Çështja e Kosovës dhe Enver Hoxha

Shkruar nga Pavli Qesku, ish Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar 

-Rend e rend, rend o Marathonomak.
At Fan Noli

Në këtë shkrim nuk kam për qëllim të bëj historinë e aneksimit të territoreve shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore nga Jugosllavia. As nuk dua të merrem me shqyrtimin e forcave politike të brendshme dhe të jashtme që përcaktuan vendimin përfundimtar të Fuqive të Medha për t’i dhënë Kosovën Serbisë. Nuk është ide e panjohur të thuash se Fuqitë e Mëdha po luanin lojërat e tyre për interesat e tyre afatgjata dhe jo në interes të të voglit e të dobtit – kujtoTraktatin e Shën Stefanit, Traktatin e Versajes, Konferencen e Ambasadorëve në Londër apo Protokollin e 1915 mbi copëtimin e territoreve shqiptare, për të mos hyrë më thellë në histori.

Pa devijuar nga çeshtja e interesave kombëtare shqiptare, vlen të përmbledhim disa ngjarje kyç në historinë tonë të kohëve të fundit dhe t’i vendosim ato në sfondin e pozicionit të marrë nga PKSH, me vonë e riquajtura Partia e Punës e Shqipërisë.

Periudha spikat nga këto momente intriguese:

-Kthimi i territoreve të Kosovës dhe të Metohisë Shqipërisë;

-Mbledhja e Mukjes dhe Deklarata mbi Kosoven;

-Copëtimet shqiptare kalojnë në Kosovë, Metohi dhe Sanxhak;

-Vizita e Enver Hoxhes ne Bled, Jugosllavi, me 30 Qershor 1946, heshtje e plote vihet re përsa i perket çeshtjes e Kosovës.

Këto ngjarje orientuese e kanë nismen e tyre në pushtimin e Shqipërisë nga Italia, pushtim ky që u ndoq nga përfshirja e Kosovës në territoret e zotëruara nga trupat e Musolinit, trupa të cilat ai u përpoq t’i deklaronte si pjesë të Kurorës së Savojës.

Dokumentet e Partisë së Punës së Shqipërisë (të falsifikuara apo jo, kjo nuk përbën interesin tim për momentin), tregojnë se udhëheqja komuniste menjëherë e dënoi pushtimin fashist të Kosovës, si një akt agresioni dhe nuk bëri as përpjekjen më të vogël për t’i shpjeguar popullit shqiptar situaten e re që ishte krijuar në këtë mënyrë nga fatet e ndryshme të luftës. Ky pozicion i komunistëve shqiptarë nuk mund të shpjegohet plotësisht në qoftë se nuk arrijmë të kemi parasysh varësinë e plotë të Enver Hoxhes ndaj shokeve te tij serbë, fakt që në mënyrë indirekte flet për influencen e politikës serbomadhe në Ballkan.

MBLEDHJA DHE MARRËVESHJA E MUKJES, 1-2 GUSHT 1942

Pjesëmarrësit e Mbledhjes së Mukjes e ngriten problemin e Kosoves si çështje madhore me rëndësi kombëtare. Se kujt do t’i dedikohej ky hap, nacionalistëve apo komunistëve, do të duhej të pritej derisa të hidhej dritë e plotë mbi ecurinë e mbledhjes, derisa gjithësecili që mori pjesë në të, si dhe ata që e organizuan atë, të thonin fjalen e tyre.

Në këtë pikë e ndjej se duhet të theksoj kontributin e familjes Toptani, që bindi komunistët, nacionalistët, ballistët dhe legalistët të takoheshin në shtëpinë e babait të Ihsan Toptanit në Tapizë.

Platforma që kjo mbledhje i propozoi kombit të tërë mund të permblidhet si më poshtë:

“Krijimi i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar dhe Krijimi i Shqipërisë Etnike”.

Kur lexon Historinë e Partisë së Punës së Shqipërisë, vëren se Komiteti Qendror i PKSH menjëherë e dënoi dhe e denoncoi Marrëveshjen e Mukjes si tradhëti nga ana e kapitulluesit Ymer Dishnica dhe e Balli Kombëtar.

