Meshtari dioqezan Don Lazër Shantoja, lindi në Shkodër më 2 shtator 1892 (ose me 7 korrik 1891), në një familje tradicionalisht të shquar për patriotizëm, intelektualizëm dhe kontribut në fushën e albanologjisë. Nacionalist e demokrat, orator, poet lirik, eseist, përkthyes, i mbiquajtur “famullitari i pianofortit”, Shantoja do kujtohet sidomos si përkthyesi i veprave të mëdha të Gëtes, Shilerit dhe Hajnes. Prindërit e tij ishin Mikeli dhe Luçija Shantoja. Arsimin fillor e kreu në kolegjin Saverian dhe në Seminarin papnor në Shkodër me profesor Ndre Mjedën e etër të tjerë. Rreth viteve 1909-1910 u dallua në përvetësimin e latinishtes, greqishtes dhe italishtes. Ishte shqiptari i parë që njihte me kompetencë gjuhën esperanto në Shqipëri.
Studimet e larta teologjike i vazhdoi në Universitetin e Insbruku-ut, ku përvetësoi edhe gjermanishten. Më 29 maj 1915 u shugurua meshtar dhe si famullitar shërbeu në Pulaj, Beltojë, Velipojë, Rrjoll, Sheldî. Nga viti 1917 deri në vitin 1922 filloi përkthimet dhe botimet e para u shfaqën te “Lajmtari i Zemrës s’Jezu Krishtit”, “Kalendari i veprës pijore”, etj. Botoi “Për natë kazanash”, përmbledhje me lojra, kashë e lasha e proverba. Në qershor 1919 burgoset nga italianët në Beltojë. Për dy vjet (1922-1924) është sekretar i Arkipeshkvit të Shkodrës, Imzot Lazër Mjedës. Më 17 prill 1923 takoi në Vjenë, Kancelarin e Austrisë Dr. Joseph Seipel. Bashkëpunoi me Anton Harapin për “Ora e Maleve”, ku shfaqi aftësitë e tij si shkrimtar i zjarrtë e poet satirik. Don Lazri ishte bashkëpuntor i parë i tij së bashku me Luigj Gurakuqin.
Më 20 shkurt 1924 del prej shtypit “Shjor Puci”, një përkthim i Shantojës. Në janar 1925 u arrestua dhe u burgos si frymëzues e organizator i Revolucionit të Qershorit 1924. Mbas disa muajve burg u fal nga qeveria e Ahmet Zogut dhe u largua për në Jugosllavi. Më 2 tetor 1925 prej Beogradit, me zemër të pikëlluar, kujton me një artikull prekës te ”Liria Kombëtare“ vrasjen e Luigj Gurakuqit. Në 1928 kaloi nga Jugosllavia në Vjenë (Austri), ku filloi të botojë gazetën “Ora e Shqipnisë”. Nga ndërrimi i shpejtë i gjendjes politike në Shqipëri, Don Lazri doli prej atdheut dhe vajti në Zvicër si famullitar i fshatit Bienne ku predikon gjermanisht. Në fshatin zviceran filloi të përkthejë Wilhelm Tell-in e Faust-in. Asokohe në Shqipëri Kumbona e së Diellës, Cirka, Illyria etj., shtypnin pa pushim artikujt e përkthimet e Don Lazrit. Në 1936 e përkohshmja LEKA botoi Hermandin e Dorothenë e Goethes, përkthyer prej tij.
Gjendja e re, e krijuar në Shqipëri, më 7 Prill 1939, i çeli rrugën si shumë të mërguarve të tjerë edhe Don Lazrit për t’u kthyer rishtas në atdhe.
Më 1941, bashkë me Ernest Koliqin, Mustafa Krujën, Zef Valentinin, Karl Gurakuqin, Xhevat Korçën etj., qe një nga themeluesit në Tiranë të Institutit të Studimeve Shqiptare. Me kapitullimin e Italisë në shtator 1943 u tërhoq prej skenës politike.
Në janar 1945 e arrestuan dhe e torturuan komunistët dhe Don Lazri pati guximin dhe iu tha atyre ndër sy: “As ma pak e as ma shumë, se ajo që kam dijtë me kohë, se, ju komunistët jeni veç trathtarë!“. Më datën 31 janar 1945, u dha vendimi nga Gjykata Ushtarake e Qarkut: “I pandehuri Don Lazër Shantoja dënohet me vdekje, pushkatim.”
Me datën 2 shkurt 1945, aprovohet nga Gjykata e Lartë Ushtarake e Tiranës vendimi i dhënë në bazë të ligjit nr. 21, dt. 30 janar 1945, nga gjykata ushtarake e korparmatës së III, Shkodër: “Don Lazër Shantoja, 52 vjeç, nga Shkodra, dënohet me vdekje – me pushkatim“. Dokumentohet se: “Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945“.
Kaloi në amshim me buzëqeshje në gojë dhe me fjalë faljeje për ata që e persekutuan dhe e vranë.