Bej forever

Shkruan: Edison YPI

Pashë tek kalonte para shtëpisë një djalosh që mbante në duar ca tuba.
-Hidraulik je ?
-Po.
-A vjen të më bësh ca punë në shtëpi ?
-Po.
Ishte nga një fshat i Gramshit. 26 vjeç, pa dhjamë në bark, pa tul në ballë. Ardhur në Tiranë 18 vjeç. Kryer shkollën e mesme dhe një kurs për hidraulik. 10 deri 12 orë punë në ditë, Tiranë, Elbasan, Lushnje, Fier, Golem, Durrës, deri në Lezhë. Asnjë ankesë ndaj punës, pagës, punëdhënësve. Vilë tre katëshe në Paskuqan ku kishte sistemuar familjen, nënën, babain, motrat. Kishte arritur të bëhej 20 % bashkëndërtues në një hotel në Golem.
Bëmë një hesap paraprak për koston e materialeve dhe hakun e punës, ramë dakord, lamë ditën kur do vinte.
Dita erdhi, gramshaku gjëkundi.
U habita, se mu duk korrekt. E mora në telefon. Më prit nesër, tha.
Erdhi të nesërmen. Por s’ishte në terezi. Ishte i tronditur, i shpërqëndruar, i përhumbur.
-Ç’ke gramshak që rri i ngrysur ? Ke hedhur votën në kutinë e gabuar ?
-Jo o jo, votën e hodha në kutinë e duhur. A do ta dish tamam ?
-Sigurisht që dua ta di. Shëndeti yt është më i rëndësishëm se tubat e shtëpisë t’ime.
-Mirë. Do ta tregoj si e kam hallin. Po mendoj për fshatin e lindjes që është fshati më i bukuri në botë. Nuk po mendoj cekët, po mendoj thellë.
-Thellë e më thellë mendofsh për fshatin. Sa më thellë aq më bukur.
-Po, por po vuaj.
-Shumë mirë që po vuan. Je njeri me ndjenja. Bukuria të lodh, madje edhe të vdes.
-E lemë këtë muhabet për një herë tjetër. Po vazhduam do më rrjedhin lotë.
Kaluan disa ditë. E telefonova përsëri. Erdhi. Këtë herë edhe më i tronditur, edhe më i zverdhur.
-Hë, i thashë, si po venë vuajtjet nga bukuritë e fshatit ?
-Keq e më keq, tha, po nuk e arrita qëllimin pas ca kohësh do ngordh si qen.
-Ore gramshak, çfarë qëllimi dashke të arrish ti me fshatin tënd ?
-Me “fshatin t’im” ? Sa bukur e the. Aty më rri ! “Fshati im” i bukur e i pasur, tashmë i braktisur, ka qënë pronë e gjyshit t’im. Gjyshi im ishte Beu i fshatit. Për shkak se babain tim gjatë dhjetra viteve e cilësuan kulak, vuajtëm shumë. Ne shqiptarët në të kaluarën kemi pasur mbretër, princër, princesha, bejlerë, agallarë. Sot nuk kemi tituj. Ky fakt i shëmtuar, kjo gjendje e mjeruar, duhet ndrequr. Është turp për ne shqiptarët që i kemi dhënë botës kryeministra, mbretër, perandorë, Papë, sot të mos kemi të paktën bejlerë.
-Po shkrepe të shkretën, thuaje cili është halli yt se po më bën dhe mua të vuaj.
-Ende nuk jam gati.
-Jo mor jo, ti gati je, ti je gati për në çmendinë, madje je vonuar.
-Edhe për në çmendinë do iki po s’mbarova punë me fshatin.
-Cilën punë dashke të mbarosh me fshatin tënd zotrote, eja në vete o burr’ i dheut. Të gjitha të mirat i ke. I ri je. Punë e zanat të mirë ke. Shtëpi ke ndërtuar. Pare ke. Pas pak do ta gjesh një vajzë si ta dojë kokrra e qefit. Do fejohesh e do martohesh me ‘të. Do bësh një tuf’ me kalamaj, do gëzohesh e do trashëgohesh.
-Ende s’jam gati të ta them të gjithë të vërtetën. E di ç‘ke, e lemë edhe për sot këtë muhabet, takohemi një herë tjetër.
U takuam për të tretën herë.
Për punët hidraulike të shtëpisë s’ime as që bëhej fjalë më. Por këtë herë erdhi krejt ndryshe, me çehre të rregullt. Pa më përshëndetur, j’a krisi,
-Më kanë mbetur në mëndje fjalët e tua “fshati yt” dhe “pare ke”. Tani nuk vuaj më. Jam plot me energji. I bëra të gjitha matjet. I studjova të gjitha ligjet. I realizova të gjitha marrveshjet. I kam gati të gjitha dokumentat. Do ta blej me pare në dorë të gjithë fshatin. Do bëhem përgjithmonë Bej.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top