Megjithatë, Dedijer paraqet një histori tjetër. Ai thekson se Enver Hoxha dhe pak anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë hezituan për rreth dy ditë për të denuar Marrëveshjen. Arsyeja që paraqiti Enver Hoxha, shton ai, ishte se ai po priste që forcat jokomuniste të përçaheshin për këtë çështje pas mbledhjes.

Por më pas, Svetozar Vukmanoviq Tempo dhe shokë të tjerë jugosllavë që kishin përkrahjen e Koçi Xoxes, më në fund, fituan mbi Enver Hoxhen. Më pas, PKSH në mënyrë anekuivoke e dënoi Marrëveshjen e Mukjes si akt tradhëtie.

Ja se si Dedijer shpjegon momentet e hezitimit të Enver Hoxhes:

“ky qendrim i disa anëtarëve të Komitetit Qendror të PKSH, përfshirë edhe atë të Enver Hoxhes, kushtëzohej nga fakti se këto anëtarë të Komitetit Qendror të PKSH, të cilëve u mungonte përgatitja teorike dhe pjekuria politike, nuk e kishin të qartë zhvillimin e ardhshëm të ngjarjeve pas dëbimit të pushtuesve dhe nuk ishin të vendosur në luften e tyre kundër reaksionarëve të brëndshem.”(f.78).

Ndërsa forca të ndryshme të lëvizjes kombëtare u gëzuan për Marrëveshjen e arritur në Mukje , veçanërisht për “programin e Shqipërisë Etnike”, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviq i shprehen ndjenjat e tyre si më poshte:

“Ky bashkim i forcave shqiptare është i papranueshëm. Tashmë, ne po forcohemi nga dita në dite dhe shume shpejt do t’i sulmojmë në mënyrë të pamëshirshme. Ne kurrë nuk do t’i lejojmë të bashkohen dhe kurrë nuk do të lidhemi me këto qenër. Dhe pastaj, ç’është kjo Shqiperi Etnike! Le të përpiqen dhe ta bëjnë nëse ua mban.”(f.96).

Shpallja e Mbledhjes së Mukjes mbeti vetëm një rreze jetëshkurtër shprese për aspiratat e shqiptarëve. Menjëherë pasi u mësua vendimi i marrë nga ky forum i të gjitha forcave të vendit, të përkushtuar në luftë kundër pushtuesit, të dërguarit e Titos urdhëruan Enver Hoxhen ta denonconin atë si tradheti (ndaj kujt?). Dhe ai u dorëzua pa asnjë rezistencë. Që nga ky çast e më pas, njësitë lutarake komuniste u shpallen lufte pa kompromis nacionalistëve. Të dërguarit e Serbisë po silleshin si lordë në Shqipëri. Librat e Historisë së Shqipërisë, të shkruara pas lufte nën diktatin e komunistëve e përshkruajnë Marrëveshjen e Mukjes si tradhëti.Çështja është: Tradhëti ndaj kujt?

Është e qartë çfarë nënkuptonin komunistet shqiptarë: Tradheti ndaj interesave të Serbisë në Shqipëri.

Në raportin e tij të Komitetit Qendror të PK të Jugosllavisë më 19 nëntor 1943, Miladin Popovic shkruan:

“Shokët delegatë në Mukje ranë në pozitat e nacionalistëve. Të zhytur në oportunizëm, ata kërkuan që një pjesë e programit duhej të ndërrohej. Shoku Tempo ishte këtu atëhere. Ne e diskutuam çështjen me anëtaret e Komitetit Qendror dhe studiuam të gjitha mundësitë, situaten dhe gjithçka tjetër dhe përfundimisht vendosëm të hidhnim poshtë Shpalljen dhe të mos e njihnim krijimin e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë, apo rolin e tij si organi më i larte në luftën çlirimtare. Ne vendosëm të mblidhnim Konferencën pa vonesë dhe të zmadhonim Komitetin Qendror…” (f.80)

Konferenca e dytë e Labinotit u mbajt në tetor 1943, sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta të Miladin Popovicit. Ecuria e kësaj konference u dominua plotësisht nga vija serbe. Të gjitha çështjet që kishin të bënin me qendrimin ndaj forcave nacionaliste, organizimin e forcave të armatosura dhe punën e partisë, ndikoheshim nga interesat serbe.

