Shkruar nga Arbër Gashi
Pas Luftës së Dytë Botërore dhe mësimeve që nxorën prej saj, shtetet e perëndimit, përmes institucioneve të përbashkëta dhe përmes marrëveshjeve të përgaditura mirë nga grupi Bilderberger (dhe jo vetëm), i tejkaluan vështërsitë e dukshme në procesin e mundimshëm të përafrimit të interesave gjeopolitike. Sot, pas intervenimit të Rusisë në Ukrainë, kjo botë e vlerave të përbashkëta kulturore e fetare ndodhet në konfrontim të hapur me gjeopolitikën e despotizmit ruso-kinez, si dhe me gjeopolitikat tjera të dominimit, kontrollit e shfrytëzimit të forcave regjionale në Europë dhe Azi.
Viti 1054, në historinë botërore njihet si vit i ndarjes së madhe në Kishën Katolike. Perandoria Romake e Lindjes, Bizanti, si dhe Kisha Bizantine e asaj kohe, pas 1054-tës ndodheshin mes dy sfidave që më vonë e vulosën vet fatin e ekzistencës së Perandorisë. Humbja e ndikimit dhe territoreve në Lindjen e Afërt, si dhe mungesa e mbështetjes ekonomike, politike e ushtarake nga Papati, Principatat dhe Mbretnitë e tjera të botës perëndimore, ishin sfida të cilat nuk u tejkaluan me kohë dhe që e sollën Mehmetin e II-të para mureve të kryeqytetit të Perandorisë. Beteja për Konstantinopojën (1453) dhe trashëgiminë historike të Perandorisë Romake të Lindjes, Bizantit, përfundoi me humbje të thellë ushtarake, politike dhe fetare. Humbësit më të mëdhenj të kësaj lufte, ashtu siç e dëshmon dokumentacioni i sundimtarëve të Konstantinopojës, familjes së Komnenëve, e që ruhet në arkivat e Francës, ishin paraardhësit e shqiptarëve.
Meqenëse po i afrohemi mijëvjeçarit të ndarjes së Kishës Katolike Romake, vitit 2054, si dhe përvjetorëve tjerë me ndikim shumë të madh në gjeopolitikën e botës perëndimore, nuk pritet që lufta në Ukrainë të përfundojë para se të realizohen disa prej synimeve prej të cilave bota e krishterimit perëndimorë nuk ka hequr dorë kurrë. Madje, edhe shpërthimet e konflikteve mes forcave rajonale në Europë e Azi duket se kanë autorësi dhe mbikëqyrës vigjilentë. Parë në këtë këndvështrim të cilit i mungojnë dokumentet materiale por jo edhe njohja e rrjedhave në histori, luftërat e dekadave të ardhshme marrin kuptim tjetër nga ajo që opinionit të gjerë i ofron bota e lajmeve dhe dërdëllisjet e analistëve.
Në kontekst të interesave tona të ngushta kombëtare, shumë domethënës bëhet fjalimi i Patrikut të posashuguruar të Serbisë në Patrikanën e Pejës, kishë të cilën vazali i Sulltanit, serbi Mehmet Pasha Sokolloviq ua mori shqiptarëve dhe ua dha në shfrytëzim kolonistëve serb. Fjala e Patrikut të Serbisë Porfirije dhe lutja e tij për paqen mes shqiptarëve dhe serbëve, si dhe potencimi i traditave shqiptare si mbrojtës besnik të kishave bizantine, nxjerr në sipërfaqe, për ata që lexojnë mes rreshtave, shumëçka nga planet alternative të Serbisë së ardhshme. Përmes të njëjtës prizmë dhe në dobi të interesave tona për mbijetesë e rikthim dinjitoz në tryezën prej të cilës na ka larguar disfata e Konstantinopojës, duhet parë edhe luftën e fjalëve mes Greqisë dhe Turqisë.
Gjeopolitika si shkencë e veprimit në hapësirë të politikave të jashtme të fuqive të mëdha, nuk mund të kuptohet pa kornizën gjeostrategjike të veprimit. Kjo kornizë, e ridizajnuar nga bota perëndimore, veçanërisht ajo anglo-saksone, solli deri te ndryshimet e mëdha në dhjetvjeçarin e fundit të shekullit XX, duke imponuar ndryshime dhe përshtatje të interesave franko-gjermane brenda kësaj kornize. Për më shumë, zhvillimet aktuale na japin të kuptojmë se pavarësisht “çarjeve” deklarative të aty-këtushme, franceze e gjermane, synimet e përbashkëta gjeopolitike kanë marrë votë, miratim, formë veprimi dhe po zbatohen si plan i përbashkët në hapësirën që konsiderohet interes kulturorë, fetarë, politik dhe ekonomik.
Shpresojmë që Lufta e Dytë për Konstantinopojën, e pashmangshme nga këndvështrimi im, shqiptarët e këtij shekulli t’i gjejë në një situatë krejtësisht tjetër nga kjo që po e përjetojmë aktualisht, e që është pasojë dhe pasqyrë e veprimit të gjeopolitikës despotike të shteteve anmiqësore në raport me interesat tona politike, ekonomike, fetare dhe gjeopolitike.