Britania e Madhe dëshiron të dërgojë raketa me rreze të gjatë veprimi

Ministria britanike e Mbrojtjes ka propozuar furnizimin e Ukrainës me raketa që kanë rreze veprimi prej 300 kilometrash. Britania e Madhe është vendi i parë që merr vendim në kundërshtim me pozicionin aktual të SHBA-ve.

“Ne kemi nevojë për raketa me rreze të gjatë veprimi dhe për aeroplan luftarakë,” kishte thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky (45) në mënyrë të përsëritur në të kaluarën. Në funksion të kundërsulmit të ardhshëm, këto kërkesa po bëhen gjithnjë e më të zëshme. Këmbësoria dhe tanket në pjesën e përparme mund të mbrohen më mirë nga raketat me rreze të gjatë veprimi. Britania e Madhe është vendi i parë që ka treguar gatishmërinë e saj për ta mbështetur Ukrainën në realizimin e këtij synimi.

Më 2 maj, Fondi Ndërkombëtar për Ukrainën (IFU) i udhëhequr nga Britania e Madhe po shqyrtonte mënyrat për të ofruar raketa me rreze më të gjatë veprimi, shkruan Washington Post. Ministria Britanike e Mbrojtjes po i shqyrton opcionet e veta për furnizimin me raketa. Për shembull, raketat “Storm Shadow”, të cilat kanë një rreze veprimi prej rreth 300 kilometrash. Kjo rreze veprimi nuk mjafton që ta shkurtojë distancën nga Kievi në Moskë (756,25 kilometra), por raketat “Storm Shadow” do të ndryshonin fatin në fushën e betejës. Madje, këto raketa mund të ndihmojnë Ukrainën të rimarrë Krimenë.

“Nëse ne do të mund të sulmonim në një distancë deri në 300 kilometra, ushtria ruse nuk do të ishte në gjendje të mbrohej dhe do të duhej të kapitulonte”, i tha BE-së në fillim të vitit ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov (56). Kryeministri britanik Rishi Sunak (42) e bëri të qartë në shkurt të këtij viti: “Nëse armët që dërgojmë ne i dobësojnë forcat e armatosura ruse, atëherë kjo e rrit sigurinë tonë”.

Britania e Madhe ishte gjithashtu e para kur bëhej fjalë për dërgesën e tankeve

Nëse Britania e Madhe dërgon raketa me rreze më të gjatë veprimi në Ukrainë, vendi do të kthehet kundër qëndrimit aktual të SHBA-së. Presidenti amerikan Joe Biden (80) ka shprehur vazhdimisht shqetësimin se Ukraina mund të përdorë raketa amerikane për objektiva në territorin rus. Reznikov e siguroi atë: “Ukraina është e gatshme të japë të gjitha garancitë që armët tuaja nuk do të përdoren për sulme në territorin rus”. Por ky garancion ende nuk i ka bindur SHBA-të.

Pentagoni ka dërguar në Ukrainë raketa me rreze veprimi prej 80 kilometrash dhe ka njoftuar se do të dërgoj një tjetër paketë armësh me rreze veprimi prej 160 kilometrash. Edhe pse Britania e Madhe nuk e ka furnizuar Ukrainën me sasi të armëve sa SHBA-ja, megjithatë ajo ka qenë e para në furnizimin me tanke. Prandaj, nëse miratohet dëshira e saj dhe Britania e Madhe fillon të furnizoj Ukrainën me raketa “Storm Shadow”, ky veprim mund të nxisë aleatët e tjerë të Ukrainës që të furnizojnë gjithashtu me më shumë armë të sofistikuara. Vendimi përfundimtar për raketat “Strom Shadow” nuk është marrë ende, por të gjitha përpjekjet e Mbretërisë së Bashkuar lënë të kuptojnë se perëndimi nuk e ka ndërmend të heq dorë nga integriteti territorial i Ukrainës.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top