Në këto rrethana, udhëheqja e Ballit Kombëtar botoi Manifestin e vet me titullin “RRUGA E DREJTE DHE RRUGA E GABUAR”, në të cilin mes të tjerash thuhej:

“Është e qartë për popullin se kjo parti që udhëhiqet nga Sale (Dushan) dhe Miladin me shokët e tyre, po përgatitet të na japë një diktature dhe terror në vend të lirisë së premtuar,…do të na japë shkatërrim në vend të progresit…”

Është e qartë se shumë shqiptarë nuk kishin dyshime për rolin e të dërguarve serbë në Shqipëri. Por rrënjët e punës së Dushanit dhe Miladinit ishin aq të thella, sa që as Enver Hoxha, as ndonjë anetar i Komitetit Qendror të PKSH nuk mund ta ndalonin të keqen. Komunistët shqiptarë u kapën në rrjetën e serbëve, të cilët ishin mjeshtër të mbaruar për ta përkulur Enver Hoxhen ngado që ata dëshironin dhe kishin arritur t’i lidhnin duart me fijet sekrete të cilat i kishin fillimet e tyre më 8 nëntor 1941, në një shtëpi të thjeshtë në Tiranë.

Enver Hoxha ishte plotësisht i ndërgjegjshëm se pa vëllezërit e tij serbë nuk do të kishte mundur të ngjiste shkallën e partisë dhe të kapte postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të PKSH. Kjo ishte arsyeja se pse udhëheqja komuniste shqiptare nuk mund ta thoshte fjalen e vet përsa u përket çështjeve të veta të brëndshme, kur fatet e vendit po vendoseshin dhe nuk mund të kundershtonte planet serbe për vendosjen e ardhshme të territoreve shqiptare në Jugosllavi.

Divizionet e ushtrisë shqiptare në territoret e Kosovës dhe Metohisë dhe në Sanxhak.

Nga fundi i luftës , Ushtria Jugosllave, Shtabi i Përgjithshëm, ftoi një numër njësish të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare “të shkonin e të ndihmonin partizanët jugosllavë në Kosovë, Metohi dhe Sanxhak, që të shporrnin divizionet gjermane”. Është fakt se një numër shqiptarësh etnikë në ato rajone ishin bashkuar me forcat gjermane, të cilat i shihnin si shpëtimtarë të tyre prej zgjedhes serbe.

Le të ndalojmë një çast e të konsiderojmë këtë hap të pazakontë. Si është e mundur që udhëheqja jugosllave të bënte këtë hap të guximshëm e delikat? Si mund të nxiste praninë e mijëra shqiptarëve të armatosur në territoret e Kosovës, Metohisë dhe Sanxhakut?

Nuk ka dyshim se udhëzimet dhe ftesa për këtë lëvizje masive të trupave shqiptare drejt Jugosllavisë erdhi nga Beogradi; kjo ishte një lëvizje pa precedent nga ana e serbëve, të cilët për shekuj me radhë kishin kultivuar mitin “Kosova djepi i qytetërimit serb”. A i kishte marrë PK Jugosllave të gjitha masat e sigurisë për ndonjë zhvillim të paparashikuar? Dukej se po. A kishte siguruar PK e Jugosllavisë të gjithë garancitë nga PKSH se gjithçka do të shkonte siç ishte parashikuar? Dukej se po.

Mendoj se ka arsye të plotë të më bëjë të besoj se Tito e dinte shumë mirë se çfarë po bënte dhe se njësitë e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare “do të bashkëvepronin plotësisht dhe të vëllazëroheshin me njësitë partizane jugosllave në rajon”. Unë nuk jam i bindur se Tito ndërmori këtë hap të rrezikshëm thjesht për arsyet strategjike të koordinimit të operacioneve të luftës në Ballkanin Perëndimor. Tito kishte plane të rëndësishme për të ardhmen e Jugosllavisë si lojtarë parësore në Ballkanin e pasluftës.

