Reagim i Xhafer Shatrit, ish-ministër i informatave në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ndaj reagimit të z. Adnan Asllani, ish-redaktor i javores së ashtuquajtur “Zëri i Kosovës”!
Zotni Asllani, mos u përpjek ta lajsh veten, kur merr pjesë në një pisllëk të tillë.
Ju reagimin tuaj nuk e keni botuar në numrin në vijim, siç është Kodi i çdo gazete në këtë botë qoftë ajo edhe Zëri i Bedri Islamit. Ai që është gazetar e di shuuumë mirë se reagimi që nuk publikohet në numrin në vijim, me kërkim falje përkatëse, nuk llogaritet shlyerje borxhi ndaj atij mbi të cilin keni hedhur baltë me kaci.
Ju e paskeshit botuar kur është përtypur mirë shpifja juaj monstruoze, pra tre numra, gjegjësisht, tri javë më vonë.
Unë në vitin 1999 e tutje, për shkaqe higjenike kurrë nuk e kam shfletuar më fletushkëm e Bedri Islamit që më shumë do t’i shkonte emri Zëri i Serbisë.
Lexoje çdo kod gazetarie, madje edhe atë të Koresë së Veriut dhe e kupton, të paktën tani, se reagimi publikohet në numrin në vijim, ndërkohë që unë të nesërmen ua kam dërguar reagimin recommandé, dhe siç e ka konstatuar posta, ju e keni marrë me datën 21 dhjetor 1998, tre javë para publikimit. Por dy numra në vijim nuk u ka konvenuar ta publikoni, apo thënë më mirë e keni publikuar kur jeni bindur se ajo është ombrellë pas breshërit.
Ju që po më mbaroheni gazetar, në cilësinë e kryeredaktorit, e keni pasur për detyrë, posa e keni marrë shkrimin e Latif Leshit, të kërkoni sqarimin tim për gjërat që shpifni aty. Sepse ato gjëra nuk preknin një njeri, por thelbin e çështjes së Kosovës, Luftën e saj dhe përpjekjet publike të një grupi matrapazësh për të nxitur luftë vëllavrasëse në Kosovë, në kohën më të rrezikshme të historisë së saj.
Ky është thelbi.
Edhe një sqarim, së pari, Ju përpiqeni ta fshihni një fakt që përmenda në reagimin tim fillestar.
Ju këmbëngulni se reagimin tim e keni botuar në numrin në vijim.
Kjo, nuk qëndron: Shpifja kundër meje dhe kundër vëllezërve Geci është publikuar në “Zërin e Kosovës“ numër 331, datë 17 dhjetor 1998, ndërkaq, reagimi im qenkësh botuar 3 numra më vonë, në numrin 334, më datë 7 janar 1999, pra tre numra, gjegjësisht tre javë më vonë. Gjegjesisht në vitin 1999! Dhe pa asnjë kërkim faljeje. Kjo nuk ju shfajëson.
Së dyti, ju thuani se organi që kam drejtuar ka censuruar UçK-në. Do të duhej t’u vij turp. Në përgjegjësinë time ka qenë ndikimi te opinioni i huaj dhe Televizioni satelitor, i cili në çdo Zonë ushtarake i ka pasur korrespondentët e vet dhe çdo komandant Zone, çdo individ me ndikim ka mundur të shprehet lirisht në çdo kohë, pa asnjë kufizim. Asnjë informacion nuk ka guxuar të lëshohet pa konfirmimin paraprak të Komandës së Zonës. Televizioni satelitor ka qenë 1000% në funksion të Luftës. Ta mohosh këtë duhet të jesh edhe më i pamoralshëm se Bedri Islami.
Gazetat që ju përmendni, siç e dini, ishin gazet private dhe ato më shumë më kanë sulmuar mua se sa Ju dhe Bedri Islamin.
Së treti, referojuni shtypit, medieve kryesore botërore të kohës dhe aty do të gjeni se UçK-në askush sa unë, përmes prononcimeve dhe kontakteve të mia, nuk i ka bërë jehonë luftës së drejtë të saj në mediet kryesore të botës.
Kush e ka njohur Bedri Islamin, kryetarin e LPK-së të katapultuar nga Shiku?
Askush, sepse ai kishte vetëm një aftësi, të përhapë intriga dhe t’i përçajë shqiptarët. Këtë ‘punë’ të pistë, ky e bënë qe një çerek shekulli. Dhe nëse ju doni të bëni avokatin e tij, atëherë faturat çojani atij, por jo mua.