Shkruan: Prof. Dr. Jahja Drançolli
“Albanci o Zadarskim Arbanasima-Shqiptarët për Arbëneshët e Zarës“, Ulqin 2016.
Përveç botimit të një vargu të madh të veprave shumë të njohura me autor, Akademik Aleksandër Stipçeviq, angazhimet e tija më tepër të natyrës shkencore – bashkëvepruese kanë bërë që këtij studiuesi të shquar (pas vdekjes 2015) t’i mbesin në dorë të pabotuara edhe materiale për shpërnguljen e abreshëve në Zarë, historinë e tyre në trevën e sotme të Komunës së Ulqinit dhe asaj të Tivarit gjatë mesjetës dhe periudhës së hershme osmane, e ndonjë tjetër. Nga ky varg i veprave të pabotuara të studiuesit Stipçeviq, këto ditë pau dritën edhe vepra me titull: “Albanci o Zadarskim Arbanasima-Shqiptarët për Arbëneshët e Zarës“. Vepra në fjalë është botuar në sajë të përkujdesjës së Famullisë së Braticës së Ulqinit (Mali Zi), dhe të famullitarit Dom Gabriel Grabanica. Veprën që e kemi në dorë dhe jemi duke e shfletuar është botuar krahas në dy gjuhë, kroatisht dhe shqip (shqipërimin e ka bërë intlektuali dhe humanisti, Prof. Dr. Simë Dobreci). Edhe pse vepra është për nga madhësia vëllimore e shkurtër, ajo ofron një tabllo të tërësishme për shkrimet e shqiptarëve kushtuar Arbëneshit dhe arbëneshve të Zarës në aspektin historik, gjuhësor dhe letrar.
Këtej, kjo vepër sintetike e A. Stipçeviqit synon të paraqesë evolucionin dhe kontinuitetin e veprave, studimeve dhe artikujve nga fushat historike, gjuhësore dhe letrare. Autori, duke qenë konsekuent në idenë e një studimi të gjerë bibliografik dhe me një shtrirje kronologjike, vetiu na paraqet një studim të shtrirë në gjerësi, duke u përpjekur për të ndërthurur fakorët historikë, gjuhësor dhe letrar, siç e kërkon një studim sintezë.
Tërheqë vëmendjën edhe në këtë rast për të përkujtuar se, për gjithë atë çka ka bërë Stipçeviq për shkencën dhe kulturën shqiptare, ne i kemi mbetur shumë borxh jo vetëm atij por edhe arbëneshve të Zarës. Ju kanë mbetur borxh institucionet relevante shtetërore të Kosovës dhe të Shqipërisë, si dhe shqiptarët përgjithësisht. Pra, është koha e duhur, që mos ta humbin shansin për tu marrë me studime më të thelluara kushtuar arbëneshve të Zarës, si dhe për t’ia botuar të gjitha dorëshkrimet e pabotuara, si dhe të gjitha ato të botuara për t’i botuar sërish në komplet si do t’i përshtatet një niveli të studiuesit sikurse ishte Akademik Aleksandër Stipçeviq. Ndërsa, Famullia e Braticës, më ne krye me famullitarin Dom Gabriel Grabanicën, si dhe Prof. dr. Simë Dobreci, të merrën si një model si nuk duhet harruar Vires Illustris (Burrat e Shquara) të Kombit.