Konkluzioni logjik është se udheheqja jugosllave po llogariste çdo gjë me kujdes. Së pari, unë jam i bindur se ai kishte marrë çdo siguri nga udhëheqja komuniste shqiptare, se prania e njësive të ushtrisë në territorin e Jugosllavise nuk do të përmbyste situaten dhe nuk do të krijonte probleme për të ardhmen. Së dyti, Tito po llogariste që të përdorte praninë e forcave shqiptare në Kosovë me qëllim që të krijonte një situatë konfliktuale ndërmjet kosovarëve që ishin bashkuar me forcat gjermane dhe me partizanët shqiptare, të cilët në fakt punonin në favor të tij.

Këtu ka përsëri bazë për të dyshuar se ekzistonte një marrëveshje e heshtur mbi të ardhmen e Kosovës dhe Metohisë ndërmjet jugosllavëve dhe komunistëve shqiptarë.

Vizita e Enver Hoxhës në Jugosllavi, Bled, më 30 qershor 1946

Në periudhën e pasluftës, nga 1944 deri në 1948, përpara se vëllezërit komunistë të zihen me njëri-tjetrin, varësia e Komitetit Qendror të PKSH ndaj udhëheqjes komuniste të Beogradit, u rrit shtruar dhe gjeti shprehje në thëniet e një nënshtrimi servil të veshur me fjalë, të cilat asnjë kokë shteti apo e ndonjë vendi sovran t’i ketë shqiptuar ndonjëherë ndonjë kreu shteti (shih shtypin jugosllav që mbulon vizitën e Enver Hoxhës).

U takon historianëve të hedhin dritë mbi implikimet e thënieve të Enver Hoxhës gjatë vizitës së tij në Jugosllavi. U takon analistëve politikë të nxjerrin konkluzionet e tyre nga këto thënie.

Çdo shqiptar me ndjenjen e detyrës ndaj atdheut të tij, me të drejtë do të kishte pritur që kreu i PKSH të shfrytëzonte takimin e tij me Titon për të ngritur të paktën pak çështje thelbësore të lidhura me statusin e ardhshëm të territoreve të banuara nga shqiptarët në Jugosllavi (në tokat e tyre në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit, Malësi, Anë e Malit dhe Maqedoninë Perëndimore e kudo tjetër).

Me cilësinë e kreut të shtetit, Enver Hoxha duhej të kishte pyetur Titon se çfarë mendonte ai për të ardhmen e shqiptarëve që kishin kontribuar aq shumë në krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912 dhe padrejtësisht ishin lënë jashtë atij shteti për të cilin ata kishin kontribuar për ta krijuar.

Megjithë përpjekjet e mia të zellshme dhe këmbëngulëse për të kërkuar qoftë dhe një referencë të vetme mbi kosovarët në librin e Dedijer, nuk ia dola mbanë. Nëse i kërkoj lexuesit t’u referohet botimeve të bëra nga PPSH në këtë periudhë apo librit të Enver Hoxhes “Titistet”, e vetmja gjë që mund të thuhet me siguri është se Enver Hoxha pretendon të ketë ngritur çështjen e së ardhmes së Kosovës dhe se Tito është përgjigjur se problemin i Kosovës nuk mund të ngrihej për momentin, “sepse do të trazonte serbët”.

Nuk duhet të harrojmë se Tito, si kroat që përgjigjej për Jugosllavinë, duhej të ushtronte të gjithë aftësitë e tij prej xhongleri politik për t’i mbajtur serbët të lumtur. Ai nuk e kishte deshirën apo ndonjë plan që të diskutonte Kosoven me Enver Hoxhen. Që këtej, i vetmi rast zyrtar për Enver Hoxhen që të ngrinte çështjen e Kosovës me “shpirtin vëllazëror ndërkombëtar” me udhëheqësin jugosllav nuk u shfrytëzua.

