Asociacioni kalon vijat e Pakos së Ahtisarit

Qeveria e Kosovës ka dalë edhe përtej Pakos së Ahtisaarit me rastin e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe.

Nga kjo pako buron edhe Kushtetuta e Kosovës, me ç’rast Qeveria ka shkelur edhe Kushtetutën kur në Bruksel ka nënshkruar ASK-në. Kështu pati thënë në një intervistë për KosovaPress, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, që në kohën sa ishte miratuar Pakoja e Ahtisaarit ishte në krye të shtetit si president.

Pavarësia e Kosovës e shpallur në vitin 2008 ishte derivat i Pakos së Ahtisaarit që në Kuvend është miratuar në vitin 2007. Sipas Sejdiut, provizionet e Ahtisaarit janë të përgjithshme, por në fakt janë dhe konkrete, sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave, me shumicë serbe.

Sipas tij as në të nuk parashihet diçka më tepër sesa që është paraparë edhe për komunat, që janë me shumicë shqiptare.

Sejdiu tha se Qeveria ka marrë një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, e cila nuk ka thënë drejtpërdrejt, që është thyer Kushtetuta në këtë rast. Por në fakt sipas ish-presidentit ajo është thyer.

Sejdiu: Ishte udhërrëfyes i rëndësishëm për ecje të mëtejme

“Është fjala për Asociacionin e Komunave serbe dhe unë them se është dashur, të kihet një kujdes i veçantë në këtë drejtim. Provizionet e Ahtisaarit janë të përgjithshme, ato në fakt janë dhe konkrete, sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave, pra në këtë rast me shumicë serbe, nuk parasheh një diçka më tepër, se sa parasheh dhe për komunat që janë me të shumicës shqiptare. Në fakt janë dhe njëra dhe tjetra, të një karakteri thjesht më shumë konsultativ dhe çështjeve teknike. Dhe assesi të lëshohen në rrafshe të veçanta dhe të ushtrimit të kompetencave ekzekutive dhe kompetencave tjera, çfarë synohet të bëhet. Prandaj unë them se delegacioni i Kosovës ka marrë një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, pavarësisht fakti n se ajo përgjigje në njëfarë mënyre gati është edhe politike, nuk ka shkuar krejt drejtpërdrejt për të thënë se është thyer Kushtetuta dhe unë mendoj se është thyer. Sepse vet fjalia paralele që thekson se nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në fakt do të thotë, se është jashtë saj. Dhe këta duhet të kenë kujdes në proceset e mëtejshme, se kah do të lëvizin”, tha Sejdiu.

Sipas tij Pakoja e Ahtisaarit është një dokument bazë që i ka paraprirë proceseve të mëtejme në Kosovë.

Sejdiu: Nuk duhet të kapërcehet përtej Pakos së Ahtisaarit

“Unë mund të them se është vërtetë një dokument bazik, i cili ka një natyrë jashtëzakonisht të qëndrueshme dhe të akceptueshme me gjithë provizionet që ka. Dhe për këtë arsye, duhet me pas kujdes, që të mos lëvizet në mënyrat siç ka tendenca që të kapërcehet përtej tij”, tha Sejdiu..

Sejdiu thotë se mbi Pakon e Ahtisaarit, në periudhat e mëvonshme, është mbështetur jo vetëm dokumenti themelor i vendit Kushtetuta e Republikës, por dhe një korpus i tërë i ligjeve specifike. Por ai pranon se ka pasur edhe dispozita, që kanë qenë të vështira, siç është ajo për vendet e rezervuara në Kuvend për minoritetin serb.

Sejdiu:Ka pasur dispozita të vështira

“Ka pasur dispozita që kanë qenë të vështira, sidomos ajo që ka të bëjë me dy të tretat e prezencës së komuniteteve pakicë dhe natyrisht në marrjen e vendimeve, që janë në interes të veçantë nacional dhe për to. Çështjet që kanë të bëjnë me vendet e rezervuara në Parlament, pavarësisht rezultatit zgjedhor në proceset elektorale, që mund të kenë dhe një kujdes i veçantë , që është paraparë në atë kohë për ndërtimin e një strukture të decentralizuar të pushtetit. Por mbështetur paralelisht dhe mbi kartën evropiane, mbi qeverisjen lokale. Këto çështje apo këto tema kanë qenë vërtetë të debatuara dhe shpesh herë dhe me reagime të shumta. Por që ne kemi arritur që në njëfarë mënyrë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, që t’i bindim qytetarët e vendit, se duhet të paguajmë këtë çmim”, thotë Sejdiu.

Ndërsa duke folur për raste tjera, të cilat kanë mundur të dalin jashtë asaj çfarë ka paraparë Pako e Ahtisaarit, Sejdiu thotë se gjithçka deri tani është ndërtuar në bazë legale, por veprimet praktike janë diçka tjetër. Ai me këtë rast ka përmendur strukturat paralele që sipas tij janë ende aktuale në veri të Kosovës.

Sejdiu: Vazhdojmë të kemi problem me strukturat paralele

“Ne kemi probleme sot e kësaj dite, janë paraparë dhe me qasje të tjera poli tike, zhdukja e strukturave paralele në veri dhe sot e kësaj dite, ato kanë një prezencë në një tip tjetër, në pjesën e veprimeve jo normale, ose të mbajtjes peng të jetës së përgjithshme. Flas dhe të qytetarëve serb në ato pjesë të Kosovës, apo pjesës veriore. Sepse fundi i fundit, deshëm apo ndeshem ajo pjesë e qytetarëve ka nevojë t’i kthehet realitetit dhe ka nevojë, po ashtu të jetë një trysni e përbashkët ndërkombëtare, posaçërisht e Bashkimit Evropian. Sepse është në këtë kornizë e ndërtuar, por natyrisht them edhe e SHBA-ja që të bëhet presion dhe mbi Beogradin”, tha Sejdiu.

Ish presidenti madje tha se Beogradi sot e kësaj dite mban Kosovën, si pjesë të Kushtetutës së saj. Sipas Sejdiut Beogradi parasheh Kosovën si një “Kosovë dhe Metohi pjesë integrale e Republikës së Serbisë”.

Sejdiu: Beogradi u jep iluzione qytetarëve serbë të Kosovës

“ Beogradi ndërton iluzione të vazhdueshme, tek qytetarët serb që nuk i lejon apo i mban peng të vazhdueshëm, që të mos i kthehen jetës normale dhe institucionale të vendit”, tha Sejdiu.

Fatmir Sejdiu ka qenë president i Kosovës në periudhën 2007-2010, derisa kishte dhënë dorëheqje nga ky post pasi që Gjykata Kushtetuese kishte gjetur se ai ka shkelur Kushtetutën e vendit duke mbajtur njëkohësisht postin e presidentit dhe atë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sejdiu ka humbur garën edhe për kryetar të LDK-së pasi që rivali i tij, kryetari aktual Isa Mustafa ka marrë shumicën e votave të delegatëve të kësaj partie. Sejdiu është anëtar nderi i LDK-së.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top