot e përherë”.

4. Besimi

Midis legjendash e besëtytnish, të flijuar nga kodi i kryengritjes e i nënshtrimit, me sëmundje trashëguese të veçimit, lundrojnë shkretëtira e kalërojnë dete… u thanë gjykime e paragjykime për popullin e tij.

Rugova bëri lidhjen e re me besë e shpresë, se tha Dalzotësi i Vendit “Bashkimi e Besimi janë shpëtimi”. Se shtoi poeti “Një fé e re e besimit në vete”.

5. Plaknia

Gjuha nuk është vetëm stili, gjuha është karakteri, është identiteti i kombit: shqipja e shqiptarëve. Ajo është te Buzuku, te Bogdani e te Pashku, po vlen të kërkohet edhe të Platoni, te Aristoteli e te Xhojsi. Sepse historia është kujtesa e shkrimit.

Rugova pranoi çka tha poeti “Pisha është laps që shkruan në errësirë”; përsëriti çka tha latini “Fjalët i merr era, mbetet gjallë shkrimi”; e tha më vete “Kthimi në Antikë është përparim”.

6. Dardania

Në Prizren e në Prishtinë, ku bukës i thonë bukë e ujit ujë, në fusha, në male e përtej malesh, rreth lumenjve e buzë detit, kudo të parët ligjëruan shqipja e shqiptari.

Rugova shtoi: Kosova (Dardania antike) qe vendi ku u bë Kuvendi si mbrohet jeta e fitohet liria.

7. Fjalimi

Njëri ka lapsin, tjetri shigjetën; njëri ka fjalën, tjetri ka plumbin; njëri ka nderin, tjetri ka mëninë; njëri ka gjakun e nxehtë, tjetri ka gjakun e ngrirë; që lehtë mund të pjellin mosmarrëveshje, si te Babilonia.

Rugova kërkoi barin për varrë: për gjëra të mëdha duhet pajtimi i mbrendshëm e mirëkuptimi, sepse e thotë urtia e vjetër “Lisi më fort çahet nga pyka e vet”.

8. Dashuria

Dashuria njerëzore pajton gjaqet, lidh miqësitë, i bën të kuptohen moshat, të mbijetohen fatkeqësitë; ashtu si mirëkuptimi e toleranca rrisin durimin e qëndresën për punën e dijen.

Dhe Rugova shtoi: për të mbajtur gjallë shpirtin e për të mbrojtur njeriun (njerëzinë) përherë janë të lidhur Shpëtimtari e Çlirimtari. – Në shkretëtirën njerëzore, kend e shpëton Shpëtimtari, kend e çliron Çlirimtari.

9. Vetja

Rugova, para se të shkonte, krijoi Trupin e Përbashkimit, e shtoi për veten në trajtë të testamentit: “Do të mbahem në mend për atë që kam bërë. Do të kujtohem për atë që kam shkruar”.

I kanë thënë: Gandi i Kosovës, Kolosi i brishtë, Duruesi i padurueshëm, Njeri me pushtet moral. I kanë thënë edhe: Ëndërrimtar, Lakmues i lirisë, Kërkues i lirisë, madje i Shenjtë. Por, duket që Rugova ishte (është) vetëm një mishërim i shqiptarit të përhershëm, që jeton në kohën e re, duke përqendruar subjektivitetin kulturor dhe idealet e popullit të tij.

10. Mësimi

Meditoi për brezat e lidhjen e tyre, për harmoninë njerëzore, për të rinjtë e plakur e për pleqtë fëmijnorë; e tha sa herë: është tepër keq me u plakë keq.

Mësimin e tij mund ta marrë secili veç e veç, apo ta marrin të gjithë të përbashkuar. Ai e dinte, por duhet ta kuptojnë edhe bashkëkohësit, që edhe vogëlushi në krah të divit mund të shohë më larg. Edhe pak më shqip: trimi i mirë me shokë shumë.

Lavdi Ibrahim Rugovës!

1 thought on “DEKALOGU I IBRAHIM RUGOVËS”

  1. I MADH JE O POETI I DARDANIS SE TI ME SHOKË E DR.IBRAHIM RUGOVËN NA DHAT FORC EIDENTITET QË PËRSERI DARDANIA TË RIFLET PËR GADISHLIN ILURIK O MIKË VEPRAT TUAJA NUK VDESIN KURR

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top