Kjo ishte çfarë Beogradi diktoi dhe Enver Hoxha duhej të bindej. Mbi të gjitha ishte ideja e tyre origjinale.Udhëheqësi komunist shqiptar e dinte se e ardhmja e pozicionit të tij si timonier i Komitetit Qendror të PKSH dhe i Shtetit të ri shqiptar vendosej në Beograd. Enver Hoxha nuk kishte bërë ende shokë dhe nuk kishte krijuar lidhje që të mund ta lejonin atë të sfidonte Beogradin, siç bëri më vonë pas 1948. Ai priti rastin që të paraqiste vetën .

Shqiptarët e ndershëm do të bënin pyetjen e ligjëshme:

-Për çfarë folën Enver Hoxha dhe Tito?

-Çfarë marrëveshjesh u firmosën mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë?

-Çfarë vendimesh u morën për Kosovën?

Këtyre pyetjeve bazë nuk u është dhënë përgjigje as nga Dedijer në librin e tij, as nga Enver Hoxha në librin “Titistët”, apo në “veprat” e tij të plota.

Meqë Enver Hoxha nuk arrin t’i japë përgjigje një çështjeje me rëndësi kardinale për kombin dhe për stabilitetin në Ballkan, lexuesi i zakonshëm do të habitej me vlerën e trashëgimisë së Hoxhës. Të vetmit që kurrë nuk do të habiten janë ata që u kanë shërbyer interesave serbe në Kosovë dhe në Shqipëri.

Disa rreshta që vijojnë janë të cituara nga thëniet e Enver Hoxhës para gazetarëve jugosllavë me rastin e vizitës së tij në Jugosllavi më 30 qershor 1946.

“Është e pamundur të imagjinosh rezistencën e popullit të vogël shqiptar kundër armikut pa luftën e popujve jugosllavë”.

Enver Hoxha nuk mund ta poshtëronte popullin e tij më shumë se kaq para personit që e kishte ndihmuar të rrinte pa u zhytur në udhëheqjen e PKSH. S’ka poshtërim më të madh për një popull të vogël që kishte bërë përpjekje të gjatë e kolosale për çlirimin e territoreve të veta pothuajse pa ndihmë direkte (ne përshkruam të gjithë përpjekjen që Miladini dhe Dushani i dhanë Enver Hoxhës që ta vinin në krye të PKSH dhe shtetit shqiptar për qellimet e tyre).

Enver Hoxha u dorëzua pa kushte para Titos dhe gojët e këqia përhapen thashëthemen se ai ra në gjunjë para Titos. Të paktën kështu më tha një shok i imi që kishte njohur një fotograf zyrtar, i cili shoqëronte Enver Hoxhen gjatë vizitës së tij në Bled.

Deklarata të së njëjtes natyrë, si ato që Enver Hoxha bëri në Bled, gjenden të shumta ne shtypin shqiptar (shih gazetën Bashkimi, viti 1947-1948, urdhëresat e qeverisë shqiptare të viteve 1945-1948 dhe raportet e shumta të misioneve jugosllave në Tiranë). Nuk mund të pritet qendrim tjetër nga disa udhëheqës, të cilët vendosen karrieren e tyre politike mbi interesat e të gjithë kombit, që sakrifikuan Kosovën e gjithçka tjetër për hir të sigurimit të vazhdimësisë së komunizmit në Shqipëri, që e katandisen Shqiperinë në një vend feudal në duart e një kaste të pamëshirshme sunduesish të ndihmuar nga një dorë maskarenjsh. Asgje tjetër s’mund të thuhet për kreun e një shteti që i serviloset këtij vendi për hir të sigurisë së tij individuale.

Teza kryesore që kam parashtruar në pak faqe të para bazohet pak a shumë në heshtjen e vënë re nga ana e udhëheqësve shqiptarë që përcaktuan fatin e Kosovës. Burimet historike në këtë kapitull të historisë së kombit shqiptar janë ende të pakta dhe të pamjaftueshme, gjithashtu heshtja misterioze nuk mund të sqarohet derisa të dy palët, shqiptarët dhe jugosllavët, të hapin arkivat e tyre. Politikanët shqiptarë nuk do të jenë në gjendje të davariten nga koklavitja në të cilën janë implikuar për shkak të tradhetisë që i bëri Enver Hoxha çështjes kombëtare.

Pse e gjithë kjo mbulesë heshtjeje mbi një çështje me rëndësi madhore për Shqipërinë? Pse Enver Hoxha jep vetëm pak rreshta nga vizita e tij në Jugosllavi dhe mbledhja e shumëpritur me Titon? Pse historiografia shqiptare është e heshtur për marrëveshjen që u firmos në Beograd më 1948?

Ata që janë të etshëm të kuptojnë arsyet e kësaj heshtjeje ogurzezë, ashtu siç është, duhet të përdorin logjiken e tyre. Është e pamundur të gjurmosh qëndrueshmëri në çdo gjë që bëri Enver Hoxha. Ai preokupohej vetëm për sigurinë e tij dhe ruajtjen e pozitës së tij. Çmimi me të cilen ai arrinte atë që dëshironte nuk kishte rëndësi për të. Preokupimi mbizotërues për të ishte ruajtja e pushtetit të cilin e fitoi duke tradhëtuar bashkëpunëtorët e tij më të ngushte duke filluar me Qemal Stafen, viktimën e tij të parë, Nako Spiron, Tuk Jakovën dhe duke mbaruar me Sejfulla Maleshoven, vetëm në pak vite pas luftes.

Ku rezulton logjika e veprimeve të Enver Hoxhës në dashurine e tij të palumtur me Titon? Pa u marrë me lidhjet sekrete mes Enver Hoxhës dhe të dërguarve të serbëve në Shqipëri, për shkak se dokumentet e asaj periudhe ishin në duart apo kujtesen e personave në fjalë, unë do të merrem me një numër momentesh kritike në karrieren e “udhëheqësit legjendar” të Shqipërisë në periudhen e shkurtër të ndikimit jugosllav, kur ai ishte kukull në duart e komunistëve serbë.

Momenti që bie më shumë në sy në këtë periudhë të historisë së Shqipërisë është i lidhur drejtpërdrejtë me qendrimin e tij ndaj Marrëveshjes së Mukjes (Gusht 1943). Vladimir Dedijer, në bazë të raporteve të Mugoshës dhe Popoviqit , pretendon se Enver Hoxha në dukje hezitoi tre ditë përpara se të merrte vendimin për të dënuar Marreveshjen si tradhëti.

Pse hezitoi ai? Si mund të hezitonte ky njeri, i cili në të gjithë koleksionin e tij “mbresëlënës” prej 72 volumesh shkrime, fjalimesh dhe artikujsh u këndoi lavdeve të tij.

Përgjigja do të gjendet tek shokët tij në Serbi dhe Mal të Zi. Dedijer mes tjerash ka një përgjigje. Po ashtu kanë edhe autoret e shumtë serbë të cilët kanë shkruar historinë e kombit tonë, siç e shohin ata dhe ia kanë paraqitur botës si ungjillim të së vërtetës.

Viktimat e indoktrinimit serbo-hoxhian janë shumë. Disa prej tyre i ofrojnë shërbimet e tyre të demshme Shqipërisë vullnetarisht, siç bën Reginald Herbert, i cili në komentet e tij të padëshirueshme, u mohon shqiptareve të drejtën për të quajtur vetvetën një popull me ndërgjegje kombëtare (shih fjalën e tij në Shoqaten Britanike për Europën Qendrore dhe Lindore më 17 qershor 1997). Të tjerë janë ata që ecin pas gjurmëve të grekëve dhe serbëve në të njejtën kohë dhe shtrembërojnë realitetet shqiptare, siç janë Miranda Vickers dhe James Pettifer.

Më shumë viktima do të gjenden mes Diaspores Shqiptare, e cila endërron për një shtet shqiptar të fortë, megjithëse nën një diktator mizor, për hir të përmbushjes të idesë utopike të ndjekjes të një të ardhme të lumtur për Kosovën që ekzistonte vetëm në mendjet e tyre të shtrembëruara.

“Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë”(volitshem botuar vetëm 30 vjet pas themelimit të saj më 8 nentor 1941), i lë hapësirë të mjaftueshme Plenumit famëkeq të Beratit. Është fakt se të dërguarit serbë ishin të pranishëm dhe e vunë në skenë këtë ngjarje të rëndësishme. Me sa duket ata zotëronin shënime stenografike mbi ecurinë e Plenumit dhe Dedijer ka kënaqësi të veçantë kur riprodhon disa prej paragrafëve më me “spec”. Më poshtë vijon një pohim i Enver Hoxhës që të ngjall shumë kureshtje.

“Jo vetëm që kurrë nuk kam patur ndonjë avantazh duke u shoqëruar me Alija (Miladin Popovic), por kam vuajtur për shkak të tij, sepse ai më ka mbajtur larg punës me organizimet e tij ordinere jo-politike (f.95).

Persa u përket dobësive të tij në përmbushjen e detyrave të partisë si sekretar i Komitetit Qendror të PKSH Enver Hoxha pohon:

“Unë nuk isha në gjendje të organizoja mitingje, sepse pozicioni i rëndësishëm që kisha (si sekretar i Komitetit Qendror) kërkonte aftësi të veçanta dhe përgatitje të veçantë. Unë nuk isha thjesht një shok partie.” (f.95)

Përçartje interesante dhe gjysëm pohim i pazotësisë së tij. Dhe më tej shokët e tij i vunë në gojë fjalët e mëposhtme:

Prandaj u detyrova të shtyja mbledhjet … unë nuk kujtoj të kem propozuar ndonjëeherë të mbahet një mbledhje teorike, sepse ishte e vështirë për mua ta beja një gjë të tillë. Edhe tani unë nuk jam në gjendje të bëj një detyrë të tillë. Unë nuk thirra mbledhje të tilla, jo sepse u shmangesha detyrave të mia, por sepse nuk jam në gjendje të bëj një punë të tillë.”(f.95)

Kështu Dedijer tregon se Enver Hoxha pohoi tri herë rrjesht se ai ishte i paaftë të udhëhiqte PKSH. Ky lloj individi gjatë muajit të mjaltit me Titon përsëriti se pa Jugosllavine e lavdishme dhe pa Titon e madh lufta e popullit shqiptar do të kishte qenë një hiç.

Pas prishjes me Titon në vitin 1948, që ndodhi menjëherë pas letrës publike të Informbyrose, Enver Hoxha, si demagog që ishte, mohoi rolin dhe kontributin e Dushanit dhe Miladinit më shumë se 300 herë. Ai mohoi Titon më 1948, Hrushovin më 1961 dhe Mao Ce Dunin më 1977 dhe i ekspozoi ata si armiq të komunizmit më të njëjten furi dhe vrull siç mbrojti Stalinin gjatë gjithë jetës së tij. Ai mohoi çdo gjë rreth “vëllezërve të tij komunistë”, por ai harroi se në bote ka një gjë të tillë që quhet arkivë, se njerëzit kujtojnë.

Sot po përballemi me një zgjedhje vendimtare për fatet e popullit dhe është për të mirën e të gjithë kombit që të rifreskojmë memorjen tonë dhe të hedhim tutje plehërat.

Bëra këtë kthim në të kaluarën me qëllim që të theksoj barrën e trashëgimisë së Enver Hoxhës dhe ta ndërgjegjësoj lexuesin për vështirësitë që shtrihen përpara për një trajtim demokratik qeveritar të çeshtjes kombëtare.

1 thought on “Çështja e Kosovës dhe Enver Hoxha”

  1. Z. Qesku, ju pershendes, per kete analize, ne lidhje me aktet e krereve te PKSh kundrejt PKJ. Si krijuese e PKSh, PKJ mbante rolin e partise Meme dhe dominonte jeten ne te, duke I mbajtur si lakej, te gjithe Banden ( Junten ushtarake ) qe nen mbeshtetjen e PKJ, uzurpoi me te gjithashtu mjetet kriminale, Pushtetin Politik, qe ishte objektivi kryesor, duke shitur veten si subjekt politik Filial i PKJ, dhe me keq, ata shiten edhe interest kombrtare, vetem per te marre Frenat e Republikes se 7-te te Federates jugosllave, Ku ata vete e kishin futur.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top